Rrapo Meto Premtja, patrioti dhe rapsodi i vrarë nga komunistët në vitin 1943

0
124
blank

Më 28 nëntor 1912, luftëtari, patrioti dhe rapsodi Rrapo Meto ishte pjesëmarrës në ngritjen e flamurit në Vlorë. Më 28 nëntor 1937, mori pjesë në koncertin për 25-vjetorin e Pavarësisë, në Tiranë. Do të kujtonte edhe pesë 28 Nëntorë. Sepse në vitin 1943, më 23 nëntor, u pushkatua nga komunistët. Por edhe në ato çaste, flamurin e kishte në gji dhe fjalët e fundit ishin: Të rrojë Shqipëria!

 

 

Rrapo Meto Premtja ishte një nga ata njerëz të cilët është e vështirë të harrohen. Ai vinte nga luftëra dhe merrte pjesë në të tjera. Gjithmonë në mbrojtje të atdheut. Arrestohej për një protestë kundër padrejtësive dhe merrte përsëri pjesë në një tjetër. Dhe ndërsa historianët shkruanin faqet e tyre për këto ngjarje të rëndësishme, Rrapo Metoja shkruante vargje dhe i këndonte. Një personazh i tillë shumëdimensional nuk kishte si të mos gëzonte respektin e fshatit të tij, Vranishtit, ku u zgjodh disa herë kryeplak. Gjatë luftës kundër pushtuesve nazi-fashistë, Rrapo Metoja u bashkua me organizatën e Ballit Kombëtar, por komunistët nuk mund të pranonin që njerëzit me ndikim në popull, të ishin kundër tyre, ndaj edhe përgatitën ekzekutimin e tij në nëntor të 1943-shit. Kur morën pushtetin, vazhduan të ndëshkonin pasardhësit e Rrapo Metos duke e dënuar për 40 vjet të birin, Dilaverin.

Kush ishte Rrapo Meto Premtja

Rrapo Meto Premtja është lindur në Vranisht në gusht 1879. Mësimet e para i mori në një shkollë turke dhe më pas, emigroi në Greqi, ku vazhdoi të mësonte shkrim e këndim. Në fund të shekullit, në moshën 19-20 vjeçare mori pjesë në luftën e vilajetit të Janinës së bashku me shokun e ngushtë Halim Murat Tartari, I cili bie në fushën e betejës.

Në shtator 1908, mori pjesë në takimin e organizuar nga Ismail Qemali në Korfuz, ndërsa në 28 nëntor ishte i pranishëm në ngritjen e flamurit në Vlorë. Në 1920, u zgjodh në komisionin e organizimit të Luftës së Vlorës. Mori pjesë si luftëtar në Çetën e Vranishtit. U zgjodh për shumë vite kryeplak i fshatit të tij.

Në vitin 1924, ishte përkrahës i reformave demokratike dhe u përndoq pas rrëzimit të Nolit. Pjesëmarrës aktiv i lëvizjes opozitare antizogiste, u arrestua, u dënua dhe vuajti dënimin në Porto Romano të Durrësit.

U arrestua dy herë në vitet ’30, njëherë si pjesëmarrës në Lëvizjen e Vlorës më 1932 dhe më pas në atë të Fierit, kur edhe u dënua me burg, por pas daljes nga burgu ai iu kthye sërish jetës aktive. Në 25-vjetorin e Pavarësisë, mori pjesë në koncertin e madh në Tiranë të organizuar me këtë rast, me bashkëfshatarët e tij këngëtarë e valltarë, ku i priu valles popullore të trevës së tij.

Megjithëse ishte 60 vjeç, kur në Shqipëri më 7 prill 1939 zbarkuan italianët, ai iu bashkua bashkëfshatarëve që shkuan për të kërkuar armë në postë-komandë për ta pritur pushtuesin me plumba. U arrestua dhe u burgos si antifashist në vitet 1940-1941. Me aftësitë e tij të lindura arriti t’iu bëhet avokat dhe të shpëtojë jetën e 9 të rinjve pjesëmarrës në pritën e Qafës së Pëllumbit më 1942.

Kundërshtar i komunistëve

Komunistët duke parë popullaritetin e këtij atdhetari të flaktë i propozuan disa herë t’iu bashkohej, por ai refuzoi prerë. Një natë dimri të vitit 1942, pranë përroit të fshatit, i bëjnë atentat duke e plagosur.

Në vitin 1943, jetoi në Vlorë ku hapi klubin patriotik Masapliku dhe po atë vit u zgjodh në përfaqësinë e Ballit Kombëtar për qarkun e Vlorës.

Siç vënë në pah studiuesit që kanë shkruar për të, si Muhamet Tartari, apo Flora Gjondedaj që i ka kushtuar një monografi patriotit nga Vranishti dhe të tjerë, kur Mehmet Shehu me Dushan Mugoshën shkuan në shkurt 1943, në Vranisht, për krijimin e celulës komuniste, Rrapo Metoja nuk e kurseu replikën madje as vargjet therrëse që atij i buronin natyrshëm. Nuk kishte më asnjë dyshim. Ai u zyrtarizua si armik i komunistëve. Më 23 nëntor të atij viti, gjithmonë sipas studiuesve, me urdhër të Mehmet Shehut dhe Liri Gegës, e shpien në Brataj dhe e pushkatojnë barbarisht. Dëshmitarët okularë kanë përcjellë heroizmin e Rrapo Metos edhe para pushkatimit, kur ai nxori nga gjoksi flamurin kuqezi dhe thirri: Të rrojë Shqipëria!

Trimëria, patriotizmi, aftësitë e rralla prej këngëtari e poeti popullor dhe vargjet që ai ka krijuar, kujtohen ende sot në krahinën e tij, pavarësisht që diktatura bëri çmos për ta mbuluar me heshtje këtë figurë dhe për të dënuar në një formë apo tjetër, anëtarët e familjes së tij të madhe. Më egër u dënua djali i madh, Dilaveri, i cili vuajti plot 40 vjet nën regjimin komunist, 17 si i burgosur politik dhe 23 si i internuar.

Rrapo Meto, pas rënies së regjimit komunist, u shpall Martir i Demokracisë.

Në foton kryesore: Rrapo Meto në qendër dhe familja e tij, shkëputur nga kronika e  promovimit të librit "Dritë mbi figurën e Rrapo Meto Premtes", e autores Flora Gjondedaj, nga One Vlora HD.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here