Tomor Lamçe, studenti i Bolonjës, 30 vjet në burgjet e diktaturës

0
295
blank

Një shkrim përkujtimor në 105-vjetorin e lindjes së Tomor Lamçes, intelektualit korçar që gjatë regjimit komunist provoi burgjet, internimin, torturat, punën e rëndë, vetëm sepse kishte qenë sekretar i Rinisë së Ballit Kombëtar dhe nuk u pajtua me padrejtësitë e regjimit të pasluftës. Historia e studentit të mjekësisë në Bolonjë që diktatura e burgosi tri herë, duke i shkatërruar jetën atij dhe familjes së tij. Shkruar nga të bijtë, Arben dhe Ilir Lamçe për Kujto.al.

 

Nga Ilir dhe Arben Lamçe

 

I lindur më 29 shtator të vitit 1921, në një familje shumë të pasur, intelektuale, atdhedashëse, e dëgjuar për patriotizimin e saj, Tomor Lamçe, trashëgoi intelektin dhe dashurinë për atdheun.

Në Korçën e viteve ‘20-’30, familja Lamçe renditej një ndër familjet më të pasura dhe të arsimuara të fesë myslimane-bektashiane me kontribute të veçanta në historikun e qytetit. Anëtarët e kësaj familjeje, të diplomuar në universitetet europiane si ato të Italisë, Francës apo Turqisë, punonin në administratën e asaj kohe në Shqipëri, Greqi dhe Turqi.

Aktiviteti dhe kontibuti atdhetar i babait të Tomorit, avokat Tefik Lamçes

Tomori ishte djali i vetëm i Tefik Lamçes, avokatit të nderuar dhe me emër i cili shkollën e mesme e kishte kryer në Liceun e Manastirit dhe pas mbarimit të Liceut, kishte vazhduar studimet në Stamboll në Universitetin e Drejtësisë. Origjina e hershme e tij ishte nga bejlerët e Leskovikut. Ai kishte lidhje të forta miqësie me kolosët e Rilindjes Kombëtare si vëllezërit Frashëri dhe Asdrenin. Duke qenë se ishte anëtar i Këshillit Drejtues Botëror të Bektashinjëve, Tefik Lamçe së bashku me vëllanë e tij, Haxhi Bajram Lamçe dhe patriotë të tjerë ishin aktivë në mbrojtjen e interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sidomos në momentet kur grekët donin të pushtonin Korçën dhe rrethinat e saj si Vorioepirin e tyre. Për këto veprimtari të tij patriotike ka materiale arkivore që flasin me detaje dhe gjithashtu përmenden në librin “Veteranët e Pavarësisë”, me autor Veli Haklaj, i botuar në vitin 2018. Në vitin 1909, së bashku me të vëllanë, Haxhiun krijuan në qytetin e Konicës klubin shqiptar “Bashkimi”, si një aktivitet patriotik-politik në shërbim të kombit, gjë për të cilën u ndëshkuan në vitet në vazhdim nga qeveria turke.

Tefik Lamçe zë një vend të veçantë në zhvillimin kulturor dhe arsimor të qytetit të Korçës. Në vitin 1911, ishte një nga kontribuesit kryesorë financiarë dhe së bashku me patriotë të tjerë çelën shkollën e parë të Vashave në Korçë ku ai ishte drejtues i shkollës dhe mësuese ishte Magdalena Dhima nga Korça. Në vazhdën e kontributit të tij në zhvillimin e jetës së qytetit, përmendet krijimi i shoqërisë aksionere “Shëndeti”. Së bashku me patriotët e tjerë korçarë, me fondet e kësaj shoqërie, ndërtuan disa objekte si: furrë buke dhe biskotash me teknologji moderne për atë kohë, si dhe banja popullore për të ndihmuar qytetarët korçarë në përmirësimin e kushteve të shëndetit dhe jetesës. Për aksionerin kryesor të kësaj shoqërie, Tefik Lamçe ka shkruajtur dhe gazeta “Zëri i Korçës”, 15 maj 1928: “Tefik Lamçe krijoi shoqërinë “Shëndeti”, për realizimin e ndërtimeve që përmirësonin cilësinë e jetesës së banorëve. Në tri vitet e fundit qyteti ynë pati fatbardhësinë të zbukurohet me disa ndërtesa moderne e sistematike. Një prej këtyre që u nis vjet në verë është në të mbaruar e sipër. Kjo është ndërtesa e banjove që ngriti shoqëria thjesht shqiptare “Shëndeti”, pranë Jetimores. Sipas informatave që kemi, për së shpejti do të bëhet inaugurimi i banjave, të cilat plotësojnë një nga nevojat më të para që ka patur qyteti ynë. Është e para ndërtesë kësidore që ndërtohet në Korçë dhe ndofta e vetmja në tërë Shqipërinë dhe nga më të mirat në tërë Ballkanin”!

