20 dëshmi për 20 shkurtin 1991

0
126
blank

20 shkurt 1991, dita kur u rrëzua statuja e Enver Hoxhës dhe bashkë me të ra simbolikisht edhe diktatura thuajse 50-vjeçare në Shqipëri. Kujto.al sjell sot 20 dëshmi rreth ngjarjeve të asaj dite

Dy ditë më parë, 723 studentë dhe pedagogë të Univeristetit të Tiranës, kishin hyrë në grevë urie në mbëshetje të kërkesës që univeristetit t’i hiqej emri "Enver Hoxha". Protestat e atyre ditëve kishin nisur nga studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës dhe kishin karakter ekonomik. Këtyre kërkesave iu bashkuan dhe studentët e UT-së, duke shtuar edhe kërkesën e drejtëpërdrejtë për shpagëzimin e Univeristetit nga emri që kish marrë më 1985-ën.

Ndërkohë, në vazhdim të rrotullimit të pandalshëm rreth kultit të diktatorit, në zemër të kryeqytetit, ngrihej shtatorja e bronztë e Enver Hoxhës. Ishte përuruar më 16 tetor 1988 në atë që ishte 80-vjetori i lindjes së diktatorit. Duke ndjerë erën e ndryshimeve dhe duke parandjerë rrezikun që ajo erë do të rrëzonte të parat monumentet e figurës së ngritur më lart në 50 vjet, më 22 janar 1991, Presidiumi i Kuvendit Popullor, miratoi dekretin “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe të simboleve shtetërore”, i cili parashikonte, në rast shkeljesh, dënimin me 6 muaj deri në 3 vjet heqje lirie.

Megjithatë, njerëzit që lidhën me kavo, e rrëzuan, e tërhoqën zvarrë dhe i përdhosën pjesët e shpërbëra të shtatores së Enver Hoxhës, sigurisht që nuk iu trembën këtij dekreti. Rreth orës 14.00 të datës 20 shkurt shtatorja e Enver Hoxhës ra.

Kjo ngjarje që ka shenjuar historinë e Shqipërisë, me siguri është e pashlyeshme edhe në jetën e atyre që ishin pjesë e saj. Shumë prej tyre nuk kanë pasur kurrë mundësinë të flasin publikisht për këtë përjetim, të tjerë kanë arritur të përcjellin kujtimet dhe mbresat e asaj dite, përmes të cilave arrijmë të mësojmë dhe të kuptojmë më shumë rreth asaj që ndodhi më 20 shkurt.

Në këto 33 vjet, ka pasur edhe replika e përgenjeshtrime rreth asaj që dikush ka bërë apo nuk ka bërë atë ditë. Duke ditur që kjo është e pashmangshme dhe duke theksuar se personat e cituar këtu nuk shterojnë kurrsesi listën e njerëzve me një rol të veçantë në ngjarjet e 20 shkurtit, Kujto.al po sjell 20 dëshmi që lidhen me këtë datë. Janë dhënë në kohë të ndryshme, në media të ndryshme nga pjesëmarrës aktivë në protestë apo njerëz që, për shkak të profesionit, angazhimit, apo kureshtjes u gjendën aty.

Petro Luarasi, pjesëmarrës

Në turmë dallova dy flamuj pa yll që valëviteshin nga Artur Zadrima e Fatmir Merkoçi. Kur turma u afrua në cepin lindor të Kryeministrisë, ndërhynë dhunshëm forcat e rendit. U përdorën edhe qentë, u dëgjuan edhe të shtëna armësh nga gardistët. Protestuesit u tërhoqën prapa, kurse disa dhjetëra syresh, midis tyre edhe unë me disa shokë “polikumsa”, kaluam gardhin e INIMA-s dhe dolëm tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Atje filluam të protestojmë me thirrjet “Policët vëllezërit tanë”, “Për mëmëdhenë, eja mblidhuni këtu-këtu”. Meqë ishte e pamundur të çahej gardhi i policëve pasi edhe numri i protestuesve ishte relativisht i vogël, një pjesë u drejtua nga sheshi “Skënderbej” për të bashkuar popullin në protestë… Zbritëm në lulishte e më pas në shesh ku na sulmuan zjarrfikëset e forcat e rendit. A. Zadrima me flamur e dy-tre të tjerë hipi tek monumenti i Skënderbeut, Fatmir Merkoçi me flamur dukej tek banka, ndërsa unë me nja njëzet të tjerë u gjendëm tek shkallët e para të monumentit të diktatorit duke brohoritur “Policët vëllezërit tanë!”… Në sulmin e parë të policëve u plagos një bashkë protestues që nuk e njihja… Ndërkohë filloi sulmi i dytë e më pas edhe i treti që ishte më i fuqishëm dhe policët arritën të na zmbrapsnin deri prapa monumentit. Më i vendosuri ishte një polic që shtinte me pushkë me fishekë manovre. Ai plagosi Fatmir Merkoçin i cili kishte hipur në bazamentin e monumentit e guxoi të shpaloste flamurin pa yll…

