Hoxhallarë dhe personalitete myslimane të vrarë dhe të burgosur nga regjimi komunist

0
108
blank

Një listë e gjatë me hoxhallarë dhe figura të tjera të rëndësishme të vrarë dhe të dënuar me burg që tregon persekutimin e egër të diktaturës ndaj bashkësisë myslimane në Shqipëri

 

Asnjë komunitet fetar nuk i shpëtoi përndjekjes gjatë diktaturës në Shqipëri, përfshirë këtu edhe atë mysliman, i cili si më i madh në numër, edhe viktimat i pati të shumta.

19 u ekzekutuan ose humbën jetën në burgje; të tjerë u burgosën dhe u internuan; të tjerëve iu bënë gjyqe publike, iu sekuestrua pasuria bashkë me bibliotekat, u lanë pa punë e pa pension, madje ndonjërit iu hoq çallma dhe iu rruajt mjekra me forcë, si e si për të ndaluar ushtrimin dhe përhapjen e fesë. Shumë prej tyre u detyruan të vetizoloheshin deri në fund të jetës, disa edhe të arratiseshin, ndërkohë që përndjekja ra edhe mbi familjarët.

Roald Hysa ka publikuar një listë me hoxhallarë dhe figura me kontribute të mëdha për shoqërinë shqiptare dhe bashkësinë myslimane, të përndjekur në forma të ndryshme nga regjimi komunist. Këtë listë autori e ka krijuar mbështetur te lista fillestare e publikuar në vitet ’90 te gazeta “Drita Islame”, pasuruar në vite duke shfrytëzuar të dhëna të ndryshme. Kujto.al shkëput sot nga lista e publikuar nga Roald Hysa, figurat e rëndësishme të fesë myslimane të cilët u vranë, u burgosën ose u internuan, duke theksuar, siç vë në pah dhe autori, që kjo listë mund të mos jetë e plotë.

 

Hoxhë Selim Brahja – I njohur si Hoxha i Saukut, vrarë në gusht 1943 nga njësiti i Çetës së partizanëve të Pezës, ditën e parë të muajit të Ramazanit.

Imam Seit Idriz Shehu – Nga fshati Vrajtë i Peshkopisë, mbaron studimet në Prizren me Hafiz Shabanin. Ka dhënë mësim në mejtepet e xhamive dhe ka qenë imam në fshatrat: Deshat, Borovjan, Grevë dhe Zimur. Gjykohet dhe vritet me akuzën për “axhitacion e propagandë” kundër Frontit Nacional-Çlirimtar nga një gjykatë partizane e Brigadës V me komandant Shefqet Peçin më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria.

Imam Halil Hoxha (1881-1946) – Me origjinë nga Bytyçi i Tropojës dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet me akuzat si kriminel lufte, bashkëpunëtor i regjimit zogollian dhe i okupatorëve, së bashku me të dënohet edhe bashkëshortja Xhane Hoxha me 5 vite burgim dhe dy bashkëfshatarë të tij Demush e Shaban Qerimi me vdekje, për shkak se e strehuan atë. Vendimi për pushkatim ka marrë edhe miratimin e Enver Hoxhës.

Hafiz Ali Korça – I internuar në vitin 1945 e deri sa vdiq më 1956, Salahudinin djalin e madh ia vrasin komunistët dhe Alaudini kryen 5 vite burg, si dhe persekutohet politikisht deri ditën që ndërroi jetë.

Hafiz Ibrahim Dalliu – I burgosur në vitin 1947 dënohet me 5 vite burg pse kishte dëgjuar radio Londrën.

Hafiz Ismet Dibra ish- drejtor i Medresesë së Përgjithshme, Tiranë –i burgosur në vitin 1946 dhe i dënuar me 12 vjet heqje lirie.

Hafiz Sabri Koçi – I burgosur në vitin 1966 dhe del nga burgu pas 20 vitesh më 1986.