Përpos kontributit të tij atdhetar dhe financiar, Tefik Lamçe ushtroi dhe profesionin e tij si avokat në qytetin e Korçës ku hapi dhe një zyrë avokatie në Pazarin e Vjetër të qytetit për t’iu shërbyer qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me kosto më të ulët për çdo problem juridik. Në vitet e fundit para ardhjes së regjimit komunist, ai u emërua disa kohë ministri i Drejtësisë në kabinetin e Mbretit Zog. Tefik Lamçe ishte i martuar me mbesën e Ali Pashë Tepelenës, zonjën Meleqe Lamçe e cila kishte mbaruar studimet në shkollën e vashave po në Stamboll ku ishin njohur dhe dashuruar. Ajo ishte një zonjë e nderuar, e edukuar, e fisme, e respektuar, një nënë tepër e dashur për fëmijët e saj: vetë Tomorin e thërriste gjithmonë me përkëdheli “Toçkja im”!

blank

blank
Familja e madhe Lamçe, z.Tomor ndodhet në të djathtë të fotos, ulur, në moshën 12 vjeç

Formimi i Tomor Lamçes si intelektual

blank
Tomor Lamçe në ambientet e Universitetit të Mjekësisë në Bolonjë, në Itali (Foto e përpunuar grafikisht nga familja për të korrigjuar dëmtimet nga koha)

Për shkak të mjedisit familjar e kulturor, të dijeve dhe shkollimit që e kishin rrethuar që në lindje, Tomor Lamçe kishte cilësitë e duhura për të qenë ai, emri i spikatur i radhës i familjes së madhe Lamçe që prodhonte prej vitesh intelektualë dhe atdhetarë. Ai ishte një nga nxënësit e shkëlqyer të Liceut Francez në Korçë ku filloi të studionte në vitet 1935 deri në 1940, vit në të cilin u diplomua. Mbas mbarimit të Liceut Francez, ai shkoi në Universitetin e Mjekësisë në Bolonja të Italisë në vitin 1941, në moshën 20-vjeçare. Gjatë viteve në Universitetin e Bolonjës, u dallua si student i mirë në mësime, me sjellje shumë të mira dhe kundër aktiviteteve ideologjike fashiste të asaj kohe në Itali. Bashkë me studentë të tjerë shqiptarë refuzuan hapur për të marrë mësime ideologjike të fazhizmit dhe në dy raste, refuzuan të bënin betimin fashist dhe të këndonin himnin e tyre pasi Shqipëria në atë kohë ishte e okupuar nga Italia fashiste. Formimi akademik që kishte marrë, paralelisht me mësimin e 6 gjuhëve të huaja perëndimore (anglisht, frëngjisht, italisht, greqishte e vjetër, spanjisht, latinisht dhe pak gjermanisht) e bënë një përfaqësues të denjë intelektual të kohës. Qëndroi në Itali rreth 3 vjet dhe në vitin 1944, mori rrugën e kthimit tashmë me gradën Doktor.

blank

Së bashku me shokun e tij nga Korça, Petraq Xhumetiku, u ndodhën në portin e Barit përballë dy anijeve transoqeanike të cilat udhëtonin, njëra në Shqipëri dhe tjetra për në Amerikën e largët. Petraq Xhumetiku iu lut Tomorit të hipnin në anijen që nisej drejt Amerikës mbasi atje kishte dhe të afërm të tij që mund t’i ndihmonin të hapnin klinika mjekësore private, mirëpo Tomori e përqafoi shokun e tij dhe i tha: “Rrugë të mbarë miku im, por unë kam dy prindër që po më presin dhe duhet të kujdesem për ta pasi janë të moshuar!”.

Tomor Lamçe hipi në anijen që udhëtonte drejt Shqipërisë. Fundi i luftës e gjeti pikërisht këtu dhe fati i tij do të ndryshonte njëherë e përgjithmonë pas vendosjes së pushtetit prej komunistëve.

blank

Menjëherë mbas ardhjes në Korçë, ai ra në kontakt me intelektualët e tjerë korçarë dhe vlerësoi katalogun e Ballit Kombëtar (parti politike e krijuar në atë kohë në Shqipëri, që përfaqësonte shtresën e pasur dhe atdhetare, të cilat kishin në parim familjen dhe kombin). Nuk kishte si të ndodhte ndryshe: i ditur, i arsimuar në Perëndim, Tomor Lamçe iu bashkua Ballit Kombëtar, e cila kishte në radhët e saj shumicën e djemve shqiptarë që kishin studiuar nëpër universitetet më të mira të Europës. Në këtë mënyrë, Tomori shpalosi aftësi intelektuale dhe organizative të cilat ranë në sy të krerëve të partisë dhe për këto cilësi shumë shpejt e emëruan “Sekretar të Rinisë së Ballit Kombëtar”, për qytetin e Korçës. Aktiviteti i tij në këtë parti kulmoi me krijimin dhe organizimin, për një kohë të shkurtër, të gazetës social-politike të kësaj partie, “Oshëtima e Korçës”. Në këtë gazetë, ai ishte edhe tekstshkrues dhe bënte thirrje për bashkim kombëtar dhe bashkëpunim ndërmjet dy forcave politike të asaj kohe, Partisë së Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste, thirrje që i niste me sloganin “Shqipëria e Shqiptarëve, Vdekje Tradhtarëve!!!”. Megjithatë kjo gazetë nuk i rezistoi kohës, ashtu siç do ndodhte dhe me vetë platformën politike të Ballit Kombëtar, me vendosjen e regjimit komunist. Historia e ka treguar dhe është fakt se Partia Komuniste me ndihmën e bolshevizmit rus dhe komunistëve jugosllavë, mori pushtetin e plotë politk në Shqipëri. Komunistët i njihnin mirë kundërshtarët e tyre dhe me të ardhur në pushtet, madje edhe para se të merrnin zyrtarisht drejtimin e Shqipërisë, nisën t’i ekzekutonin, burgosnin apo internonin qindra pjesëtarë të organizatës politike të Ballit Kombëtar. Në axhendën e hakmarrjes së tyre, ishte shënuar edhe emri i sekretarit të Rinisë së Ballit për qarkun Korçë, Tomor Lamçe.

