Veprimtar politik, Ministër i Arsimit.Lindi më 10 janar të vitit 1893, në Korçë. Kreu dy fakultete, atë të Jurisprudencës dhe të Pedagogjisë. Në vitin 1922, qeveria shqiptare e dërgoi në Shkodër që të themelonte gjimnazin shtetëror të këtij qyteti. Më 1924, si përkrahës i qeverisë së Fan Nolit, mërgoi me gjithë familjen në Jugosllavi. Një vit më vonë, në Beograd Xhevat Korça u caktua prej profesor Henrik Bariqit lektor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ndërsa gjatë vitit akademik 1927-‘28 mbajti kursin "Gjuha shqipe për fillestarë". Pas tre vitesh qëndrimi në Beograd, u zhvendos së bashku me familje në Austri, Vjenë, ku u mor me përkthimin e dokumenteve të arkivit austriak, që hidhnin dritë mbi historinë tonë kombëtare. Pas atentatit ndaj Zogut në Vjenë, kaloi me banim në Graz e, prej këtu, në Fiume të Italisë. Në vitin 1940 u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit, së bashku me Riza Danin , Sejfi Vllamasin, Fuad Asllanin , Dhimitër Beratin etj. Me emërimin e mikut të tij, Mustafa Krujës, si kryeministër më 1942, bëhet pjesë e kabinetin ministerial, në detyrën e Ministrit të Arsimit. U arrestua në vitin 1945 "si armik i popullit" dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Si shenjë proteste për keqtrajtimin në burgun e Burrelit, u fut në grevë urie derisa i dha fund jetës mbas 12 vitesh burg.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist IV (Tiranë: ISKK, 2015), 320
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.