Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve vijon me ritme të ngadalta: dosje të bllokuara, mijëra në pritje

0
1
blank

Procesi i dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve vazhdon të përballet me pengesa, pavarësisht ndryshimeve të miratuara nga qeveria, gjatë muajit maj, që synojnë ta përshpejtojnë atë. Kujto.al u kërkoi institucioneve përgjegjëse të dhënat e fundit mbi procesin, për të zbuluar se ritmi mbetet pothuajse i pandryshuar, asnjë dosje e re nuk ka kaluar për miratim dhe mbi 10 mijë dosje të miratuara, presin ende pagesat, përfshirë edhe disa ish-të burgosur gjallë.

 

 

Një vit pas investigimit të kujto.al mbi dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, procesi vijon të mbetet i ngadaltë. Shqyrtimi i dosjeve të reja ka ngecur, pagesat për dosjet e miratuara ecin me ritme të ulëta, ndërsa një pjesë e ish-të përndjekurve vazhdojnë të mbeten jashtë skemës së parashikuar nga ligji.

Ministria e Drejtësisë konfirmon, në një përgjigje me shkrim për kujto.al, se prej të paktën 14 muajsh nuk ka marrë në shqyrtim asnjë dosje të re. Ndërkohë, Ministria e Financave bën të ditur se gjatë këtij viti janë dëmshpërblyer plotësisht vetëm 35 dosje, ndërsa mbi 10 mijë të tjera vazhdojnë të jenë në pritje.

Qeveria ka ndryshuar skemën e dëmshpërblimit me synimin për të përshpejtuar procesin, duke parashikuar likuidimin e rreth 60 për qind të dosjeve brenda 4-5 viteve të ardhshme. Megjithatë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar më herët se, me ritmin aktual të zbatimit, përfundimi i procesit do të kërkonte edhe 27 vjet.

 

14 muaj, asnjë dosje e re e shqyrtuar

Në pranverën e vitit 2025, në kuadër të një investigimi të mbështetur nga BIRN dhe të publikuar në korrik të atij viti, kujto.al mblodhi të dhëna nga institucionet përgjegjëse dhe dëshmi nga ish-të përndjekurit politikë mbi procesin e dëmshpërblimit.

Të dhënat e siguruara nga Ministria e Drejtësisë në korrik 2026 tregojnë se situata ka mbetur e njëjtë me atë të para 14-15 muajve. Sipas ministrisë, 728 dosje të dorëzuara brenda afatit ligjor të 1 korrikut 2009 vijojnë të jenë në proces shqyrtimi dhe verifikimi.

MD i ka shpjeguar më herët vonesat me probleme të ndryshme, përfshirë saktësimin e të dhënave, mungesën e dokumentacionit nga kërkuesit dhe verifikimet me institucionet e tjera. Megjithatë, ligji "Për Dëmshpërblimin" përcakton afate prej 10, 30 ose 35 ditësh për fazat e verifikimit. Për më shumë se një vit nuk është përfunduar verifikimi i asnjë dosjeje dhe deri në publikimin e këtij shkrimi, kujto.al nuk ka marrë një shpjegim nga Ministria e Drejtësisë për këtë ngecje.

Edhe shqyrtimi i dosjeve të dorëzuara pas 1 korrikut 2009 dhe deri më 31 dhjetor 2017 nuk ka nisur. Ndryshimet ligjore të vitit 2017 u dhanë mundësi ish-të burgosurve politikë që ishin ende gjallë, por që nuk kishin aplikuar gjatë fazës së parë, të dorëzonin dokumentacionin.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, gjatë kësaj periudhe u depozituan 3036 kërkesa. Megjithatë, duhen ndryshime të tjera ligjore që të nisë shqyrtimi i tyre. Vitin e kaluar, MD njoftoi se procedura për këto ndryshime kishte nisur, ndërsa këtë vit, nuk dha informacion mbi fazën ku ndodhet procesi.

Mbi 10 mijë dosje në pritje, qeveria ndryshon skemën për përshpejtimin e procesit

Për dosjet e miratuara, vonesat vijojnë në fazën e pagesave. Ministria e Financave informoi kujto.al se gjatë 14 muajve të fundit janë likuiduar plotësisht 35 dosje. Me këtë shtesë, numri total i dosjeve që kanë përfituar të plotë dëmshpërblimin ka arritur në 2605, por ndryshimi është aq i vogël sa përqindja mbetet e njëjtë me atë të raportuar vitin e kaluar. Numri i dosjeve të likuiduara është rreth 19 për qind e dosjeve të miratuara dhe vetëm 6 për qind e numrit total të ish-të përndjekurve në Shqipëri.

