Një përshkrim i detajuar i kryengritjes më të madhe të ndodhur ndonjëherë në burgjet komuniste të Shqipërisë, "një ballafaqim me shtetin: ku në një anë fliste krimi, në anën tjetër mbrohej liria". Shkëlqim Abazi tregon për kujto.al pesë vitet e tij të dënimit, nga 16 në 21 vjeç, që i kaloi në Reps dhe në Spaç, ku u bë dëshmitar i revoltës së vitit 1973. Revolta e Spaçit përfundoi me vrasjen e katër të dënuarve dhe dënimin e dhjetërave të tjerëve, disa prej të cilëve nuk kishin pasur rol në shpërthimin e saj. Për t'i thyer shpirtërisht të dënuarit, u ekzekutua edhe miku i tyre më i dashur, Tartarin
Dëshmia e plotë
Unë jam Shkëlqim Abazi. Më kanë dënuar në vitin 1968 dhe kam vazhduar të vuaj burgun gjer në 1973. Në Reps dhe në Spaç.
Kur u arrestuat?
Në 1968-ën. Në 11 gusht të 1968-ës. Në moshën 16 vjeç e 8 muaj. Unë mendoj që s'kam bërë asnjë faj. Mendoj unë, mbase për ata isha fajtor se linda nga prindër që s'duhet të kisha lindur, duhet të kisha zgjedhur prindërit para se të lindja, por unë s'e kisha këtë shans se mendoj që nuk e ka asnjëri këtë shans: të zgjedhë prindërit. Pra, unë linda nga prindër të gabuar për atë regjim. Gjenetikisht, atje e kisha vendin. Si mijëra të tjerë, jo vetëm unë.
Për çfarë ju akuzuan?
Kur pyetet për faj, njeriu duhet të ndiej që ka bërë një veprim të kundraligjshëm. Unë nuk kam bërë asnjë veprim të kundraligjshëm. Unë kam qenë me një shokun tim në plazh, duke bërë plazh në Spile të Himarës. Atje, erdhën, na arrestuan. Tani, çfarë mund të kem bërë unë? Nuk e di, nuk është e ndaluar, as në atë kohë s'ka qenë e ndaluar, sot jo e jo: të bëje plazh në Spile të Himarës nuk ishte e ndaluar, nuk duhej as leje nga policia, as leje nga Dega. Duhej që të vije në Butrint, mundej, por jo në Himarë. Dhe ky është një realitet. Pasi mbarova shkollën, mora atë lejën e provimeve të shkollës. Nuk e shfrytëzova për provime, e shfrytëzova për plazh. Kjo është e gjitha. Atje na arrestuan. Mua dhe atë shokun tim. Edhe na akuzuan pastaj: "tentativë arratisjeje". Se mund të arratiset ndonjë nga Himara, në Korfuz, me not, unë nuk besoj...Vetëm ndonjë kampion bote. As unë dhe as ai miku im, s'kemi qenë kampion bote kurrë. Kjo ka qenë...
Ku nisët ta vuanit dënimin?
Fillimisht, na çuan në burgun e Vlorës. Ditën e parë. Në birucat e Vlorës. Të nesërmen, na morën që aty dhe na çuan në birucat e Durrësit dhe të pasnesërmen, na çuan në birucat e Shkodrës. Atje, vazhdoi hetuesia për rreth 4 muaj me kryehetuesin e Shkodrës, Llambi Gergeni, por s'u mor vetëm ai, ai pati detyrën kryesore, se për shembull sakatllëkun që kam unë sot, nuk ma shkaktoi vetëm Llambi. Ma ka shkaktuar Shyqyri Çoku, me një dru nga pas kurrizit. Biles episodi ka qenë kështu: Ka qenë data 23 shtator i 1968-ës. Atë ditë, na thërritën në hetuesi të dyve, mua dhe atë shokun, por natyrisht veç e veç. Unë nuk e dija se çfarë kishte thënë shoku im, se s'kisha nga ta dija, ama një gjë e kuptova: që diçka nuk po shkonte atë ditë, por që në fillim një gjë ma bënë ta qartë ata: "Sot, e kemi ditën e fundit. Do mbyllim aktet për të të çuar në gjyq, se ta kemi prerë kostumin". Këto fjalë m'i tha Thoma Tutulani. "O patriot,- më tha mua,- ta kemi prerë kostumin. Një dhjetëshe me yll, por vëre një çikë atë firmën, se është procedurë". I thashë: Çfarë të firmos, kur unë nuk kam bërë gjë? "Po pse kaq budallenj na di ti ne,- tha,- sa të linim ne ty të bëje ti, pastaj të fusnim brenda? Po ne e dimë çfarë mendjeje ke ti, se çfarë bluan ti në atë radaken tënde armike, edhe t'i presim urat pa rënë zjarr. Të fusim një dhjetëshe kësaj radhe dhe pastaj shohim e bëjmë, por do ma hedhësh kodosh se je nën 18 vjeç ti, kështu që 5 do të zërë kësaj radhe, por radhës tjetër ta fusim tamam". "Ore, po unë s'kam bërë gjë këtë radhë, ju prisni radhën tjetër. Çfarë është kjo?" "Hë, po ne e dimë sa të dalësh ti nga ai vendi atje, ti me atë punë do merresh. E dimë ne çfarë mendje ka armiku". E nejse. Kjo qe pak a shumë hyrja.
Mirëpo Llambi më thotë: "Pa hidhe, atë çiçkë firmë këtu, ti". Se ishte korçar ai. "Se s'duam të humbim kohë me ty ne, kemi të tjera punë". Mirëpo unë, me atë mendimin tim djaloshar, natyrisht shumë i ri për ta kuptuar, mendoja që po s'vure firmë, edhe të kesh vrarë njeri, nuk të dënon njeri. Jo më unë, unë s'vrisja dot një mizë. Edhe me atë mendje, thashë: Jo. Mirëpo çfarë bënë ata tani? Njëri më mbante dorën, stilolapsin në dorë, tjetri më mbante dorën këtej: Firmos! Dhe sot, gishti im lëviz kështu. Ja shikojeni si lëviz. Domethënë ma thyen gishtin. Unë e dëgjova që ia bëri gishti krrap, por në ato momente, isha shumë i tensionuar dhe nuk i vura shumë rëndësi, po më dhembi. Më vonë e pashë që lëvizte gishti kështu dhe s'u bë më gishti. Mirëpo, në atë kohë futet Shyqyri Çoku. Ai sa hyn në derë, thotë: "Po ky hajni çfarë ka vjedhur?". I thotë Llambi: "A të ishte hajn, bjere këtu! Se me hajnët e kemi kollaj, janë tanët. Po çfarë t'i bëjmë që ky nuk është hajn, është armik. Ky ka dashur të shkojë në Gjermani, në Gjermaninë Federale". "Çfarë?-tha ai.-Bo, me e pas djalin tim, kisha me e mbyt me këto duar, edhe kisha me e hedh në Bunë, ta hanin peshqit. Paska dash' me tradhtu Partinë, ky kodosh", tha. Edhe në këtë kohë, unë nuk e pashë, por diçka lëvizi prapa edhe ai na kishte marrë një bisht karrigeje, por katërkëmbësh ishte se e pashë kur erdha në vete, edhe më qëllon nga prapa, këtu, në ballë. Ja ku është shenja, edhe sot. Për momentin, nuk kam ndier gjë, vetëm ndjeva një dhimbje të fuqishme, të tmerrshme në kokë, edhe rashë nga stoli. Mbaj mend kur kam ardhur në vete, ai prokurori, i thoshte: "Ore ma vrave patriotin fare". "Hajd', tha ai, një armik më pak". "Po ta nxjerrim një herë në gjyq, po pastaj plumbin jepini se ky qen bir qeni, është. I ati i këtij ka qenë një ballist i tmerrshëm. Po ju s'e njihni se s'keni nga ta njihni, por unë që e kam nga ana ime,- tha.- Po ta nxjerrim një herë në gjyq, të trembim të tjerët".
