Ju tregoj torturat që pësuam nga grupi hetimor i Qemal Lames

0
1131
blank

Një përgjigje për Qemal Lamen, ish-kryehetuesi10 viteve të fundit të regjimit komunist në Shqipëri që pretendon se ka respektuar ligjin gjatë ushtrimit të detyrës. Sokol Drrasati, një nga të dënuarit e protestave të fundvitit 1990 në Shkodër, rrëfen torturat që grupi hetimor i drejtuar nga Lame ka ushtruar ndaj tij 

Mbrëmjen e djeshme, programi Opinion TV Klan ritransmetoi intervistën me kryehetuesin e Shqipërisë në vitet 1982-1992, Qemal Lame. Gjatë intervistës, Lame u shpreh se kishte pasur një qëndrim “ligjor dhe me përgjegjësi të lartë morale-qytetare”, se “kishte zbatuar ligjin” dhe për këtë arsye, nuk kishte “asnjë problem me të kaluarën”. Madje për këtë arsye, sipas tij, ishte ndjerë i rrezikuar nga Sigurimi i Shtetit dhe ndaj ishte larguar në Gjermani në vitin 1992, ku jeton prej 30 vitesh. Sot, një nga të arrestuarit për trazirat e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në Shkodër, në dhjetor 1990, Sokol Drrasati, përmes një postimi në FB, i është përgjigjur asaj interviste duke përmendur torturat që grupi hetimor i drejtuar nga Qemal Lame ka ushtruar ndaj Sokolit, shokëve të tij dhe qindra shkodranëve që u arrestuan ato ditë.

blank

Postimi i plotë:

Unë jam Sokol Drrasati.

Më 23 dhjetor 1990 jam akuzuar për veprimtari armiqësore, organizim të protestave të dhunshme me qëllim rrëzimin e pushteti popullor me dhunë dhe diversion ideollogjik. Dhe jam dënuar me vdekje.blank

Drejtues i grupit hetimor në atë kohë ka qenë QEMAL LAME.

Torturat që më janë bërë mua dhe shokëve të mi Paulin Gjonpali, Hysen Kullolli, Zamir Faja, Ardian Rragami, Paulin Ndosha, Sokol Ndoja, Zef Kolombi, Roland Prela, vëllezërit Haxhi, Artur Meshi, Gjovalin Paplekaj etj. etj.  e mbi 400 të rinj shkodranë që u arrestuan ato ditë, variojnë nga torturat më çnjerëzore:

1-Fikja e cigareve në pjesë të ndryshme të trupit.

2-Rrahja me bishta lopatash brinjëve gjersa thyheshin.

3-Goditja e gjymtyrëve të poshtëm me shkopinj gome

4-Futja në rreth dhe goditje në seri nga grupi i sampistëve.

5-Dhuna psikologjike duke filluar me dënimin me vdekje si dhe internim të familjes.

Mbi trupat dhe mendjet tona janë edhe sot shenjat e dhunës fizike dhe psikologjike të ushtruar nga grupi hetimor ku kryesues ishte Qemal Lame.

Shkodra e njeh mirë Qemal Lamen. Ai erdhi në Shkodër në janarin e 1990 duke hetuar këdo që arrestohej, apo thjesht ndalohej në atë periudhë për shkaqe politike.

Emrin e tij e kam dëgjuar për herë të parë më 17 janar 1990, për ta ridëgjuar më 16 qershor në varrimin e Pëllumb Pellumbit i cili u vra duke kaluar kufirin. Ndërsa fytyrën e tij e kam parë për herë të parë në dhjetorin e 1990.

Ai emër dhe ajo fytyrë nuk harrohet dot. Ata sy të akullt prej krimineli nuk kam për t’i harruar kurrë.

Jam liruar nga burgu më 4 korrik 1991 falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Becker, i cili i kërkoi Ramiz Alisë lirimin e të gjithë të dënuarve politikë që vuanin dënimin në burgun e Spaçit. Po të mos ishte për këtë ndërhyrje, ju sot do të më njihnit si i riu 19 vjeçar që u pushkatua se rrëzoi në Shkodër bustin e Enver Hoxhës dhe Qemal Lamen si njeriu që thjesht po bënte detyrën.

blank
Sokol Drrasati

NE PO DUM ME JU FAL, POR JU S’JENI PENDU PËR ASGJA.

Shënim: Në foton kryesore Qemal Lame, lart: gjatë viteve kur ushtronte detyrën dhe poshtë: në studion e Opinion.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.