Haziz Sharra, luftëtari antifashist që komunistët e vranë “për arsye gangsterizmi”

0
2
blank

Më 8 tetor 1943, komunistët vranë, me atentat, Haziz Sharrën. Këtu nisi lufta vëllavrasëse në Shqipëri. Këtu nisi edhe përndjekja e komunistëve ndaj familjes së njohur vlonjate Sharra, e cila gjatë gjithë diktaturës përjetoi vrasje, burgime, internime dhe sekuestrime. Dhe ndërsa në trakte dhe akt-akuza cilësoheshin si armiq, e vërteta ishte se ata u përndoqën thjesht për motive politike.

 

Haziz Sharra ishte bir i familjes së njohur vlonjate e cila kishte kontribuar me gjithçka për çështjen kombëtare. Katër vëllezërit Sharra jo vetëm kishin qenë në ballë të kryengritjeve kundër pushtuesve osmanë dhe kishin vënë në dispozicion pasurinë për të mbështetur shpalljen e pavarësisë, por vëllai i vogël, Ceno Sharra kishte rënë dëshmor në vitin 1914 në luftë kundër kryengritësve të Haxhi Qamilit, që donin të kthenin pushtetin e sulltanit në Shqipëri.

Kur Shqipëria u përball me pushtuesit e rinj fashistë dhe nazistë, në familjen Sharra ishte rritur një brez tjetër, por i mbrujtur me të njëjtën atdhedashuri. Hazizi ishte djali i dytë Muço Sharrës, njërit prej katër vëllezerve Sharra. Ai doli hapur kundër pushtuesve që prej fillimit duke marrë pjesë në protesta dhe në luftime të armatosura. Por jo shumë larg nga kjo kohë, familja Sharra, nga një familje në zë për kontributin e saj, u kthye në një familje të goditur egërsisht nga regjimi komunist. Hazizi ishte viktima e parë e kësaj familjeje nga dora e komunistëve. Ai u vra me atentat në 8 tetor 1943, për t’i hapur rrugë siç është shprehur historiani Uran Butka “luftës civile në Vlorë dhe në Shqipëri” sepse forcat e Ballit morën hak dhe komunistët vazhduan me vrasje të tjera.

Sigurisht që komunistët e paraqitën krimin si vrasjen e një tradhtari, por faktet edhe këtë herë e përgënjeshtrojnë propagandën e tyre. Enver Memishaj në librin “Hazis Sharra- Luftëtari antifashist që ra nga plumbat e komunistëve”, botim i ISKK ka sjellë prova dokumentare dhe dëshmi që hedhin poshtë akuzat e komunistëve ndaj Haziz Sharrës.

Memishaj përcjell përmbajtjen e një dokumenti të ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit, ku Sekretari Organizativ i Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste të Vlorës, Manush Myftiu, shkruan se Haziz Sharrën e vranë “për arsye gangsterizmi”.

Saktësisht, siç përcillet në librin “Hazis Sharra- Luftëtari antifashist që ra nga plumbat e komunistëve”, në dokument shkruhet:

"Në luftën e Drashovicës ballistët duke parë këtë gjendje deshën t'i paraqiteshin popullit si luftëtarë dhe dërguan atje ku ishim ne një çetë prej 70 vetash. Ne duke kuptuar këtë gjë nuk i pranuam në luftë... Fundi i luftës së Drshovicës i gjeti çetat e ballit pothuajse të gjitha në Vlorë... Javën e kaluar ballistët e Vlorës bënë një pastrim në qytetin e Vlorës..., për t'u hakmarrë për vrasjen e një ballisti Hazis Sharrës, vrasje të cilën ne e bëmë për arsye gagsterizmi. Janë arrestuar 150 vetë në Vlorë nga të cilët 64 u internuan dhe pjesa tjetër u lirue... Mbas kësaj gjendja jonë me Ballin është acaruar shumë... Kanë filluar pritat dhe vrasjet. Kanë atentuar kundër simpatizantëve tanë, njeri prej të cilëve është vrarë. Gjithashtu edhe ne kemi pushkatuar ballista të rrezikshëm dhe jemi në ndjekje të krerëve të tyre si dhe të zhdukjesh të çetave të tyre. Nga ndjekjet e fundit në Vlorë janë arrestuar dy shokë.

Partia Socialdemokrate me kryetar Skënder Muçon ka patur një mbledhje këtu dhe akoma s'kanë filluar të hapen ndërsa ne kemi filluar demaskimin.

Vlorë më 19.10.1943 Për Komitetin qarkor të Vlorës

Sekretari Organizativ" (AQSH, F. 18, V. 1943, D. 4, f. 3)

blank

Deklaratat e Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar për vrasjen e Haziz Sharrës

Autori Memishaj vë përballë në librin e tij, komunikatën e jashtëzakonshme të hedhur në qarkullim nga partia komuniste ditën e vrasjes së Haziz Sharrës dhe traktin e Ballit Kombëtar dy ditë më vonë, për të njëjtën ngjarje.

