Kujtimet e shokut të burgut për Xhelal Koprenckën

0
2
blank

Pasi "u vendos gjithçka sipas rregullit", komisari i repartit shqiptoi formulën makabre: "Për vazhdimësi të veprimtarisë armiqësore, Xhelal Koprencka dhe Veis Ceci arrestohen në emër të popullit!". Menjëherë pas kësaj kumboi zëri prej luani i Xhelalit: "Çfarë populli more!... Në emër të armiqve të popullit!". Islam Spahia, që e njohu në burg, aty ku njerëzit njihen si askund tjetër, sjell një përshkrim të Xhelal Koprenckës, këtij personaliteti të pamposhtur që u “vetësakrifikua për të frymëzuar kurajon tek të tjerët dhe shpresën për shpëtim”. Ai u dënua disa herë me burg nga regjimi komunist derisa në vitin 1979, u ekzekutua.

 

Nga Islam Spahia

Nuk besoj të ketë ndonjë që sot dëgjon këtë emër, e mos t'i kushtojë vëmendje. Nuk besoj që të ketë ndonjë që mjafton ta ketë njohur sado pak e mos të ruaj respektin për të. Nuk besoj të ketë ndonjë që vetëm se ka ndodhur me të shok rrethanash, mos ta ketë për nder këtë gjë e më me siguri, s'besoj të jetë ndonjë mik zemre i tij, mos ta kujtojë me lot mallëngjmi. E në të vërtetë, sapo dëgjohet ky emër, krijohet një stepje si ajo kur ballafaqohemi me madhështinë, pastaj vjen një fjalë respekti, adhurimi e më në fund malli e brenga, siç do të na thoshte Mitrush Kuteli.

E gjithë kjo dëshmon për atë karakter, atë burrë, hero, mikun, shokun, mësuesin, bashkëvuajtësin tonë, krenarinë e shtresës së të përndjekurve politikë, që ka emrin Xhelal Koprencka. Nga jetëshkrimi i tij mjafton të përmenden pak të dhëna, e vetiu të përcaktohet dinjiteti i origjinës. Ai rrjedh nga një familje fisnike, me veprimtari të shquar patriotike. Gjyshi, emrin e të cilit trashëgoi vetë Xhelali, bashkë me vëllezërit qenë luftëtarë të penës e të pushkës. Ai mori pjesë me rastin madhor të shpalljes së Pavarësisë, në ngritjen e Flamurit kombëtar më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Ndërsa i ati ka qenë nëpunës i lartë në administratën mbretërore të Zogut të Parë në Tiranë. Këtu u lind Xhelali dhe këtu mbaroi shkollën 7-vjeçare.

Me ardhjen e regjimit komunist në fuqi, atij iu burgosën të dy prindërit (babë e nënë), duke mbetur ky vetëm me të motrën, fëmijë në mëshirë të fatit. Dallga e persekutimit i hodhi nga kryeqyteti në Shkodër. Atje, me mund e sakrifica arriti të marrë maturën dhe të ushtrojë profesionin e hidraulikut. Por me këtë nuk do të merrte fund formimi i tij ideo- kulturor. Ai qe autodidakt i shkëlyer dhe mund të themi pa frikë që e arrinte shkallën e një intelektuali me arsim të lartë. Cilësitë natyrore nuk vonuan të spikatin tek ai, e kështu do të shquhej shpejt në rrethin shoqëror ku jetoi e punoi.

Persekutimi i pandërprerë e shtyn disa herë në burg djaloshin e paepur. I sajuan lloj-lloj akuzash, derisa ta mbyllnin për të mos dalë më me akt-akuzën e agjitacionit e propagandës, pika më nevralgjike e inkuizicionit të kuq. I dënuar kështu gjithsej me 25 vjet burg, u dënua në kampin e Spaçit, kampin me numrin fatal 303. Ky kamp qe bërë një bastijë e regjimit. Aty, në vitin 1973, plasi revolta historike, që tronditi themelet e diktaturës e po aty, për herë të parë gjatë robërisë gjysmë-shekullore, u ngrit flamuri kombëtar pa simbolin ideologjik, yllin e përgjakur. Me këtë rast, aty ranë dëshmorë katër heronj. Kështu ky kamp doemos ishte shndërruar në një kështjellë rezistencë e kjo rezistencë në një farë mënyre do të kishte prijësit e saj. Po të eleminohej një, zëvendësohej me një tjetër. Kjo ishte bërë jo me ceremoni apo organizim, por vetiu, me një farë vetëdije të heshtur. E sigurisht rezistenca, pasi ligji fizik është qëndrueshmëria ndaj shtypjes.