Ç'pasoja patët nga goditja?
Ja pasojat që kam dhe sot: unë kam një sy mangët dhe një vesh mangët, sepse nuk më mjekuan. Më lanë pa mjekuar, që veçse më çanë, më sakatuan që duket dhe sot, ja tek është, sot unë kam një sy mangët dhe një vesh mangët, plus edhe gishtin siç e shihni, por edhe të gjitha brinjët që nuk zinte sqetulla, të thyera. Jam i bindur për këtë sepse mbi një muaj, nuk mbushesha dot me frymë. Edhe pse u thashë: "më mjekoni" askush nuk më mjekoi, përveç policit të brendshëm, që vajti mori një pako të ndihmës së shpejtë dhe ai e bëri nga keqardhja se ishte beratas. Biles rast i çuditshëm, një farë Jonuz Sharavolli, ishte polic në Shkodër. Polici më i egër që kam parë ndonjëherë në birucat e Shkodrës. Mirëpo ndoshta nga mosha, që ishte shumë plak, ishte në prag pensioni, ndoshta dhe nga keqardhja, ose për të ndihmuar një patrioti në vend tjetër, nuk e di sesi ta shpjegoj, i vinte keq dhe më mjekoi. Natyrisht, me aq sa mund të mjekonte një polic. Ma lidhi kokën me fasho dhe ashtu kam ngelur rreth dy javë.
Në cilin burg e nisët dënimin?
Atëherë, ne na kanë marrë në datën 23 nëntor...Tani për datën 23...sikur është një providencë kjo për mua. Unë kam lindur në 23. Më kanë çarë kokën në 23. Më kanë çuar nga birucat në kampin e Repsit, në 23. Më kanë çuar, në 23 prapë, natyrisht jo të një muaji këto, po data gjithmonë kjo, nga Repsi në Spaç. Përsëri në 23, janë pushkatuar katër shokët e mi. Në 23..., kjo providenca 23, ka vazhduar deri katër-pesë vjet para, kur erdhi në pushtet Partia Socialiste: Më hoqën edhe nga puna dhe më kanë zëvendësuar me operativin e burgut të Burrelit. Mua, të burgosurin politik, më hoqën nga puna, me urdhër...numrin unë tani s'e mbaj mend, e kam në shtëpi, por të datës 23 dhe më zëvendësuan me operativin e burgut të Burrelit, me shokun Qenan Trega, që vazhdon të jetë edhe sot. Domethënë ish-operativi i burgut të Burrelit, zëvendësoi një ish-të burgosur politik.
Pra, na çuan në 23 nëntor të 1968-ës, na çuan në kampin e Repsit. Ishim 6 vetë. Na hipën në një autoburg. Na lidhën duart. Përveç hekurave që ishim lidhur dy e nga dy, na lidhën dhe me një zinxhir tej e tej. Mirëpo autoburgu, e di vetëm ai që ka hipur në autoburg sepse askush tjetër nuk mund ta imagjonoj se çfarë është autoburgu, autoburgu është një makinë e zakonshme, një ZIS, mbi karrocerinë e së cilës, kishin vënë një kabinë metalike me një derë nga pas, me shula hekuri sigurisht dhe një skarë po themi 20 me 25 cm, me ca hekura të salduar, tip skare, sa nyjet e duarve të trasha, ku futej ajër, por nuk shikoje asgjë. Pra, me këtë na transportuan nga burgu i Shkodrës, në Reps të Mirditës.
Ku do na çojnë tani? Njëri thoshte "në Spaç", tjetri "në Reps", askush nuk e imagjinonte ku. Po jemi larg?-thashë unë. "Ore,-tha njëri nga ata, se nuk shikonim fytyrat ne, vetëm dinim që ishim të lidhur dhe kaq.- Po më tregove ti ku jena tash, po të them unë edhe sa duam të vemi atje". Mirëpo mendo tani, rruga në autoburg ishte shumë e rëndë. Përfundimisht, kemi mbërritur në Reps, rreth pasdites. Por ditë dimri, ditë e shkurtër. Sa vajtëm ne, filloi po errësohej, na futën brenda një porte të rrethuar me tela, dyfish tela. Zbrisni! Po nuk po zbrisnim dot se na ishin mpirë këmbët nga udhëtimi. Ca ishte shumë ftohtë. Na rrahu ajo era menjëherë, edhe ca dhe nga udhëtimi, s'po zbrisnim dot. Një të hipur sipër ata që na shoqëruan, na hodhën siç ishim, me gjithë rroba. Këta thoshin: Zbrisni se na latë këtu. Këta që na prisnin, thoshin: Kadal' e burrë, a e dini ku keni ardh tash? Pra, njëri hidhte, tjetri priste, e gjetëm veten nën shkopinjtë e gomës, pa hyrë fare në kamp. Nja dy-tre shkopinj i hëngra dhe unë në kurriz. Pa hyrë fare në kamp. Po pasi kishim kaluar nja 4 muaj në biruca, ne e dinim tani se çfarë na priste. Po vetëm një gjë nuk e dinim: se do na prisnin me shkopinj që në fillim, jo. E nejse. Bënë një procesverbal shpejt e shpejt këta që na shoqëruan. Vunë firmën ata, vunë firmën këta edhe na përshëndetën ne: "Këtu i lënçit eshtrat, mos e nxirrshit ma kry'n prej burgut!". Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë mallkim më të egër, që të mallkosh njeriun këtu i lënç eshtrat dhe mos e nxjerrsh më kokën, ja vetëm ata e bënë. Ikën ata. Na morën këta të tjerët. Na futën në një që e quanin zyrë ata, por vetëm me zyrë nuk ngjasonte. Ajo ishte një kthinë, nja dy metër e gjatë, dy metër e gjerë, me një tavolinë me 3 këmbë, një këmbë e kishte të thyer, se unë pa dashje vura dorën, desh më ra tavolina. Më futën dhe nja dy pëllëmba aty ata se u rrëzova tavolinën, u prisha tavolinën. Ishte dhe një fuçi karbiti të ndezur si sobë, mirëpo ajo era e karbitit ishte shumë e rëndë. Ne vinim nga birucat, kishim katër muaj që s'kishim parë jo zjarr, po as nxehtësi, biles as nuk ishim larë ndonjëherë: katër muaj pa larë trupin, pa bërë banjë. Na ra ajo nxehtësia, mua sa s'më ka rënë të fikët. "Zhvishuni lakuriq! Zhvishuni!" Mirëpo shikoja ata shokët tani, çfarë do zhvisheshim ne? "Teshat përtokë", tha ai. Teshat përtokë ishin, ato që kishim ne. "Jo, jo,- tha ai,- teshat e trupit". Pashë ata shokët që u zhveshën, u zhvesha dhe unë. "Jo, jo dhe këtë",- tha. Mender brekët. Po më vinte zor. Një polic nga prapa, pyp, m'i hoqi. Çfarë do bënim ne? Demek na bënë dhe një kontroll, sikur s'na kishin kontrolluar shokët e tyre, edhe hapën derën: Futuni brenda tani. Ama para se të hapnin derën, na këshilluan: "A ke ken' ndonjëherë në burg?"