Lindi më 1878, në Gjirokastër. Arrestuar më 29 janar 1945. Më 2 shtator 1945, me vendim nr. 55, Gjykata Ushtarake Fier e dënoi “se si armik i popullit ka kryer këto faje: ka bashkëpunuar me anë të milicisë fashiste për të zhdukur Petro Sotën, ashtu siç u zhduk dhe këtë krim e ka bërë për të lehtësuar pozitën e tij për të shmangur pasojat për vajzën që ishte partizane,” me 5 vjet burg, konfiskim pasurie dhe humbjen e të drejtave për aq kohë. Më 18 dhjetor 1947, me vendim nr. 500, Gjykata Ushtarake Vlorë e dënoi “se ka qenë anëtar i grupit reaksionar të Muhamet Hoxhës, ka marrë pjesë në mbledhjet e fshehta, kanë marrë vendime, kanë bërë propagandë kundra pushtetit, ka sabotuar ligjet e Reformës”, me 3 vjet burg, konfiskim pasurie dhe punë të detyruar. U lirua më 1949. Pasuria e tij u sekuestrua dy herë. Më 7 qershor 1945, me vendim nr. 52, Komiteti Ekzekutiv i Nën-prefekturës së Fierit, vendosi «sekuestrimin e pasurisë së tundshme e të patundshme, të reaksionarit», Rasim Hoxha. Më 11 nëntor 1947, me vendim nr. 144, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Fierit urdhëroi «sekuestrimin e gjithë pasurisë të tundshme dhe të patundëshme të “armikut të popullit” Rasim Hoxha nga Gjirokastra».

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist III (Tiranë: ISKK, 2014), 273.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.