Dëshmia/ Qani Mydini: 7 vjet e gjysmë burg, çdo ditë në galeri

0
388

Provoi vështirësitë e patregueshme të kampit të Spaçit, përfshirë edhe shembjen e galerisë ku punonte. Kaloi tetë vite të plota në burg dhe kur doli, provoi sërish izolimin sepse askush nuk donte të kishte të bënte me një ish-të burgosur. Një varg vuajtjesh edhe pse nuk kishte bërë dhe nuk kishte thënë asgjë nga ato për të cilat e akuzonin. Ishte thjesht fati i paracaktuar nga regjimi për djemtë e familjeve kulake.

Z.Qani kur keni lindur?

Unë kam lindur në janar të ’36-ës.

Na tregoni diçka për familjen tuaj

Familja ime ka qenë familje e madhe edhe e ndjerë kështu në publik. Se punëtorë kemi qenë dhe jetonin mirë në atë kohë, me anë të punës. Edhe më vonë, pastaj, nga ’52-shi, na cilësuan si kulak, babain tim gjoja sikur ishte me pasuri e njerën e tjetrën. Iku ajo kohë me vuajtje dhe sakrifica se kulaku u tatua shumë, me tatime të rënda. Të papërballueshme tatimet, detyrimet karshi shtetit, jo lesh, jo mish, jo vezë e njërën e tjetrën. Nuk i shlyenim dot ato detyrime në kohë. Ma morën babanë, e dënuan një vit burg. “Pse nuk e solle në afat detyrimin e leshit”? E bëri një vit burg në Korçë, babai. E pastaj u lirua babai. Filluam punë në familje, aty. Erdhi pastaj puna që në ’74-ën mua më arrestuan. Më arrestuan në punë e sipër.

Si ishte momenti i arrestimit?

Më thirrën atje në qendër, në zyrat e kooperativës. Vajta, kishte ardhur shefi i hetuesisë, Bujar Iliazi edhe ai operativi i zonës që ishte ai, tani ka vdekur, Kadri Mulollari i thonin atij. Edhe unë vajta si pa gjë të keqe, i dhashë dorën atij shefit të hetuesisë se rrinte në një tavolinë atje ai. Më tha mua: “Y ore, më jep edhe dorën mua! Ti je armik- tha”. “Ore zotëri- i thashë unë- pse më thua armik? S’jam armik unë. Ç’kam bërë unë?” Ky Kadri Mulollari ish-operativi i zonës, futur mbarapa derës atje, rrinte me automatik. Më tha mua: “Qani, je i arrestuar”. “Pse jam i arrestuar?- i thashë.- Unë s’kam bërë gjë. Pse të arrestohem unë”? “Po, po, je i arestuar”. Në këtë moment, vjen Gaz-i. Një të lidhur, më çuan në birucë, aty në Degën e Brendshme. Edhe më futën atje, më kontrolloi ai gardiani i burgut që rrinte aty edhe nga sporteli më futën një batanije të vogël. “Na një batanije-tha.” “Po ç’e dua batanijen?-i thashë unë. -Pse këtu do të rri unë”? “Po do të flesh”. “Pse këtu do të rri unë? Unë nuk kam bërë gjë. Pse të rri unë në burg?” E nejse e mora unë atë. Shkoi një ditë, dy, tri. Më mori pastaj komisioni: “Jo ke thënë kështu...”- fjalë të kota.- “Ke thënë që greku nuk vjen këtu. Këto bunkere që bëhen dhe këto qendra zjarri janë antiekonomike”. “Ato janë për mbrojtjen e vendit”- më thanë mua. “Ore, s’e kam thënë këtë”. “Po, po e ke thënë”. E mirë. E kështu si përfundim erdhi fundi pastaj, më dënuan kur u bë gjyqi, 8 vjet.

Sa muaj ju mbajtën në hetuesi?

Nga maji deri në tetor.

Kush ishte hetuesi juaj?

Epo ai, Bujar Iliazi ishte shefi. Ai sot është shef komisariati në Delvinë. Shef këtu i hetuesisë, shef komisariati në Delvinë. Kam pyetur unë.

Si ju trajtuan në hetuesi?

