Jurist, një nga hartuesit e legjislacionit shqiptar të periudhës së Monarkisë, avokat. Lindi më 6 janar të vitit 1897, në qytetin e Shkodrës. Filloi mësimet në Kolegjin Saverian të qytetit, por i ndërpreu ato për t’i vazhduar katër vitet e fundit në Kolegjin Jezuit të Peshtit në Hungari. Pas mbarimit të shkollës, më 1916 u kthye në vendlindje. Më 1920 iu aprovua e drejta për të ndjekur studimet në degën e Jurisprudencës pranë Universitetit të Romës në Itali. U diplomua në vitin 1924. Më vonë mbrojti dhe gradën shkencore Doktor në Jurisprudencë. Është një nga hartuesit e Legjislacionit modern shqiptar të periudhës së Monarkisë shqiptare. Pas mbarimit të Luftës punoi si avokat. Në vitin 1947 u arrestua në qytetin e Beratit, i akuzuar për agjitacion e propagandë dhe si pjesëmarrës në organizatën «Bashkimi Demokrat». Më 30 mars 1948, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor se ka «marrë pjesë në mbledhje të ndryshme, dhe ka hapur parulla me qëllim që të ulin prestigjin e Shtetit dhe të ngjallin pabesim ndaj masës së popullit» dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie, humbjen e të drejtave civile e politike për 5 vjet kohë, si dhe me konfiskimin e gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. Por një muaj më vonë, më 21 prill të po atij viti, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake ia ktheu dënimin në 5 vjet privim lirie dhe konfiskim të gjysmës së pasurisë. Kështu, më 20 gusht të vitit 1948, Komiteti Ekzekutiv i K.P. të rrethit të Tiranës vendosi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij. Si pasojë e këtij vendimi iu sekuestruan tre vila luksoze në Tiranë, kurse familja e tij u nxor me përdhunë nga shtëpia vetëm me petkat e trupit dhe u dëbua nga Tirana për në Shkodër. Dënimin e plotë e vuajti në burgun e Burrelit. Pas lirimit, më 1956 u internua për katër vjet në Kuç të Kurveleshit. Dymbëdhjetë vitet e fundit, për të siguruar bukën e gojës, u lejua të shiste cigare në një kinkaleri të qytetit të Shkodrës. Vdiq në vitin 1982 në Shkodër. Një nga tre veprat kryesore që la në fushën e Drejtësisë është shtjellimi i Kodit Civil «Sendet, zotnimi dhe modifikimet e tij», i cili u ribotua në vitin 1995.

 

Burimi: Republika Popullore e Shqipërisë, Gjykata e Lartë Ushtarake, Nr. 127 i Regj. Them.; Gazeta Shqiptare, 7-8 shtator 2002; Gazeta Zyrtare, nr. 89, 15 shtator 1948, fq. 6.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.