Reshat Agaj, vëllai i pengut

0
42
blank

Burgu dhe torturat ndaj Reshat Agës dhe përballimi i sprovës ekzistenciale kur Sigurimi i Shtetit e detyroi të bëhej bashkëpunëtor në donte ta shpëtonte të vëllanë nga pushkatimi 

 

Nga Enver Memishaj-Lepenica

 

Reshat Agaj vjen prej familjes së njohur atdhetare të Agajve të Ramicës, krahina e Smokthinës së Vlorës dhe kish lindur po në këtë fshat më 1914, ku edhe mori mësimet e para.

Më 1931, kreu në Vlorë shkollën e mesme tregtare dhe u dallua si një nga nxënësit më të mirë.

Studimet e larta i kreu më 1936, në Bari të Italisë për kontabilitet. Pas studimeve, u punësua inspektor tatimesh në Korçë. Më 28 nëntor 1937, së bashku me Mehmet Shehun, kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë, kreu një kurs në Tiranë dhe u gradua oficer. Gjatë Lëvizjes Antifashiste u rreshtua me Ballin Kombëtar si propagandist dhe pas lufte nuk u largua jashtë shtetit si njerëzit e afërm të tij.

Më 1945, komunistët e mobilizuan në Brigadën e 23-të, si ushtar të thjeshtë për të shtruar vendin në Shalë, Shosh dhe Pukë. Me interesimin e kushëririt të tij, Kadri Hazbiut, në atë kohë kapiten i Sigurimit të Shtetit, të dajos së tij, Shefqet Musarait dhe të shokut të tij, Petro Marko transferohet në Tiranë dhe punon stenograf në gazetën komuniste “Bashkimi”.

Më 12 tetor 1946, Skënder  Konica, oficeri famëkeq i Sigurimit të Shtetit, e arrestoi, e torturoi egërsisht dhe e dënoi për faje që nuk i kish bërë. Ndërsa ai lirohej nga burgu më 1 maj 1949, po këtë muaj, arrestojnë vëllanë e tij Petrefin dhe në nëntor 1949, Petref Agaj u dënua me vdekje si eksponent i organizatës “Rilindja Kombëtare”. Më 1950, Sigurimi i Shtetit e hodhi jashtë shtetit Reshatin, që të punonte për ta, nëse donte të shpëtonte jetën e vëllait. Ai u vetëdenoncua tek amerikanët dhe nuk punoi asnjëherë për komunistët shqiptarë. Në mërgim, në Toronto të Kanadasë, Reshati i bëri edhe një shërbim të vlefshëm vendit të tij. Pas 48 vjetëve të botimit në anglisht të kujtimeve të Ismail Qemalit, më 1968, ai i përktheu në shqip. Kujtimet u lexuan dhe vlerësuan në botën e lirë, por nuk u lejuan të futen në Shqipëri. Reshat Agaj vdiq në 1981, në Kenosha të ShBA, në një moshë ende të re, 67-vjeçare.

Reshat Agaj mbylli sytë përgjithmonë në Kenosha, Amerikë, larg atdheut të tij, larg familjes dhe njerëzve të tij të dashur prej të cilëve qe ndarë për së gjalli, që nga viti 1950. Ishin vite pa parë dhe pa ditur për ta, asgjë. Vajzën e tij, të vetme, nuk e njohu dhe nuk e takoi asnjëherë, sepse e la tre muajshe në barkun e nënës.

Askush nuk mund t'ia kthejë Reshat Agajn familjes, gruas së tij heroinë, vajzës së vetme që nuk e njohu babanë e saj, të afërmëve të tij, shokëve dhe miqve të shumtë, por së paku ne kemi në dorë kujtimin e tij, ringjalljen e tij me anën e një libri dhe këtë detyrë e mori përsipër dhe e kryeu Teki Gjonzeneli. Libri "Vëllai i pengut", u shkrua në Amerikë dhe përfundoi një vit para se Reshat Agaj të ndërronte jetë, në një moshë ende të re 67 vjeçare

...Pjesa më me interes e librit është jeta e autorit nën diktaturën komuniste.

