Agjitacioni e propaganda ishin trajtim partiak e sipas situatave

0
0
blank

Pavarësisht se veprat penale ishin të parashikuara në Kodin Penal, trajtimi i tyre në mënyrë të fshehtë nga Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e bënte kodin të kishte një kuptim formal. Së pari, ajo bazohej në platformën e fshehtë të punës operative të organeve të Punëve të Brendshme e më tej akoma, në urdhrat dhe udhëzimet e ministrit të Punëve të Brendshme. Agjitacioni e propaganda, parashikuar në nenet e viteve 1952 (neni 72), 1958 (neni 73) dhe 1977 (neni 55), jepnin heqje lirie deri në 10 vjet, ndërsa për kohë lufte dënoheshin edhe me vdekje. Para vitit 1977, dënimi shoqërohej përgjithësisht edhe me konfiskim të pasurisë, apo me dënim plotësues me masë internimi apo heqje së të drejtës zgjedhore. Vihej në dukje se trajtimi i kësaj vepre duhej të lidhej me partishmëri dhe me situatat e ndryshme politike. Pra goditja jepej jo sipas fajit, por si pasojë e politikës së goditjes, në përputhje me situatat.

Udhëzimi nr.01-25, datë 23.6.1987, i ministrit të Punëve të Brendshme “Për ndjekjen e neutralizimin e agjitacionit e propagandës armiqësore”, tregonte drejtimet e punës për organet e Sigurimit të Shtetit. Në nenin 1 të këtij udhëzimi thuhej:

“Organet e Sigurimit të Shtetit ndjekin krimin e agjitacionit e propagandës armiqësore, si një drejtim pune delikat, që kërkon një kujdes e trajtim shumë të partishëm. Në varësi me situatën konkrete politike e operative, të dallojmë çfarë është armiqësore e çfarë nuk është armiqësore, të dimë çfarë e rrezikon diktaturën e proletariatit e çfarë nuk e rrezikon. Rrezikshmërinë shoqërore ta shikojmë te ata njerëz të cilët bëjnë me të vërtetë agjitacion e propagandë kundër pushtetit, te ata që me qëllim kundërrevolucionar flasin vesh më vesh, e nxisin njerëzit tanë kundër rendit tonë socialist”.

blank

Sipas udhëzimit, punëtori operativ i Sigurimit, së pari duhet t’i shtronte problemet në rrugë partie dhe organeve të pushtetit vendor. Kjo vepër, nën drejtimin e kryetarit të degës së Punëve të Brendshme analizohej për tendencën e vet në çdo 6-mujor dhe dërgohej në Degën e 8-të të Drejtorisë së Parë në Tiranë, duke pasur parasysh drejtimet në fushën politike, ideologjike, ekonomike e ushtarake, duke e ilustruar me citime nga komentet. Përveç kësaj, grupet e personave ndaheshin sipas moshës e kategorive të elementëve:

-antiparti (ish komunistë),

-të deklasuar (ish kulakë, borgjezë, klerikë),

-me veprimtari spiunazhi

-të dënuarit

Po ashtu, në mënyrë të posaçme, për përmbajtjen e letrave anonime dhe kanalit postar.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here