Fillimi i vuajtjeve nga regjimi komunist në moshën 24-vjeçare

Angazhimi me Ballin Kombëtar, bindjet e palëkundshme nacionaliste, përfshirja me një forcë politike kundërshtare të regjimit komunist, do të mbyllte përfundimisht karrierën dhe jetën prej intelektuali të Tomor Lamçes. Ai nuk do lejohej në asnjë moment të ushtronte profesionin e tij si mjek. Kjo situatë i solli dëme të paimagjinueshme dhe të pariparueshme në jetën e vet dhe të familjes. Duke e parë Tomorin si kundërshtar të fortë politik dhe konkurrues në intelekt dhe në bindjet e palëkundshme nacionaliste, diktatura komuniste, me në krye ideatorin e krimeve çnjerëzore, Enver Hoxha, e arrestoi që në vitin 1945 me akuza për veprime armiqësore dhe tradhti si eksponent i Ballit Kombëtar. U cilësua “armik i popullit” dhe së bashku me një varg të tjerë intelektualësh, u dënua me burgim të përjetshëm. Në vitet më të bukura të rinisë, në moshën 25-vjeçare, me profesionin e mjekut dhe dashurinë për atdheun ai nuk do ta mendonte kurrë të ardhmen e tij që do të përcaktohej nga duart e komunistëve. Tomor Lamçe provoi 11 muaj hetuesi intensive dhe ishte e qartë që dënimi i tij do ishte tepër i rëndë. Në këtë mënyrë, babai i tij, avokati Tefik Lamçe, me këmbëngulje, aftësi juridike si dhe me dashurinë e madhe të një prindi për djalin e tij të vetëm në lule të rinisë, nuk rreshti së luftuari derisa e kthehu atë dënim të egër në 10 vite burgim.

Për dënimin e tij të parë politik si eksponent i Ballit Kombëtar ekziston një dosje me qindra faqe në të cilat tregohen, ndjekjet, hetimet, marrja në pyetje, torturat dhe seancat gjyqësore ku komunistët dhe sigurimsat e shtetit nuk lanë mjet pa përdorur, deri në dëshmitarë të rremë vetëm e vetëm për të dhënë dënime të rënda për Tomor Lamçen. Sigurisht, besimi në Zot, stoicizmi që buronte nga vlerat familjare dhe patriotike, i dhanë atij forcë të paimagjinueshme për t’u përballur me kalvarin e persekutimit komunist.

Seancat gjyqësore u zhvilluan nga Gjykata Ushtarake dhe grupi në të cilin Tomori bënte pjesë si i pandehur përbëhej prej 19 personash, të gjithë intelektualë dhe drejtues të Partisë së Ballit Kombëtar. Të gjithë këta djem dhe burra të arsimuar, prej familjesh të nderuara, u dënuan me akuzën “armiq të popullit”. Më 12 shtator 1945, në kinemanë “Majestik” të Korçës, u zhvillua gjyqi kundër tyre. Seanca drejtohej nga kryetari i gjyqit, kapiten Koço  Prifti dhe prokurori famëkeq Nevzat Haznedari. Tomor Lamçe, në këtë sallë, u shpall fajtor dhe u cilësua “armik i popullit”, vetëm për detyrën organizative politike pluraliste si sekretari i rinisë së Ballit Kombëtar. Ai u quajt reaksionar vetëm se kishte studiuar jashtë shtetit dhe se vinte nga një familje borgjeze (sipas tyre), mbasi i ati, Tefik Lamçe i përkiste shtresës intelektuale më të lartë të Korçës. Tomori nuk kishte kryer asnjë krim, por u dënua sikur të qenurit pjesëtar i një partie politike ishte krim i rëndë(?!). Në të gjitha seancat e zhvilluara në këtë gjyq për 19 pjestarët e Ballit Kombëtar të Korçës, janë mbi 500 faqe dosje arkivore. Për Tomorin nuk ka asnjë akuzë tjetër përveç të qenurit pjesëtar i rinisë së Ballit Kombëtar. Pasi mori dënimin, filloi të provonte burgjet dhe kampet e punës së rëndë të diktaturës.

