Sipas dëshmisë së ish të dënuarit Petrit Velaj, ai kishte mbërritur në këtë burg me 14 shtator 1946 së bashku me të dënuar të tjerë sjellë nga burgu i Vlorës.  Në një qeli rrinin rreth 16 burra. Sipas Velajt në vitet 1947-1948 nga ky burg ishin varrosur 720 të burgosur.

Dëshmia e Engjëll Kokoshit, ish i burgosur politik në këtë burg:  “Ku varroseshin gjithë ato kufoma?” “Gjithmonë në të njëjtin vend. Atje, pikërisht përballë dritareve të qelive mes dy rrethimeve, në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ç’fund do të pësonin. Atje ka qenë një pemë qershie që në pranverë dukej se lulëzonte bash për ata që treteshin poshtë saj. Kufomat, cullake – rrobat dhe gjërat e tjera i ndanin mes vetes xhelatët – të mbështjellë me batanije i varrosnin në radhë, njërin ndanë tjetrit, pa emër dhe pa asnjë nishan”.

Pavllo Naçe, nipi i Koli Rodhes dëshmon për kujto.al: "Në fillim Kolë Rodhen e kanë dënuar me pushkatim, ishte pretenca, por pastaj me 35 vjet burg. Pas gjyqit Kolën e shpjenë në Burrel, në burgun famëkeq të Burrelit, qelia nr:6. Atëhere propaganda ishte që Qelia nr:6 ishte “ferri” edhe asnjë nuk dilte i gjallë. Një nga arsyet thonë që, pra shkaku ka qënë edhe uria, përveç moshës edhe uria.Vdekja e tij ka qënë një vdekje mes torturash. Më vonë në familjen e Kolë Rodhes, së gjyshes, vjen një person që kishte jetuar në birucë me Kolën edhe ju thotë:“Ka vdekur në duart e mia Kolë Rodhja dhe unë isha personi që e kam varrosur atje në “Qershiza”. Ishte një tokë shumë e fortë gurishte dhe ne nuk kishim as mjete dhe as vegla për të hapur dhe për të bërë gërmimin e duhur për të varrosur njerëzit. Unë e kam hapur me mjete rrethanore, me ç’kisha atje një vend dhe të them të drejtën nuk kisha më as fuqi që ta hapja më të thellë. Domethënë unë nuk e kam mbuluar me më shumë se 20-30 cm dhe përsipër. Përveç kësaj ajo qe një zonë e shkretë që kishte edhe egërsira edhe qentë lëvisnin natën dhe kishte e shumë raste që i zbulonin kufomat e njerëzve të vdekur...."

Giuseppe Terrusi erdhi në Shqipëri si nëndrejtor i bankës italiane në Gjirokastër. Më pas emërohet drejtor i bankës italo-shqiptare në Vlorë. Arrestohet në vitin 1945 me akuzën që u kishte dorëzuar me dëshirë bankën gjermanëve, kur në letrat e tij shprehet qëndrimi antagonist me pushtuesit gjermanë. Burgoset fillimisht në Vlorë dhe pas 4 vitesh çohet në burgun e Burrelit, ku ndërron jetë në vitin 1952. I biri, Aldo Terrusi, i lindur në Vlorë dhe i riatdhesuar me të ëmën, në vitin 1949, në Itali, kërkon prej vitesh të marrë eshtrat e të atit në atdhe.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.