Në vitin 1947, një numër i madh të dënuarish politikë u gumbulluan në Vloçisht për të punuar për tharjen e kënetës së Maliqit. Kampi ndodhej në Vloçisht, por front pune kishte edhe në Nizhavec. Më pas kampi u vendos në Pojan. Gjatë kohës që punohej në Vloçisht, pati disa viktima që të lodhur nga puna, të uritur, të etur dhe të keqtrajtuar nga policët, ranë në kënetë dhe u varrosën të gjallë. Në këtë kamp ka humbur jetën nënkolonel Sulejman Vuçiterna dhe disa të dënuar të tjerë. Sipas një raportit të Qeverisë Amerikane dorëzuar Kombeve të Bashkuara në vitin 1955, në kënetën e Vloçishtit, ishin varrosur të gjallë prifti Josif Mihali, hoxha Qazim Melçani, nënkolonel Tefik Hoxha, Riza Qako, etj..

Dëshmia/Skënder Stefanllari: “Më kujtohet një prift, At Josif Papamihali nga Elbasani, të cilin unë e kisha njohur që më parë kur ishte prift në Korçë. Po ktheheshim një ditë nga puna në kamp dhe ai u ul të shkulte panxharin dhe ta hante me gjithë baltë siç ishte. Por, panxhari nuk shkulej, dhe rojet e goditnin priftin. E goditën aq shumë, saqë ai mbeti atje dhe tufa e bagëtive i kalonte sipër.  Kështu u varros për së gjalli. Disa vite më vonë, fshatarët thanë  se kur bëheshin punimet, pra, pasi filloi të thahej këneta, buldozeri kishte hasur në kufoma. Por jo vetëm ky; kishte edhe të tjerë, të cilët i kishin varrosur të gjallë.”

“Në punë e sipër, një i burgosur nga ata tregtarët e Korçës i kishin sjellë qëllimisht në Vloçisht për ti torturuar, që të dorëzonin floririn. U largua nga ne nja dhjetë metra për të bërë nevojat personale, e këshilluam të mos largohej se të qëllon roja. Bëje këtu, por nuk dëgjoi fatkeqi, rojet e qëlluan me armë, por nuk u vra, u kthye menjëherë. Në çast mbërritën policët, na pyetën kush ishte ai që u largua dhe që e qëlloi roja? I burgosuri e pranoi, si përfundim filluan ta qëllojnë me kopaçe, me shqelma në fytyrë pa mëshirë, në trup ku të mundnin në trupin e të gjorit të burgosur të pa faj. Nuk u ngopën me kaq kriminelët, njeri e mori nga krahu dhe tjetri nga këmbët, e hodhën në kanal dhe vdiq në vend, aty në skarpat u varros…”

Burimi: “Zërat e kujtesës”, botim i ISKK.

Dëshmia/Skënder Dume: Për të dhënë tmerr në masat, përditë policët futnin në kanal dhe mbulonin të gjallë me dhe e me ujë shumë veta nga këto kategori. Kam parë me sytë e mi kur rreshteri i policisë Hito Hitaj ka mbuluar të gjallë në kanal Tefik Hoxhën nga Elbasani, ish-nënkolonel Sulejman Vuçiternën, një avokat, Baba Qazimin dhe Josif Papamihalin, kryetar i kishës unite (në origjinal thotë gabimisht “katolike”) të Korçës.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.