Ja si më trajtuan mua: Mua më merrnin në darkë nga ora 7.00 e mbrëmjes edhe deri në mëngjes mua më mbanin në këmbë tërë natën e natës. Por jo një natë e dy, por me javë. Dy veta rrinin atje, në krevat, flinin, njëri më pyeste mua. Edhe mbaronte deri nga ora 8.00 e mëngjesit. Roja e brendshme e burgut nuk më linte të ulesha, të ulesha poshtë. Në këmbë. Në këmbë, 24 orë në hetuesi, në këmbë edhe atje. Me javë të tëra. Qysh kemi qëndruar! Ja këto kanë qenë torturat. Më merrte ai tërë natën e natës më pyeste. Ç’ti thoja unë? S’kisha bërë gjë, s’kisha thënë gjë. Edhe më tha ai kryetari i Degës, ishte Hodo, Hodo nga Vranishti i  Vlorës. “Pranon s’pranon, ne ta kemi  dhënë denimin- tha- që kur ishe në fshat. N’daç pranoje, n’daç mos e prano”. “Po s’e kam bërë. Po mirë qeveria edhe të vret-i thashë-edhe të pret.” Ja kështu.

E kishin vendosur që më parë që do të dënoheshit?

E kishin vendosur pa më marrë fare në burg, fare.

Ku u zhvillua gjyqi?

Ja këtu, në Ersekë.

Cila ishte akuza?

Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

Patët dëshmitarë në sallën e gjyqit?

Pata dëshmitarë të detyruar. Kur dola nga burgu, unë i takoj. Nuk pranoja unë edhe ballafaqimin që bënim me ata. Ishte një, po ka vdekur tani ai, Ali Byrekasi. Kur bëmë ballafaqim me të edhe ishte ai, prokurori, një Lazar Cici këtu. Edhe i tha Aliu: “ Ky më ka thënë për pushtetin popullor që kur s’kishim kooperativë, rronim më mirë, tani na than barku për bukë. Na thoshte kur vinte në zbor-tha ai- që greku nuk vjen këtu, por është kot që na marrin ne për në zbor edhe na mundojnë e na lënë edhe pa punë, na heqin nga kooperativa”. I tha ai prokurori në ballafaqim: “Ali- i tha- i ka thënë këto llafe apo jo? Mos e merr më qafë kot” – i tha. “Posi ere- i tha- tha për pushtetin popullor”. Ishin nja dy nga Borova, edhe ata dëshmitarë. Ishte Ziko Gega, një Dine Mediu edhe ata kështu thanë: “Që na thoshte Qaniu kur vinte në zbor që këto stërvitje që bëjmë ne, janë të kota se greku nuk vjen këtu”. Ja gjëra të këtilla.

Sa vjet u dënuat?

Tëtë vjet.

E mbani mend kush ka qenë gjykatës?

Po, ka qenë gjykatës, ishte një këtu, nga rrethi, i biri i Koço Priftit. Si e quanin atë... Taqo a, nuk e di.

Në cilin burg ju çuan pas vendimit?

Po... nja 15 ditë më mbajtën këtu, pastaj, nja 15 ditë në Korçë, në kaush të Korçës. Nga andej, në kaush në Tiranë. Në Tiranë, ndejta 15 ditë. Nga andej pastaj, në Spaç të Mirditës.

Në cilin vit shkuat në Spaç?

Në ’74-ën. Në fund të ’74-ës.

Çfarë punë bëtë në Spaç?

Spaç, nën tokë kemi punuar, në galeri 8 vjet, 7 vjet e gjysmë se gjysma kaloi këtu. Pa dalë asnjë ditë nga galeria, në miniera.

Në ç’kushte punonit?

Kushtet ishin shumë të vështira. Hyje brenda dhe nuk kishe garanci do të dilje gjallë apo s’do dilje se kishte pasur raste që ishin vrarë shumë, i kishte zënë galeria. Një natë, atje, ra galeria dhe zuri tre veta, djem të rinj. Ishin nga Malësia andej. Të tre u vranë, etj etj.

U vranë të tre?

Të tre i mbuloi galeria.

I mbani mend emrat e tyre?     