Pas nja çerek ore pashë dy persona që po sillnin një kavo të gjatë dhe u afruan pas monumentit. I çuditur u afrova. Ndërsa dikush po qëllonte me një copë mermer për të prishur lidhjen midis bazamentit prej betoni e fundit të këmbëve (?!) ( bazamenti nuk kishte vida siç kanë fantazuar disa) njëri tha që kavon ta lidhnin tek dora prapa shpine e monumentit për ta rrëzuar. Një djalë hipi mbi monument. Më pas dikush solli një litar më të gjatë, i lidhën një kapërton biçiklete e ia hodhën tek koka. Pas disa tërheqjesh, monumenti u lëkund e më pas ra (ishte ora rreth 13.55) Vërtet fat i madh që nuk zuri përfund njeri. Momenti i rënies ishte madhështor. Tek u lëkund dhe ra, nga heshtja e beftë shpërtheu një klithmë fantastike nga ata dhjetëra mijëra frymë që qëndronin anembanë sheshit “Skënderbej”. U mahnita kur ndërkohë pashë edhe disa policë tek përqafoheshin e hidhnin kapelet përpjetë… Ndërsa turma gëlonte rreth kërmës, e i zhvaste copëra për kujtim, e pa shqetësuar as nga uturima e një helikopteri që u vërdallos për disa minuta, ndjeva të më thërriste një zë. Ishte ish-pedagogu im, Niko Qako, me motorin e tij “Vespa”. Ai ishte dhëndër i ministrit të Mbrojtjes Prokop Murra dhe dinte shumë gjëra. “Keni shpëtuar për mrekulli, o Petro”, -tha i gëzuar dhe me bujari ma plotësoi dëshirën që të më çonte me motor tek Qyteti Studenti… kam krenarinë të them se unë jam “ai anonimi me Vespa” që dhashë lajmin e rrëzimit të bustit tek studentët. (Si e rrëzuam monumentin e diktatorit (Intervistoi B.Budina, Shekulli. – Nr. 70, 14 mars, 2005, f. 16 – 17)

Edvin Shvarc, ish-student grevist

Flamuri ishte i gjyshit tim nga nëna, Dhimitër Mima, i cili e kishte ruajtur që nga vitet 1920 kur punonte në Bankën e Shqipërisë. Ka qenë gjithmonë në një sënduk, por unë e kisha ndarë mendjen që, kur të vinte çasti i duhur, do ta nxirrja dhe ta shpalosja...  E kam sjellë në Qytetin Studenti më 10 dhjetor 1990 duke ia dhënë në dorë një shokut tonë, njërit prej atyre që kishin dalë në krye, por ai, në atë kohë nuk e gjykoi as të arsyeshme dhe as të përshtatshme, ta shndërronim në simbolin e Lëvizjes sonë. Atëherë, e çova në dhomën e shokut tim të vjetër, Mikel Dishnicës, në Godinën 6 të Filologjikut, ku e varëm jashtë, në dritare. Më pas, së bashku me Redin Hafizin e valëvitëm me krenari para mijëra qytetarëve natën e 11 dhjetorit 1990, kur u fitua pluralizmi. Më vonë, ia dhurova dhe u var në murin e selisë së parë të përkohshme të Partisë Demokratike në Godinën 15, dhe pastaj e rigjeta në duart e tjetërkujt kur hymë në Grevën e Urisë. Më duhet të them vërtetësisht se flamuri pa yll në hyrje të Godinës së Kinoklubit më 18 shkurt 1991 i përkiste familjes së Tefë Curanit dhe u soll nga Shkodra nga një tjetër shok atdhetar i yni, nga Shinasi Rama, i cili qe i pari që e puthi duke kapërcyer pragun e derës. Kurse flamuri në fjalë, që në atë pikë nuk mund të quhej më vetëm i imi, valëvitej në tarracë. Ditën e tretë të grevës ia dhashë Artur Zadrimës, i cili me atë flamur, pa yllin aq të urryer komunist, së bashku me shokët e tij montatorë dhe sindikalistë, u priu në radhët e para atyre trimave që rrëzuan shtatoren e diktatorit më 20 shkurt në sheshin ‘Skënderbeu”. (Intervistoi Valentina Madani, Gazeta Shqiptare/BalkanWeb, 21 shkurt 2016)

