Valentin Përvizi u lind në vitin 1920 në fshatin Skuraj të krahinës së Kurbinit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij një nga më të njohurat e asaj treve. Valentini ishte fëmija i parë i Prenk Përvizit i cili ishte diplomuar në një nga shkollat ushtarake të Vjenës në Austri dhe në atë kohë ai shërbente si oficer me gradën e kapitenit në Batalionin Special të komanduar nga major Prenk Jaku. Familja Përvizi ku u lind Valentini, asokohe ishte një nga familjet e parisë së Kurbinit dhe i pari i tyre Gjin Pjetër Përvizi, ishte udhëheqës ushtarak e politik i gjithë asaj krahine. Ai kishte udhëhequr forcat vullnetare kurbinase në disa beteja kundra taborreve turke që ishin të instaluara në Krastë të Krujës, gjatë operacioneve ndëshkuese që ata kishnin marrë në zonën e Milotit dhe të Skurajt. Po kështu në 28 nënorin e vitit 1912, me porosinë e Dom Nikoll Kaçorrit, Gjin Pjetër Përvizi kishte ngritur flamurin shqiptar në qëndrën e krahinës së Kurbinit në Milot. I rritur dhe i edukuar në atë ambient familjar nën kujdesin e posaçëm të xhaxhait të tij Gjin Pjetri, babai i Valentinit, Prenka, kishte dëshirë dhe synonte që edhe djali i tij të shkollohej në një nga akademitë ushtarake të Italisë, në mënyrë që të ruante traditën familjare të asaj shtëpie. Lidhur me këtë, vëllai i Valentinit, 74-vjeçari Lekë Përvizi dëshmon: "Duke qenë se familja jonë ishte në një gjëndje shumë të mirë ekonomike, aty nga viti 1926 babai ynë Prenka vendosi që ta dërgonte Valentinin për të studjuar në Itali. Kështu që nga viti 1926 e deri në vitin 1941, vëllai ynë i madh Valentini u shkollua në shkollat dhe akademitë ushtarake të Italisë. Filloren dhe gjimnazin ai i mbaroi në kolegjin Don Bosko të Lanzo Torineses (Torino) ku doli me rezultate shumë të mira. Në vitin 1930 kur Valentini vazhdonte mësimet në klasën e katërt të atij kolegji, në qytetin e Torinos shkoi dhe baba Prenka, pasi mbreti Zog e kishte caktuar për të vazhduar studimet e për t'u specializuar pranë Akademisë Ushtarake të atij qyteti. Kështu për katër vjet me rradhë nga 1930-ta e deri në vitin 1934, vëllai Valentini ishte nën kujdesin e plotë të babës, i cili e kontrollonte herë pas here në kolegjin ku ai studjonte", kujton Lekë Përvizi lidhur me shkollimin e vëllait të tij Valentinit në Itali.

Në Akadeninë Ushtarake të Modenas

Në vitin 1936 pasi Valentin Përvizi mbaroi me nota shumë të mira kolegjin Don Bosko në qytetin e Torinos, nën kujdesin e babait të tij Kolonel Prenk Përvizit që ishte një nga oficerët më të përgatitur e më të njohur të Monarkisë së Zogut, u dërgua për të vazhduar studimet në një nga shkollat ushtarake të Romës ku asokohe mësonin shumë prej pinjollëve të familjeve aristokrate italiane. Lidhur me periudhën e studimeve të Valentinit pranë kësaj shkolle ushtarake, vëllai i tij Leka dëshmon: "Në këtë shkollë tepër të njohur dhe me famë të kryeqytetit italian, bashkë me Valentinin asokohe studjonin dhe disa studentë të tjerë shqiptarë. Ndër ata studentë, shokët dhe miqtë më të ngushtë të tij ishin: Asim Zeneli, (Hero i Popullit) Lekë Vojvoda, (i burgosur politik) Avdyl Këllezi, (ish- zv / kryeministër) Avdi Mati (Gjeneral, Komandant i Flotës) Ndue Lala, (antikomunsit i arratisur) Ali Ohri, (i burgosur politik). Siç më ka pas treguar vetë Valentini, në prillin e vitit 1939 bashkë me këta shokë kishin vendosur që të kryenin disa atentate në Itali, kundra personaliteteve të larta shqiptare që kishin dërguar telegrame mirseardhje Italisë fashiste dhe që kishin dorzuar kurorën e Skënderbeut në Romë. Për këto atentate që ata nuk mundën t'i realizonin dot, kishin hedhur short se kush do të merrej me realizimin dhe kryerjen e tyre. Përveç këtij plani, ai grup studentësh ushtarakë shqiptarë ku bënte pjesë dhe Valentini në ditët e para të prillit të vitit 1939 kur Italia kishte pushtuar Shqipërinë, vendosën dhe bojkotuan betimin ushtarak përpara flamurit italian. Kur po kryhej ceremonia e betimit në të cilën asistonin autoritete të larta ushtarake fashiste, ushtarakët shqiptarë ulën kokat dhe nuk e përsëritën formulën e betimit. Nisur nga kjo ushtaraku i lartë italian që po e lëxonte atë, iu drejtua kapitenit Luigj Mikeli (nga Shkodra) duke i thënë: "Zoti Mikeli, përktheje formulën e betimit, se si duket bashkëatdhetarët e tu shqiptarë nuk e kuptojnë". Pas këtyre fjalëve Luigji iu përgjigj: "Në qoftë se ata nuk e kuptojnë dot italishten, unë nuk e njoh fare", kujton Lekë Përvizi lidhur me periudhën e studimeve të vëllait të tij Valentinit në shkollën ushtarake të Romës, ku ai kishte shokë të ngushtë disa studentë të cilët më pas u bënë personalitetet më të njohura të jetës politike në Shqipërinë komuniste.

