1989/Demaskimi i 21-vjeçares për fjalët e ditarit

0
445
blank

Demaskimi dhe këshillimi ishin dy prej formave të punës së Sigurimit. Mënyra e veprimit të tyre përcaktohej në platformat e punës operative dhe së fundmi rregullohej me urdhrin e ministrit të Punëve të Brendshme nr.01-2, datë 28.1.1985, duke qenë “pjesë e pandarë e politikës së goditjes” ndaj elementëve që zhvillonin veprimtari “armiqësore e keqbërëse”, por që kërkonte “objektivitet e partishmëri”. Këshilli e demaskimi merrej ndaj shtetasve shqiptarë e të huaj, mbi 14 vjeç.

Në dallim nga këshillimi që bëhej në mjediset e Degës së Punëve të Brendshme nga funksionari përkatës, demaskimi kishte karakter publik për vepra që parashikoheshin nga kodi penal, të vërtetuara në rrugë operative ose nga kallëzime të shtetasve.

Këshilli ose demaskimi nuk përdorej për persona të akuzuar për spiunazh, terror, diversion, sabotim, organizim, dëmtim me dashje, etj.. Demaskimi nuk përdorej për ushtarakët si dhe për banorët e brezit kufitar.

Përgatitja e dokumentacionit bëhej nga punëtori operativ i zonës ose drejtimit, bashkë me shefin e seksionit, me miratimin e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, duke marrë pëlqimin e sekretarit të parë të PPSH-së në rreth.

Demaskimi në fakt lidhte punën e Sigurimit me të Partisë së Punës. Sigurimi bënte gjurmimin dhe partia zhvillonte shfaqjen. Rasti i mëposhtëm është i një vajze të re, së cilës i marrin ditarin e saj, rast i ngjashëm ky me atë të këngëtares Alida Hisku. Ndaj vajzës merret një komitet partie sepse e shkruara e saj u konsiderua agjitacion e propagandë.

Me shkresën e Degës së Punëve të Brendshme Lushnje, nr.1192, datë 1.11.1989 “Relacion për këshillimin për krimin e agjitacionit e propagandës armiqësore të shtetases Lindita Xhemal Dema”, drejtuar sekretares së parë të Komitetit të PPSH-së Lushnje, Themie Thomai, propozohej këshillimi për “veprimtari armiqësore” në formën e agjitacionit e propagandës kundër partisë dhe pushtetit popullor”.

Lindita Dema, e bija e Xhemalit dhe Fluturës, e vitlindjes 1968 (21 vjeç), me origjinë e pasur, në gjendje shoqërore punëtore bujqësie, me banim në Grabian, ishte mbesa e Shahin Demës (gjyshi), i cili vlerësohej i lidhur me regjimin e Zogut, pasi kish punuar në xhandarmëri me gradën e kapitenit. Biografia e gjyshit Shahin lidhej me biografinë e kushërinjve të tij, Hysni e Esat Dema.

Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, Shahini dhe djali i tij Xhevati, qëndruan të arratisur deri në vitin 1946, kohë pas së cilës u arratisën në Jugosllavi e prej andej në SHBA. Nga viti 1949 familja e tyre ishte internuar në Tepelenë. Në vitin 1976 babai i Linditës, Xhemali ishte dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë. Del nga burgu në vitin 1985 dhe i bashkohet familjes në internim.

Nëna e Linditës ishte e bija e Beshir Ndreut, mbesë e Dali Ndreut. Lindita kishte xhaxhallarë: Xhevatin, Edipin dhe Ejupin.

Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare në Këmishtaj të Lushnjes, filloi punë në bujqësi, sektorin Gradishtë. Për qëndrimin e saj në punë, por edhe faktin se mbante bllok shënimesh, bën fjalë kjo pjesë: “Është karakterizuar nga sjellje e qëndrime indiferente në punë e shoqëri, shoqërohet me persona me përbërje e qëndrim të keq politik dhe nuk është e lidhur me punën. Kohët e fundit ka shprehur pakënaqësi ndaj kuadrove të sektorit Gradishtë për keqtrajtim të saj. Gjithashtu i është gjetur një bllok kalendar në të cilin mbante shënime për ditët e punës dhe midis të tjerave ka shkruar tekste me përmbajtje armiqësore kundra partisë e pushtetit popullor”.

Nga ditari i saj citoheshin këto fjalë: “I mbaj shënim të gjitha këto ditë që më kanë humbur se do të vijë dita ime dhe së shpejti do të marr hak. Një ditë në muajin qershor a korrik, nuk më kujtohet mirë, më ka fik një ditë pune Hajredin Beqiri (brigadier) në prashitje pambuku, e kam pasur shumë keq dhe jam lodhur aq shumë sa nuk di si ta shpreh. Vajta të nesërmen në prashitje dhe prapë nuk ma shkruajti ditën e punës. Të tjerëve ua dha”.

Po ashtu edhe fjalë të tjera në lidhje me lutje fetare. Për të gjitha këto, vlerësohej:

“Mbështetur në orientimet dhe porositë e vazhdueshme të partisë për politikën e goditjes, rrezikshmërinë shoqërore të veprës, moshën e re, nivelin e ulët politiko-ideologjik të saj dhe me qëllim që të parandalojmë futjen më thellë në veprimtari armiqësore”, propozohej demaskimi i saj nga i deleguari i Komitetit të Partisë së Rrethit, për krimin e agjitacionit e propagandës armiqësore”.

Kjo i shërbente edhe “rritjes së vigjilencës revolucionare”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here