Haki Sharofi - Figurë e shquar patriotike, autor i teksteve të ndryshme fetare, ish-kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë” –i burgosur në vitin 1946.

Jonuz Buliqi (1892-1966) - Pedagog i Medresesë së Naltë të Tiranës, dënohet me 5 vjet burg agjitacion e propagandë 1947 -1952.

Haki Mulleti – Nëpunës i vakëfeve në KMSH i burgosur në vitin 1945 dhe i internuar më pas në Kavajë.

Vexhi Buharaja – I burgosur në vitin 1947 dhe dënohet me 8 vjet privim lirie dhe me humbjen e të drejtave politike për 3 vjet kohë.

Ismail Muçej – Kryeredaktor i gazetës Drita Islame, i burgosur në 6 shtator 1952 – 24 prill 1963, me akuza të ndryshme, ku ndër të tjera ka kërkuar të rrëzojë pushtetin popullor.

Haxhi Faik Qazim Hoxha – I burgosur në 4 qershor 1966, dënohet me 25 vjet burg.

Hasan Tahsini – Pedagog i Medresesë së Tiranës, i burgosur në vitin 1947 dhe bën dy vite burg.

Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit – i burgosur në vitin 1945 dhe i vdekur në burg nga torturat çnjerëzore 1948.

Hoxhë Adem Dervishi Arrestohet më 10 janar 1947 dhe dënohet me rreth katër muaj burg.

Hafiz Sherif Langu – ish-kryetar i Këshillit të Naltë të Ulemave dhe kryetar i KMSH-së, i burgosur në vitin 1945.

Behxhet Shapati – ish-kryetar i KMSH-së, sipas një relacioni të Sigurimit të Shtetit i vdekur në burg.

Hafiz Esat Myftia – ish-kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë- i burgosur në vitin 1946

Hafiz Musa Dërguti – Qysh gjatë viteve 1939-1944 bie në sy për qëndrimet dhe propagandën e tij antikomuniste, i burgosur në vitin 1946 me rastin e Kryengritjes së Postribës. Hafiz Dërguti dënohet me 10 vjet privim lirie e punë të detyruara dhe i internohet edhe familja si masë ndëshkimore ndaj tij.

Selim efendi Gashi – Nën-myfti i Tropojës ndalohet dhe arrestohet më 15 mars 1945, kryen 5 vjet burg, ndërsa në vitin 1967 u vetizolua në shtëpinë e vet dhe nuk pranoi ta hiqte nga trupi uniformën fetare.

Hafiz Ali Kraja Tari – I burgosur në vitin 1946, dënohet fillimisht me burgim të përjetshëm, e më pas i zbritet dënimi me 25 vite burg, del nga burgu dhe lirohet më 12 tetor 1965.

Imam Liman Shabani - vdekur në burg më 1945.

Imam Met Troci – Dënohet fillimisht me vdekje dhe më pas i zbritet dënimi me 30 vjet burgim, ka vdekur në burg më 20 maj 1947 në rrethana të panjohura.

Imam Ahmet Hysejni-Lici – Dënohet me pushkatim dhe më pas i kthehet vendimi me burgim të përjetshëm, më pas vdes në burg më 1945 në rrethana të panjohura.

Hafiz Xhemal Naipi – I burgosur 1947 dhe vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1955 në moshën 77 vjeçare, pa pasur familjarët dijeni as për varrin e tij.

Hafiz Xhemal Mullaj (1881-1959) – Në vitin 1947 i shtetëzohet shtëpia në Tiranë e i sekuestrohen të gjitha orenditë, dëbohet në Durrës dhe lihet pas asnjë mjet jetese, i shkatërrohet biblioteka e pasur me libra në tre gjuhët arabisht-osmanisht-persisht dhe shqip. Me vendim të KMSH-së caktohet drejtor i Medresesë së Naltë, por ky vendim nuk u zbatua dhe mbeti në letër. Vdes në Tiranë në mjerim të plotë në një dhomë të errët në shkurt 1959.