Dënimi i parë: 1945-1955, Burrel

Në një dhomë që nuk ishte më shumë se 40 metër katrorë, e shtruar nga cepi në cep me çimento, rrogozë të ngjeshura njëra pas tjetrës, në ato pak metra katrorë vend, Tomor Lamçe mbante ditarin e vuajtjeve. Shkruante dhe vetëm shkruante duke iu arratisur me mendje dhe me shpirt burgut ku ishte dënuar, Burrelit. Vitet në burgun e Burrelit ishin vite plot tortura e vuajtje fizike dhe shpirtërore për të cilat ai tregonte tek ditari. Ja një pasazh i shkruar në tetor 1946: “Qielli është i kaltër por shumë ftohtë, dëbora është e afërt. Këpucët e mia u shkatërruan fare, këmbët i kam jashtë. Oh ç’jetë. Dhoma ku rrimë nuk është më shumë se 40m katrorë, brenda saj jemi 8 veta, dhe në vend të dyshekëve kemi thasë të mbushur me bar ose gjethe. Pse ta dua jetën o Zot i im, kur edhe familjarët e mi duket sikur më kanë harruar. Apo letrat dhe telegramet që më dërgojnë ata mbeten në duart e gardianëve të burgut. Dhe ushqimet e nënës time që ajo i gatuan me aq dashuri, nuk më jepen mua por na detyrojnë të hamë ushqimin e keq të burgut. Çdo ditë këtu vdes nga një i burgosur, nga torturat, vuajtjet dhe keqtrajtimi që i bëhej përfshirë deri në izolim me dhoma me ujë për 24 orë si torturë që as janë parë dhe dëgjuar e as janë bërë as nga nazistët gjermanë. Këta bashkëvuajtës që vdisnin nga torturat varrosen në një pemë qershie të egër e cila është kthyer në një varr masiv, ku qentë e burgut dhe qentë e zonës ushqehen me mishin e këtyre të burgosurve dhe familjarët ndonjëherë nuk e mësojnë kurrë vdekjen e të afërmit të tyre”! 

blank

Përmes ditarit të tij, ne na konturohen shqetësimet e ditës, malli për familjen, pyetjet pa përgjigje, kujtimet e së shkuarës dhe si ishte jeta në burgjet komuniste. Është tepër e çuditshme që ky ditar që së fundmi, familjes i ra në dorë, përmes një miku gazetar, është mbajtur në fshehtësi si një “sekret shtetëror” dhe askush nuk ka pasur dijeni për të, për 80 vjet. As vetë Tomor Lamçe nuk kishte folur mbi ekzistencën e këtij ditari me familjarët, ndoshta për të harruar ato vuajtje që kishte përshkruar me dorën e tij ose dikush nga hetuesit apo spiunët ia ka marrë dhe mbasi e kanë lexuar, e ekspozuan së fundmi.

Pas mbarimit të vuajtjes së dënimit në vitin 1955, u kthye në Korçë atje ku kishin mbetur prindërit e tij të moshuar të cilëve iu kishin marrë gjithçka. Për të, ishte tepër e dhimbshme t’i gjente ata jo vetëm të mplakur, por edhe të dëbuar në një shtëpi të vogël me plitharë mbasi i kishin zbuar me forcë nga shtëpia e tyre e cila ishte një nga më të mëdhatë dhe më të bukurat shtëpi të qytetit në të cilën ai kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë.

Menjëherë mbas dënimit të parë të djalit të tyre të vetëm, në vitin 1945, për familjen Lamçe do të rëndonte hakmarrja e pamëshirshme komuniste. Duke qenë një familje e pasur dhe e respektuar nacionaliste, e cila kishte një lloj influence të rëndësishme në qytetin e Korçës, për komunistët do të thoshte rrezik i madh. Kështu që disa vjet më vonë, bishat komuniste e nxorën familjen e Tomorit, nga shtëpia e madhe e fisit Lamçe me 2 kate, 8 dhoma, 2 kuzhina dhe 2 oborre të mbushura me lule dhe kjo banesë u përvetësua nga një prej besnikëve të Enver Hoxhës, partizanit Riza  Kodheli. Më vonë, mbasi u bë bujë e madhe për mënyrën si e përvetësoi shtëpinë e Tefik Lamçes, Riza  Kodheli falsifikoi dokumentet sikur e kishte blerë shtëpinë në hipotekë me ndihmën e djalit të tij që punonte atje. Ky falsifikim vërtetohet shumë lehtë, mbasi në dokumentet e pronësisë ekziston akoma dhe sot emri i Tefik dhe Haxhi Bajram Lamçes.

Deri në vitet e fundit, familjarët e Tefik Lamçes u përpoqën me procese gjyqësore ta përfitonin pronën e tyre të trashëguar, mirëpo familjarët e Riza Kodhelit e dogjën dhe e rrafshuan shtëpinë duke bërë sikur ishte aksidentale. Si rezultat, ata përfituan banesa të tjera gjatë drejtimit të shtetit nga Partia Socialiste.

