Një notë proteste për paraqitjen e rrëfimeve të ish-funksionarëve të lartë të regjimit komunist, pa i ballafaquar ata me fakte dhe dëshmi
Mbrëmjen e 12 korrikut, televizioni Top Channel i kushtoi hapësirën e një programi, ish-kryehetuesit të Shqipërisë në vitet 1982-1992, Qemal Lame, i cili pati mundësinë t'i tregojë publikut shqiptar se me sa rigorozitet ndaj ligjit dhe drejtësi e kishte ushtruar detyrën. Kjo nuk është hera e parë që një televizion kombëtar ia jep këtë mundësi. Korrikun e katër viteve më parë, ishte TV Klan që e kishte ftuar Lamen. Menjëherë pas atij programi, ish-i dënuari politik, Sokol Drrasati, reagoi me një postim ku tregonte për dhunën që grupi hetimor i Qemal Lames kishte ushtruar ndaj tij dhe një grupi të arrestuarish në fillim të vitit 1990. Vetëm në kujto.al janë disa raste dhe dëshmi, ku emri i Lames lidhet me dënimet me pushkatim, burgim, internim dhe me ushtrim dhune gjatë procesit hetimor (lista në fund të këtij shkrimi). Bëhet fjalë për dënime politike, apo për dënime të ngritura mbi akuza të sajuara.
Lame, si prokuror i çështjes në vitin 1978, kërkoi pushkatimin e dy të rinjve dhe dënimin me burg të dy të tjerëve, që akuzoheshin se do hidhnin në erë kombinatin tekstil të Beratit. Dy të rinjve, Luftëtar Protoduari dhe Riza Hazizi iu mor jeta edhe pse Lame, e ka pranuar edhe vetë se kishte rezerva ndaj fajësisë, provave dhe akuzave të tyre. Është e habitshme sesi ky person nuk kërkon falje, por vazhdon e përdor hapësirën publike për të treguar se ai ka zbatuar ligjin. Por është e papranueshme nga ana tjetër që mediat ia japin atij këtë hapësirë, pa e përballur me fakte e dëshmi që bien ndesh me deklaratat e tij. Jo për t'i bërë gjyqin që duhet ta bëjë drejtësia, as për t'i zgjuar ndërgjegjen, por për të mos shtrembëruar historinë, duke u tallur me viktimat dhe duke i paraqitur publikut, veçanërisht atij të ri në moshë, një realitet të falsifikuar.
Fondacioni Kujto, pas programit të 12 korrikut, hartoi një notë proteste që ia ka dërguar sot Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe televizionit Kombëtar, Top Channel, të cilën po e publikojmë më poshtë.
NOTË PROTESTE
Drejtuar: Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe televizionit kombëtar Top Channel
Lënda: Protestë për transmetimin e një interviste me ish-kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë, z.Qemal Lame
Fondacioni Kujto, i angazhuar në mbrojtjen e kujtesës historike dhe në ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi krimet dhe pasojat e regjimit komunist në Shqipëri, shpreh shqetësimin dhe protestën e tij lidhur me intervistën e transmetuar në emisionin Exclusive më datë 12 korrik 2026, me ish-kryehetuesin e Shqipërisë në vitet 1982-1992, z. Qemal Lame (https://www.youtube.com/watch?v=F09rJyGqrXY).
Gjatë intervistës, i ftuari deklaroi se ka respektuar me rigorozitet ligjin, u ka rezistuar presioneve, ka shpëtuar njerëz nga dënimi i padrejtë dhe ka ulur ndjeshëm të akuzuarit për krime politike gjatë kohës që ishte kryehetues. Pavarësisht që në hyrje të emisionit, jepet konteksti historik i periudhës kur i ftuari ka ushtruar funksionet, deklaratat e tij gjatë intervistës, nuk shoqërohen me pyetje kritike dhe nuk ballafaqohen me dokumente historike apo dëshmi publike, të domosdoshme për të balancuar ato deklarata. Madje, në fund ai paraqitet si personi që “është përndjekur dhe vetë”.
Në ekranin e Top Channel, mbrëmjen e 12 korrikut 2026, shikuesit dëgjuan z.Lame të tregonte se si me këmbënguljen e tij, në vitin 1982, shpëtoi nga burgu gjyshin 82-vjeçar të kryeministrit Edi Rama, duke qenë se ndaj z.Vlash Rama nuk kishte prova të mjaftueshme. Por nuk mësoi sesi z. Qemal Lame, në vitin 1978, si prokuror i çështjes së të ashtuquajturit “Grupi Terrorist i Poshnjës”, kërkoi pushkatimin e dy 20-e-ca-vjeçarëve dhe dënimin me burg të dy bashkëmoshatrëve të tyre, të akuzuar se do hidhnin në erë Kombinatin Tekstil të Beratit, pavarësisht se pati rezerva për akuzat, fajësinë dhe provat kundër tyre.
Qemal Lame u paraqit para shikuesve të Top Channel, si viktimë që për pak do të sakrifikohej për ngjarjet e 2 prillit 1991 në Shkodër, për të cilat ai bën përgjegjës drejtuesit e lartë të shtetit, por nuk iu përmenden akuzat që vijnë pikërisht nga Shkodra e asaj periudhe. Sokol Drrasati, i arrestuar në dhjetor 1990, gjatë trazirave për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në Shkodër, ka treguar për torturat që ai dhe shokët e vet kanë pësuar nga grupi hetimor i Qemal Lames (https://kujto.al/ju-rrefej-torturat-qe-pesuam-nga-grupi-hetimor-i-qemal-lames/).