Po njëri më mbahet mend, i thoshin Kolë Mani.

Ishte i ri ?

I ri. Të tre të rinj ishin. Ata djemtë e rinj i fusnin minator.

Ata që vdisnin në galeri, ku i çonin?

Këta u bënte edhe ndonjë arkivol komanda atje dhe ishte një vend enkas për varret e të dënuarve, të burgosurve që vdisnin. Ishin në Shën Pal, atje rrinin edhe me roje që i ruanin. Edhe të vdisje atje, në familje nuk të jepnin. “Kur të mbarojë dënimin-thonin- atëherë mund ta marrë familja”. Ja kjo ishte puna.

Si ishin dhomat e fjetjes?

Aty ku flinim, ishim 50 veta në një dhomë. Krevatet prej druri, me dysheqe me kashtë.

Çfarë regjimi ditor kishit?

Zgjimi bëhej në 5.00 të mëgjesit, hanim bukë e drejt përpjetë, se ashtu vinte ajo miniera atje, rrëzë mali ishte, në galeri. Punonim 8 orë atje, dilnim. Ato rrobat që vishnim atje të punës, të lagëta, të qullura do t’i lije atje. Të nesërmen do të vije, prapë ato do vishje. Të lagëta ishin se ku do të thaheshin ato? I linim atje ato të punës, edhe vishnim ato të kampit që rrinim në kamp atje.

Ushqimi si ishte?

Tani të them realitetin unë. Për ata që punonin nëntokë nuk ishte dhe i keq ushqimi, për ata që punonin në sipërfaqe ishte pak më e ulët norma. Për ata të papunësisë që ishin jo me raport, jo pleq që nuk dilnin në punë, për ata ishte shumë i keq. Pa ndonjë ndihmë, nuk kishe mundësi  të jetoje me atë ushqim që hanin ata.

Cila është ngjarja më e rëndë nga koha që keni qenë në Spaç?

Ngjarjen më të keqe mbaj mend që punoja me një tjetër. Ishte nga Divjaka e Lushnjës, i thoshin Demir Murizi. Vajtëm atje për të bërë disa riparime se unë isha armator bashkë me Thanasin edhe ra ajo, u shemb galeria e u zu hyrja nga hymë ne. Tubi i ajrit kaq i trashë (në madhësinë e dorës) u këput. Ndejtëm ne pa dritë, pa ajër, për 6 -7 orë atje. Mua më ka shpëtuar një cigare. I them atij unë se s’kishte gaz atje: “O Demir do ta ndez një herë unë”. “ E ndize-më tha mua- sa të heq edhe një këmbë”. Mirëpo unë kisha ndërgjegje, ai të punonte unë të rrija, nuk më lejonte ndërgjegjja. E i them: “O hajde rri edhe ti këtu o të ngrihem edhe unë”. “E ja do të dëgjoj”. Edhe erdhi në një qoshe atje. Sa u ul ai, u zu galeria, mbetëm ne atje. Kaq orë pa dritë, pa ajër se ato kandilat me karbit që kishim, nuk bënin dritë se nuk kishte oksigjen atje. E u hap ajo, u hoq ai materiali, dolëm ne atje. Në kamp poshtë, u hap lajmi që Qaniu dhe Demiri u vranë që të dy, i zuri galeria. Mirëpo fati ynë që unë e ndeza një cigare e u mbështeta në një anë atje dhe shpëtuam.

Po gardianët, policët si silleshin me ju?

Tani një pjesë nuk ishin të këqij, të them të drejtën. Një pjesë ishin... Kishim një Pjetër Koka që kur hynte ai në kamp sikur vinte Xhebraili, aq i poshtër ishte. Këta të tjerët nuk silleshin dhe aq keq.

Çfarë bënte Pjetër Koka?

Po, ai ishte... si të të them unë ty, ai ishte si Xhebrail që i thoshin qëmoti. Po ja kështu sillej: s’të linte e njërën e tjetrën, të gjithë të këqijat i bënte, sillej keq shumë. Këtë e kam dëgjuar edhe në televizor nga një i dënuar tjetër: “Pjetër Koka ishte i hurit dhe i litarit”.