Gjithashtu, në vitet e para të ardhjes së komunistëve në pushtet, zyra e tatimeve të Korçës me në krye Pirro Suliotin, Tefik Lamçes i konfiskoi 4 kg flori të cilin ai e kishte të trashëguar nga prindërit dhe të mbledhur gjatë kohës që punonte si avokat. Megjithë përpjekjet për t’i rikthyer sasinë e floririt e rrëmbyer, asnjëherë nuk e mori mbrapsht.

Tefik Lamçe ndërroi jetë në vitin 1962 dhe u varros në Teqenë e Turanit si besimtar bektashi që ishte. Në këtë teqe do preheshin edhe eshtrat e Meleqe Lamçes, nënës së Tomorit. Në vitin 1968, si pasojë e mbylljes dhe shkatërrimit të objekteve të kultit siç ishte dhe Teqeja e Turanit, eshtrat e të dy prindërve të Tomorit do transferoheshin në varrezat e myslimanëve tek shkolla Teknike. Duke qënë se mbi to do ndërtoheshin pallate shumëkatëshe gjatë viteve në vazhdim eshtrat e tyre nuk u gjendën kurrë. Zhdukja e eshtrave të të vdekurve ishte çnjerëzore nga ana e komunistëve të cilët nëpërmjet kësaj kërkonin të zhduknin çdo lidhje dhe rrënjë prej njerëzve të fisëm, të kulturuar, të arsimuar dhe patriotë. Në kujtim të këtyre dy njerëzve të dashur dhe me ndikim të veçantë në zhvillimin e qytetit të Korçës, nipi i tyre, Iliri ka ngritur një memorial që sot ndodhet në varrezat e Korçës. Për Tomorin ishte tepër dëshpëruese vdekja e prindërve të tij.

Survejimet, ndjekjet dhe dënimi i dytë: 1966- 1975, Bulqizë

Edhe pse Tomori kishte kryer dënimin e tij prej 10 vjetësh në burgun e Burrelit, komunistët vazhdonin ta survejonin për ta ridënuar përsëri sapo t’iu jepej mundësia. Në vitin 1956, Tomor Lamçe martohet me zonjën Xhevriko dhe krijojnë familje duke u bërë, brenda dy vitesh, me dy djem. Gjatë këtyre viteve që qëndroi në liri atij iu mohua e drejta të punonte si mjek dhe punoi për të mbajtur familjen në fabrikën e Tullave në Korçë si numërues prodhimi. Pikërisht në këtë kohë, kur mbase mendonte se do të mund të jetonte më në fund ditë të qeta e larg trazirave, regjimi e kishte shtuar vigjilencën mbi të. Atë e survejonin mbi 12 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit që janë të përshkruar me pseudonime në dosjet e ish-Sigurimit, të gjithë të lidhur në kontakte me hetuesit e strukturës së Sigurimit. Këta bashkëpunëtorë raportonin çdo ditë të jetës së tij me detaje, madje shumë herë me shpifje dhe gënjeshtra të sajuara nga ata dhe hetuesit të cilët janë cituar në dosjen e tij hetimore.

Kështu në vitin 1966, Tomor Lamçe u arrestua për herë të dytë me akuza të ndryshme të cilat nuk u vërtetuan kurrë. Bëri 9 muaj hetuesi barbare, nga hetuesi Safet Bala, që provoi mbi të çdo lloj torture. Në vitin 1967, prokurori Llazar Kamberi në seancën gjyqësore iu drejtohet pjesëmarrësve në sallë se “kishin të bënin me një armik të popullit të dënuar dhe më parë dhe si i tillë ai paraqiste rrezikshmëri të lartë për pushtetin popullor”!  Edhe pse nuk i pranoi akuzat, e dënuan përsëri me 10 vite heqje lirie vetëm se ishte një ish-i dënuar politik dhe kundërshtar i pushtetit komunist. Dënimin e vuajti në burgun e Bulqizës.

Ky dënim i dytë i rëndoi më tepër sepse sapo ishte bërë baba dhe nuk do të ishte i pranishëm në rritjen e fëmijëve. Madje e dinte që përndjekja komuniste do të vazhdonte edhe te gruaja dhe dy djemtë e tij. Dhe kështu ndodhi. Pak kohë pas arrestimit, kryetari i Këshillit Ekzekutiv, Vangjush Çërrava thirri bashkëshorten e Tomorit, Xhevriko Lamçen, e cila shkoi së bashku me djalin e madh Ilirin. Në këtë takim, asaj iu komunikua se duhet të ndahej me burrin e saj Tomor Lamçe dhe se për fëmijët do të kujdesej Partia dhe Pushteti Popullor. Nëse nuk do e bënte, do internohej së bashku me të dy fëmijët në fshatin Vithkuq të Korçës, sepse ky fshat socialist kishte nevojë, sipas tyre, për rrobaqepëse dhe për djemtë që do të rriteshin dhe mund të bëheshin agronomë ose bujq të mirë do kujdesej partia dhe pushteti popullor. Gjithashtu i “sugjeroi”, që të ndërronte dhe mbiemrin e fëmijëve duke hequr mbiemrin Lamçe, mirëpo babai dhe vëllezërit e saj nuk pranuan që të ndërrohej mbiemri atëror i fëmijëve. Ky dënim i dytë solli vetëm dëshpërim dhe vuajtje në burgun komunist për Tomorin si dhe vuajtje për familjen e tij, gruan dhe dy djemtë, pavarësisht ndarjes që komunistët detyruan të ndodhte.