Ky nuk është rasti i parë kur ky person, apo personazhe të tjera që i kanë shërbyer nomenklaturës komuniste dhe janë përgjegjës për krimet që ky regjim ka kryer ndaj qytetarëve të tij, del në një ekran televizioni duke tjetërsuar historinë. Korrikun e katër viteve më parë, Qemal Lame u shfaq në një tjetër televizion kombëtar (https://www.youtube.com/watch?v=DbfSycKrCGE).
Regjimi komunist në Shqipëri përbën një nga periudhat më të errëta të historisë sonë kombëtare. Burgosjet politike, internimet, ekzekutimet pa procese të rregullta ligjore, torturat, puna e detyruar, konfiskimet e pasurisë, përndjekja për bindje politike e fetare dhe mohimi sistematik i lirive themelore janë fakte të dokumentuara gjerësisht nga studiues, institucione shtetërore dhe dëshmitë e mijëra viktimave.
Ky vlerësim nuk është vetëm pjesë e kujtesës historike, por edhe e qëndrimit zyrtar të shtetit shqiptar. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me Rezolutën nr. 11, datë 30.10.2006, "Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri", ka dënuar shprehimisht krimet dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut të kryera nga regjimi komunist, duke theksuar rëndësinë e njohjes të së vërtetës historike, respektimit të viktimave dhe edukimit të brezave të rinj mbi këtë periudhë të historisë sonë.
Ne respektojmë plotësisht lirinë e shprehjes dhe të drejtën e çdo personi për të paraqitur këndvështrimin e tij. Megjithatë, kjo e drejtë nuk e përjashton përgjegjësinë profesionale të medias për të garantuar informim të saktë, të balancuar dhe të vendosur në kontekst.
Kur një ish-funksionar i lartë i një regjimi totalitar paraqet publikisht veprimtarinë e tij si plotësisht të ligjshme dhe të drejtë, pa u ballafaquar me dokumente, dëshmi apo fakte historike që hedhin dritë mbi përgjegjësitë e tij apo të institucioneve ku ai ka shërbyer, krijohet rreziku që publiku të marrë një pasqyrë të njëanshme dhe të shtrembëruar të historisë. Kjo është veçanërisht shqetësuese për brezat e rinj, të cilët nuk e kanë përjetuar diktaturën dhe formojnë njohuritë e tyre edhe përmes medias.
Për më tepër, ekzistojnë dëshmi publike dhe materiale dokumentare që ngrenë pretendime serioze për mënyrën e ushtrimit të detyrës së këtij funksionari. Edhe nëse këto pretendime mund të jenë objekt debati historik apo juridik, ato përbëjnë një element thelbësor të interesit publik dhe nuk mund të anashkalohen gjatë një interviste e cila përfundon duke rehabilituar të tilla figura, të cilat, pavarësisht akuzave, nuk u përballën kurrë me drejtësinë dhe as u kërkuan falje viktimave. Madje, si në rastin konkret, as mendojnë se duhet të kërkojnë falje.
Për këto arsye, kërkojmë nga Top Channel:
- Të organizojë një emision pasues ose debat publik, ku të ftohen historianë, studiues të periudhës së diktaturës, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe persona që kanë dokumentuar ose përjetuar represionin komunist, në mënyrë që publiku të informohet në mënyrë të balancuar.
- Në trajtimin e çështjeve që lidhen me regjimin komunist, të respektojë standardet profesionale të gazetarisë, duke garantuar verifikimin e informacionit, pluralizmin e mendimeve dhe kontekstin historik.
- Të tregojë ndjeshmëri dhe respekt ndaj kujtesës së viktimave të diktaturës komuniste dhe familjeve të tyre, duke shmangur çdo trajtim që mund të perceptohet si relativizim, minimizim, apo injorim i vuajtjeve të tyre.
Duke shpresuar se do ta merrni në konsideratë këtë shqetësim në frymën e përgjegjësisë publike që mbart një televizion kombëtar, presim reagimin tuaj dhe mbetemi të gatshëm për një dialog konstruktiv.
Me respekt,
Fondacioni Kujto Albania - Arkiva Online e Viktimave dhe Krimeve të Komunizmit
...
Një listë, jo shteruese, e dëshmive publike dhe dokumenteve që lidhen me Qemal Lamen si prokuror dhe kryehetues:
Pushkatimi i dy të rinjve. Viti 1978
Tortura fizike dhe kërcënime ndaj inxhinierit të naftës, Petraq Xhaçka. Viti 1986
Torturat ndaj Fadil Dajës. Viti 1989
Firmosje internimesh. Viti 1989
Protestat pas vrasjes në kufi të Pëllumb Pëllumbit.Viti 1990
Torturimi i të arrestuarve pas trazirave për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës në ShkodërViti 1990
Imazhi kryesor: Lart, foto nga "Gjyqi i Poshnjes", ku u dënuan 2 të rinj me pushkatim, marrë nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, publikuar nga programi Opinion i Tv Klan dhe poshtë, Qemal Lame gjatë intervistës në programin Exclusive, të Top Channel.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
