Si një rreth me burg, gjykatë e kampe pune, në Elbasan ndërruan jetë disa të dënuar politikë gjatë viteve të diktaturës të cilët edhe u varrosën në këtë vend.

Shumë të dënuar kanë humbur jetën në kampin e Fabrikës së Çimentos së Elbasanit gjatë viteve kur punohej për ndërtimin e saj. Duke qenë që trupat nuk u ktheheshin familjes ata varroseshin diku aty pranë.

Dëshmia/Tanush Kaso: "Shërbimi shëndetësor në kamp ishte në gjëndje të vajtueshme. Kur dikush nga të dënuarit sëmurej rëndë, mund ta çonin në spitalin e Elbasanit ose të Tiranës. Myzafer Domnorin, një ish-mësues nga Shkodra, që u sëmur nga verdhëza, e nisën me shumë vonesë dhe vdiq në spital. Një ish mësues tjetër, nga Berati, Reshat Ago, e vranë rojet e rrethimit të punës, mbasi ishte vonuar të rreshtohej e të hynte në kamp, në një kohë me shokët. Një i burgosur i vjetër, shumë i nderuar e i respektuar nga shokët, Ali Maliqi (Agolli), nga Peshkopia, u vra disa muaj para lirimit, nga një bashkëkrahinor i tij. Njëzetvjeçari Mitat Allushi, nga Dukati i Vlorës, u vra nga rojet e rrethimit të kampit, disa metra përtej telave me gjemba, të cilat arriti t’i kalonte. Kishin mundur ta kapnin, por nuk deshën."

 

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.