blank

Familja Lamçe do të kishte pjesën e saj të vuajtjeve

Familjarët e Tomor Lamçes përjetuan përndjekjen komuniste menjëherë pas arrestimit të dytë të tij. Fillimisht, Sigurimi i Shtetit dhe përfaqësues të pushtetit popullor bënë konfiskimin e pasurisë së mbetur, ku morën të gjitha orenditë në shtëpi së bashku me bizhuteritë e Xhevrikos, gruas së Tomor Lamçes, me vlerë të konsiderueshme të cilat ishin të trashëguara nga vjehrra dhe vjehrri i saj. Jo vetëm kaq, por i nxorën nga shtëpia e tyre të cilën pushteti popullor e përvetësoi dhe ia dhuroi një familjeje tjetër. Për shkak të presioneve dhe spiunëve që i përndiqnin, ata nuk mundën dot t’i afroheshin më shtëpisë deri me ardhjen e demokracisë. Duke mbetur në mes të katër rrugëve, u detyruan të shkojnë të jetojnë në shtëpinë e gjyshes së Xhevrikos. Asaj do i binte e gjithë barra e shtëpisë dhe në mungesë të Tomorit i duhej të punonte në rrobaqepësi 10-12 orë në ditë, për të mbijetuar. Dy djemtë e tyre të cilët ishin ende të vegjël, Iliri dhe Arbeni po rriteshin me mungesën e babait dhe me diferencimin e përjashtimin nga shoqëria e cila i tregonte me gisht, si bijtë e armikut të popullit, fëmijët e një reaksionari dhe nuk i pranonin në asnjë aktivitet social-kulturor për moshën e tyre. Po aq e vështirë për ta do ishin edhe takimet me babanë në burg, të cilat do ndodhnin vetëm dy-tri here, me lejë nga pushteti popullor dhe policia. Një ngjarje e rëndë gjatë kësaj kohe, ishte edhe momenti kur djalin e vogël Arbenin, pa dijeninë e nënës së tyre, e vaksinojnë në moshën 6-vjeçare në ambulancën e Korçës, me një vaksinë e cila i shkaktoi probleme të rënda shëndetësore dhe pasoja nga e cila ai vuan ende sot e kësaj dite. Familja ka dyshime se ndoshta komunistët u përpoqën ta eleminonin fizikisht, por fati deshi që ai të jetonte edhe pse me pasoja shëndetësore.

Diskriminimi vazhdonte në çdo drejtim. Ndaj Ilirit, djalit të madh të Tomorit, është ushtruar presion nga regjimi për të ndryshuar emrin e gjyshit të tij, Tefik, që e gëzonte nga lindja. Komunistët nuk u mjaftuan vetëm me shkëputjen dhe ndarjen e tyre nga babai duke e burgosur, por kërkonin medomosdo që emri i këtij njeriu të nderuar dhe atdhetar siç ishte gjyshi i tyre Tefik Lamçe të mos kujtohej ndër breza. E detyruar nga presioni i Sigurimit të Shtetit, nëna e tij, Xhevriko së bashku me familjarët e saj vendosën që në moshën 8-vjeçare t’ia ndryshojnë emrin nga Tefik, në Ilir, vetëm e vetëm për të shpëtuar djalin nga shënjestra e bishave komuniste dhe luftës së klasave.

Internimi

Dënimet dhe ridënimet e Tomor Lamçes vazhduan. Menjëherë sa mbaroi dënimin në Bulqizë, në prill të 1975-ës, ai u internua në Sherë të Moglicës, në një zonë të thellë malore në rrethin e Korçës, në tetor të po atij viti. Atje në internim do provonte dhe punë të rënda fizike të cilat do i rëndonin më tepër shëndetin fizik. Me të njëjtin trajtim të padrejtë vazhdonte të goditej edhe familja e tij, megjithëse ata patën fatin të mos internoheshin së bashku me të. Kështu gjatë kohës që Tomori vuante internimin, në vitin 1977, Iliri, djali i madh, ishte në vitin e dytë gjimnaz në shkollën “Themistokli Gërmenji”. Pikërisht, mbrëmjen e 15 tetorit 1977 në muret e kësaj shkolle u shkruajtën me jashtëqitje, emri i diktatorit Enver Hoxha dhe datëlindja e tij. Mëngjesi i datës 16 tetor mbushi oborrin e shkollës me hetues të Degës së Brendshme të Korçës, për të bërë hetimet e kësaj ngjarjeje. Në këtë moment, drejtori i shkollës, Gaqo  Tasho i cili e njihte mirë familjen e Tomor Lamçes nga origjina e tij prej Leskoviku dhe e dinte shumë mirë historikun e dënimeve, thirri në zyrë Ilirin, së bashku me dy nxënës të tjerë. Njëri prej tyre kishte babain të pushkatuar dhe tjetri gjyshin. Pra, ishin ata, fëmijët e “armiqve të popullit” tek të cilët u drejtuan menjëherë për këtë ngjarje. Të tre u pyetën nën presion nga vetë drejtori dhe dy prej personave të Sigurimit, nëse kishin qenë natën e kaluar në oborrin e shkollës. Donin me patjetër t’i ngarkonin me faj për këtë veprim. Nga presioni i madh dhe të bërtiturat e tyre njëri nga nxënësit me iniciale A.B., humbi ndenjat. Vetëm kjo i bëri të ndalonin presionin dhe egërsinë ndaj tyre duke i drejtuar për të shkuar në shtëpi, jo në klasë dhe i kërcënuan që prindërve dhe shokëve të mos iu thoshin asgjë se çfarë ndodhi në zyrë e drejtorit. Mbas kësaj, Iliri kontrollohej dhe survejohej çdo ditë të vajtjes dhe ardhjes në shkollë. Ai shoqërohej në distancë nga dy persona civilë të cilët i njihte dhe ua dinte dhe emrin. I rrethuar gjithmonë nga këta spiunë, edhe shoqet e klasës bënin shaka me të, duke thënë se, kur ktheheshin me Ilirin, pas shkolle, në shtëpitë që i kishin afër me njëri-tjetrin, ndiheshin të sigurta nga bezdisjet e djemve të tjerë, sepse ata që survejonin Ilirin, mbronin edhe ato. Të jetoje në komunizëm, ishte tepër e vështirë për më tepër kur ishe cilësuar edhe si fëmija i armikut.