Me ardhjen e komunistëve në fuqi ai punoi si stenograf në gazetën komuniste "Bashkimi", më vonë burgoset pa asnjë faj dhe kur lirohet në vitin 1949, arrestojnë dhe dënojnë me pushkatim të vëllan Petref Agaj, ose siç thirrej ndryshe Petref Bajrami. Që nga viti 1950, kur u dënuan me pushkatim dhe deri të paktën në vitin 1960, Petref Agaj, Piro Xhezo dhe Hamdi Gjoni, mendohet se kanë qenë të gjallë, pastaj gjurmët e tyre humbasin përgjithmonë ashtu si edhe varri i tyre.

Në arkivin e Ministrisë së Brendshme kemi gjetur procesverbalin e datës 1 prill 1950, të ekzekutimit të Bego Gjonzenelit, Maliq Koshenës dhe Dervish Hodos. Për të tjerët, që u dënuan bashkë me këta, nuk gjendet asnjë gjurmë! Pas vitit 1990, përpjekjet e të afërmëve të Petrefit, Piros dhe Hamdiut, shkuan kot.

Kriminelët Skënder Konica, Jonus Mersini, Delo Balili, etj., nuk pranuan të flasin duke marrë me vete në varr një nga ngjarjet më misterioze të ndodhura në Vlorë, në ato vite terrori.

Libri "Vëllai i pengut" përshkohet nga ideja që autori e shpreh me këto fjalë:"Si unë, si vëllai im, u munduam secili në rrugën e vet, të bënim diçka, që të shpëtonim vendin nga zgjedha komuniste pa i bërë keq njeriu, pa vrarë ose kallëzuar njeri, edhe kur në dorën e Sigurimit të Shtetit komunist, nën tortura të pashembullta, që nuk durohen dot, duruam dhe qëndruam... Si unë, si vëllai im jemi viktima të pafajshme të komunizmit ashtu si mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë... Pse kaq vuajtje dhe kaq tragjedi e dhimbje në këtë jetë për mua, vëllanë tim dhe mijëra shqiptarë të tjerë"? Megjithëse vëllezërit Agaj hoqën një fatkeqësi të parrëfyer dhe u vunë në provë, ata nuk ranë si skllevër në gjunjë, ata luftuan t'i hiqnin popullit të tyre vargojtë e robërisë.

