Dy shokë

1
19102
blank

Manol Qirici dhe Stavro Guxo kaluan rrethimet e kampit të Spaçit më 9 dhjetor të 1977-ës dhe ecën për 13 ditë mes ngricës dhe borës, por kur kishin arritur pranë kufirit, Manolit i plasi stomaku. E gjithë ushtria dhe policia ishte mobilizuar dhe i ndiqte.

“Ik, shpëto ti, të paktën!”-i tha Manoli, Stavros.

Ata të dy ishin njohur para pak muajsh, në burgun e Spaçit. Por atë ditë, u bënë përjetësisht shokë

 

Mes 152 të dënuarve politikë që erdhën në kampin e Spaçit gjatë 1977-ës, duke e çuar numrin e tyre në 877 derisa u kalua dhe kapaciteti i dy godinave, ishin dhe Manol Qirici dhe Stavro Guxo.

Kur Manoli, nga një familje ballistësh, me babanë e pushkatuar, erdhi në kamp, kishte lënë pas muajt më të vështirë të jetës. E kishin arrestuar më 13 nëntor të vitit 1976 në mes të një mbledhjeje të organizuar në fshatin e tij të linjdes, Mbrezhan, ku pasi ishte shpallur arrestimi, disa gra komuniste ia kishin marrë këngës. Kishte bërë 9 muaj hetuesi në Përmet dhe kur kishte dalë në gjyq, kishte pasur dëshmitarë edhe njerëz të një mbiemri që thoshin se Manoli kishte sharë qeverinë komuniste dhe Enver Hoxhën. Kishte marrë dënimin prej 10 vitesh burg dhe ishte dërguar në Spaç të Mirditës.

Po atë vit, më 26 prill, ishte arrestuar edhe mësuesi Stavro Guxo, një minoritar grek nga Derviçani i Gjirokastrës. Akuzohej për tentativë arratisjeje. U dënua me 18 vite burg dhe u dërgua në Spaç. Ky ishte dënimi i dytë për Stavrin, që ishte dënuar 4 vjet për agjitacion dhe propagandë në vitin 1973.

Me sa duket, ata të dy u miqësuan shpejt, jo vetëm për të ndarë hallet, por edhe planet për arratisje, të cilat nuk mund t’i besoheshin çdo bashkëvuajtësi. Nuk mund të mos doje të ikje nga ai kamp i thellë, ku punohej me normë në minierë, ku të drejtat nuk ekzistonin dhe shtypja ishte bërë dhe më e rëndë pas revoltës së vitit 1973, por pak ishin ata që e merrnin përsipër atë nismë me rrezik të lartë për jetën. Në vitin 1969, për shembull, siç tregon në librin e tij “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste”, Kastriot Dervishi, nga i cili janë marrë të dhënat për burgun e Spaçit, kishin tentuar për t’u arratisur 15 persona. Gjashtë prej tyre ishin kapur ose asgjësuar menjëherë, ndërsa nëntë të tjerë ishin kapur brenda 8 ditëve. Në vitin 1973, një të burgosur që po orvatej të arratisej dhe po kapërcente rrethimin e dytë, e qëllon ushtari i shërbimit duke e plagosur rëndë nga mesi e poshtë dhe I jepet gjoja një ndihmë sa për sy e faqe, por nuk lëvizet nga telat derisa vjen grupi hetimor nga Rrësheni. Imazhi i tij, mbeti mbi tela në mendjen e të dënuarve edhe shumë kohë pasi i plagosuri u zbrit që aty.

Megjithatë Manoli dhe Stavroja guxuan. Arratisjet bëheshin gjatë ndërrimit të turneve, apo nga galeritë e minierës dhe gjithmonë në ditë me mot të keq, me shi, borë e mjegull. Një ditë e tillë ishte dhe 9 dhjetori i vitit 1977, kur Manol Qirici dhe Stavri Guxo kapërcyen të gjitha rrethimet dhe dolën nga kampi duke hedhur në erë gjithë masat e studiuara të sigurisë së lartë. Ngjarjen e asaj date dhe ditët që pasuan e ka riformuar për kujto.al, djali i Manolit, Anastasi.

“Babai im Manol Qirici bashkë me shokun e tij Stavro Guxo u arratisën nga burgu i Spaçit. Ka qenë një dimër i ashpër atë vit, por si u arratisën nga burgu, filloi një borë e madhe. Policia dhe ushtria ishin në kërkim, e gjithë Shqipëria më këmbë. Po kalonin ditë e nuk po kapeshin. Ishte dita e 13-të që ishin arratisur. Kishin arritur afër Kukësit, babait tim i pëlcet stomaku dhe i thotë Stavros: “Ik, më lër të vdes! Ik shpëto ti të paktën, mos bjer në dorë të këtyre kriminelëve!”. Por Stavroja nuk e la dhe e mori në krahë, doli në rrugë automobilistike dhe u dorëzua te makina e parë e policisë që erdhi në drejtim të tyre”.

