| Shtjefën Kurti | |
|---|---|
| Informacione Personale | |
| Emër/Mbiemër: | Shtjefën Kurti |
| Atësia: | Jak |
| Vendlindja: | Prizren, Kosovë |
| Datëlindja: | 24/12/1898 |
| Datë Vdekja: | 20/10/1971 |
| Arsyeja e Vdekjes: | Ekzekutim me pushkatim |
| Gjyqi | |
| Data e Arrestimit: | 27/10/1946 |
| Akuza: | “Bashkëpunëtor i organizatës terroriste të Sami Qeribashit, akuzohet për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor” |
| Dënimi: | 20 vjet Burg |
| Data e Vendimit: | 17/4/1947 |
| Gjykata: | Gjykata Ushtarake e Tiranës |
| Data e Lirimit: | 2/5/1963 |
| Gjyqi i dytë | |
| Data e Arrestimit: | 11/6/1970 |
| I Torturuar: | Po |
| Ekzekutimi | |
| Lloji Ekzekutimit: | Ekzekutim me pushkatim |
| Akuza: | ka agjituar e propaganduar për minimin e dobësimin e pushtetit popullor |
| Vendimi: | Nr.54 30. VII. 1971 |
| Data Ekzekutimit: | 20/10/1971 |
Klerik katolik. U lind në Prizren të Kosovës, më 24 dhjetor të vitit 1898 dhe shkollën fillore e kreu në Ferizaj. Në vitin 1917, shkoi në Innsbruk të Austrisë për të studiuar Teologji dhe pas një viti atje, i vazhdoi studimet pranë kolegjit Propaganda Fide në Romë. U shugurua meshtar në Romë më 13 maj 1921. Me dëshirën e tij, vendosi ta ushtronte profesionin e klerikut në atdhe. U kthye në Kosovë në korrik të vitit 1921. Ushtroi aktivitetin në disa qytete, por filloi të shihej me sy të keq për shkak se mbronte çështjen e shqiptarëve dhe denonconte egërsinë e jugosllavëve ndaj tyre. Kështu më 2 janar 1930, bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun kaluan kufirin për në Shqipëri. Më 5 maj 1931 i dorëzuan sekretarit të Lidhjes së Kombeve memorandumin e tyre "Situatë e shqiptarëve në Jugosllavi", firmosur nga këta tre klerikë dhe më vonë shpërndanë 500 kopje të tij gjithë Ministritë e Jashtme të botës, bibliotekat dhe personalitetet.
U emërua fillimisht famullitar në Shna Prende të Kurbinit dhe më pas, në vitin 1932 në Gurëz të Milotit për të themeluar aty famullinë e Gurëzit. Kudo që shkonte, Shtjefën Kurti gjallëronte jetën fetare dhe kulturore të komunitetit me nismat e tij dhe aktivitetet që zhvillonte. Më 21 prill 1938, mori në dorëzim famullinë e Tiranës.
U arrestua në Tiranë më 27 tetor 1946 i akuzuar si kriminel lufte dhe armik i popullit dhe më 17 prill 1947, Gjykata Ushtarake e Rrethit të Tiranës, me kryetar Major Gjon Banushi, e shpalli fajtor dhe e dënoi me njëzet vjet heqje lirie, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave civile dhe politike për 5 vjet kohë. Vuajti në burgun e Burrelit. Për arsye të një amnistie më 2 maj 1963, Shtjefën Kurti u lirua pasi kreu mbi 16 vjet e 6 muaj burg.
Nuk u lejua të ushtrojë profesionin. U vendos në Gurëz (Milot) ku filloi punë në kooperativë duke kryer privatisht dhe fshehtas, pas ndalimit të fesë, shërbime fetare. U arrestua përsëri më 11 qershor 1970 dhe u dënua me vdekje «in odium fidei». U pushkatua më 20 tetor 1971.
