Teolog, kadi, myfti, drejtor i përgjithshëm i Vakëfeve (1916), senator, Kryetar i Këshillit Kombëtar (1920), deputet, Kryetar i Lëvizjes së Legalitetit (1943). Lindi në Shkodër, më 1 mars të vitit 1889 (burime të tjera japin vitlindjen 1887). Arsimin fillor e të mesëm e kreu në qytetin e lindjes, kurse studimet e larta për teologji e jurisprudencë në Stamboll. Pas përfundimit të studimeve, shërbeu si kadi në Shkodër. Më 1916 u zgjodh drejtor i përgjithshëm i Vakëfeve. Nga 27 marsi deri më 25 maj 1920 (sesioni i parë) ushtroi funksionet e Kryetarit të Këshillit Kombëtar (Senatit), që doli nga Kongresi i Lushnjës. Gjatë kohës së Mbretërisë, u zgjodh deputet i Shkodrës në Legjislaturën III (10 shkurt 1937-prill 1939). Me filliminin e luftës, u internua si anti-italian në Ceresara të Mantovës, ku u mbajt deri më 1942. Pas kthimit, u përfshi në çetat legaliste. Në nëtor 1943, në mbledhjen e  Zall Herrit, u zgjodh Kryetar i Lëvizjes së Legalitetit. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, qëndroi i fshehur gjer më 1946. Gjatë viteve 1945-1946, iu konfiskua pasuria, kurse familja iu internua në Berat. U dorëzua me shpalljen e amnistisë. U arrestua më 7 tetor 1946 dhe me vendim nr. 218, datë 23 qershor 1947, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e deklaroi fajtor për "pjesëmarrje në organizatë e cila ushtronte aktivitet kundër pushtetit popullor» dhe për "agjitacion e propagandë kundër pushtetit", dhe e dënoi me burgim të përjetshëm me punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile-politike për jetë dhe konfiskimin e pasurisë së tundshme e të patundshme. Njohu shumë prej kampeve të punës së detyruar në të gjithë vendin. Vdiq në vitin 1955, në burgun e Burrelit. Është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin "Për Veprimtari Patriotike të Klasit I" (me rastin e 75-vjetorit të Kongresit të Lushnjës), si dhe me medaljen «Pishtar i Demokracisë».

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (Tiranë: ISKK, 2016), 7
Burimi: 100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame (Shekulli XIX-XX), Komuniteti Mysliman Shqiptar, Tiranë 2012, f. 287-291; Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005, përgatiti Diana Estrefi, Republika e Shqipërisë, Kuvendi, Tiranë 2005; F. 1, Viti 2017, D. 98, f. 785-786.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.