I burgosur politik. Lindur në një familje që kishte ndihmuar luftën nacionalçlirimtare. I ati ishte plagosur dy herë në luftë, por me ardhjen e regjimit komunist, dy nga xhaxhallarët u dënuan, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976, i ati u përjashtua nga partia me motivacionin "Ka zbutur luftën e klasave, ka ndihmuar në vazhdimësi elementë me biografi të keqe. Për këtë gjë ka ndikuar edhe prejardhja familjare e Xhafer Rakipajt".

Maksimi punonte oficer anijeje dhe pas disa arrestimeve të punonjësve të anijeve të ndryshme për "kontrabandë të cilësuar", i erdhi radha dhe anijes së tyre. U arrestua në vitin 1977. Në grupin e Maksimit, ishte edhe djali i vëllait të Hysni Kapos, Aladin Kapo. Maksimi u dënua me 15 vjet heqje lirie, 5 vjet heqje të të drejtave elektorale dhe heqja e urdhrit "Për trimëri civile", që iu dha kur u mbyt anija "Tomorri".

Fillimisht e dërguan në burgun e Ballshit.

Në vitin 1979, kur mbushte 28 vjeç, u transferua nga Ballshi në Spaç, ku punoi në minierë. Më pas, e çuan në Qafë-Bari, ku vazhdoi punën si minator.

Pas rrëzimit të regjimit komunist, Maksimi punoi për disa kohë në Bashkinë e Durrësit. Ka përkthyer disa vepra letrare. Ka shkruajtur librin me kujtime nga vitet e burgut, "Gjallë pas mbytjes së anijes", 2014, botim i ISKK, ribotuar në vitin 2018 nga "2 Lindje & 2 Perëndime" me titull  "I mbijetuar (Gjallë pas mbytjes së anijes)".

Jeton në Itali.

Burimi: "I mbijetuar", Maksim Rakipaj
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.