Hoxhë Jakup Dusha (Tropojë) – Në dosjen e tij thuhet se u arrestua së bashku me 6 të tjerë më 3 shkurt 1953 dhe ka vdekur në hetuesi po atë vit nga torturat çnjerëzore në burgun e madh të Shkodrës.

Hamdi Bushati (1896-1983) – Intelektual i shquar mysliman dhe mësues, punonjës i vakëfit, arrestohet në vitin 1945 dhe mbahet për 9 muaj i burgosur, del i pafajshëm. Internohet më pas në fshatrat e Fierit nga viti 1954-1960. Edhe pas internimit i vazhdon persekutimi.

Hafiz Nusret Xeka (?-1995) - Nga Kavaja, nuk pajtohet me regjimin komunist dhe bën 8 vjet burg për agjitacion e propagandë.

Sheh Qazim Hoxha (1893-1959) – ish-nënkryetari i KMSH-së dëbohet nga Tirana në vitin 1948 nga autoritetet komuniste dhe shkon e vendoset në Shkodër.

Hoxhë Adem Salih Elezi – Krye-Myfti i qarkut të Kukësit pas 12 muaj hetuesi të rëndë dënohet me 5 vite burg.

Hoxhë Azem Jah Elezi (-1969) – Myftiu i Tropojës arrestohet më 1948 dhe pas 12 muaj hetuesi internohet në fshatrat e Krujës deri sa vdes në vitin 1969.

Hafiz Mehmet Bada – E arrestojnë dhe bën burg nga viti 1948 deri më 1951.

Osman Haskasa – Imam xhamie në fshatrat e Peqinit, ka kryer 5 vite burg.

Shyqyri Hoxha (Myftiu) – ish-Myftiu i Peqinit pushkatuar më 1946 me akuzat si “armik i popullit”.

Salih Vuçiterna – ish-drejtor i zyrës së Vakëfeve të Komunitetit Mysliman, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit në tetor të vitit 1949.

Hafiz Abdullah Zëmblaku – Nga Korça, do të burgosej tri herë nga regjimi komunist.

Haki Çoçka – imami i fshatit Podgori, Korçë, ka kryer 15 vite burg.

Hafiz Ymer Et’hem Bakalli– I internuar në Tepelenë deri në vitin 1951.

Hafiz Isa Anamali – I dënuar me burg.

Hafiz Refik Ajazi (1916-1987) – Myfti në disa qytete të vendit si Durrës, Peqin, Kavajë, Elbasan e Korçë, e nxjerrin përpara popullit të Korçës dhe e demaskojnë duke e fyer dhe poshtëruar, i kërkojnë të mohojë fenë dhe Zotin, por ai qëndron dhe nuk e pranon një gjë të tillë. E internojnë në fshatin e tij të lindjes në Seferaj të Kavajës nga viti 1967 deri sa vdiq më 1987, si dhe nuk i japin të drejtën pensionit duke e bërë të vuajë edhe varfërinë e plotë.

Isa Adem Hoxha – Nga Hotolishti i Librazhdit, mbaruar studimet në universitetin e Az’harit, Kairo Egjipt, i dënuar me akuzën për agjitacion e propagandë me 10 vite burg.

Shefqet Muka – Arrestohet më 21 tetor 1946 dhe dënohet nga gjykata me burgim të përjetshëm, edhe si bashkëpunëtor i Hafiz Xhemal Naipit.

Ferid Vokopola – Arrestohet më 20 shkurt 1945 dhe kryen dy vjet burgim.

Jahja Estrefi – ish-myftiu i Tepelenës dënohet me 9  vjet heqje lirie.

Imam Adem Mehmet Hoxha  (1914-1979) – Është dënuar dy herë gjatë regjimit komunist, herën e parë me dy vite burg, ndërsa herën e dytë me 9 vite burg nga 6.4.1964 deri më 20.1.1973.

