Për Shqipërinë nën diktaturë thuhet që ishte një burg i madh. Por ne ende nuk e parafytyrojmë sa e madhe do dukej harta e Shqipërisë, po të bëheshin të dukshme të gjitha vendet e internimit, burgjet dhe kampet e punës së detyruar. Kjo video prezanton vendet ku vuajtën të dënuarit politikë nga viti 1944 deri më 1991, të ndara në tri grupe: kampet e internimit; kampet e përkohshme të punës dhe së fundi, burgjet dhe kamp-burgjet afatgjata.
I
Kampet e internimit
Me të marrë drejtimin e Shqipërisë, komunistët filluan të grumbullojnë familjet e “armiqve” në kampe të ngjashme me ato naziste dhe të krijojnë në qytetet kryesore zona me “gjak të pastër” komunist. Nga viti 1945 deri më 1953, kampet e përqendrimit kanë qenë të rrethuara me tela me gjemba. Të rrethuarit ishin kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, duke qenë që burrat e shtëpisë ishin të arratisur, të dënuar ose të ekzekutuar. Të internuarit dërgoheshin sa më larg banimit të tyre: jugorët në veri dhe veriorët në jug; detyroheshin të punonin dhe ushqeheshin me racion. Sipas të dhënave zyrtare, në tetor 1949, në kampe ndodheshin 2618 njerëz.
Kampet e rrethuar me tela me gjemba 1945-1953
Mars 1945-Shtator 1947
Pika e parë e internimit në Veri, ku u grumbulluan deri në 900 vetë nga Jugu i Shqipërisë. Kampi ndodhej në një repart ushtarak brenda qytetit. Banorët ushqeheshin me 600 gramë bukë misri në ditë dhe shfrytëzoheshin në punë të detyruar. Pas mbylljes së tij, të internuarit u dërguan në kampin e Valiasit.
- Kampi i Beratit
Mars 1945-Maj 1949
Kjo ishte pika e parë e internimit në Jug të Shqipërisë. Të internuarit u përqendruan në lagjen “Murat Çelepia”, por edhe në kalanë e qytetit dhe punonin në Kuçovë. Në vitin 1946, kishte 1275 të internuar nga Shqipëria e Mesme dhe Veriore. Me mbylljen e këtij kampi, të internuarit u zhvendosën në Tepelenë.
- Kampi i Tepelenës
1949-1953
Rrugës për në Tepelenë, bashkëshortët Fadil e Xhuma Petrela, humbën jetën në aksident. Katër fëmijët e tyre të mitur hynë në kamp pa prindërit, ndërsa qindra nëna dolën nga ai kamp pa fëmijët. Në kampin e Turanit dhe më pas të Tepelenës, humbën jetën nga epidemitë dhe kequshqyerja, rreth 300 fëmijë.
- Kampet e Kamzës dhe Valiasit
1948-1953
Në Kamëz u grumbulluan të internuarit nga Jugu dhe robërit e huaj. Në vitin 1949, u ndërtua në Valias, pranë fermës “Ylli i kuq”, një kamp me baraka, i rrethuar me tela me gjemba. Në vitin 1951, disa të internuar u zhvendosën në Kodër-Kamëz. Gratë punonin në Fabrikën e Tullave.
5. Kampi i Porto-Palermos
Dhjetor 1949-Dhjetor 1950
Të internuarit u çuan në kështjellën e Ali Pashës ku jetonin në izolim të plotë dhe pa asnjë ndihmë mjekësore. Ata dolën që aty thuajse të verbuar prej mungesës së ushqimit dhe ujit të pijshëm.
Të rrethuar edhe pas heqjes së rrethimit
Edhe pse kampet e internimit me tela me gjemba u mbyllën ligjërisht, dhjetëra të internuar vazhdonin të qëndronin të rrethuar sepse në kampet ku i çuan, në Plug dhe Savër të Lushnjës dhe Shtyllas të Fierit punonin edhe të burgosur.
