Për thuajse 30 vjet, instalohet pranë minierës së Bulqizës, kampi ku punohej për nxjerrjen e mineralit të kromit. Të dënuarve politikë u lihej puna më e rëndë. Nga viti 1954 deri në vitin 1982 në këtë repart kanë vdekur nga aksidentet 81 të burgosur.

Dëshmia Tanush Kaso: "Nga ashpërsia e klimës, vështirësitë e punës dhe trajtimi çnjerëzor që u bëhej të burgosurve, të cilët punonin ditë e natë me tre turne, ajo minierë ishte bërë një tmerr, një ferr i vërtetë, aq sa emri i saj përdorej nga Sigurimi i Shtetit për të trembur njerëzit. “Kujdes”! – i thonin ata ndonjë personi të padëshiruar, mund të të çojmë në Bulqizë…”. Të tjerat kuptohen vetë. Ka pasur mjaft raste vrasjesh e vetëvrasjesh, si dhe aksidente në punë. Disa i ka zhdukur vetë Sigurimi i Shtetit në thellësitë dhe humnerat e nëntokës, pa asnjë dëshmitar okular. Aty në atë kamp kanë ndodhur edhe shembje të mëdha, që kanë zënë dhjetra njerëz, e për të cilat shtypi dhe radioja e asaj kohe, mbanin heshtje të plotë, pasi ato aksidente konsideroheshin si “sekret shtetëror”. Më shumë humbje njerëzish ka patur nga të burgosurit ordinerë. Trupat e shumë të vdekurve nuk kanë mundur t’i varrosin familjen e tyre, disa as që janë gjendur dot. Fëmijët e tyre nuk kanë marrë kurrfarë dëmshpërblimi ose pensioni, siç e përcaktojnë konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Janë bërë disa përpjekje të dëshpëruara për të shpëtuar nga ai ferr, për t’u arratisur që andej. Por gjatë 50 viteve, fare pak të burgosur kanë mundur ta kalojnë kufirin. Disa janë kapur e ridënuar, të tjerë kanë mbetur të vrarë nga plumbat e rojeve e të ndjekësve."

 

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.