Në vazhdën e kësaj tradite, doli në pah figura e Xhelal Koprenckës, vetitë morale të tij reflektonin duke ushtruar influencën e tyre mbi masën e të burgosurve. Respekti ndaj tij, si i të mirëve dhe të këqinjve, i kishte krijuar një autoritet të tillë, sa të eklipsonte dhe komandën. Opinioni i përgjithshëm ishte, që ai ishte vënë në shenjestër për t'u eleminuar. Këtë e dinte edhe ai vetë, megjithatë nuk u lëkund asnjëherë. Ai tashmë ishte bërë mësues dhe komandant, dhe si filozofët e lashtësisë, idetë i shfaqte me gjeste personale. Ai e kërkonte kënaqësinë në sakrificë. Ishte një stoik i mirëfilltë. Ata që e kanë njohur nuk mund ta harrojnë zërin e tij kumbues, burrëror; nuk mund ta harrojnë atë shprehësi fytyre që të impresiononte dhe nuk të linte të vije re vogëlsinë e trupit të sfilitur, por të shihje madhështinë jo materiale, atë të shpirtit. Kjo dukej përmes syve të larmë rrezatues, që spikatnin në sfondin e errët të fytyrës vezake. E ky kontrast mes trupit dhe shpirtit përbën atë harmoni sublime që kanë përshkruar me kureshtje biografë të njohur për figura gjeniale të historisë, siç ishin Napoleoni I apo admirali Nelson.

Eshtë interesant të vësh re se si fati çudibërës, këtë pinjoll të Jugut e hodhi në Veri, në metropolin e kulturës dhe atdhetarisë shqiptare, në Shkodër; në Shkodrën e Fishtës, të Mjedës, të Kardinal Koliqit e të shumë figurave të tjera madhore, me të cilat ka qenë aq pjellor ai truall. Po atje militanti i ndritur Arshi Pipa, i cili, edhe ky nga Jugu, e pati quajtur Shkodrën vendlindjen e tij të dytë. Duke menduar kështu, nuk mund të mos kujtosh fjalimin monumental të Patër Anton Harapit me rastin e përcjelljes së eshtrave të heronjve legjendarë Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qullit (Leskovikut). Kleriku i lartë epik, atëherë pat thënë: "Me të vërtetë ju, ju lindi Gjinokastra e Leskoviku, ato kjenë nanat tueja të natyrshme qi u dhanë qumshtin e gjinit dhe dritën e diellit; por grimë ma pak s'asht për ju nana Shkodër, sepse atje u lindët si njerëz, kurse këtu si heronj!". Këtë mesazh dha edhe Xhelali me jetën e tij e ky le të shërbejë si paralajmërim për ata pseudodemokratë apo neokomunistë, të cilët po mbjellin farën e përçarjes Jug-Veri. Historia na ka mësuar që këta as kanë pasur dhe as nuk do të kenë ndonjëherë sukses. Do të vinte një ditë që ndjenja e tij atdhetare e humanitare të kurorëzohej me aureolën e martirit.