Kampet e hapura të internimit
1954-1990
Me mbylljen e kampeve me tela me gjemba, fshatrat e Lushnjës dhe Fierit u kthyen në qendrat kryesore të internimeve. Të internuarit jetonin në baraka dhe punonin në bujqësi. Ata paraqiteshin dy herë në ditë në apel dhe nuk mund të largoheshin nga vendi i internimit pa lejë. Familjeve të armiqve të përjetshëm: Biçaku, Mirakaj, Pervizi, Kupi, Dosti, Dema, Dine, etj., iu ripërtërihej vazhdimisht dënimi dhe shumë prej tyre kaluan në internim mbi 40 vjet. Klora Mirakaj Merlika ishte 10 vjeç kur shkoi në internim dhe gjyshe kur doli prej andej. Fshatrat ku janë internuar armiqtë e pushtetit, janë shumë më tepër sesa njeh një shqiptar mesatar.
1954-1958 Kampi i Kuçit, Vlorë. Një kamp i izoluar nga natyra, vetëm me burra, ish-funksionarë të lartë, intelektualë dhe pjesëtarë familjesh të njohura, si Zef e Baltazar Benussi, Lekë e Valentin Pervizi, Dom Mikel Koliqi dhe Sami Kokalari.
1970 Familja e Liri Belishovës e internuar që në vitin 1961, në Kuç e më pas në Progonat, internohet në Cërrik, ku kalon 20 vitet e ardhshme.
1977 Në këtë kohë risillet modeli i kampeve me tela me gjemba në vendet e internimit Tale, Fishtë dhe Kalivaç të Lezhës.
Në vitin 1982 internohen nga Lezha në Fishtë Liri Lubonja dhe i biri, Agimi, pasi bashkëshorti, Todi Lubonja dhe djali tjetër, Fatosi ishin në burg. Po këtu internohet familja e Fadil Paçramit, gjithashtu i burgosur.
1990 Vendimi i fundit i internimit duhet të jetë marrë më 10 shkurt 1990.
8 maj 1990: Kuvendi Popullor shfuqizoi ligjin e internimeve dhe dëbimeve.
Dokumentet dëshmojnë për 12 mijë persona të internuar në vitet 1949-1990. Duke llogaritur fëmijët dhe të internuarit para 1949-ës numri i të internuarve dhe dëbuarve në Shqipëri është shumë më i lartë.
II
Kampet e përkohshme të punës
Punët më të vështira si tharja e kënetave, hapja e kanaleve, ndërtimi i rrugëve, që shtroheshin si domosdoshmëri për qeverinë komuniste, iu ngarkuan menjëherë të dënuarve politikë, të cilët punonin si skllevër. Në fillim të viteve ’50, burgjet, me shumë pak përjashtime, u shndërruan në Reparte Riedukimi me punë të detyruar dhe të dënuarit e tyre zhvendoseshin sa nga një kamp pune në tjetrin, pranë të cilave improvizoheshin fjetore dhe vendosej rrethimi me gjemba. Këtu do të shohim kampet e viteve të para dhe ato të mëvonshme që u vendosën për një afat të kufizuar kohe pranë vendeve të punës.
Kampi i Jubës prill 1946-tetor 1946. Në Jubë të Durrësit u ngrit kampi i parë i punës së detyruar në Shqipërinë komuniste. Mes të dënuarve ishin ish-qeveritarët Ibrahim Biçakçiu, Koço Kota, Et’hem Cara, të cilët veçse keqtrajtoheshin në vendin e punës, duhet të hynin në kamp duke kaluar përmes një cilindri telash me gjemba, këmbadoras.
Stadiumi “Qemal Stafa” Qershor 1946-Tetor 1946. Për ngritjen e stadiumit më të madh në vend u angazhuan robërit italianë dhe gjermanë.
Kampi i Maliqit: Vloçisht, Orman-Pojan 1947-1951 Në kënetën, ku në nëntor të 1946-ës, ishin ekzekutuar inxhinierët e shpallur sabotatorë, vazhduan punimet me rreth 2500 të dënuar politikë, mes tyre dhe Dhimitër Pasko. Punohej 10-14 orë në ditë në ujin e mbushur me shushunja, në uri dhe etje të vazhdueshme. Josif Papamihali u varros i gjallë në këtë kënetë, Virtyt Gjylbegu gjithashtu humbi jetën në këtë kamp. Të tjerët, vetëm mrekullia i mbajti gjallë.
