63 martirët e klerit katolik të vrarë nga regjimi komunist, në 1944-1949

0
225
blank

Krimet politike janë referuar në kuptim të ligjit nr.7514, datë 30.9.1991, i ndryshuar, për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë. Të gjithë klerikët e mëposhtëm, plotësojnë të gjitha përcaktimet e këtij ligji. Janë shënuar emrat që lumnohen dhe ato që kanë munguar, për arsye të pashpjegueshme, të jenë pjesë e këtij nderimi.

Në një botim të mëvonshëm, do të publikojmë gjithë historinë e persekutimit, përfshi edhe emrat e persekutorëve dhe derivateve të tyre.

Më poshtë, lista e klerikëve të masakruar nga komunistët:

1-Patër Lek Luli (1908-1944). Vritet pabesisht, së bashku me shoqëruesin e tij, nga komunistët e batalionit Perlat Rexhepi, në Tropojë, në 16.7.1944. Pas vrasjes, i grabisin paratë që mbante me vete (Nuk figuron në listën zyrtare).

2-Dom Lazër Shantoja (1892-1945). Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet në Tiranë, në 5.3.1945. Akuzohej si bashkëpunëtor i Mustafa Krujës, element kryengritës, reaksionar, bashkëpunëtor i Gjon Markagjonit, etj, fashist i flaktë, etj.

3-Dom Ndre Zadeja (1892-1945). Dënohet me vdekje dhe pushkatohet në 23.3.1945, në Shkodër. U akuzua se strehoi Lazër Shantonë.

4-Dom Mark Gjani (1909-1945). Torturohet dhe vdes në shtator 1945, në Mirditë.

5-Patër Leonard Tagaj (1910-1945). Vritet pa gjyq, në 4.2.1945, në Traboin. (Nuk figuron në listën zyrtare).

6-Papa Pandi (1910-1945), meshtar unit, vrarë në Korçë, në tetor 1945 (Nuk figuron në listën zyrtare).

7-Dom Alfons Tracki (1896-1946). Klerik gjerman. Dënohet me vdekje dhe u pushkatua në 25.7.1946, në Shkodër, së bashku me Kol Ashiku, Llesh Marash Vata (varje në litar), Nikoll Prek Deda. U akuzuan si kriminelë lufte, armiq të popullit, sabotatorë të pushtetit popullor dhe strehues. Nuk është gjendur procesverbali i ekzekutimit.

8-Dom Zef Marksen (1900-1946). Klerik gjerman. U dënua me 2 vjet burgim, duke u akuzuar për shpirt nazist. U vra pas shpine më 16.11.1946 bashkë me patriotët e tij Rudolf Waber dhe Jozepf Kutzen në Kukës, gjoja se po arratiseshin.

9-Atë Bernardin Palaj (1894-1946). Vdes në hetuesi më 2.12.1946 Shkodër.

10-Atë Gjon Shllaku (1907-1946). U dënua me vdekje për pjesëmarrje në një organizatë fashiste, profashiste e terroriste, pavarësisht se nuk doli asnjë provë gjatë gjyqit. U pushkatua në 4.3.1946, në Shkodër.

11-Atë Gjovani Fausti (1899-1946). Klerik italian. U dënua me vdekje, për pjesëmarrje në një organizatë fashiste, profashiste e terroriste, pavarësisht se nuk doli asnjë provë gjatë gjyqit. U pushkatua në 4.3.1946, në Shkodër.

12-Atë Daniel Dajani (1906-1946). U dënua me vdekje, për pjesëmarrje në një organizatë fashiste, profashiste e terroriste, pavarësisht se nuk doli asnjë provë gjatë gjyqit. U pushkatua më 4.3.1946, në Shkodër.

13-Xhakon Mark Çuni (1920-1946). Themelues i Bashkimit Shqiptar të xhakojve. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në 4.3.1946, në Shkodër.

14-Patër Anton Harapi (1888-1946). U dënua me vdekje si kolaboracionist dhe u pushkatua në 20.2.1946, në Tiranë, së bashku me Lef Nosin dhe Maliq Bushatin.

15-Dom Nikoll Gazulli (1891-1946).Vritet pa gjyq në 23.3.1946, në Malësi të Madhe (Nuk figuron në listën zyrtare).

16-Imzot Nikoll Tusha (Nogaj) (1895-1946). Vritet në 14.9.1946, në Mal të Zi (Nuk figuron në listën zyrtare).

