Vëllai i Kadri Cakranit, Vasfi Cakrani u dënua tri herë nga regjimi komunist

0
1
blank

Regjimi komunist e zhvillonte luftën e klasave në front të gjerë. Mjaftonte lidhja biografike me elementin e përcaktuar kundërshtar i regjimit dhe pasojat do të binin mbi cilindo. Historia e Vasfi Hajredin Cakranit (1910-1983) është e dhimbshme. Lindur në Cakran. Diplomuar për drejtësi e histori në Francë, kaloi një jetë të mundimshme me dënime me burg dhe persekutime, duke iu kujtuar vazhdimisht se ishte vëllai i Kadri Cakranit.

Kadri Cakrani ishte një nga themeluesit dhe komandantët e forcave të Ballit Kombëtar, që bashkë me krerë të tjerë të Ballit ishte larguar nga Shqipëria në shtator 1944. Por regjimi komunist do të hakmerrej rëndë me të vëllanë. Vasfi Cakranin e arrestuan për herë të parë në vitin 1946 dhe nuk e lanë të qetë deri nga fundi i jetës. Në vitin 1977, kur ishte 67 vjeç, propozohej të internohej pasi infektonte rininë duke u mësuar një gjuhë të huaj, italishten. Më 3.8.1983 ndërroi jetë në azilin e pleqve në Fier në moshën 73-vjeçare.

Dënimi i parë

U arrestua më 16.11.1946. U përfshi në një proces së bashku me shtetasit: Iljaz Cakrani, Isuf Peshkëpia, Qani Cakrani, Duro Qadhimi, Rasim Hoxha, Karafil Veleshnja, Sahit Koprencka, Neki Peshtani. U akuzuan në bazë të neneve 2, 3, 14 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946. Gjykata Ushtarake Vlorë, me vendimin nr.500, datë 18.12.1947, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 3 vjet privim lirie, konfiskim të pasurisë, punë të detyruar dhe heqjen e të drejtave politike e qytetare baras me kohën e dënimit. U lirua më në vitin 1949. Data e saktë mungon.

Dënimi i dytë

U arrestua më 25.4.1950. U përfshi në një proces së bashku me shtetasit: Shyqyri Samunda, Kristaq Tavanxhiu, Ali Tusha, Anastas Koroveshi, Spiro Pisha. U akuzuan në bazë nenit 3/7 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 dhe nenit 15 ligjit nr.373, datë 12.12.1946, si pjesëtarë të një organizate që kishin pasur “program të gjerë armik”. Gjykata Ushtarake Gjirokastër, me vendimin nr.202, datë 16.9.1950 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet privim lirie dhe humbjen e të drejtave politike e qytetare. U la në fuqi me vendimin nr.73, datë 9.3.1951 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

Dënimi i tretë

U arrestua më 13.9.1960. U akuzua në bazë të nenit 73/1 për agjitacion e propagandë. U përfshi në një proces me Hysen Vrionin. Gjykata e Qarkut Vlorë, Dega Berat, me vendimin nr.2, datë 13.1.1961, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë (nuk i kish ngelur gjë) dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr. (i palexueshëm), datë 21.2.1961 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 25.5.1969 nga Reparti nr.321 Burrel.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here