Kampi i Bedenit 1948-1950 U krijua për hapjen e kanalit kullues Peqin-Kavajë. Në njërën prej brigadave punonin 28 priftërinj katolikë, nga 26-vjeçari Zef Pllumi te 75-vjeçari Çiril Cani. Në fund të vitit 1950, Mustafa Vata, që do të lirohej pas pak ditësh, u vra nga roja, i cili, siç doli më vonë, ishte nxituar sepse i dënuari nuk donte të arratisej.
Kampet e tjera të rrethuara, ku kanë punuar të burgosurit gjatë viteve të para të regjimit komunist:
Kampi i Lekajt në Kavajë, ku gjatë vitit 1948 u sistemua terreni i hekurudhës Durrës-Peqin dhe më vonë u përqendruan të dënuar për hapje kanalesh kullues.
Kampi i Vlashukut në Berat, ku në vitet 1948-49 u hap një kanal kullues 2 km i gjatë. Në vitin 1953, të tjerë të dënuar vijnë për të punuar për kanalin Devoll-Thanë. Mes tyre ishin profesori Foto Bala, mjeku Isuf Hysenbegasi, avokati Jani Ikonomi.
Kampi i Lozhanit, Korçë Prill 1949-Dhjetor 1949
Kampi i Kamzës, që gjatë vitit 1948 u mor me bonifikimin e fushës së Kamzës dhe Valiasit. Në vitet ’50, pranë fermës Ylli i Kuq punonin 300 emigrantë grekë.
Kampi i fermës “29 nëntori”, Lushnjë 1950
Kampi i fermës “Çlirimi”, Fier 1950
Kampi “Lufta e Vlorës” , Llakatund 1950
Kampi i Cërrikut 1952
Kampi i Fabrikës së Tullave, Tiranë 1952-1953
Kampi i Urës së Bonës dhe kampi i Bishqemit, përgjatë rrugës Peqin-Elbasan, që në vitin 1950 punoi për ndërtimin e hekurudhës që bashkonte këto dy vende.
Kampi i Yzberishtit në Tiranë ku në vitet 1950-1951, të burgosurit ndërtuan kanalin kullues të bojërave të kombinatit tekstil.
Kampi i Ullishteve në Vlorë, 1950
Më pas fillon epoka e reparteve të riedukimit me punë të detyruar. Ato mbanin një numër në shpinë dhe zhvendoseshin sa në një vend pune në tjetrin. Të dënuarit ishin të burgosur, por në terminologjinë ligjore quheshin punëtorë me detyrim. Sigurisht që kampet ku punonin ata ishin të rrethuar:
Reparti i Sukthit, Durrës 1950
Reparti i Podgories dhe Nizhavecit, Korçë 1951
Reparti i Gosës, Kavajë 1951
Reparti i Peqinit dhe Çengelajt 1951-1952
Reparti i Plugut, Lushnjë 1951-1953
Reparti i Llakatundit, Vlorë
Reparti i Rrapit të Treshit në Tiranë 1952
Reparti i Urës Vajgurore 1952. Të dënuarit punonin në Kuçovë për ndërtimin e aeroportit.
Reparti i Rinasit, Tiranë 1953. Jusuf Vrioni është një nga shumë intelektualët që punuan për ndërtimin e tij.
Repartet e Varibopit, Shtyllasit, Radostimës, Levanit, Selishtës dhe Kafarajt, Fier 1953-1955. Qindra të dënuar politikë u vendosën në fshatrat e Fierit për të hapur kanale ujitëse. Shumë prej tyre u sëmurën nga kushtet e këqija.
Reparti i Zadrimës, Lezhë 1954-1958
Reparti i pallateve Agimi dhe kampet e tjera të ndërtimeve, në Tiranë 1953-1963 Mbi 500 të dënuar u përqendruan pranë Lanës për të ndërtuar pallatet Agimi. Në vitin 1954, pasi u gjendën tunelet që të dënuarit kishin hapur për t’u arratisur, 4 prej tyre u dënuan me pushkatim dhe 13 të tjerë me vite të gjata burgu. Objekte të tjera të realizuara në këtë periudhë nga të burgosurit janë: zona e Zogut të Zi, stadiumi Dinamo, pallatet e rrugës “Myslym Shyri”, kombinati ushqimor dhe fabrika e bukës.