17-Patër Bernard Llupi (1886-1946). Dënohet me vdekje në Prizren, në një proces, ku së bashku me 26 persona të tjerë, u akuzua nga OZN-a jugosllave, për krijim organizate patriotike. U pushkatua në 25.11.1946, së bashku me Marie Shllaku, Kolë Parubi dhe Gjergj Martini (Nuk figuron në listën zyrtare).

18-Dom Luigj Pici (1907-1946). Dëshmoi pro klerikëve katolikë dhe u vra në Koplik, pabesisht e pa gjyq, në 10.11.1946. (Nuk figuron në listën zyrtare).

19-Dom Luigj Prendushi (1896-1947). Akuzohet si strehues kriminelësh dhe dënohet me vdekje. U ekzekutua në Shkodër, në 23.1.1947, para popullit. Kleriku tjetër, Ndoc Suma u dënua me 30 vjet burgim të rëndë. U dënuan po ashtu, bashkë me të, edhe Ndrec Dodani dhe Pjetër Zef Gjoni.

20-Dom Dedë Maçaj (1918-1947), (Dedë Gjon Gjonaj). Duke qenë ushtar, u akuzua për përhapje parullash disfatististe, për marrje mesazhesh nga Vatikani, për mospëlqim të PKSH-së, etj. Gjykata shënonte se kishte bërë 18 vjet shkollë për prift. U gjykua, së bashku me Rrok Gjurën, që u dënua me 1 vit burgim. U pushkatua në 28.3.1947, në Përmet.

21-Atë Serafin Koda (1893-1947). U torturua dhe vdiq në hetuesi, në 11.5.1947, në Shkodër.

22-Vëlla Gjon Pantalia (1887-1947). U arrestua në tetor 1946. U torturua shumë gjatë hetuesisë dhe vdiq në spital, në 31.10.1947.

23-Imzot Frano Gjuraj (1893-1946). Arrestohet dhe torturohet rëndë. Pa dalë në gjyq, e lirojnë. Nga plagët e rënda, vdes dy muaj pas lirimit, në 20.11.1947. (Nuk figuron në listën zyrtare).

24-Atë Ciprian Nika (1900-1948). Tregon armiqësinë kundër pushtetit popullor dhe kundra komunizmit - shkruhet në një dokument të Sigurimit. U akuzua se gjoja mbante armë dhe dokumente propagandistike, në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. U dënua me vdekje dhe në javën e parë të marsit 1948, u ezekutua. Nuk është trashëguar procesverbal ekzekutimi. U dënua, së bashku me Pal Dodajt (u dënua fillimisht me vdekje, por iu kthye në dënim të përjetshëm).

25-Imzot Frano Gjini (1886-1948). U gjykua së bashku me këto persona: Dom Nikoll Zef Deda, Patër Mati Prenushi, Patër Gjon Karma, Dom Tom Laca, ish deputeti Zef Kolë Haxhia, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Nikoll Shelqeti, Patër Mëhill Miraj, Zef Pllumi.

U akuzuan se kanë punuar për ardhjen e fashizmit gjatë luftës, kanë punuar për fashistizimin e vendit, janë bërë agjentë të Gestapos, kanë luftuar partizanët, kanë zhvilluar agjitacion e propaganda kundër pushtetit, etj, etj. U dënua me vdekje e u pushkatua në 11.3.1948, në Shkodër.

26-Atë Mati Prendushi (1887-1948). U dënua me vdekje dhe u pushkatua në 11.3.1948, në Shkodër.

(Së bashku me Frano Gjinin dhe Mati Prenushin, është pushkatuar edhe Nikoll Zef Deda, i cili mungon në listën zyrtare).

27-Dom Anton Muzaj (1921-1948). Akuzohet si nxitës i rinisë kundër pushtetit. U torturua rëndë. Vdes prej torturash mbas hetuesie, në vitin 1948, në Shkodër.

28-Dom Anton Zogaj (1900-1949). U gjykua së bashku me Imzot Viçens Prenushin dhe Dom Pal Gjinin. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua në Durrës, në 9.3.1948. U akuzuan për faje kundra popullit e shtetit, për lidhje me grupet tradhëtare, organizatën demokristiane, agjentët anglo-amerikanë, kriminelët e arratisur dhe gjithë klerikët reaksionarë katolikë.

