Desanti Fidai Veliu i Kompanisë 4000, vrau veten e nuk ra në dorë të komunistëve

0
1267
blank

Fidai Veliu, lindur në vitin 1920 në Fushë Bardhë të Gjirokastrës. Në shkurt 1943, hyri partizan në çetën “Çerçiz Topullit” me komandant Karafil Bellon. Më 20.4.1944 largohet nga partizanët së bashku me shokët e vet Rrapo Komoçi nga Fushë Vërria e Delvinës dhe Ahmet Golemin nga Fushë Bardha, duke kaluar me Ballin Kombëtar në zonën e Delvinës. I pari u vra në luftë kundër partizanëve, ndërsa i dytë u arratis në Greqi. Nëntori 1944 e gjeti në Shkodër. Nuk u arratis. U paraqit te komanda e vendit në Gjirokastër e cila e burgosi për 50 ditë në Burgun e Beratit. Pas lirimit vijoi ushtar në Brigadën e 10-të. Në janar 1947, u lirua nga ushtria.

Ishte martuar në vitin 1942. Kishte një djalë të quajtur Rushan dhe një vajzë të quajtur Zimile. Në 19.2.1948, u arrestua dhe u dërgua në burgun e Gjirokastrës. Por prej këtej mundi të arratisej më 31.3.1948 duke shkulur dy hekura të birucës ku ishte vendosur. Më 8.5.1948 kaloi kufirin dhe iku në Greqi.

Sipas burimeve të kohës, në mesnatën e 23-24 korrikut 1951, janë hedhur me parashutë disa desantë. Më 26.7.1951, ora 10.00, një nga desantët pyeti një fshatar nëse shkonin florinjtë këtu. Fshatari dyshoi dhe spiunoi menjëherë. Po këtë ditë, ora 15.00, djaloshi Mihal Pano Gjika nga Senica që po kulloste delet, vëren dy persona të dyshimtë të veshur ushtarakë, të cilët ishin duke u çlodhur. Lajmëroi Sigurimin në Vergo. Rreth orës 23.00 të po kësaj dite, në postbllokun e vendosur, ku ishin dy ushtarë dhe dy banorë të fshatit Senicë, vjen Kasem Shehu nga Konispoli, të cilit i kërkohet parulla. Meqë parullë nuk dinte, dorëzohet. Merret vesh se bashkë me të ishin edhe: Riza Abazi nga Kllogjri, Muhamet Hoxha nga Gjirokastra dhe Fidai Veliu nga Fushë Bardha.

Më 27.7.1951, organizohet kërkimi në rrugën Tatzat-Kalasë dhe në drejtim të malit të Zhulatit. Në kërkim merrte pjesë populli i fshatrave Kalasë, Vergo, Senicë.

Pas kërkimesh, njësiti diktoi Fidai Veliun dhe Riza Abazin, të cilëve u kërkoi të dorëzoheshin. Këta hoqën rrobat ushtarake dhe u veshën civilë. Rrethohen nga populli i Kalasës dhe nuk pranojnë të dorëzohen. Në rrethim morën pjesë gratë e fshatit Kalasë, ndër të cilat Ferko Rako i qëllonte me gurë desantët. Fidaiu vrau veten për të mos rënë i gjallë.

Më 27.7.1951, ora 7.00, mbi fshatin Varfanj, fshatari Mitat Cani takoi desantin Muhamet Hoxha i cili i kërkoi ujë. Mitati njoftoi policinë e më pas popullin. Desanti vijon në Varfanj e takohet me bariun Bako Canaj dhe Kristo Velçon nga Kudhësi, të cilët e kujtuan ushtar dhe i folën. Më pas u rrethua në përroin e Kardhiqit dhe u kap i plagosur.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here