Reparti i Tërbufit dhe Bubullimës, Lushnjë 1956-1958
Reparti i Saukut, Tiranë 1959 U ngrit për ndërtimin e Sanatoriumit për të vazhduar me ndërtimin e kombinatit të mishit, peliçerisë, një pjese të uzinës së autotraktorëve dhe një pjese të godinave të fermës “Gjergj Dimitrov”.
Reparti i Thumanës, Krujë 1958-1961 Në këtë kamp punohej për tharjen e kënetës. U vendos fillimisht në Mamurras dhe më pas në Gjorm. Të 540 të dënuarit ishin për arsye politike.
Reparti i Laçit 1961-1967 Pati disa tentativa arratisjeje, por përveç një rasti, të dënuarit e tjerë u kapën dhe disa prej tyre u vranë. Makabre është skena me të dënuarin Mark Cuf Marku që në vitin 1965, pasi e vrasin, e sjellin në kamp, e vendosin mes të burgosurve dhe i urdhërojnë që ta pështyjnë kufomën. Asnjë nuk lëviz vendit, veç një shokut të tij, Islam Cenko, që shkon dhe e puth.
Reparti i Uzinës së Sodës Kaustike, Vlorë 1963-1965. Më 15 qershor 1964, ky kamp tronditet nga vrasja e të dënuarit tri herë, për motive politike, Mustafa Alushit, i cili shkoi me vetëdije drejt rrethimit duke thirrur “Poshtë komunizmi”.
Reparti i Rubikut 1963-1967. Qëllimi ishte ngritja e fabrikës së përpunimit të bakrit. Në vitin e parë të jetës së këtij kampi, vritet Demir Shkoza që tentoi të arratisej.
Reparti i Fabrikës së Çimentos, Elbasan 1965. Rreth 290 të dënuar politikë vendosen në Elbasan për të ndërtuar fabrikën e çimentos.
Reparti i Fabrikës së Çimentos, Fushë-Krujë 1965. Të dënuarit “e specializuar” në ndërtimin e fabrikave të çimentove, vijnë nga Elbasani për të njëjtin qëllim.
Reparti i Belshit, Elbasan 1966-1970 U ngrit në vitin 1966 për të dënuarit në moshë të re. Ata merreshin me punë bujqësie.
Reparti i Skrofotinës, Vlorë 1967-1972 Në temperatura që në verë shkonin 40-45 gradë Celsius, të sulmuar nga mushkonjat dhe duke pirë ujë që vinte me fuçi nafte, të dënuarit punuan për ndërtimin e kripores së Vlorës, një argjinature dhe një hidrovori. Në vitin 1969, këtu punonin 340 të dënuar politikë.
Reparti i Valasit, Elbasan 1970-1983
Reparti i Fishtës, i Ishull-Lezhës dhe Lerasit, Lezhë 1972-1983 Funksionoi si repart për të rinjtë që punonin në fermat e zonës.
Reparti i Përparimit, Shën Vasil, Sarandë 1978-1991 Të dënuarit punonin në bujqësi, për hapjen e tarracave.
Reparti i Tërnovës, Bulqizë 1987-1991 U hap me 400 të dënuar, 110 prej të cilëve ishin politikë dhe kishte detyrën e nxjerrjes së kromit.
Shkolla e Riedukimit për të Mitur, Shën Koll, Lezhë 1987- 1991
Reparti i Bardhorit, Kavajë 1987-1991 Të dënuarit punonin në kompleksin e dafinës dhe në punë të tjera bujqësore.
Kampi kompleksit sportiv “Dinamo” 1988-1989 Të dënuarit, shumica politikë, ndërtuan kompleksin sportiv Dinamo në Tiranë.
Reparti i Gjirokastrës 1989-1991 Jemi në vitin 1989. Ngrihet një repart i ri pune për të dënuarit politikë që punojnë pranë fushës së sportit.
III
Burgjet dhe kamp-burgjet afatgjata
Burgjet ekzistuese nuk mjaftonin për numrin e lartë të të arrestuarve të regjimit komunist, ndaj në vitet e para u hapën disa të reja, duke shfrytëzuar edhe shtëpi apo kisha. Ato ndaheshin në burgje për të dënuar politikë dhe ordinerë. Pasi kishte zbuluar avantazhet e shfrytëzimit në punë të të burgosurve, regjimi i ktheu të gjitha burgjet në reparte pune, përveç Repartit 313 në Tiranë dhe 321 në Burrel. Shumica e tyre ishin të lëvizshëm, por disa u ngritën pranë minierave për të qëndruar pafundësisht aty. Këtu po sjellim këto kamp-burgje afatgjata, së bashku me burgjet që ishin vetëm vende izolimi.