Njiheshin prej pak muajsh, por në atë çast, nuk mund të kishte burra që të ishin më shumë shokë mes tyre.

“Kështu i marrin e i torturojnë e i çojnë në Tiranë”, vazhdon rrëfimin Anastas Qirici, “ku babain e operojnë nga stomaku dhe për fat, del mirë se në përgjithësi me të burgosurit bënin praktikën studentët e mjekësisë. Dhe më vonë pasi u bë mirë, e nxjerrin në gjyq në qytetin e Rrëshenit, ku dënohet me pushkatim, por e kthejnë dënimin në 25 vjet heqje lirie, plus 10 vjet nga Gjykata e Përmetit, 35 vjet. Si përfundim, 25 vjet heqje lirie. E çuan në burgun e Burrelit të kryente dënimin. Aty ka kryer dënimin vite me radhë deri sa u lirua nga burgu në 10 shkurt të vitit 1991. Kthehet në vendlindje në Mbrezhan dhe ikën në Greqi më familjen e tij”.

Edhe Stavroja u dënua me 25 vite burg. Nga dëshmitë e të burgosurve, mësohet që edhe ai e vijoi dënimin në burgun e Burrelit, ku ndodhej, sipas dëshmisë së Qani Sadikut, në prill të vitit 1985. “Një djalë shumë i mirë me origjinë nga minoriteti grek”, thotë Qani Sadiku për Stavrin edhe pse, pas ndodhisë në malet e Kukësit askush nuk do dyshonte për këtë.

“Babai im pasi doli nga burgu iku në Greqi dhe jetonte me gruan, dy djemtë dhe vajzën e tij në qytetin Agrinio të Greqisë. Manoli u interesua të mësonte ku ishte shoku i tij Stavro Guxo dhe mësuam se jetonte në qytetin e Greqisë, Arta. Ai ishte martuar me një profesoreshë greke e cila punonte në universitetin e Janinës. Me Stavro Guxon u takuam dy herë në qytetin e Artës, ku unë kam shkuar vetë me babain tim. Nuk u takuam më se babai im Manoli pësoi aksident automobilistik më motor dhe vdiq në nëntor të vitit 1992. Kurse unë e takova dhe dy herë të tjera në qytetin e Gjirokastrës. Stavroja ishte ndarë me gruan greke, por kishte një vajzë dhe ishte martuar me një grua nga minoriteti. Kam mësuar se ka ndërruar jetë në vitin 2016 në mos gaboj dhe prehet në fshatin e lindjes, Derviçan të Gjirokastrës", shkruan Anastasi, nga Gjermania.

Edhe pse mund të thuash shumë për vitet e tyre të burgut, ose të ngelesh pa fjalë, e sigurt është që atje gjetën: shumë vuajtje dhe një shok të vërtetë.

a.çano / kujto.al

Në foton kryesore: Manol Qirici, i ri

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

  1. Cte shkruash cte thuash,ishte nje jete e gjate mes telave me gjemba ,nuk mjaftojne miliona faqe letre ti fiksosh jo per ndo nje gje ,por per te ditur brezat e pa fajshem qe do vine ,se cfar ishin burgjet enveriste.Per fat te mire une vuajta vetem 17 te mbedhjete vjet,se shume shoke te mi vuajten ter fishin .M e Stravon kisha shoqeri shpehs mundeshim per sport,jo per te provuar forcen,se ishim si vellezer.Ate nate pra se te cante telat e pashe disi jo mire ne fytyre.Ithem Stavro dicka nuk shkon mire tek ty.Dhe i ndjeri me thote;sonte do degjosh dicka,nuk kerkova sqarime se burgu i vuajtjeve i kishte te gjitha meselete.T e nesermen degjuam ate qe ndodhi,tek ne filloi nje mas TURTURASH PER NJE KOHE TE GJATE NE KAMP.Qe ate nate Stavron trim se pashe me ,ndersa me shokun e tij skam pasur lidhje,skam cte them.Por meqe keta trima po bejne gjumin e perjeteshem,sna ngelet gje tjeter,vecse ti kemi ne kujtese e te ngushellojme ata qe kane lene pas.
    Me respekte ne kujtim te tyre.Vladimir Shena.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here