29-Dom Ejëll Deda (1917-1948). U akuzua se ishte pjesëtar i Bashkimit Shqiptar, por u arrestua në vitin 1947. U dënua me 10 burgim. Vdiq në 12.5.1948, në spitalin e burgut të Shkodrës, mbas torturash të rënda.

30-At Josif Papamihali (1912-1948). Agjent i propagandës unite dhe armik i pushtetit popullor, shkruhet në një dokument të Sigurimit. Arrestohet në v.1946. Akuzohet se propagandonte kundër të ashtuquajturit pushtet popullor, se ishte në lidhje me UNRRA-n, etj dhe dënohet me 5 vjet burgim e punë të detyruar. Vdiq në kampin nr.1 në Maliq, në 26.10.1948.

31-Dom Dedë Plani (1889-1948). U arrestua në Koplik. U torturua shumë e nuk mund ta nxirrnin në gjyq. Vdiq në spital, në 30.4.1948.

32-Dom Aleksandër Sirdani (1925-1948). U torturua mbyt së gjalli në ujërat e zeza në Koplik, në 31.7.1948.

33-Dom Pjetër Çuni (?-1948). U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në ujërat e zeza në Koplik, në 31.7.1948.

34-Imzot Gjergj Volaj (1905-1948). U akuza për pjesëmarrjen në kryengritjen e Postribës, por u arrestua disa muaj pas saj. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua në 3.2.1948, së bashku me Cin Serreqin, Bilbil Hajnin, Xhelal Hardollin dhe Dulo Kalin. (Nuk figuron në listën zyrtare).

35-Dom Nikoll Laskaj(1898-1948). U akuzua për strehim kriminelësh dhe u dënua me 2 vjet burgim e punë të detyruar. Vdes në kampin e Bedenit, në 15.5.1948. Vëllezërit mundën tia marrin trupin e ta varrosin në Mirditë. (Nuk figuron në listën zyrtare).

36-Dom Nikollë Shelqeti (1893-1948). U dënua me 3 vjet burg e punë të detyruar. Vdiq në vitin 1948, në kampin e Bedenit në Kavajë. (Nuk figuron në listën zyrtare).

37-Patër Nikoll Zef Deda (1890-1948). U dënua me vdekje e u pushkatua në 11.3.1948, në Shkodër. (Nuk figuron në listën zyrtare).

38-Dom Mark Bicaj (1911-1949) (Mark Kolë Ndoji), (1911-1948). U dënua me 15 vjet burgim, duke u akuzuar si spiun i Jakomonit dhe për strehim kriminelësh. Vdes në burgun e Shkodrës, në 1948. (Nuk figuron në listën zyrtare).

39-Imzot Vinçenc Prenushi (1885-1949). U gjykua në vitin 1947, së bashku me Dom Anton Zogaj dhe Dom Pal Gjinin. U akuzuan për faje kundra popullit e shtetit, për lidhje me grupet tradhëtare, organizatën demokristiane, agjentët anglo-amerikanë, kriminelët e arratisur dhe gjithë klerikët reaksionarë katolikë. Ndërroi jetë në 19.3.1949, në burgun e Durrësit.

40-Dom Jak Bushati (1890-1949). U akuzua se strehonte kriminelët. U torturua dhe vdiq në hetuesi më 12.9.1949, në Shkodër.

41-At Gaspër Suma (1897-1950). U arrestua më 1948. U akuzua se gjatë luftës ishte vënë në shërbim të fashistëve, duke agjituar në dëm të komunistëve, ndërsa pas lufte ka bërë pjesë në organizata fashiste, socialdemokrate, duke propaganduar kundër PKSH-së e pushtetit komunist. U dënua me 3 vjet burg e punë të detyruar. Vdiq në burgun e Shkodrës, në 14.4.1950.

42-Rishtare stigmatine MariaTuci (1928-1950). U akuzua së bashku me Gegë Ndue Gjinin, për strehim kriminelësh dhe u dënua me 3 vjet burgim e punë të detyruar, vendim i cili iu kthye 2 vjet me kusht. Arrestohet në 5.9.1950. Dënohet në 13.9.1950. Vdiq nga torturat në 24.10.1950.

43-Imzot Jul Bonati (1874-1951). Akuzohet për bashkëpunim me fashistët gjatë luftës dhe anglo-amerikanët e UNRRA-s pas lufte. U dënua me 5 vjet burgim e punë të detyruar. Vdes në çmendinë, në 5.5.1951.

