7 vjet në hetuesinë komuniste

0
173
blank

Historia e Ali Goxhajt, paraburgimi i të cilit zgjati plot 7 vjet dhe kaloi 20 vite në burg për akuza që nuk u provuan

 

Ndër rastet e rralla të proceseve gjyqësore komuniste është edhe ai i Ali Shaban Goxhajt, nga Konispoli, i vitlindjes 1928, i cili vuajti 20 vjet heqje lirie.

Ai ishte ndihmësllogaritar në kooperativën e vendlindjes, kur u përfshi në arrestimet e goditjes së madhe të çamëve, madje i datës së veçantë 3.7.1960. U burgos kur ishte 32 vjeç e doli prej andej 52 vjeç. U akuzua në bazë të neneve 64 dhe 69 të Kodit penal për “tradhti ndaj atdheut” dhe “organizim dhe pjesëmarrje në bandat e armatosura”, përgjegjës në “grupin e Teme Sejkos”. Nuk i pranoi akuzat.

Pasi u arrestua, u mbajt nën torturë për shumë vite derisa kaloi në kriza mendore. Për këtë arsye u shtrua në spitalin psikiatrik. Megjithatë, kjo nuk i ndaloi zyrtarët e regjimit komunist të vazhdonin dënimet. Paraburgimi i tij zgjati shumë, por asgjë nuk i ndalonte komunistët të dënonin. 7 vjet pas arrestimit, Gjykata e Qarkut Tiranë, me vendimin nr.31, datë 19.7.1967, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. Ky vendim mori formë të prerë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.137, datë 8.8.1967. Gjykata e akuzoi se ishte vënë në “shërbim të zbulimit grek”, si “pjesëmarrës në grupin e Konispolit”, se ishte ndërlidhës i Teme Sejkos, se si zyrtar i gjendjes civile kishte ndihmuar “diversantët” të lëviznin me dokumente false, etj..

Pretendohej se fajësia e tij mbështetej në “atribuimet e të dënuarve” të vdekur “si dhe me deklarime të pjesshme të tij”. Siç edhe është provuar tashmë, deklarimet e personave të dënuar nuk kanë qenë gjë tjetër veçse përpilime të hetuesisë dhe përgjithësisht të Sigurimit. Vendimi nuk u ekzekutua pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor e ktheu në dënim me 25 vjet heqje lirie. U lirua më 31.8.1980 nga Reparti nr.309 Ballsh.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here