Dedë Gjomarkaj, kthim në shtëpi në moshën 67-vjeçare

0
424
blank

U kthye nga burgjet, te familja e internuar, pas 13 vitesh. Jetoi në internim dhe u dënua me burg edhe një herë të tretë. Deri sa erdhi viti 1991 dhe, më në fund, i vetmi djalë i mbijetuar në Shqipëri i Gjon Markagjonit, u kthye në shtëpi, 67-vjeç dhe pa krijuar familje.

 

Kur Deda mbërriti në Savër, kishin kaluar 13 vjet që nuk ishte takuar me të ëmën, Mrikën. Dedën e kishin arrestuar kur ishte ushtar. Pastaj e kishin ridënuar. Kur kishte dalë nga burgu, ndërsa shpresonte të bashkohej me familjen që ndodhej e internuar në fshatrat e Lushnjës, e internuan në Kuç të Kurveleshit ku e mbajtën edhe një vit tjetër. Më në fund, ai po i bashkohej familjes. Asaj pjese të familjes Gjomarkaj që kishte mbetur pas arratisjeve dhe vrasjeve, pas të cilave qëndronte si shkaktar dhe autor, regjimi komunist.

Nëna Mrika mezi po priste ta takonte Dedën. Ishte djali i vetëm që mund të takonte. Marku dhe Sandri ishin vrarë në mal, në përpjekje me komunistët në vitet 1946 dhe 1947. Djemtë e tjerë Ndue dhe Nikolla ishin në Itali. Ndue qe larguar bashkë me Gjon Markagjonin, ndërsa Nikolla kishte mundur të kapërcente kufirin më vonë pasi ishte arratisur nga kampi i Turanit më 1949. Por Deda, po kthehej më në fund.

Të internuarit po zbrisnin nga makina në Savër. Burra të moshave të ndryshme. Të rinj, të moshuar…Deda kish qenë djalë fare i ri kur ishte larguar nga shtëpia dhe tani kishte në shpinë dhe në portret 13 vite të mbushura me sëmundje, punë të rëndë dhe uri. Ndoshta edhe sytë e nënë Mrikës ishin të lodhur. Mjaftonte edhe ngarkesa emocionale e atyre çasteve që mos të shihte qartë.

-Cili është Deda jem?

Nuk po e njihte të birin…

Ky moment, që e përmend në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, Fatbardha Saraçi Mulleti, ka një dramacitet të tillë, që e bën të paharrueshëm, edhe sikur të ishte një skenë filmi.

Tortura për t’u bërë bashkëpunëtor

Deda u arrestua në prill 1945. Babai i tij, Gjon Markagjoni dhe vëllai i dytë, Ndue ishin arratisur nga Shqipëria që në 1944-ën, ndërsa dy vëllezër, i madhi, Marku dhe i treti, Sandri, ndryshe Llesh, ndodheshin në mal. Dedën e akuzuan për gjoja lidhje me të arratisurit dhe e dënuan me 5 vjet heqje lirie. Sapo u lirua, kur ende nuk kishte takuar familjen, e arrestuan përsëri. Nga viti 1950-1953, u mbajt i izoluar nga Sigurimi i shtetit në Tiranë, ku i bënin presion t’i shkruante letër babait me qëllimin që të bëhej vegël e Sigurimit dhe të hidhej më pas për diversion në diasporë në Amerikë. Tre vjet nën tortura, pa ushqim të mjaftueshëm, pa u larë…e kapluan sëmundjet, trupi iu fry, pati një anemi të theksuar…por nuk u dorëzua. Atëherë, u detyruan t’i jepnin ushqim, por sigurisht nuk u bënë të mëshirshëm. E nxorën në gjyq dhe e dënuan me 7 vjet heqje lirie, gjoja për tentativë arratisjeje.

Gjatë gjithë kësaj kohe, nëna dhe motrat e internuara nuk dinin asgjë për të. Dedë Gjomarkaj i ka treguar Fatbardha Saraçi Mulletit se kjo ishte periudha më e vështirë e jetës së tij. Vetëm pasi e dënuan dhe e dërguan në burgun e Gjirokastrës, e lejuan t’i shkruante familjes.

