Përndjekja e familjes së mësuesve

0
131
blank

Mësuesit e familjes Dilo përgatitën disa breza nxënësish duke lënë gjurmë në formimin dhe kujtesën e tyre, por, në vend të mirënjohjes, vlerësimit dhe titujve, gjatë regjimit komunist, morën burgosjet, pushimet nga puna dhe survejimet kërcënuese. Kujto.al nderon sot punën dhe figurën e këtyre arsimtarëve dhe të gjithë mësuesve që përballuan përndjekjen e regjimit komunist

 

Mësimdhënia u bë pjesë e familjes Dilo që në fund të shekullit XIX, kur Ilia Dilo Sheperi, pasi kish përfunduar gjimnazin Zosimea të Janinës, nisi të japë mësim në fshatin Bënjë. Më vonë, në 1906-ën, ai hapi fshehtas në shtëpinë e tij shkollën shqipe dhe në vitet në vazhdim, gjithë shkollat në krahinën e Zagorisë i ktheu në shqip. Në këtë frymë u rritën fëmijët e tij, disa prej të cilëve zgjodhën gjithashtu rrugën e mësuesisë, siç do të vepronte më vonë edhe ndonjë prej fëmijëve të tyre. E ndërsa në brezat e familjes Dilo trashëgohej profesioni dhe misioni i mësuesit, në vend të mirënjohjes dhe vlerësimit, ata do të përballeshin me përndjekjen e egër të diktaturës.

Fakti që një nga djemtë e Ilias, Jani, ishte angazhuar me forcat e Ballit Kombëtar gjatë luftës dhe ishte arratisur nga Shqipëria, bëri që e gjithë familja të mbahej nën survejim dhe të goditej në rastin më të parë. Kësaj goditjeje nuk i shpëtuan as mësuesit, pavarësisht kontributit dhe respektit që gëzonin në komunitetet ku kishin dhënë mësim.

Qirjako Dilo. Qirjakon e aktivizoi i ati si mësues të shqipes që kur ishte thuajse fëmijë. “Qirjakua, i shërbeu vendit si mësues qysh atëhere “kur mësimi i shqipes quhej aventurë” dhe nuk mungonin vrasje nga ana e shovinistëve”, shkruan në një artikull të shkurtit 1977, gazeta “Illyria”, e New York-ut, që e ka sjellë, për publikun, nipi i Ilia Dilos, Eduardi. “Hapi të parën shkollë shqipe në Nivan, më 1917, kur qe 15 vjeç, e më vonë drejtoi shkollën e Poliçanit  Pogon), ku jepte mësimin e shqipes. Vazhdoi studimet në Bari (Itali) per Hipotekat, punoi si gazetar duke bashkëpunuar me të shquarin Leonidha Naçi, e më pas si drejtor drejtorie në Ministrinë e Financave. Studjonjës i palodhur, atdhetar i vërtetë, prandaj i përbuzi detyra të larta (ajo e ministrit të Financave në kohën e fashizmit), në dëm të interesave kombëtare”,-vazhdon të shkruhet tek "Illyria".

Qirjako Dilo u pushua nga puna si kryetar i zyrës së hipotekave që në nëntor 1944 dhe në mars 1946, u thirr nga Komiteti Ekzekutiv bashkë me të vëllanë, Margaritin dhe iu komunikua dëbimi nga Tirana për në Sheper. “U arrestua më 1953, me pretekst se i gjetën armë (vetë ia kishin vënë), e liruan  pasi e torturuan se nuk pranonte t’i shërbente sigurimit e komunizmit: duke kërkuar me çdo kusht ta nënshtrojnë i persekutuan familjen, me nipër e mbesa…I lindur për edukator, i anzhurnuar përditë me të rejat e shkencës pedagogjike italiane e gjermane, zotërues me themel i disa gjuhëve, nuk ja gjeje shokun si mësues e edukator”, shkruhet në artikullin e 1977-ës në New York.

Margarit Dilo. Margariti kreu shkollën e Harry Fultz në Tiranë. Punoi në vendlindje dhe më pas, u emërua mësues në fshatin Ballaban në rrethin e Përmetit. Ndërpreu punën si arsimtar për të vazhduar studimet e larta në Universitetin e Athinës, në degën Matematikë. Pas mbarimit të Universitetit, filloi punë në Ministrinë e Punëve Botore (Ministri e Ndërtimit), si drejtor në drejtorinë e ndërtimit të rrugëve dhe urave, por u pushua, njëlloj si i vëllai, pas ardhjes në fuqi të komunistëve. U caktua kryeinxhinier në ndërmarrjen e ndërtimit në qarkun e Gjirokastrës, por ky angazhim nuk vazhdoi gjatë. “Më 1947, arrestohet për idetë e tij demokratike dhe dënohet me burgim dhe punë të detyruar, të cilin e vuan në kalanë e Gjirokastrës dhe kampet e përqendrimit, si në Myzeqe e Maliq, në tharjen e kënetave. Vdiq më 1971 në fshatin e tij të lindjes, i privuar nga çdo e drejtë shoqërore, elektorale etj. dhe i izoluar plotësisht nga shoqëria”,- shkruan Xhafer Sadiku në librin “Skenarë të përgjakur”.

blank
Viktori Dilo

Viktori Dilo. Profesionin e Ilia Dilos e trashëgoi edhe një nga vajzat e tij, Viktoria.