- Jo. "Po ti a ke ken'?"- Jo. "Po ti or çun?-më tha njëri mua.-Tash po e sheh çfarë të pret aty brenda", gëlldap, çoi duart më kapi prej fyti. Sa do unë, i lodhur nga biruca, po t'i kthehesha atij e bëja copa se ai 1m e 50 ishte, mirëpo ishte polic. "Tash po e shihni, po kur të futeni brenda, se mos afroheni shumë me ata të burgosurit e vjetër, se po vumë re që të afroheni shumë me ata, do t'ju kalbim në birucë se ata janë armiq të rrezikshëm". Dmth ne sikur na kishin prurë për miq, ata. Nejse. Atëherë krijova një ide që brenda qenkan armiqtë e tyre, me mendjen time. Kur u përballa për sekondat e para me ata, të gjithë të veshura me një uniformë, kokat e qethura, me ca kapele të bardha në kokë, me mustaqe të mëdhaja, tamam si komitët e Turqisë. Faktikisht, u çua njëri të më jepte rrobat dhe i kapi ato rrobat e mia, shtresat, mbulesat. Unë kur u çua ai, mora një pozicion mbrojtës se kujtova mos po më sulmonte mua. Kaq i egër ishte nga fytyra. Mirëpo kur u afrua, mori një tjetër mimikë, me një buzëqeshje, me ca mustaqe të verdha, i kishte deri te veshët. I them: Ku m'i çon rrobat? "Atje në kapanon, ndiqmë mua, prapa". Përfundimisht, vajti në një kapanon dhe shok krahu mua më bie: një dibran plak dhe një plak tjetër nga Korça. Dibranin e quanin Esheref Zaimi, kurse këtij i thoshin Atë Raqka. Kishte qenë prift. Prift ortodoks. Më vunë atje. Hipa lart me një palë shkallë druri. Dhe këtu filloi jeta e kampit, që zgjati pesë vjet. Zgjati pesë vjet jeta në kamp, sepse në burg jam dhe sot, unë. Fatkeqësisht deri në '90-ën qenë në burg gjithë shqiptarët edhe pas burgut, ishte më keq nga burgu, por unë mendoj që dhe sot, ne të burgosurit jemi në një burg moral, tani më tepër.
Në ç'moshë filluat punë në minierë?
Mua më dënuan, ose më arrestuan, 16 vjeç e 8 muaj. Pa mbushur 17 vjeç më çuan në kamp. Pikërisht pas një muaji, në datën 23 dhjetor më kanë bërë një surprizë shokët e burgut. Po them shokët, por ata nuk ishin shokët e mi. Ata ishin gjyshërit e mi, jo baballarët. Edhe baballarë të mitë nuk ishin nga mosha sepse më i riu i atyre ishte 70 vjeç dhe këta ishin: këta pleqtë që kisha krahëve, një Daut Runa nga Nivica, Daut Runa ishte miku i gjyshit tim, Sulo Gorica nga Berati, ishte shok i babait tim, Muharrem Duli dhe Riza Duli, përsëri nga Berati, ishin miq të babait tim, Dervish Gumeni dhe Izet Gumeni, nga fshatrat e Tepelenës ishin po miq dhe këta në datën 23 dhjetor, sapo u ktheva, unë, nga puna, më thotë një nga këta pleqtë që kisha fqinj: hajde merr lugën në brez dhe do vemi te xha Dauti se na ka ftuar xha Dauti. Mendova se i ka ardhur familja në takim xha Dautit, edhe "hajd po vete" se ishte bërë si zakon kur të vinte familja në takim, bëhej një vakt bukë me më të afërmit. Mirëpo unë kur e gjeta veten në mes tyre, u ndjeva shumë i vlerësuar sepse ishte vlerësim shumë i madh të të ftonte njëri për një vakt bukë. Një vakt bukë atje, ishte barabartë me një ditë jetë. Kur vete atje gjeta 4-5 të tjerë që po prisnin, me një tenxhere fasule me nja dy feta pastërma, po ishte luks i madh ky. Të kishe kaq në burg ishte luks sepse asnjëherë nuk e ngopëm barkun. Duke qenë se isha shumë i uritur më vinte t'i futesha me tenxhere, jo me lugë, por më vinte turp se po prisja të tjerët. Kur u mata t'i thosha: "si i kishe nga familja?", duket plaku e kuptoi që po përtypesha unë dhe më tha: "Gëzuar o çun dhe në dasmë dhe Zoti ta bëftë të lehtë, dalç sa më parë edhe të vesh edhe 100 të tjera"! Atëherë ngela, se s'e prisja kurrën e kurrës të kujtohej njëri në burg, për mua, për të festuar ditëlindjen, sepse as mua s'më ra ndër mend që kisha ditëlindjen. Mirëpo për ditëlindjen ishte kujtuar shoku im, që ishte dënuar me mua, Vladimir Shena. Që nga procesi gjyqësor i ishte fiksuar që unë në 23 dhjetor mbush 17 vjeç; ua kishte thënë këtyre dhe këta më bënë këtë surprizë. Gjë shumë e veçantë! Që të mendosh të bësh ditëlindjen në burg, ja mua më bënë! Po unë kam bërë ditëlindje dhe më pas. Ama ai 17-vjetor i festuar nga ata njerëz që s'kishin ç'të më jepnin tjetër, vetëm të më jepnin zemrën, është shumë e shumë e veçantë. Dhe atë menu që ishte fasule dhe dy fije, me numër, pastërma, unë nuk e kam hasur as në restorantet më të mira të botës që kam bredhur tani pas '90-ës. S'do ta krahasoja as me një menu restoranti, aq mbresa më ka lënë. Natyrisht, ata pleqtë sot nuk jetojnë asnjëri, nga ata, por unë i kam falenderuar një milion herë dhe vazhdoj t'i falenderoj edhe sot, shpirtrat e tyre, atje ku janë. Pra, për t'iu përgjigjur pyetjes: unë burgun e kam filluar pa mbushur 17 vjeç dhe punën në burg, pa mbushur 17 vjeç.
