Dënimi i filantropit që ndërtoi teatrin “Skampa”

0
2170
blank

Dokumente, dëshmi dhe një rrëfim i së bijës 87-vjeçare të Xhavit Bej Biçakut. Sekuestrimi i pasurisë dhe dënimi me burg i pinjollit të familjes së njohur që i kishte dhënë Elbasanit një hotel modern dhe një “La Scala” të vogël, teatrin e sotshëm “Skampa”. Fshirja e emrit të tij nga historiku i teatrit dhe vuajtjet që përjetuan vajzat, pasi i nxorën nga shtëpia dhe iu burgosën edhe nënën, bashkëshorten e Xhavitit. Një dënim që të paktën ai, njeriu që ndihmonte gjithkënd dhe njihej për filantropinë e tij, nuk besonte t’i ndodhte

Mbrëmjet artistike të bamirësisë, për të cilat dëgjojmë çdo fundvit, nuk janë një dukuri e re. Fundja si gjithçka tjetër nën diell. Revista e përmuajshme kulturore “Përpjekja shqiptare” e dhjetorit 1936, në faqen 184, shkruante: “Më 19 të muajit, në Elbasan, u luajt për herë të parë tragjedia “Diomeni” vepra e fundit e shkrimtarit të njohur Et’hem Haxhiademi. U shfaq bukur në sallën e re të kinotheatrit “Nacional”, ku ishte grumbulluar një popullsi tepër e madhe. Dhe me të vërtetë, kurrë nuk mbahej mend një asistim i madh spektatorësh në shfaqjet që janë dhanë der më sot n’Elbasan. Shoqëritë jashtshkollore elbasanase këtë herë patën fitim hem moral, sepse të gjithë u kënaqën nga paraqitja e mirë e lojtarëve dhe sidomos nga ajo e Faik Haxhi Ymerit, që kishte rolin e Diomedit e Mustafa Shqerrës që kishte rrolin e Daunit, hem material se mblodhi një shumë të mirë, të cilën e përdori për djemt e varfër. Dhe zoti Xhavit Bej Biçaku, i zoti teatrit, porsa e mori vesh që kjo shfaqje jepej për t’u ardhur në ndihmë djemve të vobektë, pati mirësinë ta lëshojë sallën gratis, pa marrë as edhe një qindarkë për vete…”.

Në kohën kur është shkruar ky artikull, që e ka gjetur dhe publikuar Hyqmet Zane, kinoteatri "Nacional" ishte një godinë e sapondërtuar sipas variantit të “La Scala”-s, por mbetet, për shkak të investimit të themeluesit, Xhavit Bej Biçakut, një nga teatrot me akustikën më të mirë në Ballkan. Në vitin 1962, u quajt teatri “Skampa”, ai teatër që ekziston dhe sot dhe që të gjithë e njohin. Emri i Xhavit Biçakut, si themelues i tij, kishte kohë që nuk përmendej e nuk u përmend as më vonë.

Ai ishte shpallur armik i regjimit; ishte burgosur; pronat i ishin sekuestruar dhe ishin riemërtuar duke fshirë prej tyre emrin e tij. Mirëpo kur bëhet fjalë për ndërtesën kulturore më të rëndësishme të një qyteti, madje për një nga teatrot më të rëndësishëm të Shqipërisë, është e vështirë të fshish emrin dhe shpirtin e atij që e ndërtoi. Regjimi komunist u përpoq megjithatë. Ishte një fushatë masive e përhapur në të gjithë Shqipërinë, kjo e përvetësimit të pronave, e dënimit të pronarëve dhe e shfrytëzimit të godinave sipas nevojave e dëshirave të pushtetit.

Veç teatrit, Xhavit Biçakut, i sekuestruan edhe një tjetër godinë emblematike në Elbasan, hotel “Moderno”-n, që ishte investim i një jete të tërë siç e quan Denis Gila, autori i librit “Suzana Biçaku Maliqi: Gjineshtra në vullkanin e kuq” botim i ISKK, botuar në korrik të këtij viti. Suzana është vajza e madhe e Xhavitit, e cila edhe pse në moshën 87-vjeçare, ka rrëfyer me detaje për këtë libër jetën para përmbysjes së madhe dhe mundimet që pasuan pas arrestimit të babait.

blank
Znj.Suzana ne promovimin e librit "Suzana Bicaku Maliqi: Gjineshtra ne vullkanin e kuq" me 21. 7. 2021. Burimi: iskk.gov.al