blank

Rajmonda Bulku, aktore

Kur kam marrë mikrofonin dhe kam dalë në ballkon, kam parë se sa e madhe ishte turma, mijëra qytetarë në pritje të lirisë. Kam ngelur si e shtangur, ishte një emocion i paparë. Pasi u bëra thirrjen, pashë se ata më dëgjuan, u bindën dhe ishin gati që të shkonim te Presidenca dhe RTSH-ja. Kaq kishin dashur, vetëm një thirrje. (Gazeta Panorama, 21 shkurt 2016)

Fatmir Merkoçi, i plagosur në ngjarjet e 20 shkurtit

Arritëm të hipim në piedestal dhe mund të kemi qenë rreth 20-30 vetë. Unë kur arrita të hip në piedesal, shpalosa një flamur pa yll, për të cilën më vjen keq se e humba atë ditë. Të gjithë njerëzit ishin aty dhe filluan të godasin përmendoren me duar pasi nuk kishim asgjë me vete. E theksoj se nuk kishin asgjë me vete, pasi dua të shuaj ato zëra që pretendojnë që rënia e monumentit të diktatorit ka qenë e parapërgatitur. Unë si protagonisti apo si udhëheqësi i kësaj demonstrate, nuk njoh asnjë njeri i cili të më ketë komanduar për në shesh për të rrëzuar monumentin e diktatorit… Le të dalë dikush dhe të thotë se unë kisha mjetet e nevojshme për të hequr pllakat. Asnjë nuk kishte litar me vete. Litari është marrë nga njerëzit mbrapa përleshjes me policinë… Njerëzit nuk ishin të përgatitur për ta rrëzuar atë monument. Dhuna, armët, zjarri që ata përdorën, ndoshta ishte shtytja më e madhe e një urrejtje për të bërë më pas dhe atë veprim që u bë. Te “Vdekja e Kalit” është një xhirim bruto. Aty shihet që e gjithë situata precipitoi në momentin kur unë isha sipër piedestalit dhe jam qëlluar me armë në kokë. Përveç goditjes, kur kam rënë poshtë ndaj meje është përdorur dhunë tej mase fizike. (Gazeta “Sot”, 2015)

blank

Gëzim Shima, ish-kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare

Kemi shkuar ne përfaqësuesit e sindikatave në Qytetin e Studentëve dhe studentët nga të mërzitur që ishin u shprehën: Shpëtuam, shpëtuam, sindikata është me ne! U hap dera dhe të vetmin person që pranuan isha unë. U thashë studentëve që të mos shqetësohen, se nuk do të ndodhë gjë, pasi ju jeni e ardhmja e kombit. Dhe nuk do lejojnë që kombin shqiptar ta lënë pa të ardhme. Më pas kemi vazhduar rrugën drejt Liceut Artistik. Ne donim të shkonim te televizioni, të jepnim një deklaratë për Ramiz Alinë, që të aprovonte kërkesat e studentëve. Por rruga ishte e rrethuar me autoblinda. Atëherë iu drejtuam qendrës. Hyrjen e parë drejt qendrës e ka bërë Kreshnik Ndreu. (Gazeta “Sot”, 31 janar 2016)

