15-vjeçari u dënua sepse grisi foton e Stalinit

0
105
blank

Edhe fëmijët janë dënuar në akuzat e agjitacionit e propagandës. As fëmijët nuk janë kursyer nga shpata e diktaturës komuniste. Ngjarja zhvillohet në vitin e largët 1952. Një ditë të këtij viti, 15-vjeçari Luto Qazim Nukaj i datëlindjes 1937, guxoi të grisë fotografinë e Stalinit dhe të ftojë shokët e tij të mbarojnë punë edhe me foton e diktatorit të Shqipërisë. Në fshatin Bishan, kishin ardhur autokombajnat për të korrur grurë. Këto që nuk mund të rrinin pa bërë propagandë shëtitëse, ishin “zbukuruar” me fotografitë e gjeneralisimit të Bashkimit Sovjetik dhe gjeneral – armatës të Shqipërisë. Me gëzim të madh e me fotot e tyre, fshatarët do korrnin grurin me gëzim për të gatuar bukën, atë bukë që ua ngecnin në fyt të dy këta të fotografisë. Fëmija Luto, as nuk e dinte se vetëm një grisje fotografie do të bënte që ai të provonte në këtë moshë burgun. Luto arrestohet më shumë se dy muaj më vonë më 2.9.1952. Ai do gjykohej nga gjykatat ushtarake a thua se ishte ushtarak e kishte kryer një komplot të përmasave të mëdha.

Hetuesia ndaj Lutos zhvillohet në dy plane. Së pari në lidhje me ngjarjen dhe së dyti për të bërë lidhje midis aktit të tij dhe nxitjes së jashtme.

Luto akuzohej se kishte shtytur shokët e tij, por kishte marrë pjesë edhe vetë për të grisur fotografitë e “komandantit dhe Stalinit”. Këto faje ishin të parashikuara në ligjin e tmerrshëm 372, datë 12.12.1946 “për fajet penale kundra popullit e shtetit”. Gjykata vërente se ishte provuar kryerja e krimit. Në muajin qershor, në katundin Bishan, kishte ardhur makina shirëse e cila do korrte grurin. Kjo makinë ishte zbukuruar me fotografitë e Enver Hoxhës dhe Stalinit. Vetë Lutoja kishte grisur fotografitë e Stalinit. Duke luajtur, ai u thotë shokëve të grisnin edhe fotografinë e Enver Hoxhës, siç kishte grisur ai një ditë më parë foton e Stalinit. Lutoja i vogël kishte marrë guximin kështu të hidhte poshtë e të griste fotografitë e “Stalinit të madh”.

blank

Duke pyetur dy shokët e tij, fshatarët morën vesh mbi zhdukjen e fotografive. Si përfundim, Gjykata Ushtarake Territoriale e Durrësit më 20.11.1952, e dënoi Luton me 1 vit burg, por duke pasur parasysh veprën dhe moshën e tij të vogël, e dënon me 6 muaj burg. Ky vendim mori formë të prerë me vendimin 24, datë 9.1.1953 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Mirëpo Prokuroria e Durrësit kishte kërkuar mosuljen e dënimin, por dënimin maksimal të tij pasi vepra ishte “e rrezikshme”.

***

Ndihmësprokurori ushtarak i Durrësit, nëntoger Gaqo Bexha, midis të tjerash deklaroi në gjyq:

“Se më datë 13 qershor 1952 në orën 19 të mbrëmjes në katundin Bishan në lëmin e Hysni Mehmetit ku zhvillohej shirja e të lashtave i pandehuri Luto duke parë se rreth tij nuk ndodhesh njeri ka grisur fotografin e Komandantit dhe të nesërmen më datë 14 nxiti dy shokë të tij të mitur 12 vjeçar Kajmak Malaj dhe Behar Muke të cilët këta të fundit grisën dy fotografi të komandantit që kish mbetur një pjesë e pagrisur dhe fotografinë e shokut Stalin, fotografi të cilat ishin vënë nga fshatarët në vendin e nderit ku shiheshin të lashtat me gëzim të madh dhe entuziazëm nga fshatarët. Vepër kjo e dëmshme për udhëheqësit tanë të dashur cilët janë element kryesorë të të gjithave fitoreve të vendit tonë sepse me udhëheqjen e shokut Komandant dhe ndihmave të pa çmueshme dhe të sinqerta të shokut Stalin populli jonë fitojë lirin pushtetin popullor të drejtat demokratike dhe sot është hedhur në ndërtimin e bazave të Socializmit me veprat e reja ekonomike kulturore dhe paqësore dhe prandaj populli jonë fotografit e këtyre udhëheqësve i vënë në vendin e nderit dhe i adhuron me admirim, për të cilët të pandehurve u është folur në bangat e shkollës dhe në mbledhjen e pionierëve dhe që adhurohen dhe nga shokët e tij dhe nga fëmijët më të vegjël të cilët thërresin rroftë shoku Enver e shoku Stalin, në çdo çaste”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here