Viti 1990/ Letrat e të rinjve kundër censurës komuniste

0
145
blank

“Pse fëmijët tanë detyrohen të lexojnë 100 libra të Enverit nëpër shkolla, të mësojnë vjersha për Enverin që në çerdhe, kopsht, e deri në provimet e universitetit”? Autoriteti i Dosjeve sjell për publikun përmbajtjen e Dosjes Nr. 493, të vitit 1990 ku gjenden përmbajtjet e disa letrave të të rinjve kundër regjimit komunist në vend.

Nga Gerla Kotka

Dosja nr. 493 e vitit 1990, është hapur më 06/02/1990 dhe është mbyllur më 02/03/1990. Ka 25 faqe gjithsej. Inventari përmban të dhëna mbi Hans Benusin dhe Çesk Berishën, autorë të disa letrave anonime armiqësore dhe disa informacione që japin ata për organizimin e një veprimtarie të mprehtë armiqësore në Shkodër dhe në Tiranë.

Në një letër që Sekretari i degës së Punëve të Brendshme, i nis Ministrisë së Punëve të brendshme, informon mbi gjetjen e një fletushke anonime armiqësore me përmbajtjen: “Poshtë Partia, poshtë familja Hoxha”, pranë zyrës së përgjegjësit të ofiçinës të ndërmarrjes së Bonifikimit në Shkodër. Nga masat e marra për zbulimin e autorit, në bashkëveprim me mendimin kategorik të ekspertëve, rezultoi se Hans Benusi ishte përgjegjës për shkrimin e letrës me subjekt armiqësor. Sipas Sekretarit të degës së Punëve të Brendshme, ai kishte pranuar aktin dhe bashkëlidhur vijonte me disa shpjegime mbi veprimin.

Hans Benusi ishte i biri i Julianit dhe i Gjyljanës, lindur në vitin 1971 në Shkodër. Ndiqte studimet në shkollën e mesme Industriale. Në deklaratën që ai kishte bërë, përshkruante marrëdhënien e ngushtë që kishte pasur me Çesk Berishën, të cilin e kishte njohur në ndërmarrje, në kohën që të dy punonin në ofiçinë. Duke u njohur konteksti historik i kohës, Hans tregon mbi bisedat e zhvilluara mes tyre që në periudhën nëntor-dhjetor të vitit 1989, për ngjarjet e zhvilluara në Evropën Lindore, konkretisht në Çekosllovaki, në Republikën Demokratike Gjermane, Hungari, Rumani, në të cilat spikaste vullneti i popullit, për të fituar liri dhe demokraci. Këto lëvizje, në optikën e tyre duhet të zinin rrënjë edhe në Shqipëri, sepse mungonte liria e fjalës, të drejtat humane, dhe në linja të tjera, superfuqitë e mëdha dëshironin që në vend të ndryshonte vija e partisë.

Mbi bazën e kësaj analogjie, përkonin qasjet e tyre për të ndjekur veprimtarinë armiqësore kundër pushtetit popullor, të cilat ishin një përpjekje për të reaguar kundër një shoqërie të centralizuar. Midis të tjerash, në deklaratë Hans Benusi rrëfente mbi një miting që do të mbahej në Tiranë  nga qeveria me rastin e festës dhe do të fliste një udhëheqës. Nga biseda që kishte bërë me Çeskun, ky i fundit ishte shprehur se populli që do të mblidhej për të dëgjuar mitingun, do të ngrihej në demonstratë, ndërsa më tej një grup personash pretendohej, se do të hidhnin me konop bustin e Stalinit. Në këtë veprim sipas tij do të përfshihej edhe Shkodra. Në datë 20 janar të vitit 1990, me porosi të Çeskut, Hans Benusi do të shumëfishonte një trakt me përmbajtje armiqësore, i cili në thelb ishte një thirrje për popullin të ngrihej në demonstratë. Mbi këtë akt ai shprehej: “Unë Hansi, pasi shkova në shtëpi me letrat e dhëna nga Çesku, i shkrova në shtëpi 20 copë dhe më pas i shpërndava në shtëpitë e banorëve të lagjes Danjel Matlia dhe Ndoc Mazi. Traktet i shkrova me stilolaps dhe në shtëpi i mbanja në banjo”.[1]

Duke u nisur nga deklarata e Hans Benusit, u thirr më pas Çesk Berisha, që sipas komunikimit të shkruar nga Dega e Punëve të Brendshme, kishte pranuar kryerjen e veprimtarisë armiqësore, që kishte nxitur Benusin për të shkruar parullat armiqësore dhe shpjegohej mbi veprimtarinë e kryer kundër pushtetit popullor, të disa personave në rrethin e Shkodrës.

Kush ishte Çesk Berisha dhe çfarë deklaroi ai?

Çesk Berisha ishte i biri i Vaselit dhe i Pashkës, lindur në vitin 1967 në fshatin Gruda e Re. Kishte punuar si mekanik në ndërmarrjen e Bonifikimit, i padënuar më parë. Në deklaratë, ai do të fliste për organizimin e demonstratës, mbi të cilën kishte marrë informacion se do të udhëhiqej nga Dedë Kasneci dhe Gjergj Livadhi, por nuk funksionoi për shkak të arrestimit të tyre. Më tej vinte në dijeni se ishte bërë pjesë e një grupi të organizuar në Shkodër, me shumicë katolike, të cilët do të bashkëvepronin mbi realizimin e demonstratës. Shpërndarja e letrave armiqësore do t’i shërbente këtij qëllimi.