Arben Pinari, ish-student i UT

Momenti gjatë së cilës u zhvillua gjithë ajo skenë jo e organizuar, por një lëvizje spontane e qytetarëve të Tiranës, tregonte pikërisht synimin për rrëzimin e bustit të diktatorit, që për ne ishte kulminacioni i lëvizjes studentore dhe i lëvizjes mbarëkombëtare antikomuniste, sepse kjo lëvizje studentore në këtë kohë më 20 shkurt ishe përkrahur dhe nga disa greva të tjera nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke filluar që nga universitetet dhe fakultetet e tjera të Tiranës dhe nga greva e minatorëve të Valiasit, Bulqizës, etj., duke marrë kështu rrjedhën e një lëvizjeje mbarëkombëtare. (Anadolu Agency (AA), 20 shkurt 2015)

Astrit Hatellari, njeriu që e lidhi me litar statujën

Populli ishte mbledhur i gjithë. Fillimisht i dhamë statujës së diktatorit me trup. Ishim rreth 40 veta. Këtu ishim vetëm qytetarë, që nuk kërkonim asgjë, donim vetëm që të hiqnim tmerrin që i kishte mbetur këtij vendi. Hoqëm pllakat, për t’u mbrojtur, jo për shkatërrim. Nuk ka pasur organizim. Ndaluam një makinë IFA. Provuam me kavo edhe një litar në fillim. Provuan edhe të tjerë para meje. Më pas u ngjita sipër, nga mbrapa ishte dora. Në shesh kisha nusen, motrën edhe fëmijët. Ne bëmë punën tonë për të hequr hijen e madhe që ishte ngulur në këtë vend, derisa erdhi një litar tjetër dhe një kavo dhe në fund fare e tërhoqëm. (Report TV, 20 shkurt 2019)

Saimir Maloku, ish-i dënuar politik

Protestuesit e shumtë e tërheqin 3-4 herë litarin dhe ndërkaq monumenti i derdhur në bronz të diktatorit komunist lëkundet dhe bie anash në drejtim të Muzeut Historik Kombëtar. Unë dhe dy shokë ishim ndër të parët që shkuam tek koka e diktatorit duke e goditur, pështyrë dhe duke e injoruar atë në prani të gjithë protestuesve. Gjithë ai popull prej afro 100 mijë vetash, që ndodhesh tek sheshi Skënderbe, duke u përqafuar me njëri-tjetrin nga gëzimi i madh i kësaj ngjarje të papërsëritshme, filloi të brohorasë i entuziazmuar tej mase. (Intervistë nga Albert Zholi)

blank

Armand Maho, ish-gjimnazist pjesëmarrës

Nje helikopter i armatosur rëndë erdhi dy herë vërdallë mbi kokat tona, dhe më pas u largua në drejtim të jugut. Njerëzit e shanin dikatorin, e pështynin. Më ka bërë përshtypje portreti i një plaku të pafuqi që s’e di si kish ardhur deri aty, që hipi dhe ai mbi shtatoren e rrëzuar dhe vetëm shihte e lotonte. (droni.al)

Blerim Çela, ish-anëtar i kryesisë së PD-së në themelim të saj

Më 20 shkurt, unë isha në sheshin “Skënderbej”, së bashku me protestuesit e tjerë. Qëndrova atje, derisa ra busti i diktatorit dhe pastaj, shkova në ndërtesën e Partisë Demokratike dhe i thashë Sali Berishës: “Busti ra”. Ai në fillim nuk  besoi. Por, menjëherë ne hipëm në një makinë dhe u nisëm drejt Qytetit të Studentëve, ku ndodheshin grevistët e urisë.