Osman Met Osja (1912-1970) – Imam, vaiz dhe nëndrejtor i Medresesë në Shkodër, në vjeshtën e vitit 1967 në një mbledhje të lagjes e demaskojnë për bindjet e tij fetare dhe i kërkojnë të mohojë Zotin, gjë të cilën ai nuk e pranoi kurrsesi. Për këtë e dënojnë me 6 muaj punë korrektuese dhe i konfiskojnë bibliotekën e tij të pasur me libra fetarë.

Imam Ibrahim Hoxha (1906-1976) – i Burgajetit, Mat dhe i zonës së Derjanit. Diktatura e izoloi në shtëpinë e vet si imam me influencë në popull, si dhe e persekutoi për shkak të bindjeve nacionaliste dhe lidhjeve me familjen e Ahmet Zogut, dhe me familjet e tjera të dëgjuara të Krahinës së Matit, Allamanët, Kadiat, Selmanët etj.

Qazim Rroji (1915-1946) – Myezin në Xhaminë e Tepes dhe Koplikaj, Shkodër. Nacionalist dhe pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës, arrestohet dhe pushkatohet pa gjyq më 10 shtator 1946, ende dhe sot nuk i dihet varri.

Hafiz Neshit Saliu (1902-1971) – Nga Skënderaj (Sërbica- emri i Skënderajt gjatë pushtimit serb), Kosovë. Vjen në Shqipëri dhe shërben në Shkodër, Durrës dhe në fund në Kërçukje të Tiranës. Forcat e Sigurimit e arrestojnë dhe e mbajnë për 23 ditë në vitet 1960, duke i bërë presion nën akuzën “për agjitacion e propagandë dhe agjent i revizionizmit jugosllav”. Gjatë arrestimit ia grisin të gjitha librat e fesë që kishte, por nuk pranon asgjë nga akuzat dhe për këtë shpëton.

Hoxhë Muhamed (Kajo) Biçaku (1929-1991) – Nga Elbasani, dënohet tri herë me burgim për motive fetare e politike në vitet 1967-1974; 1981-1985, si dhe dënohet, por bën vetëm tre muaj burg në prag të proceseve demokratike.

Emin efendi Hoxholli (1880-1970) – Shërben si funksionar i Myftinisë së Elbasanit për shumë vite me besnikëri 1929-1938. Vaiz dhe myderriz në Xhaminë e Ballijes, Elbasan. Internohet nga regjimi komunist nga viti 1953-1959, së bashku me familjen e vet. Ia marrin librat e bibliotekës dhe ia djegin.

Azem Muharrem Shehu Imam në fshatin Kolesjan të Kukësit, dënohet me 5 vjet burg me akuzën se ka strehuar diversantë në vitin 1951.

Emërli Shehu (1924-) – Ish-Medresist në Medresenë e Tiranës dhe mësues dënohet me 8 muaj heqje lirie dhe punë të rënda.

Ibrahim Bardhyli- Hoxhë Brasniku (1890-1974) – Nga Brasniku i Gramshit, Elbasan, i akuzuar si “armik i popullit”, për shkak se ka qenë pjesëtar i çetave të Ballit Kombëtar dhe ka luftuar në radhët e tyre, dënohet me 5 vite burgim dhe punë të rënda të detyrueshme, heqjen e të drejtave politike për 5 vjet, si dhe me konfiskimin e pasurisë së tij të tundshme e të patundshme.

Mustafa Kamberi (1920-2003) – Nga Kashari i Tiranës, kryen studimet fetare në Medresenë e Tiranës dhe i mbaron më 1946. I përkushtohet fesë dhe familjes së tij, porse regjimi komunist e shpall atë kulak dhe dënohet me 8 vjet heqje lirie më 1951 dhe bën vetëm dy vite burg. Në asnjë moment nuk hoqi dorë nga falja dhe agjërimi, dhe ritet e tjera fetare.

