Tuneli i arratisjes në Bllok/Dëshmia e Kolë Verrit për dënimet e të burgosurve

0
5
blank

Kishte kaluar gati një muaj nga zbulimi i kanalit përmes të cilit disa të burgosur të Kampit nr.4 në Tiranë, kishin menduar të arratiseshin. 17 korrikun e 1954-ës, të arrestuarit ndodheshin para Gjykatës së Lartë Ushtarake e cila do të jepte vendimin. Një prej tyre, ish-i burgosuri politik, Kolë Verri ka treguar çfarë vendimesh u dhanë atë ditë për të arrestuarit.

Kolë Pepa (Verri) është një nga të burgosurit që u arrestuan qershorin e vitit 1954 për hapjen e tunelit të arratisjes në Kampin nr.4 të Tiranës.

Ai ishte arrestuar fillimisht më 31 korrik 1953 dhe ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata Ushtarake e Tiranës. Pa kaluar as një vit, do të ridënohej me grupin e të burgosurve që u akuzuan për hapjen e një tunelit përmes të cilit donin të arratiseshin nga kampi nr.4, të vendosur pranë “bllokut të udhëheqësve” në Tiranë. Fatbardha Saraçi Mulleti e ka përfshirë rrëfimin e tij në librin “Dhimbje 5”, nga edhe është shkëputur kjo pjesë:

 

Më kanë arrestuar më 31 korrik 1953 dhe Gjykata Ushtarake në Tiranë më dënoi 25 vjet burg për agjitacion e propagandë, ndërsa një vit më vonë jam dënuar për tentativë arratisjeje nga kampi nr.4 Tiranë, me grupin prej 20 vetash dhe më dënuan me 20 vjet burg.

Nga Gjykata e Lartë Ushtarake, nga ky grup, shtatë vetë u dënuan me vdekje, të tjerët, na dënuan me 20-25 vjet burg.

Prej të shtatëve që u dënuan me vdekje vetëm treve prej tyre iu fal jeta:

  1. Nasuf Gjilaj
  2. Niko Mali
  3. Besim Latifi

Ndërsa Isuf Agolli, Zyhdi Mancaku, Mark Zefi, Abdullah Bajrami u pushkatuan.

Të tjerët u dënuan me burgime të ndryshme, këta ishin:

1.Ali Çollaku

2.Xhemal Suta

3.Qani Mulita

4.Haki Kasa

5.Kolë Pepa (Verri)

Këta të pestë u dënuan me 20 vjet burg dhe 5 vjet heqje e të drejtave civile.

Ndërsa:

1.Emin Bakalli

2.Xhemal Limani

3.Hazis Xhika

  1. Abdyl Kërluku, u dënuan me 25 vjet burg.

Ndërsa:

1.Haki Zeqiri

2.Feim Ymeri

për kalim të paligjshëm të shtetit shqiptar u dënuan me 5 vjet burg, plus dënimet e mëparshme.

Këta ishin pjesëtarët e grupit që tentuan me thye rrethimin e Kampit Nr.4 në Tiranë, me anën e një tuneli të nëndheshëm.

Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë: i kryesuar nga major Mustaf Qilimi dhe major Leni Dimoshi e major Faik Minarolli, asistonte kryesekretari Murat Qazimi (toger), ndërsa Nexhip Labinoti dhe Petrit Starova ishin avokatë shtetërorë. Nuk na është dhënë e drejta me kërkue avokat mbrojtës, sepse donin me mbaru punë sa më parë me grupin tonë. Kjo vertetohet shumë lehtë, sepse brenda një dite janë krye të gjitha formalitetet dhe u dënuan shtatë vetë me vdekje e dymbëdhjetë të tjerë me pesë, pesëmbëdhjetë, njëzet e pesë vjet burgime. Dënimi filloi me datën e gjyqit të vitit 1954.

Gjyqet komuniste ishin sa për formalitet, sepse dënimet përcaktoheshin me mbylljen e hetuesisë, nga oficerët e Ministrisë së Brendshme. Mbas zhdukjes së katër personave që i vranë në mënyrën më barbare, çnjerëzore, ne të tjerëve na dërguan në birucat e burgut të Burrelit. Ishte si rregull: para se të vinin të burgosurit nga rrethet e vendit, i boshatisnin birucat dhe në to sistemoheshin të ardhurit, të cilët do të qëndronin aty deri me ardhjen e të tjerëve nga burgjet e tjera të vendit.

Kështu u veprua dhe për ne, që na vendosën nga dy në çdo birucë. Trajtimi i të burgosurve të Burrelit ishte veçantë nga të tjerët. Pjesa e brendshme e burgut ndriçohej me bishtukë me vajguri, të cilët qëndronin gjatë gjithë natës ndezur, në çdo dhomë si edhe në korridoret e burgut. Uji për konsumim për të burgosurit merrej nga një pus, i cili ishte në mes të oborrit, që ishte hapur veçanërisht për të burgosurit, që ishte pa mure anësore. Ky shërbente për të pirë dhe për larje rrobash dhe për në kuzhinë, që ishte në qoshen e brendshme të oborrit. Aty qëndrova dy vjet. Të gjithë ne që ishim në moshë të re, filluan të na shpërndanin nëpër kampet e punës, që ishin të shumta në të gjithë vendin si në: miniera, bonifikime dhe ndërtime.

Shënim: Marrë nga libri “Dhimbje 5-Kalvari i fëmijëve në kampet e përqendrimit komunist” i autores Fatbardha Saraçi Mulleti, botuar nga Fiorentia, Shkodër 2023.

Imazhi kryesor: Fotoja e hyrjes së tunelit, publikuar nga studiuesi Kastriot Dervishi.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here