Për të frymëzuar kurajon tek të tjerët dhe shpresën për shpëtim, ai vendosi të vetësakrifikohej, duke sfiduar diktaturën më të egër që mund të ketë parë historia. Ai shkroi një letër protestë për diktatorin në adresë të Komitetit Qendror të PPSH. Të tërbuar nga kjo e papritur, ata reaguan së pari me raprezalje aty në kamp e pastaj do të bëhej arrestimi i tij spektakolar, që do të mbetej i pashlyer në kujtesën tone dhe të historisë. E ja se si: (........) Ishte një mëngjes pranvere. Sapo kishte dalë dielli. Oborri i kampit të Spaçit ishte mbushur plot e përplot me katrorin e masës së të burgosurve të heshtur, si gurët. Në të katër qoshet ishin vendosur policë. Përballë, mbi një mur që shërbente si podium, ishte rreshtuar komanda e kampit bashkë me zyrtarë të degës së punëve të brendshme dhe të Prokurorisë së Rrëshenit. Një nga këta, ndonjë hetues besoj, një i ri fodull që mbante një çantë zyre në dorë, na shikonte i ngrysur duke tundur kërcënueshëm kokën e tij me kaçurrela të zezë. Pasi "u vendos gjithçka sipas rregullit", komisari i repartit shqiptoi formulën makabre: "Për vazhdimësi të veprimtarisë armiqësore, Xhelal Koprencka dhe Veis Ceci arrestohen në emër të popullit!" Menjëherë pas kësaj kumboi zëri prej luani i Xhelalit:

-Çfarë populli more!... Në emër të armiqve të popullit!

- Fjalë arit!..., - u dëgjua një zë tjetër. Ishte djaloshi trim shkodran Ramiz Memçe.

Mbretëroi një heshtje varri. Si me magji u duk sikur u ul për tokë ajo tribunë xhelatësh e në të njëjtën kohë u ngrit vigani, figura prej heroi e Xhelalit. Fytyra e komisarit u zbeh, u bë gëlqere. Brejtje ndërgjegjeje vëlla? ... Të gjithë u shtangën e asnjë nuk bëzëjti më.

Qiejt sikur ishin copëtuar: Jeta kishte sfiduar vdekjen. Xhelali dhe Veisi, shoku i tij i pandarë, i një pastërtie të thuash primitive, njëri pas tjetrit kaluan me kokat lart para kampit të rrjeshtuar. Ishte hera e fundit që po i shihja këta shokë vuajtjesh e ideali.

Më vonë, dëgjuam se ata u dënuan me maksimumine nenit për agjitacion e propagandë. Mirëpo kjo nuk mund të kalontë aq "lehtë". "Me urdhër nga lart" Xhelali do të veçohej nga grupi; ai do të gjykohej përsëri me nen tjetër, atë të tradhtisë së lartë, gjoja paskësh formuar qeveri brenda burgut dhe na e paska "rrezikuar pushtetin popullor". "O turp, ku e ke skuqjen!" (Shekspiri).

Vajti dhe nëna e Xhelalit te Prokurori i Përgjithshëm, Aranit Çela dhe i kërkoi t'i falej djali i vetëm, por inkuizitori pa shpirt iu përgjigj me cinizëm: "Mori dënimin e merituar!". Mbesa e vogël që nënokja mbante prej dore, lëshoi kujën. "Pusho! e qortoi nëna shqiponjë. Mos ia bëj qejfin këtij xhelati!". Kjo nënë tregoi madhështinë dhe trimërinë e saj. Ajo mund të krahasohet fare mirë me nënën italiane, e cila kaloi nga Salerno e arriti në malet Samarkand të Azisë në kërkim të birit të saj. Aq sa madhështor u tregua mbreti i tartarëve, aq i vogël e meskin qe kuestori pa dinjitet që dënoi Xhelalin te ne. Nëna e sfilitur u kthye në shtëpi me një durim të thuash mbinjerëzor. Sidoqoftë, ajo vdiq pa e marrë vesh ekzekutimin e të birit. Asaj, siç thuhet, i sajuan një "gënjeshtër të shenjtë”. I thanë se djali kishte arritur të shpëtojë dhe të dalë jashtë shtetit. Një ngushëllim të tillë e meritonte ajo zemër e madhe e shumëvuajtur. Në kamp njoftimi u bë zyrtarisht, ndërsa pjestarëve të grupit të ridënuar iu tregua fotografitë e ekzekutimit të shokëve të tyre.

Po në këtë kohë u ekzekutuan edhe dy martirë të tjerë: Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, të cilët ndonëse nuk patën lidhje me Xhelalin e përballuan vdekjen, ashtu siç e përballoi ai.

 

Shënim: Marrë nga libri "Karuseli i totalitarizmit", Islam Spahia, botim i ISKK, Tiranë 2020.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here