Burgu i tretë dhe i fundit i Tomor Lamçes

Gjatë kohës në internim, Sigurimi vazhdonte t’i vinte nga pas spiunë dhe provokatorë të cilët e mbanin çdo ditë të jetës nën vëzhgim. Edhe pse i dënuar dy herë me burg, Tomor Lamçe për shkak të karakterit të papërkulur nuk heshti para padrejtësive dhe pushtetit duke ngritur zërin kundër tyre. Bazuar në shpifjet dhe spiunllëqet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, regjimi ishte përsëri gati për t’i hedhur hekurat edhe pse Tomori tashmë ishte 56 vjeç, i lodhur nga jeta dhe i dëshpëruar në maksimum nga vuajtjet. Mbas dy vjet e gjysmë internim, u arrestua përsëri në vitin 1977. Hetuesi Ligor Kondili ushtroi ndaj Tomorit terror dhe dhunë gjatë 6 muajve hetuesie intensive. U dënua me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Dënimin e kreu në burgje të ndryshme të Shqipërisë komuniste dhe në fund, ishte në burgun e Piqerasit në Sarandë pasi ishte një burg për moshat e thyera dhe mosha dhe shëndeti jo i mirë i tij, tanimë po linin shenjat e veta.

Mbas disa vjetësh në burg të të atit, djali i madh, Iliri, u thirr për të kryer shërbimin ushtarak të detyruar për 2 vjet në brigadën e punës së xhenios në Plasë. Mbas disa muajsh në ushtri, një pasdite Ilirin e thërret shefi i Sigurimit të Ushtrisë, oficeri Thanas Mitre, i cili kutërbonte erë alkool. Duke u ngërdheshur, i tha Ilirit: “Ti je i biri i Tomor Lamçes? E di ti që unë s’kam shumë kohë që babait tënd i kam vënë prangat me duart e mia?”. Iliri, heshti dhe uli kokën. Thanas Mitre, vazhdoi duke i thirrur që ta shikonte në sy dhe të qëndronte gati-tu, duke i thënë se edhe Ilirin shumë shpejt ai do ta çonte në qelinë numër 9. Do ta dënonte me burg, duke e çuar tek i ati dhe për këtë i betohej për idealin e Partisë. Në fakt, Sigurimi i Shtetit e kishte piketuar tri herë ta dënonte Ilirin vetëm se ishte i biri i Tomor Lamçes. Këtë gjë, Iliri e zbuloi me ardhjen e demokracisë kur punonte në organet shtetërore, nëpërmjet leximit të dokumentave të ish-Sigurimit të Shtetit. Fatmirësisht u kishte shpëtuar dënimeve falë zgjuarësisë dhe intelektit të trashëguar nga prindërit.