Hafiz Musa Staf-Hasani (1865-1966) – Myftiu i Burrelit arrestohet e burgoset me pretekstin, se nuk ka dorëzuar tepricat e drithit dhe bën dy vjet burg 1947-1949 nën akuzat për agjitacion e propagandë.

Hafiz Mehmet Mustafa Gjeta (1917-???) – Nga fshati Darsi i rrethit të Matit, arrestohet më 21 janar 1950 dhe dënohet me akuzat e agjitacion e propagandës me 12 vjet burg dhe tre vjet heqjen e të drejtave elektorale. Në akuzat që i bëhen thuhet se paraqet rrezikshmëri shoqërore, për shkak se është fetar dhe se ka grisur fotografinë e Stalinit.

Hafiz Xhafer Ali Bualli (1885-1950) - Kryemyftiu i Korçës i arrestuar e dënuar me pretekstin, se gjoja ka borxhe shtetërore, por në të vërtetë arrestohet nga regjimi komunist për pikëpamjet e tij demokratike, fetare dhe antikomuniste, ku për të fillon kalvari i vuajtjeve dhe torturave deri sa vdes më 1950, duke punuar në kënetat e Maliqit.

Haxhi Elez Hoxha (1910-2002) – Myfti i Delvinës në vitin 1940, e më pas Myfti I Pukës në vitin 1954-1967, si dhe pas rihapjes së xhamive pas vitit 1991. Me vendim të Gjykatës Ushtarake Shkodër nr. 258 datë 01 gusht 1946 Elez Hoxha nën akuzën se ka sabotuar pushtetin popullor dhe se ka qenë i lidhur me kriminelët e luftës u kërkua të dënohet me 30 vite burgim. Vitet e burgimit iu ulën në 20 dhe del nga burgu me një amnisti në vitin 1951.

Imam Vesel Hoxha (1877-1967) – Hoxhë i fshatit Fratar, Përmet me akuza të sajuara dënohet dhe kryen dy vite burg në burgun e Kalasë së Gjirokastrës.

Ahmet Mezini (1915-1978) – Me origjinë nga Peqini, besimtar i thjeshtë, shkruan dhe shpërndan në gjimnazin Naim Frashëri të Durrësit fletë me përmbajtje anti-komuniste dhe në mbrojtje të fesë pikërisht pas fushatës anti-fetare të nisur nga të rinjtë e këtij gjimnazi dhe e cila kulmoi me ndalimin me ligj të fesë, dënohet me 10 vite burg për agjitacion e propagandë.

Mustafa Hoxha Klerik mysliman i internuar në Kampin e Tepelenës nga viti 1949-1953, ku më pas arratiset dhe nëpërmjet Jugosllavisë kalon në Perëndim.

Xhabir Dibra - Klerik mysliman i lindur në Shkodër në 20 nëntor 1923. Periudha e burgimit të tij nga 16/10/1946 deri në 28/11/1951. Në 21 korrik 1947 në hetuesinë e improvizuar në redaksinë e Hyllit të Dritës, në Shkodër e kanë rrahur me shkop deri sa ia kanë thyer në shpinë, dhe nuk ka pranuar akuzat e bëra ndaj tij (Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist).

Hoxhë Qazim Velçani – Duke mos qenë i aftë për punë për tharjen e kënetës së Maliqit varroset i gjallë me shumë të burgosur të tjerë.

Haxhi Hamza Cungu Myezin, lindi në janar 1918 në Shkodër dhe ka bërë 24 vjet burg.

Shaban DemiriU lind në Durrës më 1891, arrestohet më 1946 dhe dënohet me 5 vjet heqje lirie. U lirua në vitin 1949 (Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist).

Hafiz Sulejman Hyseni – I lindur në Bilisht, arrestohet më 13 mars 1945 si kriminel lufte nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit (Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist).

Tahir Beshiri Tregtar i madh merr pjesë në ringritjen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas Luftës II Botërore në vitin 1945 si delegat i Durrësit. Dënohet nga një Gjykatë Ushtarake dhe më pas i sekuestrohet e gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme.