Megjithëse e vogël, duke qenë në atë kohë ende vajzë e vetme, ajo rendte kudo pas të atit dhe e mban mend që në hotel vinin edhe ushtarë italianë apo gjermanë, siç vinin e i kërkonin mbështetje edhe përfaqësues të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Madje, siç shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, edhe Enver Hoxha mbrëmjen e 27 nëntorit të vitit 1944, teksa kthehej nga pleniumi i Beratit për në Tiranë ku do të hynte si kryeministër ndalon dhe e kalon natën në hotel “Moderno”.

blank
Hotel Moderno ne vitet '40

Hoteli i Xhavit Biçakut i priste e i përcillte të gjithë, por pronari i tij nuk përzihej me asnjë, ai donte të ruante ekuilibrat, kishte në mendje punën e ndershme dhe në zemër dëshirën për të ndihmuar njerëzit e varfër. “Ai nuk dinte të thoshte që ky është komunist apo ky është reaksionar, ai thoshte mua më vjen keq që njerëzit nuk kanë bukë të hanë dhe duhet patjetër t’í ndihmojë dikush, kështu që unë kam dhe duhet t’í ndihmoj. Mamaja ka qenë e fortë dhe ka qenë krejt ndryshe. Gjithmonë i thoshte babait: – Po mos ore, se këto do të të hanë kokën”. – Mos thuaj kështu, se është gjynah, – përgjigjej ai dhe i ndihmonte me radhë”, ka treguar Suzana në librin e Denis Gilës.

Pikërisht për këtë zemër prej floriri, në Elbasan, të gjithë e donin pinjollin e familjes së zëshme të Biçakçinjve. Ai trashëgonte e shpërfaqte vlerat më të mira të kësaj familjeje të njohur për patriotizmin dhe filantropinë. Kujtojmë se Biçakçinjtë kanë kontribuar në ngjarje të rëndësishme për formimin e shtetit shqiptar dhe gjuhën shqipe, si Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Elbasanit, shpallja e Pavarësisë, Kongresi i Lushnjës etj. dhe kanë vënë pasurinë në ndihmë të shkollave shqipe duke financuar shkollën e parë shqipe të Korçës, Normalen e Elbasanit etj..Në periudha të ndryshme ata kanë qenë drejtues të Elbasanit, përfshirë edhe të atin e Xhavitit, Fuat Biçakun, kryetar Bashkie në Elbasan në vitet 1913-1915.

“Ai kishte edhe këtë, që tek ai kishin kaq besim, se ishte tepër i ndershëm, i dhanë edhe Kryqin e Kuq të Elbasanit, – “meqë ti je shumë shumë i ndershëm”. Sepse ai me të vërtetë ishte i ndershëm. Ai nuk linte as mamanë të prekte ndihmat për të varfrit. Ajo i thoshte: – Ore po t’i shohim çfarë ka, për kuriozitet, se nuk po të afrohem atje lart.

– Jo,- i thotë, se janë të fukarenjve, mos i prek me dorë. Dhe ia dhanë Kryqin e Kuq. E prunë te shtëpia jonë, aty përpara ne kishim një shtëpi të vogël, shtëpia e madhe kishte 8- 9 dhoma dhe e bëri vetëm për ato. Ato ishin të kënaqur, se me korrektësi vinin, i merrnin rrobat, babai i thoshte: – Do të vini t’i ndani vetë, jo unë. Unë kam borxh që këtë që më kanë sjellë, të jeni të sigurt që nuk do të mungojë asgjë. Ndihmat për të varfrit vinin nga jashtë shtetit nëpërmjet Kryqit të Kuq. Të gjitha silleshin në shtëpinë tonë, sepse babai kishte besimin e të gjithëve. E donin shumë. Babai nuk e mendonte kurrë se do të vinte një ditë që ato që kishte ndihmuar do ta fusnin në burg. Kurrë nuk e mendonte një gjë të tillë”, ka thënë Suzana.