Ndërkohë, më shumë se 10 mijë e 300 dosje presin ende këstin e radhës. Mes tyre janë edhe 10 ish-të burgosur politikë të gjallë, të cilët e kanë dorëzuar dosjen para 1 korrikut 2009.

Sipas Ministrisë së Financave, deri më 30 qershor 2026 është shpërndarë 51 për qind e fondit total prej mbi 52.6 miliardë lekësh të parashikuar për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Vitet e fundit, përqindje e fondit të shpërndarë është rritur me rreth 2% çdo vit. Për vitin 2026, janë caktuar 1.5 miliardë lekë, ose 7 për qind më shumë se një vit më parë dhe deri tani janë shpërndarë rreth 60 % e këtij fondi.

2026          1,500,000,000 895,131.485.00 lekë 8,716 individë
2025          1,400,000,000 1,399,456,190.92 lekë 11,611 individë
2024          1,200,000,000 1,059,093,684.70 lekë 9, 598 individë
2023          1,100,000,000 1,099,955,768.81 lekë 8, 362 individë
2022          1,000,000,000 997,784,945.00 lekë 8,767 individë
2021          1,000,000,000 914,844,985.64 lekë 8, 381 individë
  Totali 6,366,267,060.07 54,835 individë

Burimi: Ministria e Financave

 

Për familjarët e ish-të dënuarve politikë, është çelur kësti i pestë i dëmshpërblimit, gushtin e kaluar, por jo të gjithë përfituesit ndodhen në të njëjtën fazë. E bija e një ish-të burgosuri politik, u tha gazetarëve të Kujto, në nëntor se ende nuk kishte tërhequr këstin e katërt. Qytetarët mbeten të pakënaqur edhe me ritmin e procesit. Njoftimi për çeljen e këstit të pestë në faqen zyrtare të Facebook-ut të Ministrisë së Financave, është komentuar me ankesa nga familjarët e ish-të përndjekurve.  “Quhem Kadri, jam 81 vjeç. Kur do ta marr këstin e pestë, kur të vdes?”, shkruan një prej tyre.

Ndryshimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave në maj 2026 synojnë përshpejtimin e pagesave. Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se u hoq kushti i ndarjes së dëmshpërblimit në 8 këste të barabarta dhe se vlerat deri në 1 milion lekë do të likuidohen të plota me këstin e radhës.

Sipas ministrit Malaj, ndryshimet do të ulin intervalin mes kësteve nga 4 vjet aktualisht në maksimumi 2 vjet e gjysmë dhe do të mundësojnë likuidimin e rreth 6 mijë dosjeve nga mbi 10 300 që janë ende në proces, brenda 4-5 viteve të ardhshme.

Asnjë derë e hapur për të mbeturit jashtë skemës

Për ish-të përndjekurit që nuk kanë arritur të dorëzojnë dosjet brenda afateve ligjore, situata mbetet e pandryshuar prej vitesh. Kur dërgojnë dokumentacionin, kërkesat nuk iu pranohen dhe u mbetet vetëm të presin një ndryshim të ligjit dhe hapjen e një afati të ri aplikimi.

Në qershor të këtij viti, Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut rrëzoi nismën e deputetes së Partisë Demokratike, Greta Bardeli, e cila propozoi një projektligj që do t'u jepte mundësi ish-të përndjekurve të dorëzonin dokumentet deri në fund të këtij viti.

Ligji në fuqi "Për Dëmshpërblimin" nuk u njeh të drejtën e kompensimit financiar as familjarëve të viktimave të vrara para 30 nëntorit 1944. Jashtë skemës mbeten gjithashtu personat e dënuar "për terrorizëm" mbi bazën e ligjeve të diktaturës, si dhe pothuajse të gjithë të internuarit politikë.

Për të internuarit në kampet me tela me gjemba, pengesa lidhet me mungesën e dokumentacionit të nevojshëm në arkiva. Ndërsa për të internuarit e periudhave të mëvonshme, pengesa lidhet me mungesën e vendimit të Këshillit të Ministrave që do t'u jepte të drejtën e një pensioni.

Ndryshimet e fundit në skemën e dëmshpërblimit synojnë të përshpejtojnë pagesat, por nuk zgjidhin të gjitha pengesat që shoqërojnë procesin. Ndërsa janë mbushur 35 vjet nga rënia e regjimit komunist, detyrimi ndaj të përndjekurve të atij regjimi, mbetet i pashlyer./kujto.al

 

Imazhi kryesor: Ilustrim grafik nga Romilda Marku

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.