Ndahet nga jeta Ylber Merdani / U dënua për shkrimet e tij

0
51
blank

Më 11.3.2024 u nda nga jeta ish-i dënuari politik, shkrimtari e veprimtari Ylber Fuat Merdani, lindur në vitin 1940 në Korçë. Antikomunist i vendosur, Ylberi kurrë nuk rreshti së shkruari letërsi apo të grumbullojë fakte rreth krimeve komuniste. U arrestua më 9.6.1969. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë sepse kish shkruar kundër pushtetit. Në karakteristikat e gjeneraliteteve thuhej se ishte me origjinë tregtare.

Mbaroi Shkollën Pedagogjike. U emërua arsimtar në fshatrat e rrethit të Librazhdit në vitet 1959-1965, por u pushua nga puna, duke përdorur si sebep edhe një dënim “për sjellje të padenjë në shoqëri”. U dërgua punëtor në sharrat e Stravajt. Në vitin 1967, u internua për arsye politike në Pulahë të Korçës. Në vendim, midis të tjerash thuhej: “Qysh para vitit 1965, i pandehuri ka filluar të shkruajë disa shkrime dhe vjersha me frymë pesimiste, për të cilat është këshilluar që të ndreqet duke qëndruar më afër realitetit. Në vitin 1965, duke qenë në kryerjen e dënimit të sjelljes së padenjë, në qendrën e punës në Sharrat e Stravajt, i revoltuar edhe për faktin që po kryente këtë dënim edhe për faktin se e kishin pushuar nga puna si arsimtar, fillon të shfaqë pakënaqësi ndaj shoqërisë që është në fuqi, jetës që e rrethon, duke ëndërruar për një fat më të mirë dhe duke pritur ndryshime në të ardhmen. Këto i shfaq nëpërmjet një shkrimi që i pandehuri e ka titulluar poema “Një lamtumirë e honezuar”, shkruar në Stravaj në vitin 1965. Këtu në përgjithësi del fryma armiqësore ndaj pushtetit tonë popullor dhe partisë. Pas vitit 1965 deri në 1 gusht 1967, i pandehuri ka punuar në punëra të ndryshme si punëtor. Në datën e sipërme, familjarisht, i pandehuri duke mos u pajtuar me vijën politike të këtij pushteti dhe si klasë e deklasuar, është internuar nga qyteti i Korçës në Pulahë të Oparit. Mbas zbatimit të internimit, i pandehuri duke qenë i pakënaqur në këtë vendim, hidhet krejtësisht në rrugë armiqësore kundër këtij pushteti. Pas vitit 1967 dhe deri në kohën e arrestimit, 9 qershor 1969, ka krijuar një sërë shkrimesh me përmbajtje armiqësore kundër këtij pushteti. Kështu janë pjesët që i përmenduri i ka titulluar: “Të dënuarit”, “Monologu i një vrasësi”, “Malet”, “Motrës dhe vëllait për ditëlindje”, etj.. Në këto shkrime, në mënyrë të hapur sikundër është pjesa “Të dënuarit” dhe lehtë për t’u kuptuar në pjesët e tjera, i pandehuri ka folur kundër partisë”.

Gjykata Popullore e Rrethit Korçë, e drejtuar nga Koço Mano, me pjesëmarrjen e prokurorit Llazar Kamberi, me vendimin nr.63, datë 26.8.1969, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie, pagimin e shpenzimeve gjyqësore dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet.

Nuk iu konfiskua pasuri sepse i është marrë më parë. “Në caktimin e masës së dënimit, gjykata ka parasysh rrezikshmërinë e theksuar shoqërore të veprës që drejtohet kundër organeve të pushtetit shtetëror, fitoreve të revolucionit popullor, ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore të personit”-mbyllej vendimi gjyqësor.

Ylberi u lirua më 5.3.1977 nga Reparti nr.303 Spaç. Ai ishte një ndër pjesëmarrësit në revoltën e majit 1973 në këtë kamp.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here