Lirimi nga burgu dhe jeta në vitet e fundit të diktaturës

Tomor Lamçe u lirua nga burgu i tretë në fillim të vitit 1987, afërsisht në moshën 66- vjeçare, i mplakur dhe i lodhur nga jeta, i dobësuar dhe i transformuar fizikisht, por me një gëzim në shpirt që bisha komuniste dhe regjimi i tyre duket se po jepnin shpirt. Ai shpresonte se do shikonte dy ditë të bardha në fund të jetës së tij, por akoma ishte nën diktaturë: kalvari i vuajtjeve dhe frika se mos e arrestonin ekzistonin ende. Për shumë kohë mbas lirimit, ai nuk mori pension dhe e ndihmonin financiarisht djemtë e tij, sidomos Iliri dhe gruaja e tij duke e takuar çdo ditë në shtëpinë e tij, në një dhomë përdhese, mbasi pjesa lart e shtëpisë vazhdonte të ishte e uzurpuar nga Eqerem Myrtollari prej 20 vitesh i futur me imponim nga Këshilli Popullor i asaj kohe, i cili gjatë gjithë kohës të qëndrimit atje, luante rolin e spiunit të Këshillit Popullor të lagjes, në ardhjet dhe ikjet e Ilirit dhe gruas së tij, si dhe në çdo lëvizje të Tomorit. Shumë herë në këto takime, Ilirin dhe gruan e tij i ndiqte policia sekrete sa herë shkonin për t’i çuar ushqim ose ndërresa. Nuk mund të harrohen momentet kur makina e policisë me epitetin “Izaura”, iu kalonte ngjitur, iu frenonte afër, policët i shanin nëpër dhëmbë dhe duke i parë egër, i shoqëronin nga afër deri në banesën ku jetonin. Ky persekutim i vazhdueshëm bëhej me provokime dhe në vendet ku ata punonin. Atyre iu kujtohet shpeshherë një thënie që Tomori përdorte sa herë që e takonin: “Dëgjo bija ime, njeriu është shumë i fortë dhe prej tij lind gjeniu, sepse gjeniu nuk është gjë tjetër veçse 99% vullnet dhe 1% talent. Mbajeni mend mirë këtë, kjo është një thenie e Edisonit”!

Ishte një njeri që pavarësisht vuajtjeve nuk rreshti së lexuari dhe besuari në Zot. Asnjëherë Tomor Lamce nuk ushqehu te fëmijët e tij urejtjen për personat (spiunët) që i kishin prishur jetën duke u thënë se hakmarrja le të bëhet nga Zoti dhe demokracia që erdhi të ishte ilaç për plagët e tij dhe të tyre.

Jeta me familjen do t’i falte ende, edhe për pak vite, kënaqësi të vogla

Ardhja e demokracisë, e lehtësoi përfundimisht jetën e tij, gjendjen shpirtërore dhe morale, kur menjëherë familja Lamçe u bashkua përfundimisht fizikisht, shpirtërisht dhe ligjërisht. Gjatë këtyre viteve të demokracisë, për shkak të moshës, ai mundi të realizonte vetëm një dhunti të tij, që ishte pasioni i gjuhëve të huaja. Ai arriti të kishte zyrën e tij për përkthim në të cilën ndihmonte njerëzit që kishin nevojë për to. Disa herë u ftua nga Ambasada Franceze në takime, evente dhe aktivitete që organizoheshin në Korçë, në kohën kur ambasador ishte z. Domenico Girard. Duke qenë se mjetet e komunikimit ishin ende të kufizuara në ato vite, z.Girard dërgonte sekretaren e ambasadës në shtëpinë ku banonte Tomori, për t’i dhënë ftesat. Kjo bëhej pasi Tomori kishte qenë student në Liceun Francez.

Për Tomorin kishte ardhur demokracia e shumëpritur dhe e shumëkërkuar nga ai, por pa e kuptuar, në të njëjtën kohë, kishte erdhur edhe pleqëria e tij. Ai po kalonte vitet e pleqërisë në shtëpinë e tij pranë gruas, dy djemve, nuses dhe dy mbesave, të cilat i gjeti njërën 2 vjeçe dhe tjetrën në moshën 5-vjeçare, afërsisht në moshën që ishin djemtë e tij kur ai filloi kalvarin e burgimeve në burgjet komuniste.

blank

Tomor Lamçe bëri 30 vjet burg dhe dy vjet e gjysmë internim. I lodhur nga një persekutim kaq i madh, ky intelektual i shquar, patriot dhe nacionalist i vendosur, ky simbol i kalvarit të intelektualëve të persekutuar në epokën e diktaturës komuniste, i lodhur, por kurrë i mposhtur nuk pati mundësi që të shijonte për shumë vite frytet e demokracisë që tashmë kishte ardhur dhe për të cilën ai sakrifikoi aq shumë që në moshën 25-vjeçare duke kaluar 33 vjet tortura fizike dhe shpirtërore. Ai mbylli sytë përgjithmonë në 14 prill 1994 i rrethuar nga gruaja, djemtë, familjarët, bashkëvuajtësit dhe u vlerësua nga pushteti demokratik i asaj kohe si një “Mandela” i Korçës në fjalimet e tyre ditën e percjelljes mortore.

blank

Këta njerëz si Tomor Lamçe meritojnë të kujtohen dhe të vlerësohen për jetët e tyre të humbura që nuk hoqën dorë as me kërcënim, burgim apo dhe pushkatim nga bindjet e tyre nacionaliste, demokratike dhe patriotike. Tomor Lamçe meriton vlerësimin më të lartë për këto vuajtje, tortura dhe sakrifica në burgjet famëzeza të komunizmit gjakatar… /kujto.al

blank

Shënim: Në foton kryesore, Tomor Lamçe, në vitet kur ishte student në Universitetin e Mjekësisë në Bolonjë, Itali. Të gjitha fotot dhe diçiturat, nga familja.

Përgatiti për botim: Najada Pendavinji

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here