Dymbëdhjetë vitet e dënimit për Dedë Gjomarkajn ishin një zhvendosje e pandërprerë nëpër burgje dhe kampe shfarosëse pune. Provoi burgun e Vlorës, Shkodrës, Tiranës, Gjirokastrës dhe Burrelit.

Punoi në kampin e Zadrimës, të Bedenit, në Maliq, në Orman-Pojan, tek Ura e Bonës

Mes skllevërve modernë

Orman-Pojan, të burgosurit politikë punuan për devijimin e shtratit Devoll. Deda i ka treguar Fatbardha Saraçi Mulletit se në Orman-Pojan të burgosurit duhet të bënin 8 m3 dhe me krahë, të cilin duhet ta transportonin me karroca dore. Rruga ishte 200 m dhe për të bërë 1 m3 duheshin 10 karroca, pra gjithsej rreth 16 km rrugë në ditë, gjysma me karrocë plot dhe gjysma me karrocë bosh, nën presionin e policëve dhe të drobitur nga uria. I njëjti stërmundim edhe tek Ura e Bonës, ku me krahët e lopatat e të burgosurve politikë u rrafshuan 6 kodra për të mbushur kanalin e hapur nga italianët, mbi të cilin do të ndërtohej traseja e hekurudhës afër Peqinit. Këtu, policët përdornin drurin e shkozës, që ishte me nyje.

Tortura e punës së rëndë për Dedën përfundoi në vtin 1956, kur e dërguan në burgun e Burrelit. Atje gjeti burra të njohur, intelektualë e patriotë nga gjithë Shqipëria si Ejëll e Kel Çoba, Shuk Gurakuqi, Et'hem Cara, Koço dhe Akile Tasi etj..Në Burrel, përfundoi dënimi i tij i dytë, por ende nuk ishte e thënë të takohej me familjen. E çuan në Kuç të Kurveleshit, ku jepej ushqim burgu dhe punohej cungu i shqopës për çibukë. Edhe aty gjeti burra intelektualë, disa prej të cilëve kishin përfunduar studimet në Universitetet Perëndimore. Pas një viti e liruan nga Kuçi dhe e dërguan të vazhdonte internimin në Savër ku ndodhej familja e tij.

Internimi dhe arrestimi i tretë

Nëna Mrika, motrat Marta e Bardha, gruaja e paralizuar dhe tre fëmijët e vëllait Mark, ishin të gjithë të internuar. Nga Savra, Deda u zhvendos në Gjazë. Punë në bujqësi, punë në ndërtim. Jetesë nëpër baraka. Deri në vitin 1977, kur e arrestuan për herë të tretë. Sërish me një akuzë false dhe dëshmitarë të rremë. Këtë herë e akuzuan për agjitacion e propagandë dhe e dënuan maksimalisht për akuzën, me 10 vite burg. Ishte rreth 54 vjeç. Tani nuk mund të shfrytëzohej më për punë të rëndë. E çuan në burgun e Ballshit, ku mbaheshin të dënuarit e moshuar e të sëmurë. Kur u lirua nga burgu, u kthye sërish si i internuar në fshatrat e Lushnjës. Ishte bashkë me motrën, Marta dhe nipin, Gjon. Dy herë në ditë duhet të paraqitej në apel. U lirua vetëm në korrik të vitit 1991, kur një shofer nga Shkodra e mori dhe e ktheu në shtëpi pas 45 vitesh. Të gjithë diktaturën e kishte kaluar si i dënuar.

Shtëpia e familjes Gjomarkaj u mbush sërish me njerëz në vitet në vijim. Madje edhe vëllezërit e emigruar erdhën në Shqipëri dhe u takuan me vëllanë e tyre, Dedë dhe gjithë familjen. Deda u nda nga jeta në vitin 2015 moshën 94-vjeçare.

Shënim: Fotoja është marrë nga profili i Dedë Gjomarkaj në faqen gjonmarkagjoni.com

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here