Deri kur qëndruat në Reps?
Na kanë mbajtur në Reps deri në 23 shtator të 1970-ës, kur ishte gati në përfundim uzina e Repsit. Mirëpo ata nuk mund të na linin ne, të gëzonim pushime sepse ata i kishin bazuar planet 5-vjeçare dhe direktivat në krahët e skllevërve. Atëherë na hoqën. Mbushën dy makina dhe na nisën në Spaç. Përsëri del data 23. Kështu që në 23 shtator unë kam përfunduar në Spaç, bashkë me shumë të tjerë, rreth 60 veta. Nuk pata shans ndonjëherë të dilja jashtë miniere, madje edhe dy herë që kam pësuar aksident në minierë: një herë më ka rënë një gur në shpatull dhe një herë tjetër, më zuri miniera e piritit dhe më nxorën shokët e mi dhe pësova disa thyerje, përsëri sapo hiqja allçinë, drejt e në minierë!
Ç'punë bënit në minierë?
Në minierë, dy punë ishin: o do ngarkoje vagon, o do bëje birrat. Mirëpo meqë unë isha pak i dobët fizikisht, më lanë të ngarkoja vagonat. Katër herë më kanë lidhur me tela bari, për mosrealizim norme. Sepse ata e kishin të prerë: o do bëje normën, o do vdisje.
Pse e kishit të vështirë të realizonit normën?
Shiko tani, që të jemi realistë, rebelizmin e kishim brenda në shpirt: askush nuk donte që të punonte me dëshirë dhe askush nuk donte të kontribuonte për socializmin. Meqë jemi në këtë temë...Një miku im, që haja bukë unë, është një i burgosur emblematik në Shqipëri, Tomorr Allajbeu nga Peshtani i Beratit, i nipi i Abaz Ermenjit, vendosi të mos punonte dhe nuk punoi, me idenë që: nuk punoj unë të hajë Nexhmija, por i shtonte prapa dhe një prapashtesë që e dinë gjithë të burgosurit që kanë qenë në atë kohë. Shqip fare: të hajë Nexhmije, ku*va, s'punoj unë. Dhe ndoshta është ndër të vetmit të burgosur politikë që bëri 4 vjet birucë, dilte një ditë, hynte një muaj. Pas revoltës së Spaçit, u bë burgu i burgut. U burgos vetë burgu, askush nuk shpresonte që do lirohej. Një ditë para, më ka thërritur kartelisti i kampit dhe më thotë: Shiko, nesër lirohesh, bëhu gati. Mirëpo, unë gjatë atij muaji kisha fituar 1.70 ditë, kështu që i binte të lirohesha dy ditë para dhe më thotë kartelisti: bëhu gati nesër se mund të lirohesh. U thashë shokëve. "Po shyqyr", thanë. Po me çfarë do dilja, çfarë të vishja? Atyre s'u vinte mirë që unë të dilja me rrobat e burgut se do thoshin: "ja, njeri i braktisur", atëherë çfarë bënë? U çuan shokët, njëri pruri një këmishë, njëri një palë pantallona, se ishte mesi i korrikut, mirëpo unë u thashë: ore jam kail të dalë zbathur, vetëm të dal prej kësaj dere.
Ç'kujtoni nga revolta e Spaçit?
Unë revoltën e Spaçit e kujtoj me detaje dhe fati im i mirë që jam akoma normal nga trutë. Revolta e Spaçit nuk qe aq spontane sa duan ta paraqesin, kishte 30 vjet dhunë të pandërprerë, do vinte një ditë do shpërthente. Një ditë para se të shpërthente revolta, ka qenë e diel. Një pjesë e madhe e të burgosurve politikë, nuk donte të dilte në punë, sepse ligjërisht e diela njihej pushim, por asnjëherë s'ta linin pushim ata dhe pati një rebelim në mëngjes. Për të shuar rebelimin, futet brenda komisari i kampit, Shahin Zgura dhe thotë: "Dilni dhe sot, sa për të zbatuar urdhrin dhe nga e diela tjetër nuk do ju nxjerrim më". Me një fjalë kështu nisi revolta, nga një rebelim të dielën. Kurse ditën e hënë, në biruca, ishte një nga Shijaku që kishte 3 muaj që hynte dhe dilte në birucë. E quanin Pal Zefi. Ishin dy vëllezër: Gjokë Zefi dhe Pal Zefi, mirëpo zanafilla ishte tre muaj para: në një ditë shkurti shumë të ftohtë dhe më kujtohet si sot sepse kam qenë në një brigadë me Gjokë Zefin, vëllanë e Palit. Duke dalë për në punë vëllai i Palit na kishte vënë një shall në qafë se ishte shumë ftohtë. Oficer roje ka qenë Xhevdet Balla, nga Lushnja, tamam kriminel: Hiqe atë shall! "Jo, kam ftohtë",- tha ai. "Hiqe shallin po të them". "Pse çfarë po të bën shalli im? Është rrobë civile. Jam i sëmurë". Mirëpo polici që po numëronte te dera, i çohet dhe ia heq me zor shallin dhe polici ishte Prengë Rrapi. Kam qenë prezent. Mund të kem qenë jo më shumë se tre metër larg. Ky veprim i revoltoi të gjithë, por mbi të gjithë revoltoi vëllanë e këtij që kthehej nga turni i tretë dhe ishte në pjesën matanë sepse kështu ishte porta: dilnin, hynin. Ne që dilnim për në punë, turni i parë dhe ata që ktheheshin për në kamp, turni i tretë. Një portë ishte. Dhe i thotë policit: "Mos e prek vëllanë tim me dorë". U çua nga aty ku ishte dhe erdhi i kapi dorën policit. Jo kush je ti, jo kush jam unë, ta tregoj unë, me Prengë Rrapin. I çohen pesë-gjashtë policë, e lidhën, e çuan në birucë. Ka qenë data 20 shkurt. Mirëpo dënimet me biruca, 30 ditë ishte maskimalja. Pas 30 ditësh të nxirrnin 1 ditë, të fusnin prapë 30 ditë të tjera dhe kështu vepruan dhe me Palin sepse Pali sapo vajti në birucë, takon Tomorr Allajbeun, u bënë shokë me Tomorrin, një mendje të dy, edhe e ndanë: nuk do punojmë. Përfundimisht e nxorën pas 30 ditësh, i bie në 20 mars. "Do vesh në punë"! "Jo"! Të nesërmen e futën prapë në birucë. Prapë edhe 30 ditë të tjera. I binte 20 prill. Në 20 prill nuk e nxorën. Ky thotë: "Nxirrmëni se e plotësova". "Jo, e dimë ne". Ikën nga bircua, një moment, gjeti derën hapur që nxirrte në banjë të tjerët dhe iku. Zuri një cep mbi tarracën ku bëhej numërimi. Unë këtë nuk e kam parë me sy, ma thanë shokët që e kanë parë, unë isha në punë. Dhe kërcënoi që në qoftë se ju më mbani në birucë, unë tani do hidhem me kokë nga tarraca. Përfundimisht vete komisari, i jep besën. Komisari ishte matjan. Mirëpo komunistët nuk njohin besë. I jep besën që me besën time do futesh në birucë dhe do të nxjerr unë vetëm që t'i vejë fjala në vend policit dhe ky e pranoi këtë besë, mirëpo kur e futën në birucë dhe s'e nxorën më, atëherë e kuptoi që ata janë të pabesë, sepse Pali ishte njeri bese. Ishte me profesion infermier. Mirëpo ndërkohë, të vëllanë Gjokën, pas atij sherrit për shallin, e lanë dhe nja 10 ditë dhe e transferuan në Ballsh. Ngeli vetëm Pali. Përfundimisht, në datën 20 maj, plotësonte muajin e tretë në birucë dhe i takonte ta nxirrnin. Ata prapë s'e nxorën. Atëherë, ky protestoi. Nuk ia vuri njëri veshin, protestës së këtij.