Sylço beg Bushati- Veprimtar politik, pari e qytetit të Shkodrës dhe bamirës. U pushkatua bashkë me Dom Lazër Shantojën më 21 shkurt 1945 në Tiranë.

Murat Basha – Ushtarak dhe veprimtar politik. Në vitin 1945 u arrestua për veprimtari antikomuniste gjatë luftës dhe në qershor 1945, u dënua me vdekje me pushkatim. U ekzekutua më 7 qershor 1945.

Ruzhdi Çoba – Nga Shkodra, arrestohet në fund të vitit 1944 me akuzat se donte të themelonte një parti politike “Demokracia Islamike”, kërkon pafajësi ndaj akuzave të bëra dhe më pas dënohet me akuzat e agjitacion-propagandës. Dënohet përsëri në vitin 1980 përsëri me akuzat e agjitacion e propagandës.

Muharrem Mahmud Dashi – Lind në Tiranë 1919 dhe ndërron jetë më 2005. Dënohet me burgim të përjetshëm për motive politike dhe për shkak se ishte i biri i H. Mahmud Dashit.

Hafiz Fuat Myderrizi – Nënmyfti i Konispolit, Sarandë, arrestohet dhe dënohet si kriminel lufte pas çlirimit, vdes në burg.

Hoxhë Shefqet Miraku – Nga Elbasani, arrestohet në vitin 1958 për aktivitet armiqësor kundër kolektivizimit dhe dënohet me 5 vjet burg.

Hafiz Hamid Dalliu – Imam i Xhamisë Pazarit të Ri Tiranë për aktivitet të theksuar kundër pushtetit në vitin 1948 arrestohet dhe dënohem me 10 vjet burg, vdes në burg.

Hoxhë Shaban Musta Nga katundi Borovë i Peshkopisë, i dënuar me burgim për shkak se "ka luftuar kundër partizanëve".

Hoxhë Haxhi Lala – Nga katundi Sheq Musalalë i Fierit, ka kundërshtuar ngritjen e kooperativës në fshat dhe është akuzuar se ka dashur të vrasë sekretarin e partisë, arrestohet dhe pasi dënohet, vdes në burg.

Mustafa Isuf Kaçeli (1886-1958) – Mbaron studimet për teologji në Turqi, në vitin 1949, arrestohet dhe dënohet me dy vjet burg për politikë dhe pasi kryen 6 muaj, lirohet.

Imam Isuf Ramadan Shehu – Nga fshati Gurrë Kalis i Kukësit, i akuzuar se e ka shtuar agjitacionin e propagandën kundër partisë pas vitit 1967 dhe është dënuar me katër vjet heqje lirie në bazë të nenit 73/1 (më pas neni 55) për agjitacion e propagandë kundër pushtetit.

Hoxhë Hamza Kekeri – I lindur më 1910 Kavajë, i kryen studimet fetare në Turqi. Pasi kthehet në atdhe ndërton një xhami me shpenzimet e veta në fshatin Shkozet, Luz të Kavajës, ku edhe shërben vetë. Arrestohet më 12 tetor 1948 për lidhje me armikun e popullit Ramë Habili dhe u dënua me 5 vite burg. Del nga burgu pas apelit që kishte bërë në Gjykatën e Lartë më 6 qershor 1949 (Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist).

Haki Hoxha – Nga Bicaj, mbaruar Medresenë, imam në Bicaj, ka bërë 7-8 vjet burg për politikë.

Ramë Hoxhaj – Nga fshati Dukagjin, Malzi, Kukës, ka bërë burg.

Binak Brahimi – Myezin në Petkaj, Kukës, kur u prishën xhamitë në 1967-ën një grup nxënësish me mësuesin e tyre shkuan të prishin xhaminë dhe ai iu del në rrugë, i ndalon, e për këtë dënohet me shtatë vjet burg.