…Përmes tragjedisë së dy vëllezërve Agaj, ne, lexojmë tragjedinë e popullit tonë. Por, pavarësisht se Reshati tregon jetën dhe vuajtjet e tij dhe të familjes, tregimi është vendosur brenda konteksteve historike. Ja si e përshkruan në vitin 1949 gjendjen e familjes Agaj: "Qeni im Gumo, që mezi e mbanin lidhur me zinxhirë, kur unë isha i lirë, tashti ish i smurë dhe kish rënë për të dhënë frymën e fundit. Çohej nganjëherë në këmbë dhe lëshonte për një çast atë zërin e tij kumbues, por përsëri binte në shtratin e tij, i bërë fare skelet. Të nesërmen Gumo u shtri përdhe përgjithnjë dhe rreth e rreth të tërë fëmijët e qanë Gumon me lot. Gumo i shkretë ngordhi se s`kish ç`të hante. Edhe fëmijët hanin lakra të pjekura në furrë me një dorë miell poshtë dhe një dorë miell sipër, për t'i dhënë pamjen e byrekut dhe një dorë kripë e pak gjalp në mes. Ky ishte ushqimi vetëm i familjes sime. Refoja, nëna, mua më bënte nga një kulaç të vogël, të cilin ma jepnin ta haja veçmas, kurse ata vetë rrethonin një sofër druri e hanin të gjith njëherazi rreth tepsisë me lakra e petë misri. Në një vakt, kur po haja atë pak ushqim që më jepnin erdhi duke u hequr bran pas murit Astriti i vogël, nja tre vjeç atëhere dhe më pyeti: Çeço, ç'bën ti, ha bukë? Unë kurrë s'do t'i harroj ato fjalë, sa të jem gjallë. Ai foshnjë i mjerë, i ushqyer keq e mos më keq, vështronte që unë po haja nga gjaku i tyre, se ata të gjith hanin lakra. Buka mu zu në fyt menjëherë dhe nuk pranova më të ha veç nga ata dhe i thashë nënës se doja të hanim të gjith bashkë, lakra ju e lakra unë."A nuk ishte kjo gjendja e Shqipërisë të asaj kohe? Reshat Agaj nuk është as i pari dhe as i fundit që tallazet e jetës e përplasën sa andej këndej, por veçoria e këtij njeriu fatkeq, qëndron në atë se, ai me modesti u la njerëzve të vendit tij një dokument, më shumë si akt akuzë, ndaj diktaturës komuniste." Vëllezërit e mi shqiptarë si Kadri Hazbiu me shokë, shkruan autori, kërkonin pa mëshirë e pa dhimbje që unë të zhgërryhesha përdhe dhe të bëhesha vegla e tyre e ndyrë kundër të ikurve të mjerë, që luftonin kundër një regjimi, që ishte në shërbim të rusëve e sllavëve, ndërsa amerikanët ... ushqenin ndjenja shumë të larta njerëzillëku dhe mëshire për mua dhe vëllanë tim... Drita dhe shpëtimi i Zotit u derdhtë mbi këtë komb e mbi këtë popull", shkruan Reshati.

-

Në situatat e vështira të jetës, në mërgim, edhe atëhere kur duket se nuk ka rrugdalje Reshati me intuitën e tij, me inteligjencën dhe zgjuarsinë natyrore e gjen shtegun e daljes nga situata. Ja si e kujton takimin në burg, me të vëllanë Petrefin, pasi qe shpallur i pushkatuar: "Kam kujtuar gjithnjë fjalët e Petrefit tim të dhëmbshur, që athere kur unë i thashë se do të punoja për pushtetin komunist të popullit, që të shpëtoja jetën e tij, më tha: "Ti e di vetë si të bësh dhe për mua të mos kesh hiç merak." Ishim në dhomën e Sigurimit në Tiranë nën shikimin e rreptë të Skënder Konicës dhe të oficerit tjetër. I mjeri vëllai im! Ai ishte gjithnjë i pari në sakrifica, deri në mohimin e vetes së tij dhe tashti, kur jeta e tij varej vetëm në një fill të hollë peri, thoshte të mos mendoja për të, se jeta e tij nuk ishte asgjë përpara turpit dhe tradhtisë si nacionalist dhe si shqiptar. Këto fjalë të Petrefit tim të dhëmbshur më kanë mbajtur gjallë kurajon dhe ndërgjegjen time e kanë mbajtur të qetë, se fundi i fundit s'kam bërë gjë tjetër, veçse detyrën si një nacionalist shqiptar për lirinë e Shqipërisë".

Veçori e kujtimeve dhe tregimeve të vërteta të Reshat Agaj është fakti se, kudo që ai u ndodh në thellësitë e errëta të burgjeve komuniste, në ngjarjet e mjegulluara që krijonin komunistët, në pleksjet kohore të ngjarjeve, ai mundi të shikojë me maturi fundin e kësaj jete të zezë të shqiptarëve dhe të tijën. Ai shpresoi dhe besoi tërë jetën e tij për fundin e diktaturës komuniste.

 

Shënim: Marrë me shkurtime nga libri “Kthimi i borxhit të madh”, i Enver Memishaj-Lepenicës, botim i ISKK. Për më shumë mbi historinë e vëllezërve mund të lexoni këtu.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.