Arrestohet nga gjermanët

Pas mbarimit të shkollës ushtarake të Romës me rezuultate shumë të larta, në shtatorin e vitit 1939 Valentin Përvizi u dërgua për të ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake të Modenas, e cila asokohe ishte një ndër më të famshmet e Italisë. Në atë akademi Valentini studjoi për dy vjet me rradhë në kursin e Kavalerisë dhe në vitin 1941 ai u diplomua me rezultate të larta, duke marrë dhe gradën e nëntogerit. Lidhur me studimet e tija në atë qytet dhe fillimet e karrierës ushtarake, i vëllai i tij Leka, dëshmon: "Pas përfundimit dhe marrjes së diplomës në Akademinë Ushtarake të Modenas, Valentini u emërua si oficer në një vënd të izoluar malor në Merano. Më pas ai kaloi në një kurs njëvjeçar për mjete të blinduara dhe u inkuadrua si komandant i një njësie në një regjiment tankist ku mori dhe gradën e togerit. Ky regjiment ishte përgatitur dhe stërvitur për të shkuar në vijën e frontit të luftës në Afrikën Veriore, në Libi. Por pas precipitimit të ngjarjeve ndryshe nga sa ishte parashikuar nga Shtabi Italian e Luftës, ai regjiment tankist ku bënte pjesë dhe Valentini, u caktua që të merrte nën mbrojtje një rajon të kryeqytetit, Romë. Në fillimin e shtatorit të vitit 1943 me kapitullimin e Italisë fashiste, ndërsa ushtria italiane mori urdhër që t'u kundërvihej forcave gjermane që ndodheshin në Tivoli afër Romës, njësia tankiste ku bënte pjesë Valentini ndodhej në zonën e Montorsit ku zhvilloi luftime të ashpëra kundra gjermanëve. Në ato luftime Valentini u dallua për përgatitjen e lartë ushtarake dhe për guximin e treguar u lavdërua nga komanda eprore aty në fushën e betejës. Por pas kapitullimit të dytë të gjeneral Badolios, ushtria italiane u dorzua tek gjermanët të cilët pasi i liruan të gjithë ushtarët, mbajtën vetëm oficerët që i mbyllën në një kamp të improvizuar të rrethuar me tela me gjemba dhe me roje të shumta. Qëllimi i gjermanëve ishte që oficerët italianë t'i dërgonin në kampin e internimit në Dakau të Gjermanisë, në rast se ata nuk firmosnin për të shërbyer në ushtrinë e komanduar nga Musolini. Gjatë kësaj kohe që ushtarët italianë mbaheshin në atë kamp, Valentini së bashku me dy oficerë italianë u arratis që andej dhe për disa ditë qëndroi i fshehur në shtëpitë e tyre në Romë. Më pas Valentini u largua nga Roma dhe shkoi e u fsheh në shtëpinë e bashkëshortes së tij italiane, Maria Gorizio, me të cilën ishte martuar aty nga vera e vitit 1942. Edhe në qytetin e Bolonjas ai ishte në rrezik që të arrestohej e të dënohej si dezertor dhe për disa kohë qëndroi i fshehur në atë shtëpi ku i shpëtoi për mrekulli vdekjes pas shëmbjes së asaj banese nga bombardimet e avioneve", kujton Leka aventurën ushtarake të vëllait të tij Valentinit në Itali.