Hafiz Ahmet Kurushi (1933-2010) – Dënohet me shtatë vjet burg në vitin 1979 dhe pasi kryen tre vite e gjysmë, lirohet në vitin 1982.

Shyqyri Kodra (1920-1984) – Mbaron Medresenë e Tiranës dhe shërben si myezin pranë xhamisë së Met Fires (sot gjimnazi Sami Frashëri, Tiranë). Arrestohet më 29 tetor 1946 me akuzën si agjent i amerikanëve dhe kryen më pas 3 vite burg.

Imam Sait Hoxha (1898-1976) – Nga Lajthiza e Pukës, në vitin 1966 një natë përpara Bajramit të Madh arrestohet nga forca të shumta policie dhe mbahet nën arrest për ditë të tëra dhe duke mos i gjetur akuzë për ta dënuar e lirojnë me kusht që të mos mbaj më uniformën fetare. Me ndalimin e fesë vetizolohet në shtëpi deri sa vdes.

Ihsan Qereshniku (1900-1970) – Mësues në Medresenë e Tiranës për lëndët shkencore dhe më pas si mësues i anglishtes. Arrestohet si agjent ndërlidhës I Harri Fulcit me Mehmet Shehun dhe dënohet me 8 vjet burgim. (AMPB, D.1469, fq.1)

Njazi Tomorri (1914-1996) – Anëtar i Këshillave të Myftinive të Tiranës e Beratit në vitet 1960. Në vitin 1946, i vrasin të vëllanë dhe e internojnë në Krujë për 3 vjet. Më vonë, internohet sërish në Berat.

Riza Mani – Hoxhë nga Shkodra, i burgosur (Ahmet Bushati. Në gjurmët e nji ditari, Camaj-Pipa, Shkodër 2007)

Faik Shehu (1900-1948) – Deputet i parlamentit shqiptar dhe përfaqësues i Prefekturës së Peshkopisë në Këshillin e Përgjithshëm të KMSH-së në vitin 1945, u ekzekutua më 7 shkurt 1948 së bashku me një grup deputetësh të tjerë.

Imam Hajri Rushit Didi (1916-2004) – Nga hoxhallarët e brezit të parë, u dënua për motive politike nga viti 1953-1960.

Muharrem Feim Iljazi (1913-1988) Ish-ushtarak me bindje nacionaliste. Dënohet dy herë me burg për motive politike, herën e dytë me 10 vjet.

Eqerem Sorra (1912-1973) – Anëtar i Këshillit Vakëfnor Vlorë, dënohet në vitin 1946 si sabotator pushteti dhe armik i popullit me 30 vjet heqje lirie, por dënimi i ulet në 10 vjet dhe lirohet në vitin 1955.

Arshi Alili (1885-1973) – Anëtar i Këshillit Vakëfnor Vlorë, i dënuar me tre vite burg (AQSH)

Halit Shingjini – Myezin dhe aktivist mysliman, dënohet me 20 vite burg për agjitacion dhe propagandë dhe grup anti-pushtet (Gazeta 55)

Elez Bisho Hoxha (1915-1979) – Imam në xhaminë e Buzë Ujit, Koplik, Shkodër arrestohet më 26.11.1971 dhe dënohet me vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë.

Eqerem Beliu (Mëniku) (1936-1995) - Ka lindur në Tiranë dhe kryen shkollimin në Medresenë e Tiranës. U arrestua në vitin 1978 dhe u dënua me 7 vjet burg, nga të cilat kryen 4.

Xhemal Kusi (1901-1970) – Shërben në Komunitetin Mysliman për një periudhë 4-5 mujore dhe më pas dënohet dy herë me burgim. Herën e dytë u dënua me 15 vjet burg.

Shënim: Lista është marrë me shkurtime nga libri "Persekutimi i Klerit Mysliman nën regjimin komunist (1945-1967)" i Roald A. Hysa, botim i ISKK. Imazhi kryesor është marrë nga https://orientalizmi.wordpress.com/

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here