Në 21 maj, në mëngjes, polici vete hap birucat, i nxjerr në banjë dhe u heq batanijet të izoluarve. Për një sekondë, harroi derën hapur, ky prapë iku nga biruca dhe u fut brenda në kamp.
Polici u çua prapa: "Kthehu!". "Nuk kthehem unë, e kam mbushur muajin". Jo kthehesh, jo s'kthehem, atëherë ky njoftoi oficerin e rojës. Oficer roje atë ditë na qëllon operativi i kampit, Fejzi Liço nga Korça, kriminel nga më të rrezikshmit që kam njohur unë. Fejzi Liço thërret edhe dy policë të tjerë për ta kapur. Mirëpo, në rrëzë të themeleve, ky gjen një shufër hekuri dhe zë një cep ku ishte një shkëmb dhe ca ferra. Edhe u thotë: "kush do afrohet, do hajë shufrën e hekurit në kokë". U bë një rrëmujë. Turni i parë sapo ishin ngritur dhe vinin në banjë, në çezma, të merrnin ushqimin. Filloi lëvizja. Mirëpo ky kërcënoi. Në atë kohë filluan të grumbullohen. Dalin nga zyra kryetari i zyrës teknike, njeriu më i poshtër që ka qenë nëpër burgje, Medi Noku nga Librazhdi, me dy-tre zagarë të tij. Erdhën dhe 3-4 policë të tjerë, te porta, u futën. Dhe u bënë rreth veta: 7-8 policë dhe nja tre të burgosur. U çuan. I pari u çua Medi Noku. Vete ta kapte në mënyrë të befasishme ai e la me levë në kurriz, e palosi Medi Nokun. U çua Fejzi Liço, i ra dhe Fejzi Liços me levë dhe kapelën e Fejzi Liços, e kam parë me sy këtë sepse të gjitha këto që tregova nuk i kam parë me sy sepse unë isha turn i dytë, isha në gjumë, por shokët e mi i panë. Atëherë, kur u bë kjo rrëmujë me levë, u bë një gurgule e madhe, u zgjova dhe unë dhe kam dalë në ballkon. Pyes dy shokët e mi të krahëve: Fiqiri Muhon dhe Ali Hoxhën. "Ore çfarë po ndodh"? "Hë fli gjumë ti, mbulo kokën". Dhe meqë këta nuk m'u përgjigjën, dola përjashta, kur shoh të gjithë ishin grumbulluar nëpër ballkone. Dhe ajo që kam parë unë. Unë kam parë një moment kur qeni ynë, Tartarini, iu çua policëve dhe i kapte nga pantallonat, çizmet. I pari e ka nisur revoltën Tartarini, Tarti. I erdhi në ndihmë, Pal Zefit. Në këtë kohë, Pavllo Popa, e kam dëgjuar me veshë këtë, sepse e kisha jo më tepër se 10 m larg, u thotë: "Çfarë bëni burra? Po na turpëron Tarti. Ju rrini, bëni sehir". Edhe filloi rrëmuja, dmth goditja e policëve. Unë, mbase nuk jam shumë i saktë, të parin njëri që kam parë që ka goditur, ka qenë Muharrem Dyli. Ai i i ra policit, pastaj u futën të gjithë. Atje kanë qenë mbi 20-30 veta. Ata që mbaj mend unë kanë qenë Pavllo Popa e ka filluar, ishte një nga Vraka e Shkodrës, Muharrem Dyli, Syrja Lame, Paulin Vata dhe ka qenë rreth 20-30 veta. Gjithë kjo përleshje nuk ka zgjatur më shumë se 5 minuta. Pas 5 minutash, policët ikën. Dolën jashtë. Kapelet i lanë atje. Kapelet i shqeu Tarti me dhëmbë.
Policët nuk kishin armë?
Bëhet fjalë për ata 10 policë. Edhe dy-tre spiunët e Medi Nokut. Brenda kampit futeshe pa armë. Vetëm me nga një shkop, me nga një hu, se shkopinjtë e gomës ishin të rrallë, një në dhjetë mund të kishte, por kishin zorrë të mbushura me rërë. Edhe hekurat që kishin në brez, biles zakonisht nuk na lidhnin me hekura, por na lidhnin me tela bari.
Si rodhën ngjarjet?