Kthimi në Shqipëri dhe arrestimi

Në shtëpinë e bashkëshortes së tij në Bolonja, Valentin Përvizi qëndroi deri në shtatorin e vitit 1944 dhe në atë kohë ai ndërrmori një udhëtim të gjatë për tu kthyer në atdheun e tij në Shqipëri. Lidhur me ketë, Leka dëshmon: "Një nga personat që e nxitën Valentinin për t'u kthyer në Shqipëri në atë kohë të papërshtatëshme për familjen tonë, kur komunistë ishin në prag të marrjes së pushtetit, ishte një shoku i tij i shkollës i quajtur Nuri. Pas insistimit të tij, ata të dy përgatitën dokumente fallso për vete dhe gratë e tyre dhe pas një udhëtimi të gjatë duke përshkuar Vjenën, Budapestin, Beogradin, Prizrenin, ata të katërt mbërritën në Shkodër. Në atë kohë që Valentini mbërriti në Shkodër, ai u strehua tek familja e shokut të tij Lekë Vojvodës i cili mbante funksionin e rrethkomandantit të Malësisë me gradën e kapitenit. Ndërsa Valentini qëndronte i fshehur aty me bashkëshorten e tij italiane, familja jonë ishte e shpërndarë, pasi kullën tonë në fshatin Laç të Kurbinit e kishin bombarduar gjermanët dhe e kishin djegur partizanët. Në atë kohë babai Prenka që kishte qenë në funksionin e Ministrit të Mbrojtjes, ishte në malësinë e Lezhës me misionet britanike, kurse ne dy djemtë e tjerë me nanën dhe me gjyshen ishim të fshehur në malet e Skurajt. Në dhjetorin e vitit 1944, me ndihmën e Prof. Kol Prelës, Valentini me të shoqen e tij zbritën në qytetin e Shkodrës ku ai dhe u arrestua gjatë një kontrolli që bënë forcat partizane të ndjekjes në shtëpinë ku ai u strehua. Arsyeja e vetme e arrestimit të Valentinit, ishte fakti se ai ishte i biri i Gjeneral-Prenk Përvizit, të cilin komunistët e kishin shpallur armik dhe e kërkonin me qiri gjithë ditën. Pas arrestimit të tij, e shoqja italiane shkoi për të protestuar tek komandanti partizan i operacionit, Gjeneral Mehmet Shehu, i cili i tha: "Në vënd që të na falenderosh se nuk e kemi pushkatuar, ti kërkon lirimin e tij", Pasi Valentini qëndroi dy vjet në hetuesi pa u gjykuar, duke mos pasur asnjë lloj fakti për ta dënuar, atë e dënuan me internim dhe e sollën në Berat ku kishin dërguar një pjesë të familjes sonë", kujton Lek Përvizi lidhur me arrestimin e vëllait të tij Valentinit pas kthimit nga Italia në Shqipëri.

Me gruan italiane pas 47 vjetësh

Pas burgosjes së Valentinit, e shoqja e tij italiane, Maria Gorizia, u riatdhesua në Itali së bashku me shumë italianë që asokohe u lejuan të ktheheshin në atdheun e tyre. Maria nuk kishte asnjë dëshirë që të ikte në Itali pa Valentinin, por ajo u detyrua që ta ndërrmerte atë hap, pasi asokohe e gjithë familja Përvizi ishte në burgje dhe internime. Ndërkohë që Valentini bashkë me ne pjestarët e tjerë të familjes vuajti për plot 47-vjet në kampet e internimit të Beratit, Kuçovës, Porto-Paleroms, Tepelenës, Çorovodës, Fabrikës së Tullave Tiranë, Shtyllas të Fierit, Kuç i Vlorës, Plug e Gradishtë të Lushnjes, e shoqja e tij italiane i drejtonte vazhdimisht kerkesa Ministrisë së Jashtme Italiane që të ndërhynin pranë qeverisë shqiptare për të bërë të mundur bashkimin me bashkëshortin e saj. Mirpo këto kerkesa binin në veshin e shurdhër të palës shqiptare dhe aty nga tetori i vitit 1967 ambasadori italian në Shqipëri Norberto Lehman, në një përgjigjie që i bënte Ministrisë së tij të Jashtme ndër të tjera i shkruante: "Me vazhdimin e regjimit komunist në Shqipëri, nuk mendohet se Valentin Përvizi i cilësuar "Armik i Popullit", të fitojë lirinë". Por ëndërra e bashkëshortes italiane të Valentinit, u bë realitet vetëm në shkurtin e vitit 1991, kur në Shqipëri po përmbysej regjimi komunist. Atë ditë që në Tiranë po rrëzohej monumenti i diktatorit Enver Hoxha, Valentini mundi që të largohej nga Shqipëria pasi më parë kishte siguruar dhe vizën nga ambasada italiane. Po atë ditë ai mbërriti në aeroportin e Bolonjës ku e priste bashkëshortja e tij Maria, me të cilën takohej pas 47 vjet ndarje", e përfundon rrëfimin e tij Lekë Përvizi lidhur me historinë e dhimbëshme të vëllait të tij Valentinit, që kaloi një jetë në burgjet e internimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe u bashkua me bashkëshorten e tij italiane të cilën nuk e kishte parë që nga viti 1945 kur atë e arrestuan si armik të popullit. Ata të dy jetuan bashkë vetëm nëntë vjet, pasi më 13 maj të vitit 1999 Valentini ndërroi jetë në spitalin Malpighi të Bolonjës ku dhe u varros me nderime nga miqtë e të afërmit e tij të mërgatës antikomuniste që i dhanë lamtumirën e tyre, njeriut që konsiderohej si simboli i qëndresës ndaj diktaturës enveriste.