Aleksandër Meksi, ish-anëtar i kryesisë së PD-së në themelim të saj

Në momentin që morëm vesh se turma e grumbulluar në “Qytetin Studenti” po po nisej për këndej, pra drejt sheshit, unë, Arben Imami dhe Agron Çika morëm detyrën që të shkonim dhe të mbanim të paktën një pjesë të njerëzve tek studentët, në mënyrë që të mos e linim bosh për ndonjë reagim ndaj tyre nga forcat e sigurimit apo qeveria e asaj kohe. Pasi flitej se do ndërhynin me forcë. Jemi takuar me njerëzit që shkonin drejt sheshit pikërisht aty ku është sot godina e ish-të përndjekurve politikë, dhe ngaqë na njihnin na thirrën mua dhe Arben Imamit: “Hajdeni me ne”...Ne u ndamë, unë shkova tek studentët dhe qëndrova aty derisa sa erdhi i copëtuar monumenti i diktatorit Enver Hoxha. Pra kam qëndruar atje me ta gjithë kohën me studentët dhe dërgonim  korrierë në Tiranë që të merrnim vesh se çfarë po ndodhte saktësisht. Dhe në momentin që erdhi shtatorja e diktatorit u dëgjua parulla e famshme: “e hodhëm, e hodhëm, e hodhëm qelbësirën”, parullë që buçiti në tërë Qytetin Studenti, parullë që u dëgjua së pari, qysh kur një korrier me motor erdhi dhe na informoi se ishte rrëzuar busti i diktatorit në shesh.

Fatmir Çepani, ish-operator i TVSH-së

Unë jam personi që e kam ndjekur nga fillimi deri në fund atë se çfarë ndodhi në 20 Shkurt dhe ajo protestë ka qenë e mirëorganizuar nga populli. I gjithë populli i Tiranës, nga të gjitha moshat (studentë, rinia e papunë dhe rinia në punë), mori pjesë në atë ngjarje të madhe. Njerëzit vinin nga të gjitha anët. Nga rruga Bajram Curri, nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, nga rruga e Kavajës, nga rruga e Durrësit, pra të gjitha kryqëzimet që vijnë dhe bashkohen te qendra e Tiranës. Dhe kur ka ndodhur ai moment, një orë përpara, turmat rrinin të heshtur, ndërsa kur erdhi momenti, turmat vinin si vullkan, nuk kishin të sosur… Pa frikë them sot se, në shesh atë ditë mund të ishin 100 mijë veta.

… Kur është përgatitur kronika, është bërë presion shumë i madh nga politikanët më të mëdhenj të asaj kohe, nga qeveritarët më të lartë, që ajo kronikë të mos transmetohej. Adil Çarçani dhe Ramiz Alia kanë qenë dy krerët më të lartë, dhe presioni ka ardhur nga ata. Kemi qenë në zyrën e drejtorit të televizionit, me një numër të vogël kolegësh dhe është marrë vendimi që kjo kronikë në kundërshtim me orientimin e tyre të transmetohej. Disa minuta para se të fillonte të dilte sigla e TVSH, është marrë vendimi. Ne na etiketoi Çarçani si tradhtar dhe fati ynë, i familjes, i shokëve, nuk dihej. Rriskimi ka qenë shumë i madh pasi nuk pranohej realiteti. Në orën gjashtë pa pesë është vendosur kronika.

Virgjil Kule, ish-drejtor i TVSH

Ndërkohë, kishte kaluar ora pesë pasdite dhe po afrohej orari i lajmeve të para, të orës 18.00 Tek shkëmbenim ndonjë cigare me kolegët e informacionit, ndihesha i lehtësuar. Për ta lexuar kronikën me zë jashtë kamerës, caktova Alfons Gurashin. Ai më tha se vetëm se do të përshkruante figurën, pa bërë ndonjë koment. "Dakord" i thashë, "bëje si të mundesh”. Rëndësi ka që të pasqyrohet realiteti i plotë". Në këto e sipër, më njoftojnë nga sekretaria se më kërkonin në telefon "nga lart"… Në telefon ishte vetë Ramiz Alia. Biseda më të qe e shkurtër, por shumë e tensionuar. Fillimisht, u interesua të dinte nëse vërtet e kishim kroniken të plotë. Pasi u sqarua për këtë, më "këshilloi" me ton të prerë që kronika të mos transmetohej, duke nxjerrë si arsyetim faktin se së shpejti, ndoshta që atë natë, monumenti do të rivendosej. Ndaj, sipas tij, ngjarja e dytë do anulonte të parën… Ramiz Alisë iu përgjigja me takt, duke i thënë se faktin e ditës nuk mund ta mbanim fshehur, aq më tepër që publikisht flitej për transparencë dhe objektivitet nga ana e televizionit. Nuk e zgjati, por mbylli telefonin, teksa shtoi nja dy fjali të shpejta, gati si nëpër dhëmbë… Por nuk pata kohë dhe as nuk desha të mendoja për pasojat personale. Ishte ora 6 pa dy-tre minuta. “Transmetojeni urgjentisht kronikën”, – u thashë kolegëve, që ndodheshin në zyrën time dhe që e kishin ndjekur me ankth bisedën. Zëri më doli i fortë dhe pa asnjë pikë mëdyshje. Te fytyrat e tyre pashë një shprehje çlirimi dhe kënaqësie…(Intervistoi Jakup Gjoça, Gazeta “Sot”, 20 shkurt 2014)