Edhe ikën ata. As Palin nuk e morën dot, as ndonjë tjetër. Pas 10 minutash, ose gjysmë ore, futet komisari me Sulejman Manokun, drejtori i Zbatim-Vendimeve të Drejtorisë së Burgjeve. Sesi u gjet atje në atë moment, nuk e di. Dyshoj mos ka ardhur qëllimisht për të shkaktuar këto. Dhe kërkuan të zbusin situatën dhe e zbutën njëfarë soj. Nxorën në punë turnin e parë. Rreth 50 për qind. Nga koha që nisi kjo, rreth orës 5.00 të mëngjesit, deri në orën 14.00 kur na nxorën ne të turnit të dytë në punë, nuk ka pasur zhvillime. Na nxorën në punë, por pa dhunë, në një farë mënyre, me diplomaci, por të gjithë flisnin për këtë. Gjatë kohës që unë kam qenë në punë, filluan zhvillimet e tjera. Vjen një grup me në krye prokurorin e Rrëshenit, një hetues të Degës së Rrëshenit, një operativ dhe me dredhi arrestojnë Pal Zefin. Kur e nxorën jashtë Pal Zefin, i pari është hedhur Dervish Bejko dhe u thotë: "Pse e arrestuat shokun tonë, or' të poshtër?". Atëherë, të tjerët iu çuan infermierisë. Në atë kohë, i nxorën nga një hyrje pas infermierisë, Muhamet Kosovrasti. Unë vetë akuzoj dhe Muhamet Kosovrastin, si mjek i të burgosurve, që ka bashkëpunuar me ta sepse në të gjitha gjyqet që u zhvilluan më mbrapa, doli dëshmitar. Pra, mund të jenë bërë atje listat, pa filluar tamam revolta, se kë kishin ata ndër mend për të arrestuar sepse unë pashë që arrestuan ata njerëz që nuk morën pjesë fare. Domethënë i piketuan njerëzit. Përfundimisht, këto i kam të treguara, se unë isha në punë. Aty nga ora 18.00, morën dhe Syrja Lamen. E arrestuan dhe Syrjanë dhe e çuan në biruca, por jo në Rrëshen. Kur tentuan të arrestonin Pavllo Popën, Pavllo tha: "Vij vetë. Nuk ka nevojë të më vini hekurat". Mirëpo, kur pa ai që arrestuan Syrjanë, e kuptoi që ishte hile e tyre, atëherë pa dalë nga porta e brendshme, u kthye. "Nuk vij"- tha. Këta u çuan ta kapnin Pavllon. U çuan të gjithë të burgosurit, pastaj. Po ta shikosh, gjer në këto momente, ka qenë revoltë, nuk ka qenë kryengritje. Pastaj filloi organizimi. Përsëri unë këto nuk i kam parë se unë isha në punë. Mirëpo ajo që ndodhte për herë të parë nëpër burgjet shqiptare, ishte momenti kur ne na erdhën na njoftuan: Lini punën! Dhe ka qenë ora 21.00 e ca, rreth dy orë para se të mbaronte turni. Unë punoja vetë i tretë, me Mexhit Capën nga Peshkopia dhe Feim Lukrën nga Devolli. I them: "Mexhit ç'mund të ketë ndodhur"? "Një Zot e di, thotë ai, por diçka e madhe ka ndodhur se këta, kot nuk të nxjerrin nga miniera". Feimi thotë: "Shkëlqim ti dhe dy muaj e gjysmë ke, pa ul kokën, mos u përziej se të dënojnë prapë këta". Edhe Mexhiti po ashtu: "Shkëlqim, dëgjoje Feimin. Mos shiko ne, se ne kemi një qerre burg, por ti nuk duhet të përzihesh se këta të dënojnë prapë". Të njëjtat fjalë po m'i thoshin të gjithë shokët. Sepse isha i ri në atë kohë, edhe mund të bëja...Edhe pse kisha bërë 5 vjet burg tani. Dolëm jashtë. Shikojmë të gjithë kishin dalë nga minierat. Pyesim brigadierin. Një Myslym Iljazi nga Kolonja i thotë: "Ore Rrok çfarë ka ndodhur?"."S'di gjë. Pasha Krishtin, diçka e madhe ka ndodhur". Prit policët, s'po vinin policët të na merrnin. Përfundimisht erdhën dy policë, dy policët më të mirë që kishte kampi. Mirëpo erdhën shumë të trembur, pa kapele fare. Sa na morën, na çuan te porta. Hera e parë në pesë vjet që e kaloja portën pa kontroll. Vetëm sa na futën brenda. Momenti i parë që kemi hyrë brenda, dëgjova një brohorimë të madhe: "Rroftë Shqipëria! Poshtë komunizmi!". Dhe mbi tarracë të numërimit, oratorët ndërronin njëri-tjetrin. Mirëpo oratorët ishin shokë të mi që unë edhe pse ishin shokë të mi, nuk e dija që ishin aq oratorë. Biles-biles kur kam parë orator atë që s'ma merrte mendja kurrë që do ishte orator, veçse një këngëtar dhe një qejfli muzike, ngela, shtanga. Shikoj Skënder Dajën. E kisha shumë shok. Ishim moshatar. Pavarësisht që ai kishte ardhur nja dy-tre vjet pas meje, ishim shokë. E njihja për djalë shumë të shkathët, e njihja për qejfli muzike, por për orator s'e njihja. Kur dëgjova Skënderin që iu drejtua ushtarëve: "Jeni vëllezërit tanë. Nuk kemi gjë me ju! Hajdeni me ne! Po luftojmë për liritë tona dhe tuajat!", gjë që i kushtoi jetën. Luan Burimi. I kam dëgjuar me veshë këta. Përfundimisht u futa në dhomë, ashtu si isha, pis. Kur në dhomë shikoj Tomorr Allajbeun, kishte dalë nga biruca. Mirëpo, Tomorri vazhdonte birucat të pandërprera, një herë në muaj dilte, një ditë. "O Tomorr, ju nxorën nga birucat"? "Na nxorën". "Epo shyqyr, paskan vënë mend këta", përderisa paskan nxjerrë shokët tanë. "Çfarë shyqyr?- tha.- Pse kush na nxori ne nga birucat. Ne na nxori Hulusi Pashollari nga birucat". "Çfarë po thua? Me se ju nxori?" "Erdhi, shqeu dyert". Edhe vërtet kështu kishte ndodhur. Një korçar. Një djalë i vogël me trup, por me zemër shumë të madhe dhe hero. Ai ishte vërtet heroi, që shpëtoi 11 jetë njerëzish që ishin në birucë. Hulusi Pashollari preu telat e rrethimit me pinca dhe u fut në një kanal që kishin hapur për të futur tubin e ujit dhe vajti nxori shokët nga birucat. Këtë ma tregoi Tomorr Allajbeu dhe të tjerët që dolën nga birucat. Gjatë kësaj kohe ushtarët qëllojnë, por një pjesë kaluan nga porta, një pjesë kaluan nga kanali që u fut Hulusiu dhe fati i shpëtoi. I thashë: "Po nuk ju qëlluan?". "Na qëlluan, por na shpëtoi Perëndia", më thotë Tomorri. Më thotë mua: "Ke enë këtu për ujë?". "Kam", i thashë unë. Kisha nja dy bucela dhe një bolier druri, ma kishte punuar një kosovar nga Rugova, një Ram Tahiri, që merrte nja 10 litra ujë. "Shpejt, merr këto në krah dhe mbushi. Se e presin ujin këta, këta janë më keq se turqit. Do përsërisnin Sfetigradin",-dhe vërtet kështu ndodhi. Nejse, mora pagure unë dhe vajta i mbusha. Po të gjithë, këtë këshillë: "Hap sytë se dhe dy muaj ke. Mos u përziej me ne.". Përfundimisht, kjo nuk ishte më revoltë. Tani kishte marrë përmasa më të gjera. Kishte kaluar në stadin e një kryengritjeje. Gjatë kësaj kohe ishte ngritur dhe një Komitet Drejtues dhe ishin përfaqësues nga të gjitha krahinat dhe të gjitha besimet, por ishin nga njerëzit më të mirë dhe njerëzit më të besueshëm dhe më të respektueshëm, që të them të drejtën nuk patën ngatërresa, nuk u ngatërruan me revoltën, pa çka se ata i kishin vënë në lista për t'i eliminuar dhe dënuar, siç i eliminuan dhe dënuan. Takova dhe nga këta që më thoshin: "Hap sytë, mos u përziej!".
