Kur largohej nga skena “Mrika” e parë, Klotilde Shantoja

0
176
blank

Historia e këngëtares Klotilde Shantoja, karriera e së cilës eci paralelisht me dramat që regjimi komunist i shkaktoi familjes së saj, derisa e dënoi edhe atë. Klotildës iu ndalua skena, madje, arritën deri aty sa e hoqën nga fotoja e vitit 1958 e operës “Mrika”, ku kishte interpretuar rolin kryesor

 

 

1 dhjetori 1958 kur në Shkodër u vu në skenë opera e parë shqiptare “Mrika”, veçse një ditë e rëndësishme për muzikën shqiptare, nuk mund të mos ishte e tillë dhe për autorët dhe interpretuesit e saj, përfshirë Klotilde Shantojan, në rolin e Mrikës.

Këngëtarja 28-vjeçare u lëvdua në shtypin e kohës. Opera u dha 18 herë me sukses për publikun shkodran, para se të vihej në skenë në Tiranë, nëntorin e vitit pasardhës, ku u interpretua nga këngëtarët profesionistë të Teatrit të Operës dhe Baletit.

blank

 

Ishte ky, sigurisht, kulmi i karrierës 15-vjeçare të këngëtares, e cila kishte kënduar në një koncert që kur ishte 13 vjeçe, por, për fat të keq, do të sillte edhe fundin e papritur të karrierës së saj. Mbiemri Shantoja kishte bërë ca si shumë rrugë, pa u penguar, në rastin e Klotildes.

Pa shpjegime, pa mëshirë, me një urdhër të brendshëm, asaj i hiqet e drejta të këndojë në skenat shqiptare. Nuk kishte si të mos ish dërrmuese kjo goditje. Muzika dhe skena përbënin botën ku ajo gjente gëzimin, mbrojtjen e ngushëllimin që nuk mund t’i gjente jashtë saj, atje ku ishte e afërme e një prifti të pushkatuar, motra e një vëllai të burgosur, bija e një babai që kish ndërruar jetë në burg.

Regjimi komunist kish nisur t’i merrte çfarë i takonte familjes së saj, që në vitet e tij të para. I morën paratë që nëna Angjelinë kish grumbulluar duke shitur plaçkat e shtëpisë. Pastaj i dëbuan nga shtëpia në Tiranë e i çuan në Shkodër. Pastaj morën vëllanë e Klotildes, Mark Shantojan që e arrestuan në moshën 20-vjeçare dhe i dhanë një dënim të gjatë. Pastaj i morën babanë, Viktor Shantojan, i cili ndërroi jetë në burg. Lajmin, Klotildes ia dhanë në pushimin e një shfaqeje. Klotilda duhet të gëlltiste lotët e të dilte të këndonte. Babanë nuk do e shihte më kurrë. Nuk do të kishte kurrë varr ai. Siç nuk kishte Lazër Shantoja, prifti, poeti e përkthyesi, i afërm i familjes, pushkatuar në mars të vitit 1945, të cilin Klotilde e mbante mend mirë.

“Në fillim karriera më rodhi natyrshëm për faktin se rridhja nga një familje me prirje muzikore. Babai im i binte pianos dhe flautit. Kur mblidheshim në shtëpi, organizonim koncerte familjare, shpeshherë dhe me pjesëmarrjen e axhës, dom Lazër Shandoja, i cili u binte disa veglave muzikore”, ka shkruar ajo në një letër-testament.

Është pikërisht në këtë letër, pjesë nga e cila janë publikuar nga RTSH Shkodra, ku Klotilde Shantoja, në fund të jetës, shfaq dhimbjen e madhe që i shkaktoi largimi i detyruar nga skena.  "E them sinqerisht, se ndër fatkeqësitë e rënda, të cilat i kam vuajtur shumë, qoftë për axhën që e pushkatuan pa gjyq, burgosjen e babait dhe të vëllait, persekutimin e gjatë, largimi nga skena, ka qenë fatkeqësia më e madhe e jetës sime".

 

 

Jeta para dhe pas 1945

Klotilde u lind në 2 tetor të vitit 1930, në Tiranë. Nëna e saj Angjelina, kishte mbaruar kolegjin jezuit ku kishte mësuar gjuhën gjermane dhe italiane. I ati, Viktor Shantoja ishte oficer. Në vitin 1937, siç e ka bërë publike Kastriot Dervishi në një shkrim në gazetën "55", ai ishte komandant i Shkollës së Xhandarmërisë në Burrel, me gradën major. Babai i tij, Mark Shantoja kishte qenë shoqërues i Edith Durham gjatë kohës që Durham vizitoi Alpet e Shqipërisë. Në vitin 1932, Klotilda u bë me vëlla, që familja e quajti Mark, si i gjyshi. Klotilde spikati që në vegjëli për zërin e bukur dhe mori mësime pianoje nga Lazër Shantoja. Ajo nisi të këndonte në katedrale dhe në Radio Tirana. Në moshën 13-vjeçare, këndoi për herë të parë në një koncert. Kaloi një fëmijëri të lumtur, por me vendosjen e regjimit komunist, jeta e qetë familjare do të tronditej.

blank
Familja Shantoja — Zef Shantoja, Tereza Nowak, Maria Shantoja (Mislocja), Lucia Shantoja (Dajci), Mark Shantoja e Viktor Shantoja, Shkoder 1914 , foto Marubi. Restauroi Ilir Zahaj. Marrë nga faqja e FB Ilir photography, postuar me 9 shkurt, 2017