Kronologji

1 Koriik 1920, lind në Skuraj të Kurbinit.
1926-1941, kryen gjithe shkollat në Itali, deri në përfundimin e Akademisë Ushtarake të Modenas.
1941, toger ne Regjimentin e kalorësisë Lancieri “Vittorio Emanuele II”, Bolonja Me shërbim edhe ne Merano..
1942, kurs njëvjeçar për mjete të blinduara në Civitavecchia e Trieste, komandant plotoni tankist.
1942, fejohët me zonjushën Maria Gorizia Manini në Bolonja.
1943, komandant plotoni tankist në mbrojtje të Romës,
ku ishte caktuar Regjimenti tij.
8 -20 shtator 1943, luftime kundër forcave të blinduara gjermane ne Tivoli, ku dallohët për akte trimërie..
20 shtator 1943, armisitici dytë, rob lufte i gjermanëve me oficerët e tjerë italianë për t’u dërguar në kampin e Dakaut. Arratiset nga kampin i Fraskatit me dy shokë italianë. Shkon në Bolonja pranë familjës së të fejuarës.
1943, martesa me Gorizian, dhe qënderim në Bomonja.
Korrik 1944, fillimi i Odisesë me udhëtimin e gjatë të kthimin në Shqipëri, ku arrin më tetor 1944 në Shkodër. Gjen shtëpitë e djegura dhe familjën të strehuar në malin e Skurajt. T’atin ne mal me misionin anglez.
Dhjetor 1944, Shkodër, arrestohet e burgoset si bir i Prenk Pervizit, dy vjet pa dalë në gjyq.
Mars 1946, e shoqja, Gori, detyrohet të riatdhesohët në Bolonja.
1947, denohet me tre vjet internim në Berat, ku bashkohet me gjyshën e nanën.
Shkurt 1948 , lirohët e bashkohët me të vëllanë e vogël, Lekën, në Tiranë.
Maj 1950, arrestohët me gjithë Lekën e mbyllet ne kalanë e Portopalermos
Burgjet e kampet, 1944-1991
1944-1946, burg i Shkodrës
1946-1948, internim në Berat.
1950-1951, mbyllur në kalanë-burg të Portopalermos.
1951-1952, kampi i mbyllur i Tepelenës, me punë të rënda të detyrueshme.
1952-1954, kampi i Ҫorovodës dhe fabrika e tullave Tiranë, me punë të detyrueshme.
1954, në kampin e Plukut të Lushnjës, punë të detyrueshme ne bujqësi.
1954-1955, kampi i Shtyllazit, punë të detyrueshme me të burgosurit, gërryerje me krah të një kanali të madh.
1955-1958, kampi-burg i izolimit në Kuç të Vlorës (Kurveleshit), izolim pa punë.
1958-1991, në kampët e Plukut e të Gradishtës së Lushnjës, në punë të detyrueshme në bujqësi e ndërtim.
1974, sëmuhët rëndë, operacion për ekinikok.
1975-1983, Gradishtë, punëtë detyruar në bujqësi e dalje ne pension.
Shkurt 1991, largimi nga Shqipëria, kthimi në Bolonja e
bashkimi me gruen, Gorin, pas 47 vjet ndarje të detyruar.
13 Mars 1999, vdes në Bolonja e pas tij më korrik 2003 edhe e shoqja.
Nuk patën fëmijë.

Burimi: Gazeta Panorama
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.

Lajme

Takim me xhelatin

Maria Gorizia, italiania që kërkonte mëshirën e Mehmet Shehut për lirimin e bashkëshortit të pafajshëm Lexo më shumë

Valentin Pervizi: Takimi pas 5 vitesh më nënën dhe gjyshen në internim

Jeta e vështirë në kampin e Beratit dhe letrat e kartolinat me bashkëshorten italiane Pas Lexo më shumë

Fjala e fundit e Prek Calit: Ma bani hallall o burra ! Mirupafshim n’at dynja

Ditët e fundit në burg dhe biseda me Valentin Pervizin  pak çaste para pushkatimit..... Në Lexo më shumë