Ç'masa morën autoritetet?
Shkaku ishte dhuna e gjatë, keqtrajtimet etj. etj. që vazhduan për 30 vjet. Sebepi qe Pal Zefi, por edhe po të mos ishte Pali do dilte një sebep tjetër, ishin pjekur kushtet. Në fillim ishte sporadike, por mori përmasa shumë të mëdha, sa unë mund të them me bindje që nga 700 veta që ishin atje, 600 kanë qenë pjesëtarë. Ata nuk i dënuan të gjithë, por mund t'i dënonin të gjithë, madje edhe mua që nuk kam asnjë meritë, mund të më dënonin, por ata zgjodhën të dënonin ata që donin. Dhe përfundimisht, dita e parë kaloi kështu...Në mes të natës, dëgjoj një brohoritje të madhe, të shoqëruar nga shumë zëra: "Rroftë flamuri!". Kisha rënë për të fjetur. U ngrita. Dola jashtë, kur shikoj kishin ndezur një zjarr të madh, po digjinin stendat dhe zjarrin të ndezur e mbante Fatmir Llagami. E kam parë me sy se shkëmbeva dhe muhabet me të, kurse stendat po i shqyenin Çaush Çoku me Qemal Demirin. Në atë kohë, unë shikoj që Qemalin po e mjekonin dy veta te dora. "Çfarë ke Qemal, të qëlluan me plumb"? "Jo, jo, e çava dorën me xham". U merakosa se e kisha shok...Kur sipër, në kat të tretë, brohorima prapë. Ngre sytë lart, shikoj flamurin. Ç'kishte ndodhur me flamurin tani...Pesë shokë bisedojnë me njëri-tjetrin: Si do veprojmë? Njëri thoshte: "Të sulmojmë telat, t'u marrim armët ushtarëve dhe të shpallim luftë. Ushtria do vijë me ne". Tjetri thoshte: "T'i çohemi portës së komandës", etj.etj. Kurse Neim Pashait i vete mendja dhe thotë: "Të gjitha këto bëhen, po të kemi në krye flamurin shqiptar". Atëherë, duhej një flamur. Duhej gjetur bezeja. Bezen e premton një shoku i tyre, thotë: Kam unë jorganin. Shkojnë ta shqepin, mirëpo jorgani i tij ishte vërtet i kuq, por kishte lule të bardha, pra nuk vinte për flamur, sepse do dilte një flamur larush. Atëherë i kujtohet Neimit që në kat të dytë, aty ku flija dhe unë, një Rexhep Lazri, nga Dibra, kishte vënë një beze të kuqe për t'u ruajtur nga dielli. Mirëpo bezja ishte shumë e gjatë, e mblodhën. Mirëpo dikush nga poshtë, tha: "Çfarë është ai flamur, pa simbol? ". Flamuri i kuq simbolizon vetëm luftën. Duhej bërë shqiponja. Të gjejmë piktorin. I thonë Robert Moravës, Robert Morava nuk pranoi e para se ishte me moral të dobët, e dyta pati frikë. Atëherë i thanë Mersin Vlashit. "Posi,-tha Mersini,-e vizatoj unë shqiponjën". Dhe momenti i vizatimit të shqiponjës ka brenda edhe anë komike. Ndrec Çoku mori një kuti boje. E mori dhe po e përziente. Shoku i tij i thotë: Çfarë je duke përzi o Ndrec? Jam duke gatuar hallvën për vdekjen e Enverit. Dhe që nga ajo ditë, Ndrecës nuk i thërrisnin më Ndrec Çoku, por i thërrisnin Ndrec Flamuri, pra, u pikturua dhe shqiponja. E bëri Mersin Vlashi. Atëherë duhej dhe një shkop i denjë. Shkopin e denjë e bëri Gjetë Kadeli dhe e ngritën flamurin. Kjo u shoqërua me emocione shumë të mëdhaja sa njerëzit qanin. Edhe unë kam qarë kur shikoja flamurin atje që valëvitej. Ndërkohë u shoqërua edhe me recitime poezish dhe me fjalime. Mua më kujtohen tre veta të paktën që kanë recituar atje, që kam qenë vetë. I pari ka qenë Bedri Çoku. Ishin dy vëllezër, Çaush Çoku dhe Bedri Çoku. Bedri Çoku ka recituar "Himnin e flamurit", por të Nolit. Pas Bedri Çokut, është ngritur Gëzim Medolli dhe ka recituar "Himnin e flamurit" të Asdrenit. Pas tyre, është ngritur Hodo Sokoli dhe ka recituar himnin e flamurit sipas Fishtës. Prapa u dënuan të tre dhe të gjitha këto shoqëroheshin me brohorima dhe parrulla. Më pas ditën tjetër, flamurin e hoqën vetë të dënuarit, nuk e hoqi policia. Morën vendim që mos të bjerë në duart e komunistëve dhe e hoqën mes të natës. Unë në mëngjes, kur jam ngritur, s'e kam parë më. Përfundimisht të nesërmen erdhi ekip nga Tirana, Feçor Shehu, ishte zëvendësministër. Kërkoi takim me një përfaqësi, mirëpo të gjithë e dinin se përfaqësia në qoftë se do i çoje atje, do i çoje me duart e tua në eliminim, por dolën tre veta dhe ata kanë qenë: Paulin Vata, Nuri Stepa dhe Hajri Pashaj. Paulini nga Shkodra, Nuriu nga Vlora dhe Hajri Pashaj nga Hekali. Nuk ishte një përfaqësi e zgjedhur, por dolën. Biles, Hajri Pashaj doli në mes kur u ballafaqua me bashkëfshatarin e tij dhe unë mendoj që ky është momenti më kulmant i kësaj kryengritjeje, ballafaqimi me shtetin, kur në një anë fliste krimi, në anën tjetër mbrohej liria. Dhe ka qenë vërtet një ballafaqim në nivele shumë, shumë të larta nga ana e të burgosurve politikë. Iu bë e qartë përse bëhej kjo, iu bë e qartë se nuk janë disa rebelë siç mendoni ju, por janë i tërë kampi i këtij mendimi dhe në fund, u mbyll me banalitet, sepse zëvendësministri që duhet të fliste në emër të ligjit dhe të shtetit, foli në emrin e një rrugaçi duke përmendur deri deri te organet gjenitale. Dhe kjo qe përplasja me Hajri Pashajn