Lazër Shantoja u arrestua dhe të afërmit shumë shpejt do të mësonin fatin tragjik të priftit, i cili u pushkatua pasi e gjymtuan në tortura.

blank
Lazer Shantoja. Fotoja e tij u ekspozua mes fotove te martireve te Kishes Katolike te Shqiperise ne bulevardin "Deshmoret e Kombit" ne Tirane ne vitin 2014, gjate vizites se Papa Franceskut ne Shqiperi

I ati i Klotildes humbi punën dhe u vu në ndjekje të Sigurimit. Nënën ia arrestuan në vitin 1945 dhe ia morën të gjitha të hollat që kishte grumbulluar duke shitur orenditë e shtëpisë për t’u bërë ballë vështirësive që po i kanoseshin familjes. Në fund të vjeshtës së 1946-ës, i dëbojnë nga Tirana në Shkodër. Atje familja ushqehej me të ardhurat që nxirrte nëna si rrobaqepëse. Por Klotilde nuk u nda nga muzika. Në fund të vitit 1946, atë e zgjedhin për të kënduar në koncertin e shkollës ku e shoqëronte në piano 13-vjeçarja Terezina Dajçi. Interpretimi i tyre u prit shumë mirë. Komiteti Ekzekutiv e rekomandoi Klotilden për në liceun artistik “Jordan Misja”, por pas katër muajsh ajo, bashkë me gjithë grupin e nxënësve shkodranë, u përjashtuan për arsye biografike. Megjithatë Shtëpia e Kulturës, Shkodër e afroi vajzën e re me zërin impresionues dhe Klotilde këndoi aty për vite me radhë. Nga viti 1949 deri në vitin 1957, Klotilde Shantoja ishte soliste e Shtëpisë së Kulturës Shkodër dhe Radio Shkodrës. Ajo mori pjesë në disa olimpiada dhe festivale dhe u nderua me diploma e certifikata. Nisi të angazhohej edhe si aktore në teatrin “Migjeni”, pa u shkëputur asnjëherë nga muzika.

 

Burrat e shtëpisë në burg

 

Në vitin 1952, vëllanë e Klotildes, Mark Shantoja e përjashtojnë nga shkolla e mesme dhe e arrestojnë për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor.

Marku bashkë me disa të rinj të tjerë kishin krijuar një organizatë klandestine që kishte si qëllim luftën kundër komunizmit. Ata e nisën aktivitetin në vitin 1949, kur edhe u shtypën disa trakte që kërkonin Kosovën si pjesë e tokës sonë, të cilat u shpërndanë nga grupi i tyre. Por në vitin 1952, ai u arrestua. E torturuan gjatë tre muajve hetuesi dhe më pas e dënuan me vite të gjata burgu.

Pas dy vitesh, arrestojnë edhe babanë e Klotildes. Viktor Shantoja ndërroi jetë në burg. Familja nuk e mësoi kurrë ku ndodhej trupi i tij. Ndërsa i vëllai do arrinte të dilte nga burgu dhe të krijonte familje, duke ia mbushur zemrën së ëmës dhe së motrës që pritën për vite me radhë ta kishin pranë.

I morën edhe muzikën

Megjithë dramat familjare, Klotilde mund të gjente pak qetësi te muzika. Ishte rritur me muzikë dhe duke e pasur ende pjesë të jetës, dukej se dhe jeta nuk e kishte humbur plotësisht fizionominë e vet. Jo vetëm bënte atë që kishte qenë prirja e saj e natyrshme që fëmijë, me anë të muzikës, por mund të siguronte edhe të ardhurat, aq të domosdoshme për rrethanat ku ndodhej familja e saj. Klotilde këndonte në disa zhanre muzikore, nga ariet e operave të kompozitorëve të huaj te këngët popullore shkodrane, duke u pëlqyer dhe duartrokitur gjithmonë nga publiku. Në vitin 1957, ajo interpreton rolin kryesor të Lejlasë në operetën “Lejlaja” të Tish Dajisë. Ndërsa pas një viti, do të ishte pjesë e ngjarjes madhështore të Shkodrës, vendosjes në skenë të operës së parë shqiptare. Por ky do të ishte dhe gëzimi i madh i fundit që do i dhuronte muzika. Klotildes ia ndaluan skenën. Ishte shumë e re për të dalë në pension. Publiku dhe mjedisi artistik shkodran e vlerësonte. Ajo vetë kishte shumë nevojë për muzikën. Por urdhri nuk kishte pse të ishte i drejtë. Nuk ishte as i përkohshëm. Edhe pas 20 vitesh, kur kujtohej vënia në skenë e Mrikës, Klotilde Shantojan e hoqën nga fotoja e vitit 1958 dhe në vend të saj, vendosën një këngëtare tjetër. Urrejtja e regjimit që për ca kohë u duk se nuk do e prekte atë, apo zelli i veglave të pushtetit, arritën deri aty sa të zhduknin disa regjistrime të këngëve dhe romancave të interpretuara prej saj. Por për fat jo të gjitha. Edhe sot, mund të dëgjohen “Synin si qershia” ose “Margjelo” të kënduara nga Klotilde Shantoja. Dhe pak nga pak, figura e saj që diktatura tentoi ta fshinte nga kujtesa muzikore, të zërë vendin që i takon. Një vend dhe një meritë që Klotilde Shantoja, nuk e pa t’i jepej ato vite që jetoi pas rënies së diktaturës, deri më 5 qershor 1995.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here