Në të parën, rreshtohen fyerje dhe akuza të përgjitshme për bashkëpunim me okupatorin dhe më pas kalohet te Haziz Sharra për të cilin thuhet: "Një nga elementët që me frikësime dhe dallavere, me kusari dhe tradhti janë munduar ta mohojnë gjakun e bijëve të tu, ta përçajnë luftën tonë dhe të përfitojnë prej gjakut të derdhur nga të tjerë qe edhe Azis Sharra, të cilin ti e njeh fare mirë dhe sidomos e dallove këto ditët e fundit. Por më mirë akoma e njohin katundarët ku ai jetonte gjoja si ilegal. Pesha e rëndë e drejtësisë ra mbi të, do të bjerë edhe mbi të gjith kusarët, tradhtarët, spiunët, dallaveraxhinjtë dhe bashkëpuntorët e okupatorit”.

Ndërsa Balli Kombëtar shkruan: “Haziz Sharra ishte një nga të rinjtë më të fortë, më të vendosur dhe më trim të Vlorës. Vullnetar qysh nga ditët e para të aksioneve kundra armikut pushtonjës, kishte lënë shtëpinë dhe të dashurit e tij, kishte hedhur pushkën në krahë dhe nëpër malet kreshnike të qarkut tonë kishte luftuar trimërisht kundra ushtrisë italjane. Në Mifol, në aksionin e madh që çeta e Ballit Kombëtar e Topalltisë kreu për çarmatimin e armikut, luftoi si luan në vijën e zjarrit për nëntë orë rresht. Zemër pastër, sy patrëmbur, Hazizi kishte përqafuar idealin kombëtar me dashuri përvëlonjëse.”

Përgënjeshtrimi i akuzave të komunistëve për Haziz Sharrën

Memishaj argumenton në libër mbi falsitetin e akuzave të komunistëve mbështetur në dokumente dhe dëshmi të bashkëluftëtarëve të Haziz Sharrës.

Akuza e bashkëpunimit me okupatorin rrëzohet duke përmendur faktin se Haziz Sharra figuron në listat e pushtuesve italianë si person i rrezikshëm. Ai mori pjesë në demonstratën e 28 nëntorit 1941 në Vlorë dhe në 9 mars 1942, në grevën për mungesën e bukës. Ndërkohë, sipas autorit, nuk mund të mendohet se brenda një muaji nga ardhja e pushtuesve gjermanë në Shqipëri, ky i ri 27-vjeçar, kishte krijuar lidhje bashkëpunimi me ta.

blank
Foto e përmbajtjes së dokumentit të Shërbimit Sekret Italian në Arkivin Qendror të Shqipërisë, ku Haziz Sharra kryeson "listën e personave që kujtohen të rrezikshëm", ku përmendet si pjesëmarrja e tij në demonstratën e 28 nëntorit 1941 dhe nxitja që u bëri fshatarëve të ardhur në Vlorë për shpërndarjen e misrit, që të protestonin kundër regjimit dhe autoriteteve

Nga ana tjetër, në libër përmenden dëshmitë e personave që kishin luftuar kundër pushtuesit krah Haziz Sharrës, siç ishte Petrit Velo. Sipas burimeve të Ballit Kombëtar, Haziz Sharra i cili në fund të vitit 1943 u zgjodh komandant i Rinisë së Ballit, luftoi kundër pushtuesve në disa beteja si në Mavrovë, Vodicë, Drashovicë, Kropisht, Peshkëpi, LLogara, Qafë-Bestrovë, Llakatund, Risili etj.. Por faktin që Hazizi i luftoi pushtuesit, e pranojnë edhe vetë komunistët në disa raste. Ata vetë e shkruajnë në komunikatën për vrasjen e tij se ai kishte dalë “gjoja ilegal”. Gjithashtu në libër përmenden deklaratat e kolonelit komunist Istref Mustafaraj, botuar në shtypin shqiptar në vitet e pluralizmit, ku ai shprehet se Haziz Sharrën e njihte që prej prillit 1939, kur bashkë me të tjerë, kishin shkuar për të kërkuar armë për të luftuar në Bestrovë.

Po ky Mustafaraj ishte një nga personat e ngarkuar për të vrarë me atentat Haziz Sharrën dhe ai ka treguar se vendimi për vrasjen e Haziz u mor në fillim të tetorit në një mbledhje të qarkorit komunist të Vlorës, ku u diskutua se kush duhej të vritej: Kudret Kokoshi apo Haziz Sharra dhe u vendos për Sharrën nga frika se po të ndodhte e kundërta, Sharra do të hakmerrej, ndërsa Kokoshi, “e shumta do të shkruante disa poezi” (Komunistët e parashikuan saktë reagimin e Kudret Kokoshit, i cili i kushtoi poemën "I përpjekuri" Haziz Sharrës).

blank
Poema "I përpjekuri" e gjetur në dorëshkrim, nuk ka emër autori, por Memishaj, duke krahasuar shkrimin e saj me traktet e Kudret Kokoshit, del në përfundimit se autori është Kokoshi.
blank
Pjesë nga poema kushtuar Haziz Sharrës

Nisur nga këto të dhëna, autori Memishaj shkruan se Sharra u zgjodh për t’u eliminuar nga komunistët pasi me vetitë e dallueshme fizike, trimërinë dhe energjinë, kishte fituar prestigj dhe autoritet në sytë e vlonjatëve si luftëtar antifashisht. Kjo e bënte një armik të rrezikshëm për komunistët. Njëjtë si për fashistët, dikur.

Shënim: Të dhënat dhe fotot, marrë nga libri “Hazis Sharra- Luftëtari antifashist që ra nga plumbat e komunistëve”, me autor Enver Memishaj, botim i Institutit i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), Tiranë 2020.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here