Në vitet e para të pushtetit komunist, të dënuarit politikë vuanin dënimin në:
Burgun nr.1 Peshkopi, Burgun nr.3 Burrel, Burgu nr.4 Shkodër, Burgun nr.5 dhe Burgun nr.2 Tiranë, Burgun nr.7 Durrës, Burgun nr.9 Berat, Burgun nr. 11 Vlorë, Burgun nr.13 Elbasan, Burgun nr.15 Korçë, Burgu nr.17 Gjirokastër, Burgun nr.18 Kukës, Kampin nr.19 Valias, Burgun nr.20 Kavajë. Kushtet higjienike, ushqimi dhe veshja, siç tregojnë raportet, ishin vazhdimisht me probleme. Sëmundjet si tuberkulozi, zgjebja, bronkiti në fillim të viteve ’50, preknin shifra alarmante.
Burgjet e Tiranës
1944-1991 Në Burgun e Ri dhe të Vjetër të Tiranës kanë kaluar orët e fundit të jetës disa prej qeveritarëve, oficerëve dhe intelektualëve të dënuar në gjyqet e para si ai Special apo i Deputetëve apo pa gjyq fare si shkencëtarja Sabiha Kasimati, e vetmja grua në grupin e 22 vetave të pushkatuar pa faj pas Bombës në Ambasadën Sovjetike.
Burgjet e Shkodrës
1944-1966 Veç Burgut të Madh dhe Burgut të Gestapos, në janar 1945 u hap edhe Burgu i Ri në shtëpinë e Çekajve. Në datën 6 shkurt 1945, në burg ndodheshin 280 veta, ndërsa gjatë gjithë vitit, u burgosën mbi 3 mijë vetë. Veç burgjeve, rreth 10 shtëpi dhe kuvende katolike u kthyen në vende hetuesie. Në to, humbën jetën nga torturat avokati Myzafer Pipa, kleriku Frano Gjini, profesori Qemal Draçini dhe jo vetëm.
Burgu i Gjirokastrës
1944-1953 Ndodhej në kalanë e qytetit. Izolimin dhe ashpërsinë e përzgjedhur nga pushtuesit osmanë, e shfrytëzoi edhe regjimi komunist që e bëri edhe më të errët këtë burg, duke i shtuar disa qeli të nëndheshme. Këtu humbën jetën mbi 120 të burgosur. Pasi u mbyll, të dënuarit u shpërngulën në Burgun e Vlorës.
Burgu i Vlorës
1944-1964 Veç burgut që shërbente prej vitesh te një ish-shtëpi private në qendër të qytetit, në fillim të viteve ’50, nisi të ndërtohej në hyrje tëVlorës një burg tjetër. Të dënuarit me pushkatim, ekzekutoheshin 300-500 metër larg qelive dhe liheshin aty. Nga torturat dhe ekzekutimet, kanë humbur jetën rreth 80 persona.
Burgu i Burrelit
1946-1991 Nisi të ndërtohej në vitet 1938-39, por u hap si burg në vitin 1946, për t’u shndërruar në një nga më të egrit. Në burgun e Burrelit vdiq ish-kryeministri Koço Kotta, ish-ministri Xhevat Korça, dramaturgu Et’hem Haxhiademi, gjeneralët Abaz Fejzo dhe Vaskë Gjini, shtetasi italian, Giuseppe Terrusi dhe qindra të tjerë, eshtrat e të cilëve ende nuk kanë dalë nga rrethimi i burgut. Këtu kanë vuajtur dhe klerikë të lartë si Visarion Xhuvani dhe Hafiz Ali Kraja; përkthyes të klasikëve si Mark Ndoja dhe Gjon Shllaku dhe dhjetëra intelektualë dhe artistë si Pjetër Arbnori, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela e Sherif Merdani.