44-Patër Pal Doda (1880-1951). Ishte akuzuar së bashku me Ciprian Nikën për armët në kishë dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Vdes në burgun e Shkodrës më 5.9.1951. (Nuk figuron në listën zyrtare).

45-Dom Rrok Frisku (1892-1952).Të dhënat rreth tij janë të pakta. Është arrestuar në vitin 1947 në Mirditë, është dënuar me 12 vjet burgim e punë të detyruar. Vdes në burgun e Burrelit më 30.4.1952. (Nuk figuron në listën zyrtare).

46-Atë Karl Serreqi (1911-1954). Akuzohet për strehim kriminelësh dhe fillimisht dënohet me vdekje, por më pas dënimi i kthehet me burgim të përjetshëm. Vdiq në burgun e Burrelit më 4.4.1954.

47-Patër Klement Miraj (1882-1956). Akuzohet se mbante lidhje me gjermanët gjatë luftës, se e ka paraqitur komunizmin rrezik botëror, etj. Arrestohet në vitin 1952 dhe dënohet me 20 vjet burg e punë të detyruar. Vdes në burgun e Burrelit në 21.11.1956. (Nuk figuron në listën zyrtare).

48-Dom Ejell Kovaçi (1920-1958). U akuzua për lidhje me spiunazhin e huaj, me Pal Bib Mirakajn, për terror, etj. Në 13.11.1958, dënohet me vdekje dhe pushkatohet. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. U dënua së bashku me shtetasit: Nik Pepa, Angjelina Kovaçi (e motra), Dedë Marashi dhe Gjok Kola. (Nuk figuron në listën zyrtare).

49-Dom Dedë Malaj (1920-1959). U akuzua për tradhëti ndaj atdheut (arratisje d.m.th.) dhe agjitacion e propagandë. U pushkatua në breg të liqenit të Shkodrës, në 12.5.1959. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. U dënua së bashku me shtetasit: Patër Konrat Gjolaj, Lazër Parubi, Gjon Parubi, Lulash Petali, Gjeto Budashaj dhe Lash Toni.

50-Dom Ndoc Suma (1887-1962). U dënua në 1946, me 30 vjet burgim, i akuzuar për strehim kriminelësh. Vuan 8 vjet burg dhe lirohet nga burgu në v.1954. Vdiq në vitin 1962 pas vuajtjesh të shumta. U dënua së bashku me shtetasit e tjerë: Luigj Prendushi (ekzekutuar), Ndrec Dodani dhe Pjetër Zef Gjoni. (Rasti për tu diskutuar pasi ka vdekur 8 vjet pas daljes nga burgu).

51-Patër Rrok Gurashi (1894-1965). Arrestohet (disa muaj pas ngjarjes) në vitin 1947, i akuzuar për pjesëmarrje në kryengritjen e Postribës. U dënua me burg të përjetshëm e punë të detyruar. U lirua në vitin 1949, por u arrestua sërish në vitin 1956, duke u akuzuar si agjent i zbulimit italian dhe se kishte dhënë informata kundër Partisë së Punës dhe të ashtuquajturit, pushtet popullor. U dënua me vdekje, pushkatim, por dënimi iu kthye nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me burg të përjetshëm. Vdes në 1.1.1965, në burgun e Burrelit. (Nuk figuron në listën zyrtare).

52-Dom Zef Bici (1919-1968). Akuzohet për veprimtari spiunazhi dhe agjitacion e propagandë. Dënohet së bashku me klerikët Mark Dushi, MarkDoshi, FranoIlija, Gegë Luma dhe Alfonc Radovanin dhe Kolë Marlocajn. Dënohet me vdekje me pushkatim dhe ekzekutohet në 10.5.1968. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. (Nuk figuron në listën zyrtare).

53-Mark Dushi (1920-1968), akuzohet për veprimtari spiunazhi dhe agjitacion e propagandë. Dënohet së bashku me klerikët Zef Bici, Mark Doshi, Frano Ilija, Gegë Luma dhe Alfonc Radovanin dhe Kolë Marlocajn. Dënohet me vdekje me pushkatim dhe ekzekutohet në 10.5.1968. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. (Nuk figuron në listën zyrtare).

54-Dom Marin Shkurti (1933-1969). Mundi të arratisej në Jugosllavi me 8 persona të tjerë, por jugosllavët e kthyen në Shqipëri. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në mars të vitit 1969.

