Klerik katolik, kardinal, muzikant, kompozitor.U lind në Shkodër më 29 shtator të vitit 1902. Shkollën fillore e nisi në Shkodër dhe e mbaroi në vitin 1911 në kolegjin "Arici" të Etërve Jezuit në Breshia të Italisë. Në Itali kreu dhe gjimnazin, pjesërisht në Monxa e pjesërisht në Bergamo e Bari. Në këtë periudhë mori vendimin për t’u bërë prift, duke lënë përgjyshëm studimet në vitin e dytë, për të vijuar studimet teologjike në seminarin "Corso di Venezia" të Milanos dhe më vonë në seminarin Vonogonos 1928-1930. Në 30 maj 1931 u shugurua meshtar në Kishën e Jezuitëve të Shkodrës, nga Arqipeshkëvi i Shkodrës Imzot Lazër Mjeda 1869-1935. Sapo mbaroi studimet, para se të kthehej në Shkodër, ku qe emëruar ndihmësfamullitar, iu drejtua Imzot Luigj Bumçit që ta dërgonte në ndonjë shkollë muzikore. Dhe me rekomandimin e Ipeshkëvit, ai u dërgua në Austri pranë një kori të famshëm. Kompozoi dhe realizoi në skenë tri melodrama me theks të fortë patriotik "Rozafa", "Rrethimi i Shkodrës" dhe "Ruba e kuqe", si dhe rreth 40 pjesë korale. Gjatë kësaj periudhe arriti të organizonte korin e Katedrales, të cilit i vuri emrin "Scola Cantorum" 1932. Më 18 prill 1936, pas shugurimit ipeshkëv të Dom Gaspër Thaçit, u emërua famullitar i qytetit. Themeloi revistën e njohur "Kumbona e së diellës" dhe e drejtoi atë si kryeredaktor nga numëri i parë 1938, deri sa u mbyll me arrestimin e tij, më 2 shkurt 1945. U lirua katër vjet më vonë, por, pa kaluar shumë kohë, u arrestua sërish dhe u dënua me internim. Në vitin 1977, në moshën 75-vjeçare, u dënua për të tretën herë me pesëmbëdhjetë vjet burg. U lirua me amnistinë e vitit 1986. Më 31 janar të vitit 1992 iu dha titulli "Monsinjor". Pas hapjes së kishave u emërua famullitar, detyrë të cilën e dorëzoi vetë për arsye moshe. Më 28 nëntor 1994 u shugurua kardinal në Vatikan nga vetë papa Gjon Pali II 1978–2005. Vdiq më 27 janar 1997.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist IV (Tiranë: ISKK, 2015), 294
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.