Gjatë 7 viteve e gjysmë në Spaç, ju erdhën të afërmit për t’ju parë?

Po, vinin. Më erdhi vetëm vëllai dhe gruaja, edhe një motër që kisha andej nga Lushnja.

E kishin të vështirë për të ardhur nga Kolonja?

Po me vështirësi se edhe makina s’para kishte e nuk i merrnin këta. E dinin që ishin për ne dhe shoferët u vinin një kufi: “kanë qenë në Spaç këta”, “familje e persekutuar”... Nuk para i merrnin. Donte dy ditë të vinte nga Spaçi gruaja këtu, vetëm. Djemtë, fëmijët i kisha të vegjël fare, natën e ç’kanë vuajtur dhe fëmija  edhe kështu.

Gruan dhe fëmijët si i trajtonin këtu në fshat gjatë kohës që ju ishit në burg?

Po në fshat, në kooperativë punonte ajo, me fëmijë të vegjël, me vështirësi të madhe shumë. E mënjanonin kështu, kur bëhej ndonjë mbledhje, ndonjë shpërblim, ndonjë libër që i jepnin ata. Gruaja ime punonte më shumë nga të tërë. E mënjanonin që të mos dilte në kamera. Unë vuajta shumë edhe kur dola nga burgu. Mbetën djemtë pa martuar se nuk na jepnin nuse për djemtë. Thoshin që: “Familje e mirë janë, po ka qenë i ati në burg. Nuk e bëjmë dot mik”. Si përfundim gjetëm nuse, po në Gjirokastër, larg.

Kur u liruat nga burgu?

U lirova në ‘82-shin.

Në ‘82-shin ishe në Spaç?

Spaç.

Si ju njoftuan për lirimin nga burgu?

Atje lajmëroheshe më parë. Se shkoje te zyra teknike, e shikoje kur do të vinte data e lirimit. Edhe unë i kisha thënë atij përgjegjësit të zyrës teknike. E pa ai e tha: “Ti do të lirohesha në 29 shkurt të ’82-shit, atë ditë". Edhe unë e fjeta mendjen. Po prisja unë, i bëra dorëzimet, ato ç’kishim: jo batanijet njërën- tjetrën aty. Mirëpo oficerët e kampit kishin harruar për mua që i plotësova ditët dhe do të dilja. Kur erdhi turni i dytë nga puna unë isha aty akoma. “Po s’paske dalë ti?”- më thanë mua ata shokët. “Ja, s’më kanë thirrur akoma”. Vete në komandë ai përgjegjësi i zyrës teknike, ishte një Halil Maçe nga Dibra. “O të na fali ai i dënuari se kemi harruar, kishim mbledhje e kishim harruar”. Erdhi ai oficeri, më dha fletën e lirimit. “Me dënim të plotësuar”, shkruante ajo.

Si shkuat në shtëpi, pastaj?

Dola unë, ndejta atje në rrugë pastaj, erdhi një makinë, hipa. Me vështirësi, erdha deri në Durrës. Fjeta atje në Durrës. Nga andej erdha në Lushnje se kisha motrën atje. Nga Lushnja, të nesërmen, erdha në shtëpi.

Familja ju priste?

Po, më priste shtëpia, se i kisha lajmëruar unë. E kisha lajmëruar me telegram.

Çfarë bëtë pasi dolët nga burgu?

Atëherë, në fillim, bëheshin  votat në atë kohë. Mua ma kishin hequr të drejtën e votimeve për 4 vjet. Mirëpo doli një urdhër pastaj që ishin të faluar ata që dolën nga burgu tani. Erdha unë, e kërkova këtu, në komitet andej-këtej. Kishim ata të komisionit të fshatit ne atje dhe e thirrën atë dhe i thanë: “Ai është i falur, pse i ke thënë që nuk voton?” “Epo unë nuk e dija”- tha ai. Edhe pastaj votova unë. Po prapë mua nuk më linin të kaloja e të punoja mbi xhadetë. Më mbanin kështu poshtë. Punë bëja në kooperativë, po mbi xhadetë, nuk shkoja prapë.

Nga arkiva e familjes Doko/ kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.