55-Dom Shtjefën Kurti (1898-1971). Dënohet me 20 vjet burg, për krime kundër shtetit e për bashkëpunim me grupin e Sami Qeribashit. Lirohet në 2.3.1963 nga burgu i Burrelit. Arrestohet për herë të dytë, në vitin 1970, në Gurzë të Krujës. Akuzohet për agjitacion e propagandë dhe sabotim. Në të vërtetë, u dënua sepse pagëzoi një fëmijë. U pushkatua në 20.10.1971, në Tiranë. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. Punëtori operativ i Sigurimit, që i përgatiti dosjen, sot merr pension suplementar nga shteti.

56-Dom Mikel Beltoja (Hil Gjoka) (1935-1974). U akuzua për tradhëti ndaj atdheut të mbetur në tentativë, për agjitacion e propagandë, kundërshtim me dhunë të përfaqësuesit të pushtetit dhe për mashtrim më shumë se një herë. Mashtrim, komunistët quanin pagëzimet që bënte kleriku i ndjerë. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në 10.2.1974.

57-Dom Prekë Nikçi. Ka vdekur gjatë torturave në hetuesinë e Krujës, në 15 mars 1974. Nuk ka të dhëna të tjera. (Nuk figuron në listën zyrtare).

58-Imzot Ernest Çoba (1913-1980). Arrestohet në vitin 1976 dhe një vit më pas, dënohet me 25 vjet burgim. Akuzohej për strehim kriminelësh shumë vite më parë, për lidhje të fshehta me Vatikanin, etj. U dënua së bashku me shtetasit: Lec Sahatçija, Kolë Toni dhe Zef Hardhija. Vdes në spitalin e burgut Tiranë, në 7.1.1980. (Nuk figuron në listën zyrtare).

59-Dom Mark Zef Doshi (Hasi) (1920-1981). Akuzohet për veprimtari spiunazhi dhe agjitacion e propagandë. U dënua me vdekje, por dënimi iu kthye me 25 vjet burg. Vdes në repartin 309 Ballsh 1.10.1981. (Nuk figuron në listën zyrtare).

60-Dom Anton Doçi (1915-1982). Dënohet në vitin 1971 me 10 vjet burgim, për agjitacion e propagandë. Arrestohet në kampin e punës së detyruar të Spaçit, në vitin 1977 dhe dënohet me 10 vjet burgim të tjera për agjitacion e propagandë. Vdes në repartin 309 Ballsh 9 dhjetor 1982. (Nuk figuron në listën zyrtare).

61-Dom Lec Sahatçija (1906-1986). Arrestohet në vitin 1976 dhe një vit më pas dënohet me 25 vjet burgim. Akuzohej për strehim kriminelësh shumë vite më parë, për lidhje të fshehta me Vatikanin, etj. U dënua së bashku me shtetasit: Ernest Çobën, Kolë Toni dhe Zef Hardhija. Vdes në burgun e Zejmenit në Lezhë, në 4.4.1986.

62-Dom Kol Mark Gjinaj (1910-1987). Në vitin 1979 akuzohet për agjitacion e propagandë e minim të pushtetit popullor. Vdes në 16.3.1987, në moshën 77 vjeçare, në burgun e Zejmenit.

63-Dom Pjetër Gruda (Gjeloshi) (1922-1989). Në vitin 1979, dënohet me 25 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Dënohet se bashku me Anton Nikën e David Lukën. Vdes i paralizuar në repartin 305 Sarandë, në 13.1.1989, në moshën 67 vjeçare.

Shënim: Në listën zyrtare të shpallur bëjnë pjesë edhe persona që nuk janë klerikë.

Këto janë:

-Qerim Sadiku (pushkatuar 4.3.1946) 27 vjeç, nga Vuthaj i Gucisë, i martuar me një fëmijë, ish rreshter xhandarmërie.

-Gjelosh Lulashi Bajraktari (pushkatuar 4.3.1946), 20 vjeç, nga Ndrecaj i Shoshit Dukagjin, ish oficer, ushtar në spitalin ushtarak.

-Fran Miraka (pushkatuar më 3.7.1946), 29 vjeç, nga Iballa e Pukës, tregëtar.

Në rast se do të pranohej si kriter, që në listë të ishin persona që nuk kanë qenë klerikë, atëherë lista do ishte shumë më e gjatë.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here