“Pas mbarimit të shkollës "Nëna Mbretneshë", në Tiranë, punoi si arsimtare, fillimisht në vendlindje e më pas në rrethin e Delvinës e Sarandës. U emërua më vonë në rrethin e Përmetit, në fshatrat Kutal e Këlcyrë, por e pushojnë nga puna. Pas shumë peripecive, e emërojnë në fshatrat e Fierit, si në Kafaraj, Levan, Kraps e gjetkë. Sa herë ashpërsohej lufta e klasës kundër familjes së madhe Dilo Sheperi, e pushonin nga puna. Vdiq në moshën 60 vjeçare, në Fier, e përcjellë me dashuri nga të afërmit dhe gjeneratat e nxënësve të saj”, shkruan Xhafer Sadiku. Por djali i vëllait të saj, Eduardi, ka një kujtim që e bën edhe më të dhimbshëm këtë çast: “kur vdiq në Fier bija e I.D.Sheperit, Viktori Dilo, sot “Mesuese e Merituar”, kortezhi që e shoqëroi trupin e saj kur e nisëm për në Sheper, ishte shumë i gjatë dhe kurorat të shumta. Në Sheper kur neve familjarët kaluam me arkivolin mbi supe përpara shtëpisë së Kulturës, nga autoparlantet e saj buçiti kënga…kjo është shpata që u rri te koka, gjith’ armiqve që ka bota”.

Një luftë pa rregulla njerëzore, ajo e regjimit komunist ndaj “armiqve” të tij.

Antigoni Dilo. Antigoni është vajza e Qirjakos, brezi i tretë ku u përçua profesioni dhe misioni i mësimdhënies në familjen Dilo, por ku mbërriti edhe përndjekja e komunizmit. Ndërsa vëllai i saj, Enriku u arrestua, në mënyrë të dhunshme, në sy nënës, vëllait dhe motrës, Antigonin vetëm rastësia e shpëtoi nga burgu.

Sipas raportit të sigurimit, pjesë nga i cili janë publikuar në librin “Skenarë të përgjakur”, të Xhafer Sadikut, Antigoni Dilo përpunohej me anë të bashkëpunëtorëve "Xhuleta" dhe "Terzilaku", i pari agjent dhe i dyti informator, të dy arsimtarë në shkollën 7-vjeçare të Këlcyrës, ku jepte mësim ajo. “Përpunimi i këtij objekti paraqet interes për organet tona, prandaj si i tillë do të përpunohet aktivisht dhe mbasi të shikojmë më mirë aktivitetin e saj armiqësor, lidhjet e saj, do të grumbullojmë material me provë ligjore dhe do ta godasim", theksohej në raport. Në raportet e sigurimit lexohen fraza që, “i kishin thënë” edhe të tjerët, sikur ato i kishte thënë edhe Antigoni: "Gjatë përpunimit ka fol duke zhvilluar aktivitet propagandistik duke e paraqitur situatën të pasigurt dhe gjendjen e vendit tonë shumë të keqe, bën krahasime me vendet e tjera, si gjoja vende më të përparuara, me ekonomi të fortë, ku populli jeton mirë dhe asht i lirë, ndërsa këtu populli shtypet dhe nuk gëzon të drejta". Raporti kundër saj vazhdonte: "Ka bërë krahasime me të kaluarën e vendit tonë dhe thotë se më përpara ka qenë më e mirë gjendja, kishte më shumë të... kulturuar ndërsa tani ata që qeverisin vendin janë budallenj dhe injorantë, nuk marrin vesh...Propagandë ka bërë edhe në drejtim të kolektivizimit të bujqësisë… dëgjonte radiostacionet e Perëndimit".

Seksioni i sigurimit, sipas Sadikut, kishte njoftuar disa herë Drejtorinë e Sigurimit se Antigoni Dilo kishte një vëlla student në universitetin e Tiranës dhe se nuk ishte marrë asnjë masë kundër tij. Ata theksonin se: "nuk e shohim të drejtë, të studiojnë njerëz të tillë në shkollat e larta tonat dhe të dalin kuadro".

Arsyeja e përpunimit të saj, shkruan Sadiku, zbulohet në një raport të seksionit të sigurimit në Përmet drejtuar drejtorisë së sigurimit, ku thuhej se Antigoni Dilo "vjen nga shtresa e pasur tregtarësh,...gjithë farefisi i saj janë me përbërje të keqe dhe armiq të pushtetit, e të goditur". Ata nuk harronin pa përmendur se Antigoni ishte nga familja e madhe Dilo, mbesë e Jani Dilos, ish-kapiten i xhandarmërisë, i larguar në SHBA dhe anëtar i Komitetit "Shqipëria e Lirë". Ky ishte shkaku  i gjithë përndjekjes e cila vazhdoi me të njëjtin intensitet në vite sepse e njëjtë mbeti edhe rezistenca e kësaj familjeje përballë komunizmit.

Në foton kryesore: Margarit, Qirjako dhe Viktori Dilo, në një foto të hershme familjare

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here