Lindi në Shirokë, më 5 janar 1888 i pagëzuar me emrin Gaspër. Hyri në kolegjin e jezuitëve ku kreu mësimet fillore  e më tej  kreu klasët e gjimnazit të ulët në kolegjin e françeskanëve. Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasët e epërta në Salzburg, e mandej Schwaz e Villach të Tirolit të Austrisë, dhe vijoi studimet teologjike në Romë.

Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e mbrame të Urdhrit Françeskan. Emërohet drejtor i kolegjit françeskan më 1923. Mbasi përkrahte Gurakuqin në pjesëmarrjen e tij tek Lëvizja e qershorit, me fitoren e Legalitetit më dt. 24 dhjetor 1924 arrestohet dhe burgoset.

I tërhequr nga politika, vazhdoi të japë mësim në liceun "Illyricum" dhe mësimdhënës në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në harkun kohor të viteve 1930-1936 është drejtor i “Hyllit të Dritës”, siç kishte shkruar gazetave “Posta e Shqypnisë” dhe më tej tek “Zani i Shna Ndout” ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thana e thasha”.

Me pushtimin e italianëve paria e Shkodrës ngarkon Gjon Marka Gjonin që të shkonte të bisedonte me kontin Çiano më 12 prill 1939, ku si pjesëmarrës dhe përkthyes qe Patër Antoni.  Si njëri nga krerët e dërgatës së asambleistëve të Shkodrës i kërkon Asamblesë Kushtetuese të Tiranës “Pavarsín e Shqipnís, flamurin, gjuhën, shkollat...”

Në prill të 1940 bëhet pjesë e Institutit Mbretnuer të Shkencave[11] dhe më 1941 u zgjodh Provinciali i Urdhrit Françeskan në Shqipëri.

Me kapitullimin e Italisë Mehdi bej Frashëri i paraqet propozimin për t'u bërë përfaqësues i katolikëve në Këshillin e Naltë të Regjencës që do mbushte boshllëkun qeverisës të lënë. Fillimisht nuk pranon duke qenë e papërputhshme me të qenët e tij klerik, ngase një zyrë e tillë mund ta çonte në firmosjen e dënimeve me vdekje dhe se nuk mund të pranonte pa lejen e eprorëve. Për këtë arsye Asamblea i bëri një telegram Selisë së Shenjtë duke i kërkuar që t'i jepte leje Át Harapit që të marrë pjesë në këtë Këshill të përkohshëm. Selia e Shenjtë ia dha lejen Patër Antonit që të merrte pjesë dhe të ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, por me kushtin e paravendosur nga frati që mos të nënshkruante asnjë vendim vdekjeje.

Me 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, do t'u shprehte kështu:

"1...

Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m'a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem

2 Ja arsyeja për të cilën pranova të marr pjesë n'auktoritetin shqiptar: pse nuk mujta ta shoh Shqipnin n' anarki. Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana për ne shqiptarët, anarkija asht nji turp dhe nji delikt po, turp asht të ngatrrohemi shoq me shoq dhe vetë të krijojmë Babylonin shqiptare, pa qenë të zotët t'ia gjejmë fijen lamshit; delikt asht në këtë moment kaq kritik për botën mbarë të vejmë për ideal vllavrasjen, përmbysjen e katundevet, humbjen e gjas dhe shkatrrimin e familjevet. Kësaj i thonë rrokoll më rrokoll! Pra, m'u dhimbt populli e m'u dhimbt Shqipnija.

3 Mani…E po, si kujton patër Anton Harapi se ai po e shpëton Shqipnin? Jo zotni! Asnjeni nesh, qi kemi marrë zyrën e Këshillit të Naltë, nuk e kemi pretenzjonin të mbahemi shpëtimtarët e popullit. Dhe atëherë, pra…Shqipnin do ta shpëtojë Zoti, kurse na i kemi vu vehtes nji misjon të përpiqemi me të gjitha fuqit për ta pakësue mjerimin dhe shemtimin shqiptar. Na e kemi ndërgjegjën të kjartë...".

Me marrjen e kryeqytetit nga ana e komunistëve, frati bashkë me mikun dhe kolegun e tij në Regjencë, L. Nosin shkojnë në Shkodër ku qwndrojnw pwr pak  ditë në Kuvendin Françeskan të qytetit. Iu ngjitën Dukagjinit dhe mbas pak ditësh në Kir, më 5 dhjetor të 1944 vendosen në Plan të Pultit.

Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet kur ishte duke u lutur, ngase qe diktuar prej objekteve që patën pa grupi i kontrollit.

Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës Speciale në Tiranë, P. Anton Harapi shpallet si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua të nesërmen  me 20 shkurt 1946. Nuk dihet vendi ku iu varros trupi.

 


     

Dokumente

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.

Lajme

At Anton Harapi, një foto e rrallë nga gjyqi. Ja fjalët e tij të fundit para ekzekutimit

Tiranë shkurt 1946. Kjo foto e rrallë dëshmon momentin kur po i çojnë në gjyq Lexo më shumë