Klerik i lartë mysliman, kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar (1942- 1945). Lindi në qytetin e Dibrës së Madhe, në tetor të vitit 1877. Mësimet e para i mori në medresenë e qytetit dhe u caktua imam i një lagjeje të qytetit. Mori pjesë në Kuvendin e madh të Dibrës të 27 shkurtit 1899. Pas mbarimit të medresesë, vazhdoi gjimnazin në Manastir e, më 1904, filloi teologjinë në Stamboll. Në dhjetor 1908 formon klubin «Bashkimi» të Dibrës. Si kryetar i këshillit administrativ të klubit, së bashku me aktivistë të tjerë, si Kadri Fishta, Riza Rusi, Eqerem Cami, Ibrahim Xhidri, Abdullah Tërshana dhe Ibrahim Jegeni zhvilloi një aktivitet të dendur në dobi të çështjes kombëtare. Krahas përpjekjeve të vazhdueshme për shkollë shqipe, së bashku me aktivistë të tjerë luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e Kongresit të Dibrës të 23 korrikut 1909. Në fund të qershorit 1910, Turgut Pasha, pasi kishte shtypur qëndresën në qytet, u fut në zyrat e klubit «Bashkimi» dhe rrëmbeu të gjitha dokumentet. Por edhe pas kësaj, «Prifti latin», siç e cilësoi ai Langun, nuk reshti së punuari në dobi të atdheut. Duke parë te Hafiz Sherifi një atdhetar të flaktë, me dhënien e lejes për shkollë shqipe, qytetarët e zgjodhën unanimisht. Në fund të qershorit të vitit 1912, së bashku me Eqerem Camin, Ismail Strazimirin, Tajar Tetovën, Ramadan Camin, Sulejman Shehun e Zerqanit e të tjerë, merr pjesë në kryengritjen, që çoi në çlirimin e Dibrës. Me personalitetin e tij fetar, patriotik dhe si luftëtar e udhëheqës popullor, ai tashmë ishte bërë figura më e dashur në mbarë Dibrën. Është kjo arsyeja që së bashku me Haxhi Vehbi Agollin u zgjodhën përfaqësues të saj për në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Për arsye se gjatë rrugës ka hasur çetat e kaçakëve dhe i është dashur të luftojë ka mbërritur me vonesë.

Me pushtimin e viseve të Dibrës dhe Elbasanit nga serbët, u nis nga Vlora për të organizuar qëndresë. Autoritetet serbe e arrestuan, por, përballë presionit të popullit, pas disa kohësh, u detyruan ta lirojnë. Në Elbasan u fut në lidhje me Aqif Pashë Elbasanin, me të cilin pati një bashkëpunim të vazhdueshëm. Duke ruajtur lidhjet me Qeverinë të Përkohshme të Vlorës, në krye të një komisioni të përbërë nga Tajar Tetova, Haki Ismail Peqini e Ahmet Dakli, ndërmori disa herë misione në viset e Dibrës për të ngritur pushtetin lokal. Nga fundi i vitit 1913 deri më 1917 kreu detyrën e kadiut (gjyqtarit) në viset e Dibrës që mbetën në Shqipëri. Pastaj u kthye në qytetin e Dibrës, ku nga viti 1920 gjer në vitin 1938 kreu detyrën e imamit dhe, në disa raste, të kadiut. Nga viti 1938 gjer në prill 1941 kreu detyrën e kryetarit të Këshillit të Ulemave në Shkup. Që këtu, duke e ndjerë rrezikun që i kanosej, u largua për në Tiranë, ku më 1942 u ngarkua me detyrën e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. U arrestua në janar të vitit 1945, ndërsa po jepte mësim në Medresenë e Tiranës. U akuzua si bashkëpuntor i Ballit Kombëtar e Legalitetit, si mik i ngushtë i Rexhep Mitrovicës dhe Lef Nosit dhe si sabotues i lëvizjes nacionalçlirimtare. Në gjyq u mbrojt vetë, pa avokat. U dënua së pari me burgim të përjetshëm e, pastaj, me 25 vjet heqje lirie. U lirua më 1952. Vdiq më 9 mars të vitit 1956. "Lidhja e historianëve shqiptarë dibranë, Dibra dhe etnokultura e saj", II, Dibër, 1995; Eugen Shehu, "Hafiz Sherif Langu: shqyptarizma për fe e për atdhe!".

Burimi: AISKK, F. 1, V. 2016, D. 45, f. 74-75.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.