Pas përfundimit të punës në Beden, një pjesë e të burgosurve shkuan në Lekaj, dhjetor 1948. Punimet këtu kanë shkuar në funksion të përshtatjes së terrenit ku ishte ndërtuar më parë hekurudha Durrës-Peqin (nisur më 1 maj 1947 e përuruar më 7 nëntor 1947).

Pas mbylljes së punimeve, të burgosurit shkuan prapë në Maliq. Beqir Ajazi ishte një prej këtyre të burgosurish. Ai shkruan:

Më në fund u vendos që do të iknim nga Bedeni, se do të na çonin në Kampin e Lekajt. Rruga e trenit Durrës-Rrogozhinë, para se të hynte në këtë të fundit, kalonte nëpër disa kodra të vogla me përbërje krejt zhur. Prandaj dhe ky vend quhej pikërisht Zhurje. Kjo hekurudhë i ishte besuar rinisë, për ta ndërtuar me punën e saj vullnetare. Sipas planit të rrugës, niveli i trasesë në këto kodra duhej të ulej deri në kuotën që e donte treni. Kjo ulje e kodrave, nëpër atë zhurishte të mallkuar, ishte shumë, shumë e vështirë, për të mos thënë, e pamundur, sidomos për rininë vullnetare. Kështu që e kishin parë të udhës të na dërgonin neve, sepse mbi ne, veç dëshirës për ta bërë vendin me hekurudhë, vepronte dhe forca e dajakut, pa përjashtuar këtu komponentët e tjerë. Gjatë punës në atë kamp të mallkuar, bëri krye një fenomen që nuk kishte ndodhur më parë. Një pjesë e konsiderueshme e të burgosurve, sidomos e atyre që nuk kishin kurrfarë ndihme nga familjet, zunë të verboheshin krejtësisht, në kohën kur nuk kishte diell. Shokët dhe miqtë e tyre, i merrnin këta të mjerë për dore që në orën katër, kur bëhej zgjimi dhe nuk i lëshonin, vetëm se kur të lindte dielli dhe të shndriste tërë botën. Vetëm atëherë u vinin sytë këtyre të mjerëve. Në 1.200 veta, numri i këtyre të verbërve specifikë mund të arrinte padyshim në 400 veta.

Ndonëse në mënyrë sekrete, ashtu siç i bëjnë komunistët gjërat edhe më të vogla, komanda e kampit kishte alarmuar Kavajën dhe ministrinë. Për këtë na erdhi një komision mjekësor nga Kavaja. Që nga ajo ditë, kampin tonë e gëluan zarzavatet e sidomos qepët e njoma dhe të thata, të cilat duhej t’i hanim pa pushim dhe pa racion. Seksioni i tregtisë i Kavajës, “rroftë sebepi” i pastroi nga kalbësirat të gjitha dyqanet e rrethit dhe i solli aty te ne. Natyrisht, zarzavatet e tjera të kalbura ose në kalbëzim e sipër, na i zienin në një kazan gjysmë fuçie, u hidhnin brenda një shishe gjysmëkilëshe vaji dhe na i servirnin t’i hanin në pikë të zhegut. S’do mend se nga ngrënia e këtyre kalbësirave, të shumtë ishin nga ne, që i kishte zënë barku i keq, me rrezik dizenterie. Ndër këta fatkeqë, ndofta dhe më rëndë se të gjithë, isha dhe unë. Në fillim e durova me shpresë se do të më kalonte vetvetiu, po meqë sëmundja ime sa vinte rëndohej, infermieri më dha tri ditë pushim. Mirëpo, tetar Meçani ishte dhe më i fortë nga infermieri dhe nuk të linte pushim, po të nxirrte, po të qe nevoja, dhe me dajak. Kështu, hiq barku tmerrësisht dhe dil gjithë ditën në punë dhe ha zarzavate të kalbëzuara, erdha e u bëra kockë e lëkurë. Kishte shumë mundësi që të kisha kaluar në dizenteri dhe kjo, në kushtet e atyshme, do të thoshte vdekje. Infermieri i shkretë, atë që kishte mundësi, e bënte. Më linte pushim. Më tutje ai nuk kishte kurrfarë kompetence”.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.