Naim Staravecka, një jetë i dënuar për shkak të babait që s’e takoi kurrë

0
335
blank

“Mamaja donte të hidhej nga makina, ndërsa unë ndiqja makinën nga pas, qaja”, kështu e kujton Naim Staravecka ditën kur të ëmën e morën për ta çuar te kampi i fabrikës së tullave në Tiranë, ndërsa atë e lanë në kampin e Tepelenës, pa asnjë njeri të familjes aty. U rrit në kampet me tela me gjemba. Jetoi si i internuar deri në rënien e regjimit komunist, me ndërprerjen e vetme të kohës kur e dënuan me burg dhe e çuan në Spaç e Qafë-Bari. Jeta nën diktaturë e djalit të vetëm të Xhelal Staraveckës, që megjithëse ishte vetëm 2- javësh kur i ati u largua nga Shqipëria, vuajti gjithë jetën sepse ishte djali i tij

 

Naimi nuk ishte as 1 vjeç kur e internuan për shkak të babait, Xhelal Staraveckës, i arratisur nga Shqipëria më 1944. Xhelal Staravecka ishte një emër i dëgjuar në regjimin komunist. Si ish-partizan i shkëputur nga Partia Komuniste, ai u etiketua tradhtar e kriminel. Por hakmarrja e komunistëve nuk u mjaftua me kaq. Ata bënë që gruaja e re dhe djali  i tij i sapolindur të vuanin pasojat gjithë jetën. Në librin “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, Fatbardha Saraçi Mulleti sjell një rrëfim të Naim Staraveckës për dënimet që ai përjetoi që nga fëmijëria e hershme vetëm sepse ishte i biri i Xhelal Staraveckës.

“Unë kam lindur në Tiranë me 19 gusht 1944 dhe nëna ime, Jalldëz Myftiu, është nga qyteti i Beratit. Jam djalë i vetëm i Xhelal Staraveckës, lindur nga një martesë fatkeqe, jo vetëm se kjo martesë pati jetë shumë të shkurtër, po sepse më shumë se babai im, që vuajti pasojat e zgjedhjes që bëri personalisht, duke iu futur politikës dhe idealit kombëtar, do të vuanim ne më tepër.

Dy javë pasi kam lindur unë, së bashku me nënën kemi shkuar në Berat, në familjen e saj. Babai qëndroi në Tiranë edhe dy javë të tjera, pasi ishte komandant xhandarmërie në kohën e Regjencës. Unë dhe nëna ime vuajtëm dhe u torturuam nga diktatura komuniste, jo se u morëm me politikë, por thjesht se ishim djali apo gruaja e Xhelal Staraveckës. Jeta ime qysh kur isha akoma në gji të nënës do të ishte një kalvar i gjatë vuajtjesh, nëpër kampet e përqëndrimit dhe së fundmi në burgun e Spaçit e të Qafë-Barit.

Në qershor të vitit 1945, kur unë ende nuk kisha mbushur një vjeç, mua dhe nënën time, na internojnë në Krujë, pasi babai im u largua nga Shqipëria, më 1944.

Unë s'e kam takuar asnjëherë babain tim. Pas Krujës, kemi qenë në Valias të Tiranës, dhe më pas na dërguan përsëri në Krujë, pastaj në Kamez, Cërrik dhe në Tepelenë, në kampin me famëkeq që ka pasur në regjimin komunist. Ky kamp ka qenë një tmerr i vërtetë, hanim ushqim me krimba dhe mbaj mend që nëna, hiqte krimbat dhe githë racionin e gjellës ma jepte mua dhe vetë hante bukë me vaj ose sheqer. Në atë kamp mungonin kushtet higjieno-sanitare. Nuk lejohej ngrohja në ato kapanone që ishin të mbushura me njerëz të të gjithë moshave, nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Në kampin e Tepelenës kanë vdekur shumë fëmijë të vegjël, nga shumëllojshmëria e sëmundjeve.

Nga Tepelena, nënën e morën forcërisht të lidhur, si krah pune në fabrikën e tullave në Tiranë, ndërsa mua më lanë aty, të vetëm në kamp. Mamaja donte të hidhej nga makina, ndërsa unë ndiqja makinën nga pas, qaja.

Në vit pa e parë mamanë. Për mua u kujdes një grua fisnike nga Dukati i Vlorës, që më ka trajtuar

barabar me tre fëmijët e saj. Në moshën tetëvjeçare (1951-1952) u lirova nga internimi dhe shkova të jetoja me gjyshin tim, në Berat, ndërsa nëna në vitin 1954, u transferua në fermën e Lushnjës. Gjatë atij viti u bashkova dhe unë me të, kështu që nga viti 1954 e deri më tutje kam jetuar në fshatrat e Lushnjës. Gjatë kohës që isha i ri, isha afër me qytetin, kështu ndoqa dhe gjimnazin. Më vonë u martova, me vajzën e Ali Maliqit nga Kërçishti i Dibrës. U bëmë me tre fëmijë, që i rritëm në internim dhe ndërkohë mua më futën në burg, në janar 1979, me aktakuzën "agjitacion e propogandë kundër pushtetit popullor" dhe natyrisht që kjo ishte një gjë që parashikohej. Pasi më burgosën, përfundova duke shtyrë vagona me mineral në Spaç dhe më pas në Qafë – Bari.

Më 1986 u lirova nga burgu dhe u riktheva sërish në kampin e internimit, ku isha më parë. Babain tim, historia komuniste, e nxirrte tradhtar dhe kriminel e jo luftëtar të madh antifashist, të pakompromis.

Ai regjim u përpoq të më njolloste jo vetëm mua dhe fëmijët e mi, por gjithë farefisin tim nga babai e nëna, të gjithë e pësuan. Unë nuk i kam borxh apo ndonjëlloj detyrimi babait tim, pavarësisht se jam djali i tij. Ai u largua nga Shqipëria, kur unë isha dyjavësh. Nëse jam ky që shihni sot, jam në sajë të nënës sime, asaj gruaje fisnike dhe trime, që qëndroi e paepur nën terrorin komunist. Sipas mendimit tim, heroizmi i saj dhe i shoqeve të saj e kaluan atë të Xhelal Staravecit gjatë luftës.

Babai im ishte i Shqipërisë, por nuk mund të ishte i shtëpisë së tij. Libri që u botua "Përpara gjyqit të historisë. Kujtime historike: 1912- 1966", të Xhelal Staraveckës, më bëri krenar, se ky libër e ka hequr baltën që u hodh mbi të, për pesëdhjetë vjet. E vërteta nuk vdes kurrë dhe unë jam i gëzuar që ajo doli publikisht, ndonëse tmerrsisht vonë”.

Naim Staravecka e mbyll rrëfimin duke thënë se ai jeton në Ohio, SHBA me fëmijët, nipërit dhe mbesat, i larguar nga Shqipëria pasi me sa duket, sipas tij, ajo nuk pati kurrë vend për ta që nga viti 1944, duke i bërë të ndihen pa atdhe.

Shënim: Rrëfimi i Naim Staraveckës është marrë nga libri “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, i Fatbardha Saraçi Mulletit, botim i ISKK, Tiranë 2017. Fotoja është shkëputur nga intervista e tij në FAR Tv, postuar në youtube më 3 prill 2019.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here