Në letër shkruhej: “Shokë qytetarë, hidhuni në greva për të drejtat tuaja, për demokraci dhe liri, se Partia na ka mbyllur dhe se Nexhmije Hoxha i ka të gjitha paret sa me ba një qytet të ri në Shqipëri dhe këto i takojnë popullit. U bëjmë thirrje edhe një herë që të jemi të bashkuar, poshtë Ramiz Alia. Poshtë Nexhmije Hoxha. Poshtë komunizmi. Rroftë feja myslimane dhe katolike. Data e grevës 25.01.1990”.[2] Edhe në këtë rast, objektivi i tyre nuk mori jetë, prandaj për këtë arsye diskutohej mbi ngjizjen e rasteve të tjera, që do të nxisnin shpërthimin e demonstratës. Situata e njëjtë do të vijonte, me shpresën se do të mbërrinte koha e duhur. Në planet e tyre flitej për hedhjen në erë të “Uzinës së Telave” dhe asaj “Drini”, apo për ndërmarrjen e veprimeve armiqësore gjatë kohës që do të luhej në stadium ndeshja mes “Vllaznisë dhe Labinotit”, por pa rezultat.

Pasi përfundoi procesi i dhënies së deklaratave, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme komunikonte, se do të vijonte marrja e masave për thellimin e ngjarjes dhe evitimin e problematikave në vend dhe në ekonomi, për shkak se të dy personazhet akumulojnë kontradikta dhe mbajnë rezerva në thëniet e tyre.

Bashkëlidhur përmbajtja e disa letrave, të konceptuara nga një grup të rinjsh nacionalistë, drejtuar Ramiz Alisë. Në njërën prej tyre shkruhej: “Në emër të të rinjve nacionalistë, ju bëjmë thirrje që të kryeni një përmbysje të rrufeshme të rendit burokratik në fuqi! Ju keni farkëtuar besimin e rinisë shqiptare dhe të popullit. Çdo vonesë është me pasoja për Shqipërinë, prandaj mos humbni kohë sepse do të mbani edhe ju përgjegjësi historike! Koha ju thërret sa nuk është tepër vonë”.[3]

Me interes të veçantë është një letër anonime e shkruar në Shkodër më 28 shkurt 1990, drejtuar Ramiz Alisë, në të cilën përshkruhen me ndërgjegje fenomene problematike të shoqërisë shqiptare, me dëshirën e frymëzuar nga modelet demokratike, për t’i lënë vend mendimit të lirë dhe veprimit të pa ndikuar nga ideologjia dhe strukturat propagandistike: “Pse para 1944 kishte kaq forca intelektuale dhe pas 1944 u fashit? Sepse u luftua qëllimisht, u quajt reaksionare, për ta mbajtur në frena, e këta të vinin deri në shuarje. Ne kontrollojmë mendimin, e raportojmë, hapim dosje në degë, e fusim në burg jo vetëm atë që flet e mendon ndryshe, por edhe atë që nuk raporton shokët”.[4]

Në letër ngriheshin pyetje retorike, të cilat i drejtoheshin pasqyrimit të karakterit të regjimit komunist, që përcaktimin e fateve të shoqërisë, individëve, masave, krijimin e kupolës mbikëqyrëse, kontrolluese, nuk i kishte si mbështetje, por si qëllim në vetvete: “Pse fëmijët tanë detyrohen të lexojnë 100 libra të Enverit nëpër shkolla, të mësojnë vjersha për Enverin që në çerdhe, kopsht, e deri në provimet e universitetit? Pse shkolla duhet të nxjerrë njerëzit me mendje të kalibruar, të mendojnë jo ndryshe, veç si ai? Po konkurset për vende pune? Këto konkurse a thua do t’i humbasin vallë fëmijët e të mëdhenjve? Asnjë! Do i fitojnë me motivacionin shkëlqyeshëm. Thuhet se ishim vendi më i prapambetur në Evropë, partia e ngriti në lartësi të mëdha. Po sot ç’vend ka në Evropë? Të fundit prapë. Pse historia jonë 4 mijë vjeçare është në 4 vëllime sa ç‘është historia LNÇL? Apo duhet për t’i ngritur piedestalin vetes? U prezantua libri për Kosovën, s’foli asnjë verior. S’ka historian verior, makar ndonjë nga pleqtë apo s’ka dëshirë askush?”[5] Letra mbyllej me fjalët: “Shkruajta si e mendova, në kuadrin e demokracisë që nuk e keni dhënë. Me propaganda as jam marrë e as nuk do merrem. Dëshira ime është ta lexojë shoku Ramiz”.[6]

Reagim ndaj realitetit mbytës komunist, paraqitej në një letër tjetër adresuar Ramiz Alisë: “Sinqerisht s’jam fetar. Te na u hoq një fe, po fatkeqësisht katërçipërisht u zëvendësua me fenë Enveriane...Partia ka eksperimentuar deri tani në 3 milion njerëz. Jepni fund ju lutem...E keni jo të lehtë, po kupa s’mban më[7]. Në përmbyllje të saj shkruhej me nota keqardhëse mbi realitetin e vendit: “Populli ynë sot jeton në trullosje. Kjo është një e vërtetë e madhe. Intelektualët i ke mendërisht varfanjakë, fatkeqësisht! Tragjikisht!”[8]

[1] Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Dosja nr. 493, Viti 1990, fleta 5.

[2] Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Dosja nr.493, Viti 1990, fleta 7.

[3] Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Dosja nr. 493, Viti 1990, fleta 12.

[4] Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Dosja nr.493, Viti 1990, fleta 14.

[5] Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Dosja nr. 493, Viti 1990, fleta 14, 15, 16.

[6]Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Dosja nr. 493, Viti 1990, fleta 16.

[7] Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Dosja nr.493, Viti 1990, fleta 17.

[8] Autoriteti për Informim mbi Dokumentet  ish-Sigurimit të Shtetit, Dosja nr. 493, Viti 1990, fleta 18.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here