Kujtim Cekani, fëmija kulak i arratisur në moshën 17-vjeçare

0
397
blank

Përjetimet e një fëmije që mësoi të shkruajë vetë, në bankë të fundit, sepse kurrë nuk ia mbajtën dorën për të rreshtuar shkronjat. Historia e një 15-vjeçari që kur mbaroi klasën e tetë, pavarësisht rezultateve dhe dëshirës për të mësuar, nuk e lejuan të vazhdojë shkollën e mesme. Kujtim Cekani sjell për kujto.al një pjesë të jetës së tij nga koha kur jetonte në Polis të Librazhdit, si bir i një familjeje kulake, që nuk kishte të drejtë të largohej nga fshati. Fyerjet dhe presionet që përballoi deri nëntorin e vitit 1989, kur u arratis nga Shqipëria

 

Nga Kujtim Cekani

Familja ime e ka vuajtur deri në palcë diktaturën dhe çdo kush nga ne ka kaluar tragjedi që është vështirë të rrëfehet. Do mundohem të shkruaj një pjesë të asaj që unë do ta quaja më prekësen që më ka lënë shenjë në jetën time. Ne jetonim ne fshat, ishim e vetmja familje kulake. Nëna ime kishte vuajtur kampin famëkeq të Bënçës Tepelenë, me dy vëllezër të varur në litar e të pushkatuar. Babai im ishte i biri i ish-kryetarit të Ballit për fshatin Polis Ngurshpatë, i vdekur në burgun e Tiranës, Ali Cekani. Pra ne ishim familja ku ushtrohej lufta e klasave, shembulli se si duhej të luftohej armiku. Unë isha i vogli i familjes. Torturat që hiqja për të ikur në shkollë, për t’u veshur apo presionin e madh që kishim nga shoqëria dhe ambienti ku jetonim, nuk tregohen… Në shkollë, që kur u futa në klasë të parë, me mua nuk merrej fare mësuesi. I ulur në bankën e fundit kam mësuar vetë të shkruaj duke parë dhe dëgjuar: mua kurrë nuk ma mbajtën dorën për të rreshtuar shkronjat. Kur bëhej betimi i nxënësve në mëngjes, ne të tre, unë, vëllai im që ishte tre vjet më i madh dhe motra ime më e vogël, do na nxirrnin nga rreshti. Kur erdhi momenti që vunë shallin e kuq, më thanë që duhet të largohesha. Imagjinoni si ndihesha.

blank
Ketu dhe në foton kryesore, Kujtim Cekani, para se të arratisej

Dhe kështu rritesha në këtë skëterrë që na kishte rrethuar. Edhe pse pa libra e pak fletore, isha më i miri i klasës në mësime, lexoja çdo libër që më binte në dorë e shkruaja, shkruaja pa pushim, më zinte gjumi mbi fletoret duke shkruajtur poezi. Mbasi mbaroj klasën e 8-të me notat që ata deshën të më japin, 7-8-9, ika në shkollë të mesme. Në asnjë mënyrë, - më thanë,- shkolla për ty mbaron këtu. 8 vjet, në kooperativë. Në fakt, asnjë nga vëllezërit dhe motrat e mia nuk u ishte lejuar të vazhdonin shkollën e mesme. Për të lartën as që bëhej fjalë. Ne jemi 9 fëmijë dhe unë jam i 8-i. Pra, unë vendosa të kërkoj të pamundurën. E pse?- u thashë. - Sepse kështu don Nëna Parti. Atëherë shkoj në shtëpi, marr disa fletore me poezi dhe nisem për në Librazhd. Ishte larg, në këmbë m’u desh të eci 5 orë. Dua të them që ne, për të dalë nga fshati duhet të merrnim lejë ose në Këshill ose tek operativi i Zonës. Unë ika pa lejë. Ishte hera e dytë në jetën time që shkoja në Librazhd. Isha 15 vjeç. Shkoj para Komitetit Ekzekutiv, pashë derën hapur dhe futem për t’u ngjitur në katin e dytë. Në dorë mbaja të shtrënguara fort fletoret e mia. Befas, dikush më kap për krahu. -Ku po shkon? më thotë. Ishte një burrë me një bark të madh. I them: Unë jam nga Polisi, quhem Kujtim Cekani. Dua të vazhdoj shkollën, por nuk më lënë se më thonë “je kulak” dhe unë erdha të takoj Nënën Parti. Doja të dija pse s’më lë mua të shkoj në shkollë. -Ehe, ti je kulak. Jashtë nga këtu!- dhe më kapi për trikoje dhe më tërhoqi fort saqë dhe trikoja m’u gris. E pashë veten në trotuar, fillova të qaj.

