Ky kamp ku punohej për hapjen e një kanali që do të lironte fushën nga ujërat, cilësohet si një nga më të vështirët. Të dënuarit punonin të zhytur në ujin me shushunja dhe vuanin sistematikisht nga uria e sëmundjet. Këto bashkë me mizorinë e policëve dhe vrasjet nga ana e rojeve shkaktuan disa viktima. I fundit i tyre ishte Mustafa Vata, i vrarë pak ditë para se të lirohej dhe pak ditë para se kampi të mbyllej. Edhe komanda e pranoi që roja kishte nxituar në vrasjen e tij sepse ai nuk kishte ndër mend të largohej nga kampi.

Dëshmia/Tanush Kaso: "Në vitet 1950-‘52, u punua në hapjen e kanalit të Bedenit, në rrethin e Kavajës. Kampi ngrihej pranë fshatit Beden, disa kilometra në jug-perëndim të Kavajës. Më shumë se 1000 të burgosur politikë për rreth dy vite punuan si skllevër për hapjen e një kanali vaditës 15 km të gjatë, në një terren kodrinor me shtresëzime shtufi, që vende-vende mundën të çelen me përdorimin e minave, nga të cilat pati edhe aksidente. Nga vështirësitë e jetës dhe puna e rëndë, u sëmurën dhe vdiqën më shumë se njëzet të dënuar. E tmerrshme ka qenë në këtë kamp, vdekja e një mirditori krejtësisht të pafajshëm, të quajtur Nikollë Bardhoku, nga Bushkashi. Vetëm për kapricion e një polici, ai u zhvesh lakuriq, u lidh pas një shtylle në oborrin e kampit dhe u la nën saçin e diellit përvëlues të korrikut, gjersa trupi iu bë plagë. Ulërinte nga dhimbjet e kërkonte shpëtim, por askush nuk guxonte t’i afrohej e të pësonte fatin e tij. Të nesërmen vdiq aty, si një shenjtor i lidhur. Komandant i kampit ishte Haxhi Pela, nga Qarku i Beratit".

Dëshmia/Skënder Dume: "Në vitin 1949 pata fatin e keq të vete në punë përsëri në kampin e Bedenit në Kavajë, në të cilin, në vitin e parë kishin punuar shokët tanë të (burgjeve) Vlorës, Shkodrës, Beratit dhe Gjirokastrës. Kishin vdekur nga duart e aspirantit të policisë Haxhi Pelës, nacionalistët më të mirë, si Jaçe Zleusha nga Përmeti e të tjerë. Kam parë me sytë e mi varret e këtyre njerëzve që u mbuluan të gjallë.

...Këlyshët e kuq të Stalinit, të cilët e kanë zënë popullin tonë në grykë, pretendojnë gjoja se partia e tyre pas ekzekutimit të Koçi Xoxes bëri një kthesë të madhe. Kjo nuk është aspak e vërtetë, ata po tregohen edhe më të egër e të pamëshirshëm. Çfarë do të thonë vallë për vrasjen që i bënë me dru vitin e kaluar Luigj Lulit në kampin e Bedenit?"

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.