Kamp-burgu Punëtoria Qendrore e Artizanatit, Tiranë
1950-1966 U hap në Tiranë në vitin 1950 dhe shfrytëzoi punën e të burgosurve në disa zanate, por edhe përkthimet e poliglotëve si Mirash Ivanaj dhe Lazër Radi. Një pjesë e tij, luante funksionin e burgut të grave. Musine Kokalari është një nga të dënuarat e këtij burgu.
Kamp-burgu i Bulqizës
1954-1983 Për thuajse 30 vjet, instalohet pranë minierës së Bulqizës, ku nxirrej minerali i kromit. Të dënuarve politikë u lihej puna më e rëndë. Nga viti 1954 deri në vitin 1982 në këtë repart kanë vdekur nga aksidentet 81 të burgosur.
Reparti nr.318, Kuçovë
1966-1976 Ky repart funksionoi si burg grash, të cilat punonin në bujqësi dhe në industrinë e naftës.
Kamp-burgu i Spaçit
1968-1990 Të dënuarit shfrytëzoheshin për nxjerrjen e bakrit dhe piritit në Spaç dhe për pasurimin e bakrit në fabrikën e Repsit. Numri i të dënuarve politikë arriti deri mbi 1 mijë, ndërsa ordinerët mbetën vetëm disa dhjetëra. Ky kamp është shenjuar nga revolta e 21 majit 1973, ku u bënë thirrje që jashtë burgjeve askush nuk guxonte t’i pëshpëriste: “Ju jeni katila dhe keni lyer duart me gjakun tonë”, “Poshtë komunistët”, “Rroftë Shqipëria e lirë”. Pas revoltës, Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan.
Burgu i Tepelenës
1970-1973 Në një periudhë kur nuk hapeshin më burgje, por vetëm reparte pune, burgu i Tepelenës përbën përjashtim. Ai u hap për tre vite në Bënçë të Tepelenës, enkas për të izoluar komunistët e përjashtuar nga Partia e Punës si Bedri Spahiu, Koço Tashko, Maqo Çomo.
Kamp-burgu i Ballshit
1972-1983 Në Ballsh, u përqendruan të dënuar nga disa reparte riedukimi dhe qëndruan plot 11 vjet. Deri në vitin 1979, u morën me ndërtimin e uzinës së përpunimit të naftës dhe më pas me ndërtime banesash. Në vitin 1976, në këtë kamp-burg kishte 550 të dënuar politikë.
Burgu i grave, Kosovë, Elbasan
1976-1991 Në vitin 1976, “burgu i grave” zhvendoset nga Kuçova, në Dumre. Mes të dënuarave politike, ishin edhe gra të huaja intelektuale, të martuara me burra shqiptarë. Burgu vazhdon të ekzistojë edhe sot.
“Burgu i pleqve”, Zejmen, Lezhë
1982-1987 Në Zejmen u ngrit një repart për të moshuarit dhe të sëmurët ku mbizotëronin të dënuarit politikë. Edhe pse i përket periudhës së reparteve të punës, përbërja e të dënuarve bën që në këtë repart përgjithësisht mos të punohej.
Kamp-burgu i Qafë-Barit
1982-1990 U ndërtua për shfrytëzimin e minierës së bakrit dhe përpunimin e tij në fabrikat e Fushë-Arrëzit. Nisi nga puna në gusht të vitit 1982. Të dënuarit ishin kryesisht politikë. Numri i tyre, çdo vit, ishte mbi 300. Ata rrezikoheshin nga aksidentet, në të cilat humbën jetën dhe u plagosën disa të dënuar; keqtrajtoheshin nga policët e kampit dhe nuk kishin as ujë të ngrohtë për t’u larë. Në maj të vitit 1984, shpërtheu një revoltë tronditëse, pas së cilës, humbi jetën nga dhuna Sandër Sokoli dhe u ekzekutuan Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja.
Përgatiti: Arta Çano/kujto.al
Njihuni me listën e plotë të vendeve të dënimit.
Të dhënat janë mbështetur në:
Arkivën e Ministrisë së Punëve të Brendshme
Librin “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste”, Kastriot Dervishi, ISKK, 2015
Dëshmitë e Kujto.al
Librin “Burgjet e Shqipërisë-burg”, Agim Musta, Shtëpia Botuese Toena, 2000
Vëllimin “Zërat e kujtesës V”, Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku, ISKK, 2018
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.