Ramiz Alia për ata që rrëzuan monumentet e diktatorit: “Janë fashistë, fashizmi duhet qëlluar”

0
88
blank

Në fillim të vitit 1991, Ramiz Alia kishte dy poste: sekretar i parë i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (ekuivailent i presidentit të vendit). Pas rrëzimit të monumenteve të E.Hoxhës, u bë edhe kryetar i një të ashtuquajturi këshilli presidencial.

Më 20 shkurt 1991, u shembën me protestë masive popullore monumentet e Enver Hoxhës, në Tiranë dhe në Korçë, si dhe bustet në Fier, Durrës (port), Shijak, si dhe pati orvatje për të hequr monumentin e Gjirokastrës.

Pas rrëzimit të dy monumenteve, lëvizja enveriste e nisur me të njëjtin shtrat e urrejtje si në vitin 1944 nga jugu në veri, nisi të luajë sërish rrezikshëm atë që dinte më bukur: dramën e luftës civile. Në sheshet e qyteteve të vogla të vendit, shoqata e vullnetarëve të Enverit, nën drejtimin e sekretarëve të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë luante një prej komedive më tragjikomike të para ndonjëherë: premtohej besnikëri e përjetshme ndaj Enverit, bëheshin betime e në fund sheshit të qytetit, i vihej emri i Enver Hoxhës, tamam në mënyrë enveriste. Kjo dramë zhvillohej mbi Shqipërinë e lodhur nga tmerri komunist, nga uria e skamja më e paparë ndonjëherë si derivat i regjimit të Enver Hoxhës.

Qëndrimi i Ramiz Alisë, këtë kohë, ishte që monumenti në Tiranë duhej të mbrohej me gjak sepse ishte “veprim fashist” ai i rrëzimit të tij.

Grumbullimi i datës 20 shkurt, në Tiranë, filloi nga ora 10.00 duke marrë drejtimin nga qyteti Studenti te Presidiumi i Kuvendit Popullor, pastaj drejtimi shkoi në sheshin “Skënderbej”. Ora 13.00, Ramiz Alia mblodhi anëtarët e Komitetit Qendror që ishin në Tiranë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai deklaroi më vonë publikisht për gazetën “Zëri i rinisë”, 3 korrik 1991, se kishte pasur urdhra nga Ramiz Alia për të qëlluar në turmë.

Në mbrëmje të datës 20.2.1991, Ramiz Alia iu drejtua popullit me një mesazh: “Sot kryeqyteti ynë përjetoi një nga ditët më dramatike e më të rënda të tij. Turma të irrituarish duke humbur çdo arsye e logjikë kaluan në akte vandalizmi. Ata arritën të rrëzojnë përmendoren kushtuar themeluesit të shtetit tonë, Enver Hoxhës. Tashmë ka dalë krejt e qartë që forcat antidemokratike kanë një strategjimi të përpunuar. Ata duan shkatërrimin e Shqipërisë. Ato duan të shkelin me këmbë çdo gjë që kemi ngritur. Ata janë gati të profanojnë edhe varret e të parëve”. Alia lajmëroi se nga situatat “do merrte vetë drejtimin e shtetit”, se “asnjë shqiptar nuk ishte i tepërt në këto troje” (krejt tjetër nga çfarë deklaroi në mbledhjen e KQ të PPSH-së) dhe të krijonte një këshill presidencial. Por qëndrimi i tij publik ishte ndryshe nga ai jopublik. Ramiz Alia u takua me oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Në takimin e incizuar të datës 21.2.1991, ai thotë i zemëruar: “Akti më vandal që mund të bëhej. Gjëja më e ligë që mund të bëhej. Duke hequr monumentin në sheshin e Tiranës. Gaboi policia jonë që nuk qëlloi me armë. Unë e them kshu pa asnjë hezitim. Për mendimin tim duhet të qëllonte. Sepse ata nuk janë politikanë, janë fashistë, fashizmi duhet qëlluar. Po nuk bëmë këtë nuk ka demokraci, nuk ka jetë”.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here