Avokat, botues, publicist, i vëllai i Arshi Pipës. Lindi në vitin 1914, në Brussa të Turqisë, në një familje me origjinë libohovite. Studimet e mesme i kreu në gjimnazin «Illyricum» në Shkodër, kurse të lartat për Jurisprudencë në Padova të Italisë. Ende student, më 1940 u arrestua nga autoritetet fashiste italiane për shkak të protestave kundër pushtimit të vendit dhe u internua në Ventotene, por u lejua që të jepte provimet. Pas diplomimit, u kthye në Shqipëri dhe për pak kohë punoi si gjyqtar, punë nga e cila hoqi dorë shpejt, duke marrë në dorë zyrën avokatore të të atit. Në dhjetor 1943, botoi revistën «Fryma», bashkë me të vëllanë, Arshiun [shih], Qemal Draçinin [shih] etj., pranë zyrës së tij legale në Parrucë të Shkodrës. Në vitin 1944 botoi revistën «Kritika», të cilën e drejtoi i vëllai, Arshiu. Në vitet 1945-1946 mbrojti si avokat disa nga figurat e njohura antikomuniste në gjyqet e para politike, si në Gjyqin Special (1945) dhe gjyqin e organizatës «Bashkimi Shqiptar», gjyqi kundër të cilëve u hap më 28 janar të vitit 1946, në kinemanë «Rozafat» në Shkodër. Por shumë shpejt, trupi gjykues e përjashtoi si përfaqësues të mbrojtjes, sepse, sipas tyre, «ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave, apo ka qenë pjestar», duke emëruar në vend të tij Ranko Çerankoviqin. U arrestua në shtator 1946 si ndihmësorganizator i kryengritjes së Postribës dhe u torturua me hekur të skuqur me porosi të Koçi Xoxes. Në hetuesi, në shtëpinë e Pjetër Çurçisë në Shkodër, ngaqë nuk po u përgjigjej pyetjeve që i bënin, u qëllua me revole në gojë nga hetuesi Elez Mesi, me gjasë më 3 tetor të vitit 1946. Më 27 qershor 2008 iu dha dhe titulli «Qytetar Nderi» i qytetit të Shkodrës. Është dekoruar me urdhërin «Nderi i Kombit» (pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (Tiranë: ISKK, 2017), 303
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.