Armando Babani, fotograf

Sapo fillojnë njerëzit të hedhin bustin e Enverit, unë hap aparatin dhe shikoj që fillon të bjerë bateria, të më japë shenjën e baterisë. Në atë moment, fillojnë të hedhin bustin dhe unë shkrep gjithsej 7 shkrepje. Filmi mbaroi dhe bateria ra. Pra busti i Enverit është bërë gjithsej me 7 shkrepje, nga të cilat vetëm 2 janë të mira. Ato dy që unë kam qarkulluar gjithmonë: kur busti është 45 gradë (fotoja kryesore e shkrimit) dhe tjetra, kur busti sapo ka rënë në tokë dhe njerëzit... është çasti që po tentojnë të hipin sipër, por busti duket mirë. (Abc Story nga Ferdinand Dervishi, 18 shkurt, 2107)

blank

Ilia Terpini, ish-operator i Kinostudios

Në shesh xhiroja unë dhe një operator i TVSH-së, Fatmir Çepani, i cili kishte qenë duke regjistruar një aktivitet në një nga sallat e Pallatit të Kulturës. Mua më mbante mbi supe një burrë i panjohur, por që pranoi me kënaqësi që unë të filmoja mbi qafën e tij. Kur e pyeta në ishte lodhur ma ktheu: “Mos u shqetëso, unë kam bërë 15 vite burg e nuk pyes të të mbaj ty në qafë”. Unë filmova në shesh dhe në Qytetin Studenti, ku monumenti i Enver Hoxhës u çua në dy pjesë koka dhe trupi. Filmova gjithsej 300 metra. (Intervistoi: Leonard Veizi)

blank

Ali Begeja, qytetar i pranishëm në sheshin “Skëndërbej”

Më datë 20 shkurt të 91-shit, unë kam qenë në punë në Drejtorinë e Ujërave si inxhinier mekanik. Dëgjuam që në shesh janë mbledhur gjithë njerëzit, oburra, kundër regjimit. Erdha në shtëpi, mora një aparat fotografik. (Abc Story nga Ferdinand Dervishi, 18 shkurt, 2107)...Policia erdhi për të shpërndarë njerëzit, unë u fsheha që të mos më shikonin kur bëja foto. Kur po binte busti isha aty, asnjë njeri nuk e imagjinonte që do binte busti. Hipa lart në një makinë dhe kam bërë foto nga më të ndryshmet...

...në rajon më pyetën se ku kam qenë në datë 20. I thashë që isha tek busti dhe se po kthehesha nga puna. Isha i sigurt që më kishin filmuar, "po" iu thashë, por aparati m'u thye se u rrëzova te busti. Këto filma ia kam dhënë kushërirës në Francë, nuk i mbaja në shtëpi nga frika. (Erjon Skëndaj, News24/BalkanWeb, 24 shkurt 2015)

Hamdi Jupe, ish-gazetar “Zëri i popullit”

Në çast drejt vendit ku ishte monumenti i rrëzuar u sulën me dhjetëra mijëra njerëz. Nga dolën gjithë ata? Sikur mbinë nga dheu. Ishin atje, rreth sheshit, por nuk guxonin të afroheshin. Kur gjithçka mori fund, ia behën atje në ekstazë. U habita nga kjo prani e madhe e tyre në një ditë pune. (Nga libri i tij “Shënimet e gazetarit”, pjesë e botuar në gazetën “Panorama”)

Blendi Fevziu, ish-gazetar “Rilindja demokratike”

Përleshja me policinë qe e shkurtër dhe në orën 14:05 busti ra. Më pas, kokën e thyer të monumentit e tërhoqën me makinë për në Qytetin Studenti dhe deshën ta ngjisnin sipër. Rreth orës 19:30, Skënder Gjinushi dhe Ismail Ahmeti erdhën në selinë e grevës dhe sollën shkresën që Universitetit i hiqej emri Enver Hoxha, por letra nuk kishte numër protokolli dhe studentët kërkuan që ata të rrinin aty derisa të lexohej në lajmet e orës 20:00. Kur u dha njoftimi, greva u quajt zyrtarisht e mbyllur.

