Fondacioni Kujto

Kujto është Fondacion jofitimprurës me qendër në Tiranë, krijuar dhe financuar në vitin 2018 nga sipërmarrësi dhe investitori Agron Shehaj. Fokusi ynë është memoria kolektive e Shqipërisë së periudhës komuniste 1945 – 1991 përmes një qasje të re dhe gjithëpërfshirëse: bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët duke shfrytëzuar teknologjinë dhe mundësitë e reja të komunikimit.

Aktualisht, faktet historike me akses të gjerë janë tejet të paplota dhe të mistifikuara me ose pa qëllim, çka krijon një ngërç jo vetëm në nivele shkencore dhe metodologjike të njohurive, por edhe në nivel praktik. Konkretisht fati i mijëra të dëbuarve, të internuarve, të dënuarve me burg dhe të ekzekutuarve nuk dihet ende. Pjesë e mirë e ngjarjeve historike janë ende të pa zbardhura, ndërkohë që shumë prej dëshmitarëve që i kanë jetuar ato apo familjarë të tyre, mund të shërbejnë si partnerë të vyer në këtë mision.

Qëllimi i Fondacionit është dokumentimi sa më i plotë i fakteve që lidhen me viktimat dhe traumat e së shkuarës dhe pasqyrimi i tyre në mënyra interaktive, për të vijuar më tej me publikime, botime dhe nisma edukuese edhe sensibilizuese referuar modelit të ndjekur nga vende me të kaluar të ngjashme.

Ndër të tjera, pjesë e objektivave tona është edhe ndërmarrja e nismave ligjore që çojnë drejtë njohjes sa më të paanëshme dhe objektive të krimeve të komunizmit si edhe bashkëpunimi i ngushtë me strukturat qeverisëse përkatëse që i mundësojnë këto objektiva.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet “Arkivës online” e cila do të shërbejë si faqosje e gjithë punës dhe aktivitetit tonë. Sipas George Orwell “E sotmja ndikon tek e shkuara dhe e shkuara, tek e nesërmja”! Prandaj ne kemi bindjen se njohja e historisë garanton një të nesërme më të mirë!

 

Agron Shehaj/ Themelues

Agron Shehaj është një biznesmen, investitor, politikan, filantrop shqiptar. Ai është themelues dhe pionier i mjaft ideve inovative në biznes dhe në teknologji.

I pari shqiptar që nisi biznesin e Call-Center-it me treg Italinë, ai cilësohet nga mediat perëndimore si Mbreti i Call-Center. Shehaj është investitori më i madh shqiptar në tregun dixhital me një rrjet kompanish dhe Start-Up-e, i njohur si shqiptari i vetëm që ka partneritet me Google, gjigandin e teknologjisë dhe internetit.

Prej 2017, deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe ndër më aktivët në zbulimin e skandaleve shtetërore. I pari politikan shqiptar që fali pagën e tij për bamirësi. Krijuesi i disa fondacioneve dhe instituteve kërkimore.

Ai është ideatori dhe themeluesi i Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo, Fondacionit Kujto Albania- Arkiva online e Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit, Klubit Sportiv Spartaku për fëmijët në nevojë, Akademisë Dixhitale Link Akademy për arsimin falas të të rinjve, mbështetësi kryesor i Down Sindrome Albania, mbështetës dhe promovues i dhjetërave projekteve të reja në fushat e artit, kulturës, dhe bamirësisë. Mbështetja e Shehajt për shoqërinë shqiptare është nderuar me çmime ndërkombëtare.

 

Luljeta Progni

Gazetarja Luljeta Progni i është bashkuar që në hapat e para iniciativës për ngritjen e Kujto.al duke kontribuar me punën e saj për realizimin e këtij projekti.

Luljeta Progni me punën e saj të përditshme publikon dëshmitë dhe historitë e të përndjekurve politikë nga regjimi komunist si dhe realizimin e dokumentarëve artistikë me historitë e  tyre.

Luljeta Progni ka punuar gazetare prej më shumë se 20 vitesh në median e shkruar dhe atë vizive në Shqipëri. Është autore e dy librave studimore mbi tranzicionin shqiptar;  “Trashëgimtarët” dhe “Pardesytë e Bardha”.

Ajo është producente e filmit “Azizi”, që tregon historinë e vërtetë të një të përndjekuri politik nga regjimi famëkeq komunist, i internuar në kampet famëkeqe të këtij regjimi.

Në bashkëpunim me Kujto.al Progni ka nisur një cikël dokumentarësh me histori njerëzore me temë krimet e komunizmit. Dokumentarët shfaqen në televizionin News24 dhe gjenden në kanalin e youtube të Kujto.al

Disa prej tyre janë;“Mall për me këndue”; ''Gurët e besimit''; ''Kitarë e Burgosur''

 

Erald Kapri 

Erald Kapri ka përfunduar studimet për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, e më pas studimet master në Universitetin e Westminster-it në Londër, me mbështetjen e qeverisë Britanike.

Kapri ka punuar disa vite në shtypin e shkruar dhe aktualisht shërben si Anëtar i Këshillit të Ankesave të AMA. Prej vitit 2014 është pedagog në departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

Ai është autor i disa studimeve në fushën e medias dhe komunikimit si dhe i librit Sekretet e Luftës; Shqipëria tjetër në dokumentet britanike. Prej vitit 2018 është një prej drejtuesve të Fondacionit Kujto dhe Arkivës Online të Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit si dhe është zgjedhur Kryetar i Këshillit Shkencor pranë Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

 

Blerina Gjoka

Blerina Gjoka, gazetare në median e shkruar në vend prej vitit 2001, i bashkohet projektit Kujto.al-Arkiva Online e Krimeve të Komunizmit si drejtuese e Fondacionit Kujto, në janar 2019.

Ka mbaruar universitetin e Histori-Filologjisë në degën Gjuhë-Letërsi dhe Master pranë Institutit të Studimeve Europiane.  

Blerina Gjoka ka një rrugëtim të gjatë në media si gazetare e politikës në disa media kryesore në vend, si gazeta Panorama, Gazeta Shqiptare, gazeta Tema dhe gazeta Mapo. Ka qenë pjesë e ekipit themelues dhe zv/kryeredaktore e gazetës Standard dhe vitet e fundit, ka punuar si eksperte e Marrëdhënieve me Publikun pranë Universitetit Europian të Tiranës. Gjithashtu, ka eksperiencë si lektore e lëndës “Shkrim Akademik” në universitet.

“Projekti për të hedhur online dëshmitë e krimeve të komunizmit është projekti më ambicioz për mua. Në një kohë që mediat e kanë humbur rrugën për t’i shërbyer të vërtetës, Kujto.al jo vetëm priret nga e vërteta, por priret nga një mision human, për të mos lënë në harresë vuajtjet e shqiptarëve që regjimi komunist i pushkatoi, i dënoi me burg apo i internoi vetëm pse mendonin ndryshe”.