Mirëpo ajo ditë erdhi. Xhavitin e arrestuan. Ende pa u marrë vendimi, për të, në gjyq, hoteli, godina e të cilit kishte ngjallur me siguri lakmi e zili prej kohësh, u shtetëzua dhe u kthye në gjykatë. “Me dekretligjin nr.548 datë 26.11.1947 hoteli u shtetëzua “për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare”. Në raportin justifikues thuhej se pronari “nuk dëmtohej, sepse kishte edhe pasuri të tjera të paluajtshme”, se ishte një person “që vinte nga klasat feudale të kohës” dhe se gjithë këtë pasuri e kishte vënë sipas tyre “në sajë të spekulimit mbi popullin si tregtar dhe mbi shfrytëzimin e bujqve si çifligar”, thuhet në dokumentet e publikuara nga Kastriot Dervishi.

blank

Më 29.12.1947, Gjykata Ushtarake Elbasan, e dënoi Xhavit Biçakun me 20 vjet heqje lirie, bashkë me 11 të tjerë, se kishte organizuar “grupe klandestine”, “organizata ilegale”, etj.. Më 17 prill 1948, Komiteti Ekzekutiv i K.P. të qytetit të Elbasanit vendosi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij.

Teatri sigurisht i kaloi shtetit dhe themeluesi i saj nuk u përmend kurrë. Vetëm pas rënies së komunizmit, pasardhësit e Xhavit Biçakut mundën të vënë një fotografi të tij në hollin e teatrit, fotografi ku mrekullisht, siç ka shkruar Hyqmet Zane, u ndal edhe zjarri që përpiu teatrin në vitin 2011. Iu mor shtëpia dhe gruaja me fëmijët dolën në rrugë.

“Neve na kanë lënë në mes të katër rrugëve. Llogarit ti, mamaja dhe ne shkuam te një shtëpi aty afër ku jetonte një grua e moshuar. Në oborrin e shtëpisë kishte një dhomë këtu dhe një kopsht që mbillte misra e produkte të tjera për mbijetesë. Mamaja mori një mushama nga këto plastiket dhe aty flija unë, flinim ne, pa derë, pa penxhere, pa askurrgjë, shiu binte i gjithi brenda, ne të dy fëmijët me gjithë mamanë jetonim aty. Mamaja revoltohej shumë, ajo kishte të drejtë, por s’duhej bërë ashtu, se e mori edhe mamaja burgun pastaj”. Suzana dhe motra e saj mbetën të vetme, me të dy prindërit të burgosur, por, përveç fëmijërisë, asaj i shkatërruan edhe të ardhmen duke e ndaluar të vazhdonte shkollën.

“Kur unë isha e vogël, më kanë përjashtuar nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, kot, 7 vetë nga Shqipëria vetëm se ishim të pasur”. Me mbështetjen e familjarëve, shkoi në Tiranë, filloi të merrej edhe me volejboll, ku kishte talent, mirëpo jetoi gjithë jetën si armike e popullit. Pa shkollimin e duhur dhe me mbiemrin edhe më të papërshtatshëm, i duhej të bënte punë nga më të vështirat, e megjithatë Suzana nuk u dorëzua. Punoi fort e pa u ankuar, për t’i dhënë shkollë dhe një jetë të qetë djalit të vetëm, që i lindi nga martesa me Naim Maliqin, që ishte gjithashtu pjesë e një familjeje të përndjekur, një burrë i mrekullueshëm, siç e quan ajo, që, sa jetoi, i dhuroi shumë dashuri e ngrohtësi Suzanës dhe të birit.

Xhaviti doli nga burgu pas 12 vitesh e tre muash, tashmë në moshën 64-vjeçare. Kishte pasur cilësitë e duhura për të qenë ai emri i spikatur i radhës në familjen e Biçakçinjve që prodhonte burra të shquar prej shekujsh, por regjimi komunist goditi atë dhe ndali rrjedhën normale e vlerave dhe arritjeve në brezat e ardhshëm.

Vajzat e tij trashëguan vetëm varfërinë dhe “biografinë e keqe” gjatë gjithë diktaturës dhe ai vetë, në moshë të thyer, nuk mundi të gëzojë frytin e punës së vet. I morën gjithçka kishte trashëguar dhe ndërtuar në jetë: shtëpinë që i kishte lënë i ati, hotelin “Moderno”, kinoteatrin, por diçka nuk mundën gjithsesi: emrin e mirë! Edhe pas 85 vitesh nga ajo shfaqje e 19 dhjetorit në kinoteatrin Nacional, ku u vu në skenë “Diomeni”, kushdo do e vlerësonte të zotin e teatrit që “pati mirësinë ta lëshojë sallën gratis, pa marrë as edhe një qindarkë për vete…”

a.çano kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here