Ngjarjet e datave 8-10 dhjetor 1990 në një raport të Sigurimit të Shtetit

0
1023
blank

Si raportoheshin ngjarjet e dhjetorit 1990 në dokumentet e Sigurimit të Shtetit. Studentët promotorë dhe zhvillimet në Qytet Studenti dhe Institutin e Lartë Bujqësor

Informacioni n.4466, datë 11.12.1990 ku organet e Sigurimit të Shtetit njoftonin sekretarin e parë të Komitetit të PPSH-së, Xhelil Gjoni, i shkruar më 10.12.1990, është ndër të rrallët që ka mbërritur në ditët tona e që tregon mbi zhvillimet në data 8-10 dhjetor 1990 në qytetin Studenti dhe në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz (i cili harrohet ose nuk përmendet shpesh në këtë histori). Raporti përmban mjaft informacione dhe emra personash. Kjo është pjesa e parë e tij:

 

Nga materialet që disponojmë del se studentë të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe të Institutit të Lartë Bujqësor, me maskën e kërkesave ekonomike po e thellojnë veprimtarinë e, duke shtruar probleme të karakterit politik që bien ndesh me vijën e partisë e që bëhen me qëllim kundërrevolucionar. Ja konkretisht disa prej tyre:

1-Nga një burim informohemi se më datën 9.12.1990, 3 studentë të Universitetit Shtetëror, thoshin ndërmjet tyre: “Jemi të revoltuar për mungesën e kushteve në konvikte, sepse na mungon sistemi i ngrohjes dhe ushqimi i mjaftueshëm. Të gjitha na vinë nga udhëheqja, Byroja Politike, e cila duhet të ndërrohet, të ketë pluralizëm dhe shumë parti. Kjo gjendje nuk ndryshon po nuk erdhi në takim Ramiz Alia dhe veç tij nuk pranojmë njeri tjetër. Do të organizojmë dhe do të shkojmë te pallati i kulturës, te sheshi “Skënderbej”, pasi atje do të kemi edhe popullin me vete. Ka profesorë që janë me ne. Organizimin do ta bëjmë më datë 10 dhjetor në orën 17.30

2-Nga një burimi ynë, lidhur me ngjarjet në Institutin e Lartë Bujqësor informohemi se: “Revoltimi i studentëve ka ardhur kryesisht për mosmbajtjen e fjalës nga ana e drejtuesve të ILB në lidhje me masat për përmirësimin e kushteve jetësore, por problem dhe sebep për këtë u bë fikja e dritave nga jashtë rreth orës 19.40 dhe qëndrimi në avari për rreth 20 minuta. Këtë kohë, studentët dolën jashtë godinës dhe filluan që të bërtisnin për përmirësimin e kushteve. Nxitje për këtë është bërë Fakulteti Veterinari-Zooteknik, të cilët kanë dalë të parët dhe kanë filluar të hedhin parulla. Si elementë më aktivë dhe që mundoheshin të merrnin drejtimin e këtyre grumbullimeve ishin studentët Hamit Vata nga Kukësi dhe një studente tjetër nga ky fakultet e cila quhet Teuta Pogaçe. Teuta digjte letra e çarçafë. Dritat janë fikur me qëllim, sepse edhe godina e Fakultetit të Agronomisë nr.3 që kishte në fillim drita, studentëve iu bë presion nga të tjerët që kishin dalë jashtë se në rast se nuk do t’i fiknin, do t’u thyenin xhamat. Në fillim ka ndryshuar parulla për kushte jetësore, pastaj për “liri-demokraci”, etj.

3-Nga një burim tjetër informohemi se “Personeli i shërbimit në ILB është i paaftë për kryerjen e detyrave në drejtim të shërbimit dhe të organizimit të ndonjë defekti të mundshëm sepse p.sh. elektricisti që është nga Kamza me sa thuhet ka qëndrim të keq politik, nuk kryen detyrën. Më 9.12.1990 rreth orës 19.30 në ILB kanë ardhur disa studentë të UT dhe u kanë folur studentëve që kanë të njohur për ngjarjet në qytetin Studenti se gjoja dy goca u vranë, se policia ka përdorur dhunën, ishte e armatosur me mjete maskimi. Studentët hodhën parulla për “liri”, “demokraci”, për përmirësimin e kushteve , etj., prandaj duhet të ngriheni edhe ju në mbështetjen tonë me parullën “Mos na lini vetëm”. Të ardhurit sipas dialektit ishin tropojanë dhe shkodranë. Shkak pastaj u bë fikja e dritave për rreth 20 minuta. Më vonë pas largimit të tyre, studentët bërtitën grup-grupe të paorganizuar që në dhoma e pastaj ata dolën jashtë. Kryesorë gjatë këtij veprimi ishte Filip Progri nga Tropoja i Fakultetit të Veterinarisë, viti IV dhe Abaz Dema nga Skrapari Fakulteti i Veterinarisë, kursi V. Nga vajzat si më kryesore dhe tepër irrituese ishte Teuta Pogaçe nga Vlora, e cila është në stazh, por qëndron me nënën në godinat e këtij instituti. Ajo dogji çarçaf, pantallona dhe përgjithësisht si fakultet më i irrituar u bë Fakulteti i Veterinarisë, djem, vajza dhe ekonomiku. Parullat ishin: “Duam ujë, duam drita”, “Mos na lini vetëm” “Gocat janë me ne”, “Demokraci”, “Mblidhuni këtu-këtu, se mjaft në robëri o e mjera Shqipëri”.

blank

4-Nga një burim tjetër informohemi se: “Qendra kryesore e ngjarjeve në qytetin Studenti janë godinat nr.20 dhe 21. Studentët Romeo Nano, Arian Gjona, Gjin Progni, shokë me njëri-tjetrin dhe pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet, janë autorë. Fillimisht morën shkas nga disa mungesa me trajtimin e tyre, por siç thonë ata, kryesorë janë studentët nga zonat e veriut, veçanërisht nga Tropoja e Kukësi. Më i vendosuri është studenti me emrin Azem nga Tropoja. Studentët kanë krijuar një shkak për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kanë përpiluar një peticion dhe në shenjë solidariteti marrin firmat e studentëve të tjerë. Ky peticion do t’i bashkëngjitet kërkesave të tyre. Gjatë këtyre ditëve janë bërë thirrje për liri, demokraci dhe për një takim të afërt me Ramiz Alinë. Studenti Nuri Aluzi ka marrë pjesë në përleshje dhe në adresë të tij ka thirrje se luftoi mirë atë ditë. Në mitingjet e studentëve kanë marrë pjesë edhe shumë banorë të qytetit të Tiranës, kryesisht nga ata që banojnë në rrugën e Elbasanit. Sot (më datën 10.12.1990) kur u zhvillua mitingu në qytetin Studenti, kanë marrë pjesë dhe 3 persona nga Tirana e Re, ish-të dënuar për veprimtari armiqësore. Një nga këta persona tha se ka qenë në Spaç në moshën 18-vjeçare dhe ka bërë 8 vjet burg. Ky ishte me mustaqe, rreth 30 vjeç. Gjithashtu, ky person bënte thirrje për ngritje dhe për protestë...Pedagogët kanë qëndruar afër studentëve në mënyrë indiferente ose me një heshtje inkurajuese. Bie në sy një pedagog nga Korça që i nxiste studentët të flisnin. Studentët kanë thënë që në orën 20.00 të datës 11.12.1990 të bënin një miting tjetër dhe të kërkonin takim me presidentin...

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here