Papritur, dikush më preku te krahu. Ashtu duke qarë, ktheva kokën, një burrë jo shumë i gjatë, me flokë të zeza, të hedhura mënjanë, me kostum e një kollare të errët. -Çfarë ke?- më tha- pse po qan? Fshiva lotët me cepin e trikos. E shikoj dhe i them: ja, s’po më lënë të takoj Nënën Parti. -E pse?- më thotë. I shpjegoj situatën pse kisha erdhur. Ai më dëgjonte e sytë i kishte ngulur te fletoret që mbaja në dorë. -Po ato çfarë i ke?- më thotë. Këto janë fletoret e mia, poezi,- i them. -A mund t’i shikoj?- më thotë. -Po,- i them. E merr një, e hap, filloi të lexonte me sy, hap prapë e prapë. -Po për Partinë ke shkruajtur?- më thotë,- për shokun Enver? -Po unë jam kulak,- i them,- nuk ma mban të shkruaj. -Dëgjo,- më thotë. -Unë jam Koçi Petriti, jam kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për Librazhdin. M’i lër mua fletoret që t’i lexoj se diçka do bëj për ty. S’kisha ç’të bëja, ia lashë fletoret dhe u ktheva në shtëpi i pangrënë në darkë vonë. Fletoret s’i mora më kurrë. Dhe Koçi u vu në veprim. Nëna më priste me sytë e përlotur te dera. -Hë, more bir,- më tha,- ç’e do shkollën e këtyre qenve. Ti e ke shkollën. Mos ndalo së shkruajturi. Do vijë një ditë që do shemben e do shpëtojmë. Dhe më përqafonte e më puthte kokën, flokët, ashtu si vetëm nënat dinë të puthin. Dhe nuk kaloi më shumë se një ditë, korrieri i fshatit erdhi në shtëpi dhe: Kujtim të kërkojnë te zyrat, në orën 10.00. Ishin mbledhur operativi i zonës, kryetari i Këshillit, sekretari i Partisë. Sa më panë, operativi më tha: Hajde te zyra. Aty filloi përndjekja. Menjëherë më vuri hekurat duke më thënë: Ku more lejë që ke qenë pardje në Librazhd  dhe ç’deshe në Komitetin Ekzekutiv? I shpjegova me qetësi arsyen, por ai filloi të bërtiste: Dashke të bëhesh edhe shkrimtar ti, kulak i qelbur, armik, etj. etj.. E vazhdoi kjo tragjedi thuajse çdo javë duke më thirrur dhe më vinte hekurat. Ata të partisë ulërinin: Merreni këtë! Në burg dërgoje! Ky ka shfaqje të huaja, do na prishë rininë. Nënës nuk i tregoja, se po ta dinte, infarkt do t’i binte. Kur e pashë që do të përfundoja në birucat e degës në Librazhd sepse m’i kopsitën letrat, një ditë, shkrojta një letër lamtumire për nënën dhe më datën 8 nëntor 1989, iki në Dragostunje te motra. I shpjegoj gjithë historinë motrës dhe burrit të motrës. Atë natë, në orën 7:30, nisemi në drejtim të kufirit. Dhe kështu të dy bashkë me burrin e motrës, i biri i një ish- ballisti, i vdekur në burg, Selim Gurra, Zoti na deshi fort dhe arritëm të kalonim kufirin në majën e Shebenikut me 1.5 metër dëborë. Zoti na ndihmoi që ushtarët nuk na panë se atëherë ishte “kush vret një shkelës kufiri, merr 20 ditë lejë”.

blank
Kujtim Cekani me prindërit dhe vëllanë në vitin 2000, kur u kthye për herë të parë në Shqipëri pas arratisjes

Dhe kështu i shpëtova për një fije birucave, por për disa vite me radhë duke provuar prangat në duart e mia dhe tmerrin psikologjik sepse isha thuajse një fëmijë. Kthehem për herë të parë në Shqipëri vetëm mbas 12 vitesh, në vitin 2000. Zoti më deshi fort se gjeta gjallë prindërit e mi. Malli për ta më kishte përvëluar. Kjo ishte një grimcë nga historia e jetës sime.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here