dhe Hajriu ia ktheu me të njëjtën gjuhë. Dhe fakti që Hajriu u arrestua i pari nga të gjithë të burgosurit, të nesërmen, tregon që ishte një hakmarrje e pastër. Sidoqoftë, u la një afat deri në orën 5.00: "Në qoftë se deri në orën 5.00 nuk jeni dorëzuar, do veprojmë ne me mënyra të tjera". Vajti ora 5.00, edhe pse u kërcënua, asgjë nuk u bë, përveçse u shtua prania ushtarake në gjithë territorin e Spaçit. Siç morëm vesh më vonë, kishin rrethuar gjithë Mirditën. Të nesërmen, në mëngjes...Ndërkohë u pre uji dhe ushqimi, por kishte dhe të sëmurë dhe pleq që nuk rezistonin dot. Atëherë u mor një vendim që: do dorëzohemi, ne e bëmë punën tonë, nuk mund të bëjmë më shumë. Të nesërmen në ora 9.00 filloi lidhja dy nga dy, e njerëzve, për t'i nxjerrë lart, në sheshin kryesor, te porta hyrëse. Si na lidhën të gjithëve, vjen Feçor Shehu, thotë: "Ku e keni atë Hajri Pashajn, atë kapedanin që më kërcënoi mua?". Edhe ngrihet Hajriu: "Këtu jam, s'kam ku vete". E morën, pas nja dy minutash e nxorën zvarrë përjashta. Kemi dëgjuar vetëm nja dy ulërima, pastaj s'u dëgjua më. Mirëpo ndërkohë, katër veta ndenjën brenda, nuk u dorëzuan. Këta katër veta kanë qenë: Skënder Daja, Dervish Bejko, Jorgo Papa dhe Dashnor Kazazi. Për katër veta, hynë 400 sambistë. Mirëpo me këta katër veta, ishte dhe qeni ynë, Tarti. Këta sulmonin të burgosurit, Tarti sulmonte policët. Dhe këtu u vendos dënimi me vdekje i Tartit. Atëherë pas disa minutash, i nxorën me barrela, të kullonin gjak. I kemi parë me sy këto. Mendo tani katër veta me 400. Dhe përfundimisht filloi decimati te ne, në shesh, tani. Në çdo 5-6 emra, një emër e nxirrnin mënjanë. I merrnin, i lidhnin, i hidhnin në makina dhe niseshin makinat. Kanë marrë, në mos gaboj unë, mbi 90 veta. Morën dy shokët e mi që i kisha ngjitur... Zef Ashtën e kanë marrë beden. Zef Ashta nuk ka marrë pjesë fare, biles-biles, disa herë gjatë asaj dite, u bënte thirrje njerëzve: "Uluni, qetësohuni!". E morën në vend të Zef Pllumit. Zef Pllumin, para një jave, e transferuan nga Spaçi, në Ballsh. Dhe kur e kanë marrë e kam dëgjuar me veshë, i thanë: "Tash po të shohim ty o prift, kur të vemi te vendi". Mirëpo ai s'ishte prift. Ai ishte oficer. Që aty u kuptua që ai u mor beden, në vend të tjetrit dhe fakti që pas një muaji e nxorën në gjyq dhe nuk e dënuan. Edhe në hetuesi, i thanë "prift". "Nuk jam prift, tha ai, jam oficer". "A pse s'je patër Zef Pllumi, ti"? "Jo, tha ai, unë jam Zef Ashta, jo Zef Pllumi". Tani të gjithë këta, me përjashtime shumë të pakta, brenda ditës u bë një gjyq special me 12 veta. Në 12 veta, u dënuan 4 me vdekje, që u ekzekutuan brenda 24 orëve dhe tetë me 25 vite burg. Ndër këta që u dënuan me gjyq special, të paktën 4-5 që ishin miq të mi, nuk morën pjesë fare: Luan Koka, Sami Dangëllia, Hodo Sokoli...këta kishin episode shumë pozitive, përveçse ishin pjesë e Komitetit Drejtues, që i zgjodhën të tjerët, jo se dolën vetë. U arrestuan dhe të tjerë që i kanë nxjerrë në gjyq grupe-grupe. Ka qenë grupi i flamurtarëve, mirëpo grupi i flamurtarëve nuk u arrestua atë ditë, në datën 23, sepse nuk e zbuluan dot se kush e kishte bërë për arsye se u bë natën. Mirëpo punoi një javë spiuni dhe të dielën, katër ditë pas revoltës, vjen operativi bashkë me prokurorin dhe kërkon emrat: filani, Mersin Vlashi, Neim Pashaj, Qemal Demiri, ishte një...ne i thoshim Lenin, e quanin Vladimir nga Gjirokastra. Ishin pesë veta. I morën katër ditë prapa dhe këta i kanë filluar gjyqet, në mos gaboj me datat, do ketë qenë data 28 ose 29 qershor. Dënimet ishin nga 13 vjet deri në 15. Të gjithë me një motiv: terrorizëm, përveç neneve të tjera, agjitacion-propaganda...Po të shohësh dhe sot, katër martirët e Spaçit, nuk janë gjetur dhe nuk kanë për t'u gjetur sepse janë vlerësuar terroristë me nenet e terrorizmit të asaj kohe, fatkeqësi kjo.
Nuk u janë gjetur eshtrat?
Jo, jo vetëm atyre të katërve, por edhe të tjerëve që janë pushkatuar më prapa, Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani, Xhelal Koprëncka etj.. Nuk janë gjetur as sot. Atyre iu bënë ekzekutimet...ne na prunë fotografi që i pamë, ata thoshin te Ura e Shpalit. Mbase dhe atje mund t'i kenë bërë, kush i pa! Unë për këtë kam shkruar gjatë sepse kam takuar, prapa, protagonistët dhe më kanë treguar edhe për hetuesinë, edhe për mënyrën sesi i dënuan dhe për njerëzit, që u dolën dëshmitarë. Biles, kam pasur kurajon, te volumi i dytë "Spaçi" në tre kapitujt e revoltës së Spaçit, i kam përmendur dhe me emra personat që kanë dalë dëshmitarë dhe i kam atje. Nuk dua t'i marr me vete në gropë ato, sepse do e ndieja veten shumë fajtor nëse nuk do i lija. Natyrisht, sot kanë ikur 45 vjet nga ajo kohë, por e vërteta kjo është.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.