Po më 20 shkurt 1991, pasi ishte njoftuar rënia e statujës së Enver Hoxhës në Tiranë janë rrëzuar përmendoret e Enver Hoxhës edhe në qytete të tjera.

Vaskë Orgocka, ish-i dënuar politik, Korçë

Në rrugët e Korçës, po përgatitej, filluan lëvizjet, filluan demostratat, filluan protestat. Edhe erdhi momenti që do të rrëzohej monumenti i Enver Hoxhës. Megjithëse i moshuar, pa forcë, desha të vendosja edhe unë pak dorën, ta rrëzoja këtë monument, këtë njeri, këtë si persekutori kryesor të shqiptarëve. Nuk arrita dot. Ishin të rinjtë që shtyheshin atje, që u ngjeshën të tërë pas atyre dhe ishte e pamundur që të afrohesha. Edhe dola nga vendi që ishte monumenti, dola këtu përballë ku ishte ish-Komiteti i Partisë, në ato trotuaret atje dhe po rrija, po shikoja. Në momentin që u rrëzua monumenti, të tërë bërtitën, të tërë u gëzuan, mua më kaluan lot, më dolën lot. Mirëpo atje ku qëndroja, nuk i kisha vënë re nja dy të rinj edhe ata e deshën atë punë. Kur më panë që unë po lotoja, më thanë: “E mo xhaxha të erdhi keq, se të ra babai nga froni?”. Ata nuk e kuptonin me kë kishin të bënin edhe nuk e kuptonin pse më dolën ato lot. Ata ishin vërtet lot gëzimi. (kujto.al/ nga arkiva e familjes Doko)

Maksim Rakipaj, ish-i dënuar politik, Durrës

Në dhjetor ’90, qe krijuar Partia Demokratike. Shkoja përditë në selinë e saj. Na lajmëruan për një miting, që duhet të mbahej po atë ditë, më 20 shkurt ’91, në orën 16.00, para PTT-së në Durrës, organizuar nga sindikatat, PD-ja, PR-ja, etj…

Autobuzi Shkozet-Durrës, plot e përplot…Njerëzit janë mbledhur, të zhurmshëm dhe të eksituar prej lajmeve, që vinë nga Tirana. Presin me padurim fjalën e krerëve lokalë të PD-së, PR-së dhe sindikalistëve. Të gjithë krerët që flasin, përsëritin fjalët e njeri-tjetrit: “Ne distancohemi nga të gjitha veprimet vandaliste, që kanë ndodhur në Tiranë…”!…Pëshpëritet gojë-më-gojë, se ky qëndrim, qenka porosi e krerëve opozitarë nga Tirana. Mos more! Ku ishe, hiç-gjëkundi! Pse, prapë do vazhdojmë me parullën e atij, që i hoqën zvarrë bustin nëpër Tiranë: “Ç’thotë partia, bën populli”?! Dua të shkoj te mikrofonat, por është e pamundur të afrohesh; policia e padukshme, nuk le njeri të afrohet aty. Filloj të bërtas me sa fuqi kam: – “Ju distancohuni sa të doni! Ne distancohemi prej jush! Ne jemi me ata që rrëzuan Dullën në Tiranë”! Nga krahu i djathtë disa gjimnazistë tentojnë të më ngrenë në krahë. Thirrja: “Te porti, të rrëzojmë Dullën”! shumëfishohet nga zërat e mijëra njerëzve…! Fillon marshimi drejt portit: njerëzit nga ballkonet, flakin librat e vampirit në flakë. Dy ushtarët që e ruanin, ia mbathin vrapit, sapo turma afrohet nja 200-300 metra. Ditë e paharruar. E rrëzuam kështu edhe në Durrës, Dullën. (Nga libri i tij “I mbijetuar” )

Kujto.al sjell në vëmendje që 20 shkurti është shpallur Dita e Kujtesës Kombëtare për Martirët dhe Viktimat e Regjimit Komunist.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here